Premio të “çmendura” për finalen

228

Asnjë ekip s’e ka fituar trofeun. Kjo është katërshja më e pazakontë e gjysmëfinaleve të Kupës

Pas ndeshjeve të dyta gjysmëfinale: Laçi-Kukësi dhe Bylis-Skënderbeu, sot do të zbardhen emrat e dy finalistëve të edicionit të 61-të të Kupës së Shqipërisë. Takimet e para, të luajtura në Kukës dhe Korçë, prodhuan dy barazime: 0-0 dhe 1-1, kështu që sfidat e kthimit janë të hapura. Presidentët e klubeve: Takaj i Skënderbeut, Kapllanaj i Bylisit, Gjici i Kukësit dhe Laskaj i Laçit u kanë premtuar lojtarëve shuma të konsiderueshme, në miliona, për të eliminuar rivalët. Katërshja gjysmëfinaliste, pra Skënderbeu, Bylisi, Kukësi dhe Laçi, është paksa e pazakontë, pasi përveç korçarëve duhet pranuar se tre skuadrat e tjera e kanë kaluar pjesën më të madhe të jetës së tyre në kategoritë inferiore. Për Skënderbeun kjo është hera e 9-të, që merr pjesë në gjysmëfinale, për Laçin është hera e dytë (e para 1997-1998), ndërsa për Bylisin dhe Kukësin kjo është hera e parë. Kupa është një biletë e sigurt në Ligën e Europës, dhe sikur të marrësh rastin se një nga finalistët dhe fituesi i saj është Skënderbeu.

Asnjë nga katër skuadrat gjysmëfinaliste nuk e ka fituar më parë trofeun e Kupës, pavarësisht se Skënderbeu ka qenë katër herë në finale, e fundit e humbur edicionin e kaluar me Tiranën (0-1). Korçarët janë duke e dominuar futbollin vendas prej tre sezonesh, ndërkohë që në historinë e Kupës kanë qenë të pafat. Për Skënderbeun kjo është hera e 9-të, që merr pjesë në gjysmëfinale. Në ndeshjen e parë gjysmëfinale barazuan 1-1 me Bylisin.  “Ujqërit e dëborës” kanë qenë katër herë në finale, që të gjitha të humbura, përfshirë dhe atë të edicionit të kaluar me Tiranën (0-1). Nëse kualifikohen korçarët, fituesi i çiftit tjetër Laçi-Kukësi e siguron automatikisht pjesëmarrjen në Ligën e Europës, e fiton apo jo trofeun. Skënderbeu numëron dy pjesëmarrje ndërkombëtare që, të dyja në Ligën e Kampioneve (2011-2012 dhe 2012-2013), ku dhe është eliminuar nga Apoeli i Qipros (me dy humbje) dhe Debreceni i Hungarisë (1 fitore, 1 humbje). Kurbinasit janë një skuadër realitivisht e re, kjo në pikëpamjen historike. Kurbinasit marrin pjesë për herë të dytë në gjysmëfinale (përfshirë dhe atë 1997-1998), ndërkohë që kanë qenë pesë herë në çerekfinale. Për herë të parë kanë marrë pjesë në Superligë në sezonin 1991-1992, ku u renditën në vendin e 12-të në një kampionat me 16 ekipe, përshirë edhe Selenicën e Vlorës (një ekip që s’ekziston më). Sa për kuriozitet, atë sezon Skënderbeu ra nga kategoria. Laçi numëron 13 pjesëmarrje në Kategorinë Superiore, ku vendi më i mirë i arritur është ai i 4-t (2009-2010 dhe 2010-2011). Pas pesë pjesëmarrjeve në çerekfinale, pikërisht në edicionet 1999-2000, 2000-2001, 2010-2011 2011-2012 dhe 2012-2013, Bylisi mori për herë të parë në gjysmëfinale, kjo dhe për shkak të një aleance me Laçin në ndeshjet në grupe. Ballshiotët janë themeluar shumë vonë si skuadër, qysh kur u vendos të ngrihej në qytet Rafineria e Thellë e Naftës. Për herë të parë u shfaqën në Kategorinë Superiore në sezonin 1996-1997, ndërkohë që në atë pasardhës, 1997-1998, u renditën në vendin e tretë. Qysh atëherë numërojnë 11 pjesëmarrje në Superligë. Gjithsesi, Bylisi numëron dy përfaqësime ndërkombëtare, në dy kompeticione të ndryshme: Kupën UEFA (1999-2000) dhe Kupën Intertoto (2001). Bylisi barazoi 1-1 në takimin e parë në Korçë dhe i ka të gjitha shanset për të mbërritur në finale, por për të luajtur në Europë duhet patjetër që ta fitojë, ndryshe nuk ka asnjë shans.

