Fatos Klosi: Ilir Meta, presidenti i duhur

489
Alma Çuka 
Fatos Klosi: Vendi nuk ka krizë, PD kërkon premtimin për Berishën
Zgjedhjet e 18 qershorin do të bëhen, me ose pa PD. Edi Rama kryeministri i duhur. Ndërkohë Ilir Meta njeriu që i duhej Shqipërisë në këto momente për president. Ka përvojën dhe maturinë politike. Basha nëse humb largohet
Ish- kreu i SHISH, Fatos Klosi në një intervistë për gazetën “Telegraf”, komenton zhvillimet e fundit në vend. E konsideron protestën e Partisë demokratike nisur në 18 shkurt, një farsë. Madje thotë, se kjo forcë politike nuk ka kauzë. E gjithë kjo, sipas Fatos Klosit, është një rrëmujë me qëllim që të merret premtimi për mosprekjen e Berishës dhe familjes së tij. Deklaratën e kryeministrit të vendit për tërheqjen e kandidatit të Kavajës e cilëson të mençur. Për Klosin në Kavajë, nëse do të mbaheshin zgjedhjet, ishte planifikuar që militantët të krijonin trazira. Për Berishën, thotë ai, ka vetëm një vend dhe ai është burgu. Ndërkohë pozicionin e ndërkombëtarëve e sheh të drejtë. Sipas tij ndërkombëtarët, ashtu sikundër edhe Aleanca Atlantike e Veriut, nuk mund të bëjnë gjë në këtë situatë. Klosi flet edhe për emërimin e Ilir Metës në krye të shtetit. Për të Meta është presidenti i duhur që do të dije të punojë për stabilitetin e vendit. Nuk beson shumë tek teza e kanabizimit. Thotë se kjo është një prodhim i Partisë Demokratike që sipas tij nuk ka asnjë provë. Ndërkohë Edi Ramën e cilëson kryeministrin e ardhshëm dhe të duhurin për vendin.
Zoti Klosi , në Kavajë nuk do ketë zgjedhje, pasi Kryeministri Edi Rama i kërkoi kandidatit të tërhiqej. Në këndvështrimin tuaj, nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin, tubimi i thirrur nga PD do të cenonte votën e qytetarëve dhe do të kishte reagim të ashpër nga ana e tyre?
Jo ata kishin deklaruar se nuk do lejohej të bëheshin zgjedhje. Zgjedhjet nuk do të bëheshin, pasi militantët e PD nuk do i linin. Votuesit do pengoheshin . Ky do të ishte një krim që dënohet. 
Kush do i merrte përgjegjësitë?
Ky është një problem tjetër. Problemi ka disa faza. Në fillim do bëhej votim apo jo. Nëse ti e parashikon, se nuk do bëheshin zgjedhjet, siç edhe i ka parashikuar kryeministri, është si t’i hedhësh benzinë zjarrit, domethënë të vemi ne e të na ndalojnë, pastaj të dalë përgjegjësia. Kush do e nxjerrë përgjegjësinë? Gjykatat! Kush janë gjykatësit, janë ata që i ka vënë Sali Berisha. Kështu që nuk ka asnjë shans që të dalë e drejta. Pikërisht për këtë po bëhet edhe reforma, pasi sistemi gjyqësor është i korruptuar ose, si të thuash, nuk është i paanshëm, nuk jep drejtësi. Nuk ka asnjë garanci që sistemi gjyqësor të japë drejtësi. 
Si e konsideroni deklaratën e kryeministrit dy ditë para zgjedhjeve në Kavajë për tërheqjen e kandidatit për kryetar Bashkie?
Unë e konsideroj një veprim të mençur. Kryeministri e njeh më mirë situatën, pasi ka shumë burime, pasi zgjedhjet në Kavajë janë të vështira dhe thjesht të pamundura. Kam dëgjuar këto ditë që PD ka kohë që po organizonte bojkotimin e zgjedhjeve. Madje dhe shumë militantë të PD-së në Kavajë janë të organizuar dhe po bëjnë plane. Basha e ka caktuar Kavajën si një gur prove. Ata kishin planifikuar, që përmes militantëve të pengonin njerëzit të venë tek qendrat e votimit. Policia mund të arrestonte disa, por e ka të pamundur të bëjë më shumë. Pra, situata do të ishte vërtet e keqe atje. Dhe mua më vjen mirë që kryeministri i është drejtuar kandidatit për t’u tërhequr. Ai e njeh situatën shumë mirë pasi është kavajas. Sigurisht që mund të jetë rënë dakord që më parë, se kështu do të bëhej, por formalisht e vendos ai. 
Si e shikon fatin e zgjedhjeve të 18 qershorit. Jemi në një situatë kur kanë dështuar të gjitha negociatat për zgjidhje?
