Presidenti i FSHN, Agim Çiraku: Kjo Kupë, në respekt të kombit tonë

38

NOT/ Dje në pishinën “Te Stela”, FSHN-ja organizoi Kupën “Pavarësia 2023”, 150 notarë në garë

Sigal

Agron KAJA

“Garat nisën shumë bukur. Si fillim do të vlerësoja organizimin dhe masat që ishin marrë për këtë veprimtari, njëherësh edhe seriozitetin e të gjithë ekipeve e notarëve të tyre, si dhe dy Rekordet Kombëtare”

Si një nga nisiatorët dhe organizatorët e Kupës “Pavarësia”, Presdenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, deklaroi dje për gazetën “Telegraf”, se kjo veprimtari tashmë ka hyrë në axhendën vjetore të FSHN-së. Në bashkëpunim edhe me Akademinë e Notit “Te Stela”, e cila e ka organizuar këtë kupë nisur që nga viti 2011, Presidenti Çiraku tregon se tashmë do të bëhet traditë për notin shqiptar, për tu kthyer në një Kupë Mbarëkombëtare, edhe me pjesëmarrjen e gjerë të notarëve nga të gjitha trevat shqiptare. “Për ne si federatë ka qënë ide e disa viteve më parë, që Kupën “Pavarësia” ta organizonim në bashkëpunim me Akademinë e Notit “Te Stela”. Dhe dje kjo veprimtari nisi si një festë, sepse veç garës, ngjyrat kuqezi duket se e justifikonin emrin e kësaj kupe”, kështu e nisi dje bisedën Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku, i cili për gazetën “Telegraf” sqaroi se kupa është e zhvendosur në dy ditë dhe do të mbyllet sot me seancën e dytë dhe të tretë. “Garat nisën shumë bukur sot (dje), dhe si fillim për këtë do të vlerësoja organizimin dhe masat që ishin marrë për këtë veprimtari, njëherësh edhe seriozitetin e të gjithë ekipeve dhe të notarëve të tyre. Ka një pjesëmarrje të admirueshme ku 11 ekipe nga Shqipëria dhe një nga Kosova po garojnë me rivalitet”. Në ditën e parë të kësaj veprimtarie kombëtare të notit u thyenë dy rekorde kombëtare, dhe për këtë Presidenti Çiraku tha se ishte optimist për nesër (sot) se do të ketë edhe të tjerë. “Nuk është e mundur që të mos thyhet rekord kombëtar në veprimtaritë tona të notit. Kemi rreth një dekadë që jemi mësuar me këtë ritëm rekordesh, dhe dy rekordet e thyera në ditën e parë të Kupës “Pavarësia” nga Partizani për Meshkuj-Të Rinj; në stafetën 4X50 m Stil i Lirë për Femra rekordin e thyeu ekipi Te Stela. Këto dy rekorde e mbajtën gjallë këtë “pishtar”, që nesër (sot) besoj se do të vazhdojë edhe me të tjerë”. Kupa “Pavarësia 2023” do vazhdojë garat e saj edhe sot, ku priten rezultate të larta, ndërkohë që Presidenti i FSHN-së i ka pritshmëritë jo vetëm te rekordet kombëtare, por edhe me kohë shumë të përmirësuara. Për FSHN-në, veprimtaritë e vitit 2023do të mbyllen më 16 dhjetor me Kupën “Klavio Meça”.

 

EKIPET PJESËMARRËSE

Nga Shqipëria: Vllaznia, Teuta, Te Stela, Partizani, Tirana, Tradita, Vlora, Butrinti, Elbasani, Pogradeci dhe Bala Suin.

Nga Kosova: Një notar

 

GARUES

150 notarë Meshkuj-Femra

 

REKORDE KOMBËTARE

#4X50m Stil i Lirë, Meshkuj

Partizani-Të Rinj, 15-16 vjeç

Koha 1’47”29

#4X50m Stil i Lirë, Femra

Te Stela-Të Reja e të Rritura

Koha 1’59”60

Garat dhe fituesit dje

400 m Stil i Lirë

Meshkuj: Refat Halili (Te Stela)

Koha: 4’26”62

Femra:Kaltra Meça (Te Stela)

Koha: 4’34”46

200 m Katërnotim

Meshkuj: Dion Daja (Te Stela)

Koha: 2’22”09

Femra: Vivian Xhemollari (Tirana)

Koha: 2’25”32

100 m Stil Shpinë

Meshkuj: Andi Bajollari (Te Stela)

Koha: 1’03”37

Femra: Shirli Ziso (Tirana)

Koha: 1’19”44

50 m Stil Bretkocë

Meshkuj: Joan Meshi (Partizani)

Koha: 31’81”

Femra: Julia Xhako (Tirana)

Koha: 36”50

100 m Stil Flutur

Meshkuj: Niklas Hoxha (Te Stela)

Koha: 1’00”19

Femra: Evie Asllanaj (Te Stela)

Koha: 1’18”00

4X50 m Stafetë Stil I Lirë

Meshkuj: Tirana

Koha: 1’49”28

Femra: Te Stela

Koha: 1’59”60

RISIA E KUPËS “PAVARËSIA 2023”

Kupa “Pavarësia” në Not, që nga viti 2011 ishte bërë “pronë” e Akademisë së Notit “Te Stela”, e cila në pishinën me të njëjtin emër, muajin nëntor e kalonte me këtë veprimtari. Madje gjatë garave që janë zhvilluar në këtë kupa, notarët dhe notaret e ekipit që drejtohet nga trajneri, Mjeshtri Madh, Sadik Mema, kishin thyer mbi 100 rekorde kombëtare në të gjitha moshat. Ndërkohë që këtë vit, Kupa “Pavarsia 2023” kishte organizimin e përbashkët edhe me FSHN-në, ku Presidenti i saj Agim Çiraku, deklaroi dje për gazetën “Telegraf” se ky bashkëpunim do të vazhdojë.