 Ecuria e jashtëzakonshme e Kukësit

 Dy sezone më parë, bënte pjesë në Kategorinë e Dytë; edicionin e kaluar luajti në Kategorinë e Parë dhe këtë sezon diskuton një vend për në Europë. Aktualisht, ndodhet në vendin e dytë në Superligë dhe në gjysmëfinalet e Kupës. Nëse do ta kalojë provimin në Laç do të hyjë në histori, si skuadra e 11-të shqiptare që do të luajë në Europë. Kukësi është themeluar në vitin 1930, por e gjithë jeta e tij sportive është endur në kategoritë inferiore. Për kuksianët kjo është hera e parë që luajnë në Kategorinë Superiore. Falë investimeve të fuqishme financiare të presidentit Safet Gjici dhe mbështetjes së pakursyer të Bashkisë së qytetit, Kukësi është shndërruar një garues të fuqishëm. Në fakt, kuksianë janë skuadra më modeste në katërshen gjysmëfinaliste, pasi janë pa histori dhe traditë, por kjo nuk e pengoi atë të eliminonte pikërisht ish-fituesit në fuqi të Kupës, Tiranën, ekipin që së bashku edhe me Partizanin, kanë numrin më të madh të trofeve të kompeticionit, nga 15.

Rregullorja

 Neni 90 – “Pjesëmarrja në garat e UEFA-s”. Pika 1/f: “Nëse klubi i futbollit i renditur në fund të sezonit në vendin e dytë ose të tretë në renditjen e Superiores fiton njëkohësisht edhe trofeun e Kupës së Shqipërisë, atëherë klubi i renditur në vend të katërt në klasifikimin e përgjithshëm do të marrë pjesë në Ligën e Europës, në turin e parë paraeliminator”.

Fituesit

 Skuadra që do të fitojë trofeun do të bëhet ekipi i dhjetë që fiton një Kupë të Shqipërisë, duke u bashkuar kështu me Tiranën (15 trofe), Partizanin (15), Dinamon (13), Vllazninë (6), Flamurtarin (3), Teutën (3), Elbasanin (2), Apoloninë (1) dhe Besën (1). Në finale, në total kanë qenë 13 skuadra, përfshirë këtu edhe ekipet humbëse: Skënderbeu, Albpetrol, Lushnja dhe Tomori.

  GJYSMËFINALET

Ndeshjet e vajtjes

Kukësi-Laçi          0-0

Skënderbeu-Bylis     1-1

Ndeshjet e kthimit

Laçi-Kukësi          sot

Bylis-Skënderbeu           sot

SKËNDERBEU

Skuadra korçare merr pjesë për herë të 9-të në gjysmëfinale:

1958, 1960, 1962-1963, 1964-1965, 1965-1966, 1975-1976, 1979-1980, 2011-2012 dhe 2012-2013.

 BYLISI

Pas pesë pjesëmarrjeve në çerekfinale: 1999-2000, 2000-2001, 2010-2011 2011-2012 dhe 2012-2013, Bylisi merr për herë të parë në gjysmëfinale.

 KUKËSI

Për kuksianët është një arritje historike, pasi marrin pjesë për herë të parë midis katër më të mirave të Kupës së Shqipërisë, teksa synojnë trofeun.