Në zgjedhjet e 18 qershorit nuk do të ndodhë asgjë. Së pari, unë në Kavajë do të ishte problem numri i madh i militantëve që do të ishin të përqendruar vetëm në një qytet. Ndërsa zgjedhjet e 18 qershorit zhvillohen në të gjithë territorin e vendit dhe ata nuk kanë se çfarë të bëjnë. Së dyti, mua më vjen mirë që të gjitha Ambasadat perëndimore në Shqipëri po thonë, se do të ishte mirë që në zgjedhje të ishte dhe PD, por nëse ajo nuk vjen në këto zgjedhje, është vendim i saj dhe rezultati i dalë në 18 qershor do të njihet. Domethënë, ata me ndërhyrjen që kanë bërë e kanë kuptuar se PD-ja po ngul këmbë, jo se ka frikë ngaqë zgjedhjet nuk do jenë të ndershme dhe të lira. Ajo ka problem tjetër. Ajo do t’i pengojë zgjedhjet. Do t’i lëshohet pe përmes zgjedhjeve. Ajo këtë ka në dorë, të pengojë zgjedhjet. Parlamenti u mbyll. Në seancën e fundit, PD nuk mori pjesë. Ajo të vetmen gjë që ka në dorë, që të vërë kushte dhe pastaj të marrë premtime.
Por zgjedhjet një ditë do të bëhen?
Mendoj se nuk e ka këtu qëllimin. Nëse ajo ngul këmbë, se nuk do të bëhen zgjedhjet, atëherë ajo shpreson se do t’i premtohet diçka. Ata thonë ta shohim deri ku vete ky premtim. Kjo është një lojë që PD bën me shpresën që të marrë premtimin. Premtimi që ata presin është, të shpëtohet familja Berisha nga reforma. Nuk është dhënë ky premtim nga ndërkombëtarët. Ata i thanë se nuk jemi ne që japim premtime. Të bëhet reforma. Pra praktikisht, nëse do ishte dhënë ky premtim, nëse nesër jepet ky premtim ata pasnesër futen në zgjedhje. Ky është problemi, absolutisht të gjithë e dinë. 
A rrezikon vendi, nëse vazhdon kjo situatë të shkojë në destabilizim?
Për mua jo. Unë nuk shoh që ata kanë nga mbrapa një numër të madh njerëzish. Ata kapen tek ai demonstrim që bënë në 18 shkurt. Mua nuk m’u duk që ishte ndonjë gjë e madhe. Atje isha dhe unë për të parë se sa janë. Ajo nuk tregon gjë. Tregon se njerëzit i janë përgjigjur thirrjes. Unë nuk vajta se jam dakord me PD, por vajta për të parë. Thirrja e Berishës dhe ajo që ata bëjnë është vetëm që Luli të prekë me dorë pushtetin. T’i thuash njerëzve hajdeni përplasuni me qeverinë që nesër Luli të jetë kryeministër. Mua nuk ma merr mendja që ai meriton të bëhet kryeministër. Pra këtu përfundon e gjithë ajo që kërkon. Ai do të humbasë në zgjedhje dhe po të humbasë do të ikë. Këtë e bëri dhe Berisha. Ishte një udhëheqës historik i PD. Pavarësisht se ai nuk është tërhequr në të vërtetë, por e bëri. Ai u tërhoq.
Si e konsideron rolin e Berishës në këtë situatë?
Ai po pret një premtim. Berisha ka frikë nga reforma. Sigurisht që ka frikë. Në Shqipëri janë bërë shumë gjera të këqija dhe Berisha ka gisht në këto gjëra. Për mua Berisha do rrezikonte burgun nga kryerja e reformës serioze, e cila do të japë edhe mesazhin. Janë ata që e kanë dëmtuar më shumë vendin. Sigurisht Berisha. Vendi është 26 vjet në tranzicion dhe ata presin për tre vjet të vinte çeku i bardhë. Ka shumë ndryshime në këto vite, si në aspektin shoqëror, ashtu dhe në funksionim dhe organizimin e administratës. Për mua përgjegjësi numër një është Berisha. Ka qenë pesë vjet president i vendit me fuqi absolute. Tetë vjet kryeministër. Kur Berisha ishte shumë aktiv ndodhi 14 shtatori, kryengritjet në Shkodër dhe shumë gjëra të tjera të rënda, e kur diskutohet për një masë që duhet marrë ka frikë. Edhe në qoftë se nuk ka qenë në pushtet Berisha ka qenë në vendimmarrje. Është përgjegjësi kryesore për këtë tranzicion të zgjatur. Ai është përgjegjës, nuk është Fatos Nano edhe pse ai bëri bëri burg. Edhe Ilir Meta ka qenë kryeministër edhe Pandeli Majko, por nuk kanë bërë atë që ka bërë ai.
