Real Madrid miliona pafund në merkato, arsyeja? Kontrata përtej imagjinatës me sponsorët

549
Prej vitesh Real Madrid ka vënë diktatin në futbollin europian pasi pakkush mund t’i bëjë konkurrencë përsa i përket futbollistëve në merkato nga ku “galaktikët” janë të gatshëm të shpenzojnë mbi 100 mln euro vetëm për 1 lojtarë.
Pas asaj që ka zbuluar gjermania “Der Spiegel”, nuk është më e habitshme pse këto shuma, ose më saktë janë kontratat përtej imagjinatës që klubi madrilen ka nënshkruar me sponsorët.

“Der Spiegel” ka publikuar një raport të detajuar që filtron përmes “Football Leaks” kontratën stratosferike mes “Adidas” dhe Real Madridit, teksa është rënë dakord mes palëve për të zgjeruar marrëveshjen aktuale.

Kjo media e njohur gjermane zbulon një marrëveshje multimilionë dollarëshe, me një përfitim të madh ekonomik për klubin madrilen, por edhe me klauzolat përkatëse.
Kompania gjermane e produkteve sportive, “Adidas”, ofron 1 bilion euro në mes të viteve 2015 dhe 2024. Janë 70 milionë euro fikse në vit, të cilave duhet t’u shtohen të paktën 30 milionë euro më shumë bonuse. Këto 30 milionë euro koresponojnë me kuotën prej 22.5%, që do të ketë Real Madridi për shitjen e produkteve me logon “Adidas” në mbarë botën.

Kjo gjë është llogaritur në shifrën minimale. Përveç kësaj, “Adidas” është e angazhuar për ta pajisur Real Madridin me materialet e duhura sportive, në vlerën prej 8 milionë eurosh në vit. Nëse “Los Blancos” fitojnë La Liga-n, “Adidas” do të paguajë 2.5 milionë euro bonuse, ndërsa prej vitit 2020 kjo shumë do të bëhet 3.5 milionë euro. Dhe, nëse fiton Ligën e Kampionëve, bonusi financiar nga “Adidas” do të jetë 5 milionë euro tani për tani dhe 7 milionë euro nga viti 2020.

Shifrat stratosferike, të publikuara nga “Der Spiegel”, vetëm sa e zgjerojnë hendekun mes klubeve të pasura dhe atyre më të varfra në futboll. Kontrata ka edhe disa klauzola të paktën kurioze. Për shembull, ajo imponon Real Madridin edhe se si duhet të bëhen festimet, kur të fitojë një titull…


Sigal