 LAÇI

Kurbinasit marrin pjesë për herë të dytë në gjysmëfinale pas asaj në edicionin 1997-1998, të cilën e humbën me Apoloninë: fituan 1-0 në Laç; humbën 2-0 në Fier.

Kombëtarja do të luajë midis të tjerash kundër Norvegjisë, ish-kampiones së botës së vitit 1995

 Botërori i femrave, short i vështirë për Shqipërinë

 Shqipëria e futbollit për femra njohu dje kundërshtarët e saj, në eliminatoret e Botërorit “Kanada 2015”. Shorti i hedhur në Nion nuk ishte aspak i përzemërt me formacioni kuqezi të drejtuar nga Altin Rraklli. Kundërshtarët janë nga emrat më të mëdhenj në futbollin për femra, përfshirë Norvegjinë, kampione e botës në vitin 1995. Holanda, Belgjika, Portugalia dhe Greqia kompletojnë grupin 5. Për vendin tonë kjo është hera e parë që, merr pjesë në eliminatoret e një Botërori, por tashmë e ka një përvojë modeste ndërkombëtare. Pak ditë më parë, Shqipëria fitoi me Letoninë (2-0) dhe Luksemburgun (2-1), ndërsa barazoi me Maltën (1-1), në ndeshjet paraeliminatore, duke kapur vendin e dytë ën grup. Në shtatë ndeshje ndërkombëtare – tri zyrtare dhe katër miqësore – Shqipëria ka arritur gjashtë fitore dhe një barazim.

38 skuadrat europiane janë ndarë në shtatë grupe, ku vetëm fituesit do të shkojnë direkt në Kanada, ndërkohë që katër vendet e dyta më të mira do të luajnë ndeshje “play-off”-i për dy biletat e fundit. Ndeshjet eliminatore do të zhvillohen nga 20/21 shtator 2013 deri më 17 shtator 2014, me sistem vajtje-ardhje. Në finalet e Botërorit do të marrin pjesë 24 skuadra. Finalet do të zhvillohen nga 6 qershori deri më 5 korrik 2013, në Edmonton, Monkton, Montreal, Otava dhe Vankuver.

GRUPI 5: Norvegjia, Holanda, Belgjika, Portugalia, Greqia, Shqipëria

 Dafina e Suedisë

 Mesfushorja e Kombëtares së femrave, Dafina Memedov, luan me IFK Norkeping DFK. Shënoi në gol në eliminatore.

 Furtuna e Amerikës

 Sulmuesja Furtuna Velaj luan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me Boston Brikers. Dy gola në elimintatore

 Elizabeta e Anglisë

 Një tjetër “legjionare”  e femrave është dhe Elizabeta Ejupi, e cila luan në Angli me Sharlton Atletik.          

Haxhia: “Sadiku ndiqet nga shumë klube”

 Lajmi i përhapur në mediat italiane se kompania braziliane e fondit të investimeve, “DIS”, po kërkon të dërgojë sulmuesin shqiptar Armando Sadiku në radhët e Korinthians, ka bërë mjaft bujë sidomos në Itali. Rreth kësaj teme ka folur edhe menaxheri i futbollistit, Sokol Haxhia, i cili ka konfirmuar se për sulmuesin e Luganos ka interes nga shumë klube të njohura botërore dhe ku më shumë të interesuara janë klubet Italiane. Ai gjithashtu konfirmon faktin se nuk do t’i thuhej jo një oferte të mundshme nga Brazili dhe konkretisht nga kampionët e Korinthians.

“E kam lexuar edhe unë ditët e fundit këtë histori rreth një kontakti mes presidentit të Luganos dhe përfaqësuesve të kompanisë. Por të shohim se çfarë do të ndodhë, pasi për momentin me ne nuk ka pasur kontakte të drejtpërdrejta”. “Korinthians është një skuadër e madhe. Nga ana jonë dyert janë të hapura për një marrëveshje të mundshme, pasi ky është një klub shumë i rëndësishëm që mund të ndikojë në rritjen në karriere të sulmuesit Sadiku”. Sipas Menaxherit Haxhia, lojtari ka tërhequr vëmendjen e klubeve të Serisë A.