Qeverisjen e Edi Ramës në këto katër vite si e sheh?
Pozitive në shumë aspekte dhe shumë gjëra nuk janë bërë edhe pse u premtuan. Bëri reformën e rëndësishme, atë të pushtetit vendor. U nis, edhe pse është i parëndësishëm ligji për hapjen e dosjeve edhe pse nuk hyn tek reformat, është një gjë që tregon se janë bërë gjëra me kosto. Reforma në drejtësi nuk është e vogël. Reforma në arsim, natyrisht që ka njerëz që kanë dalë kundër. Ligji i arsimit mund të përmirësohet, por jo të bëhet nga e para. Vetëm Kushtetuta Amerikane nuk preket dhe këtë e treguan zgjedhjet e fundit. Ndërkohë që ekonomia është ne vështirësi. Ka papunësi. Është situatë e vështirë. Unë nuk jam nga ata që thonë se kanabisi financon partitë dhe zgjedhjet.
Por kjo është një kauzë e PD-së
PD nuk ka kauzë. Ajo thotë se paratë e drogës i merr qeveria dhe përdoren për zgjedhjet. Qeveria sipas PD kultivon drogë dhe kriminelët financojnë qeverinë. Kjo është absurde. Nëse ata pretendojnë që me këtë lloj propagande do bindin disa budallenj, bravo u qoftë. Është kapur shumë drogë çdo ditë. Ajo po luftohet. E vërteta është se përditë kapet. Policia po përpiqet ta zhdukë që në mbjellje.
Pse gjithë ky shpërthim i kanalizimit?
Gjendja ekonomike. Vet kryeministri ka thënë se në fund të 2017 droga nuk do jetë më problem. Shpresoj që ai ta mbajë fjalën. 
Ndërkohë situata politike në këto momente ka tërhequr vëmendjen, jo vetëm të ndërkombëtarëve, por edhe të NATO-s. Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg ka raportuar në PE mbi gjendjen. Keni një koment për këtë?
Është e qartë se NATO dhe ndërkombëtarët nuk mund të ndërhyjnë në çështjet e brendshme të vendit. Ata e dinë shumë mirë këtë gjë. Kërkojnë që zgjidhja të gjendet mes palëve. 
Mendon se klasa politike do gjejë forcën për të zgjidhur situatën?
Mbase dukem shumë i orientuar nga qeveria, por nuk ka krizë politike në Shqipëri. Do kishte krizë, nëse do kishte dy forca e majta dhe djathta si në Maqedoni dhe nuk do bëhej dot qeveria, nuk do merrnin dot vendime në parlament.
Si do ta konsideroje një qeveri që do dilte në 18 qershor në kushtet ku jemi. Do zgjasë në kohë?
Varet nga situata dhe nga puna që do bëjnë. Si do e shfrytëzojnë. Varet nga vendimet që do marrin. Do jenë absurde për shkak të votave që ka në kuvend apo jo. Mua nuk më intereson fare opozita. Po të donte le të vejë. Gjasat janë. Drejtuesit e PD e kanë të sigurt që zgjedhjet i kanë të humbura. Ata thonë sa të humbim në këto zgjedhje dhe të quhemi parti e humbur po luajmë këtë kartë. Thonë zgjedhjet nuk bëhen, kanabisi ka pushtuar Shqipërinë. Ata po kalojnë një krizë. Është vetëm një gjetje e tyre. Kush thotë se është kështu. Ata s’kanë asnjë rast që të ketë paguar për zgjedhjet. Kjo është një kauzë e sajuar, pasi nuk kanë kauzë tjetër.
Zgjedhjen e Ilir Metës në krye të shtetit si e konsideron?
Dua t’i besoj Ilirit. Ata e bënë këtë për stabilitetin e vendit. Pra, situata në Kavajë, situata për zgjedhjet e 18 qershorit të kalohej me një president të zgjedhur. Iliri nuk donte të bëhej president. Ai e tha dhe ne e pamë. Më pas u detyrua të mbante një qëndrim dashamirës me ata që e votuan. Iliri nuk ka aspiruar kurrë pozicionin e presidentit. Në këtë situatë pozicioni i presidentit bëhet veçanërisht i domosdoshëm. Presidenti aktual kurrë nuk ishte ngatërruar me ndonjë gjë. Kohët e fundit ai u bë protagonist duke organizuar takimet e dy liderëve kryesorë të politikës. Pra situata e kërkonte që Shqipëria ta kishte një president. Për Shqipërinë Iliri është presidenti i duhur. Është politikanë me shumë eksperiencë. Në çdo koalicion ka treguar që di t’i largohet konfliktit. Ka dhe eksperiencën. Dhe pozicioni i presidentit ky është. Reforma në drejtësi e ka bërë pozicionin e presidentit më pak të rëndësishëm. Por Iliri do dijë ta luajë rolin. Nëse ai prononcohet populli e dëgjon dhe do dijë. Edhe Petriti është politikan tashmë me eksperiencë. Edhe Monikën e kanë vënë aty afër. Monikën nuk e pengon asgjë për të qenë në atë post. Zgjedhja e të shoqit në krye të presidencës nuk mund t’ia heqë të drejtën. Madje e ka më të lehtë. Ajo do këshillohet me të. Por Iliri do të dijë të jetë i paanshëm. Në dispozitat kushtetuese, presidenti nuk ishte i detyruar të hiqej nga partia. U bë ky hap tani për ta larguar presidentin nga politika, për ta bërë pak më të pavarur. Por kjo nuk e privon 
Si e sheh LSI në këto zgjedhje?
Ka qenë shumë aktive, shumë e kujdesshme. Nuk dalin fjalët kot. Ajo ka qenë më pranë njerëzve. Është fakt që ajo ka qenë një parti që mbron interesat e njerëzve. Nuk ka më parti ideologjike. Tani është se kush të bindë më shumë. Në fakt LSI ka qenë më e kujdesshme.
Pas tërheqjes së kandidatit në Kavajë, pas negociatave të dështuara çfarë mendon se do ndodhë. Kush pritet të lëshojë më shumë?
Unë kam qenë gjithmonë i mendimit se PD do hyjë në zgjedhje. Duke e konsideruar një trill të PD, duhet që PD të lëshojë më shumë. Edhe Edi duhet të lëshojë. Pra të dyja palët. Rama i ofroi shumë PD. Ofroi disa njerëz që të njoftojnë, nëse do të ketë ndonjë gjë gjatë zgjedhjeve. Ata, PD-ja nuk ka gjë tjetër veçse do garanci për Berishën që ka qenë kryeministër kur u vranë 4 njerëz dhe për Lulin që ka qenë ministër kur u ndërtua rruga e Kombit. Ata kërkojnë gjëra që e dinë se Edi Rama nuk do t’i bëjë. Ata e dinë shumë mirë që ai nuk do i bëjë. Dhe Rama thotë me të drejtë, se do të qëndrojë deri në fund, sepse ia ka dhënë populli besimin. Ai nuk do të tregohet frikacak. Nuk është e kundërligjshme që ai të rrijë deri në fund. Më pëlqeu kur tha, se këto zgjedhje do të bëhen.
A i ngelet më kohë PD?
Problemi i vetëm që kërkon kohë janë listat. Po të futet opozita bëhen dhe ato. Kjo situatë nuk ka të bëjë fare me zgjedhjet. Kjo ka të bëjë me interesat e tyre.
Sa do jetë mbështetja në popull për Edi Ramën në këto zgjedhje?
Ekonomia ka qenë e vështirë. Pa dalë Italia dhe Greqia nga kriza ne nuk rregullohemi. Jemi të varur prej tyre. Italia është në kulmin e krizës ndërsa Greqia është në momentin që po pret të marrë sërish borxhe për të larë rrogat. Ekonomia nuk është një problem që zgjidhet, nëse do apo jo kryeministri. Sigurisht që ai mund të nxisë ose mund të zbusë taksat. Ekonomia varet nga bizneset. Ne nuk kemi treg. Dhe ky menaxhohet nga biznesi. E vetmja gjë që ka ndryshuar nga koha e Berishës janë taksat mbi të ardhurat. Janë taksa progresive. Dhe kjo nuk prek shtresën që paguhet me rrogë nën 130 mijë lekë të reja. Biznesi duhet të ankohet dhe mirë bëjnë. Por nuk është ky problemi. Ne nuk konkurrojmë dot në tregun global. Nuk jemi të përgatitur. Ne, si në turizëm dhe në bujqësi jemi shumë mbrapa. Bujqësia është shumë keq dhe nuk mund të bëhet një bujqësi moderne ashtu siç u nda toka. Por edhe turizmi është shumë keq. Ne jemi të fundit në rajon dhe t’i hedhësh fajin qeverisë?! As kësaj dhe as asaj të parës nuk mund t’i hedhësh faj për ekonominë. 
Po ne kur do bëhemi?
Do bëhemi atëherë kur të mbyllim problemet e politikës. Populli merret me politikë edhe pse s’e besoj se e kuptojnë shumë atë. 
Pse qytetarët duhet t’i thonë përsëri po Edi Ramës?
Sepse është më i miri në treg. Nuk po them se është i mrekullueshëm, por është më i miri. Luli nuk ka qenë kryeministër, por ka qenë Kryetar Bashkie dhe nuk bëri asgjë. 
Sigal