LUFTËTARI-KUKËSI 2-2/ Penalltia e
kroatit Pejiç dhe goli i Rapos, dy momentet që ndryshuan ndeshjen
Polemika për një pikë, Kukësi “tremb” kreun
Nga Agron KAJA
Nuk duket se Luftëtari është skuadër debutuese apo se është
rastësisht në vendin e pestë, madje as në mes skuadrave që nuk rrezikojnë
mbijetesën, pse jo Evropën. Nga ana tjetër, Kukësi shkoi në Gjirokastër me
autoritetin e kryesuesit, por doli prej andej me statusin e të barabartit. Këto
janë përfundimet pas 90 minutave që u luajtën në Gjirokastër në sfidën e dyfishtë:
Luftëtari për të konsoliduar pozitat në mesin e tabelës së renditjes dhe Kukësi
për të ruajtur diferencën me dy ndjekësit në kreun e renditjes. Dhe u duk sikur
Luftëtari e kishte “prenotuar” golin që nga dhomat e zhveshjes, sepse vetëm 5
minuta kohë ju desh Rexhinaldos që të shënonte golin e avantazhit, duke
paralajmëruar se kryesuesit nuk do ta kishin të lehtë fitoren. Dhe këta filluan
të tregohen si të tillë minutë pas minute, duke u zhvendosur tërësisht në lojën
e tyre tek gjysmëfusha gjirokastrite. Kulmi i këtij presioni ishte pikërisht
minuta e 34-ët, ku Imami i Kukësit u pengua në zonë nga vendasit, duke i dhënë
arbitrit Klajdi Kola që të drejtojë dorën te pika e penalltisë. Këtu filluan
nervat, polemikat, kundërshtimet dhe fyerjet e lojtarëve të Luftëtarit, të cilët
nuk e kthyen vendimin e kryesorit. Dhe ai që e ktheu këtë vendim në gol ishte
kroati Pejiç, që nga pika e bardhë e penalltisë barazoi rezultatin në 1-1. Ky rezultat mbylli pjesën e parë, duke e lënë
të hapur gjithçka për pjesën e dytë, e cila sikundër e para, nisi më fort dhe më
shpejt për vendasit e Luftëtarit, por vetëm tentativa ishin gjuajtjet e Bregut
dhe Rapos. Ndoshta ky ishte edhe “studimi” që i bëri Kukësi këtyre minuta të
rifillimit, sepse në minutën e 65-të shënoi golin e avantazhit nëpërmjet
Eminit, pas një krosi të saktë të brazilianit Karioka. Bregu, Rapa dhe Rapo u bënë
protagonistë më pas të lojës së gjirokastriteve, të cilët në asnjë minutë nuk e
lëshuan lojën, edhe pse u ndëshkuan dy herë me kartonë të verdhë. Ky presion u
finalizua në minutën e 87-të, ku pas një krosi nga e djathta, jashtë zonës
kuksiane, Donald Rapo shkarkon një të majtë potente duke e përcjellë topin në
rrjetën e portierit Koliçi, i cili bëri “adetin” e hedhjes, por nuk mundi që të
ndalte topin për në rrjetë. Mund ta quash edhe si një supergol, apo edhe një
gol i shkëlqyer, i ka të dyja, por më shumë ky gol barazoi rezultatin, duke e lënë
Kukësin me “gisht” në gojë. Një pikët e “artë” për Luftëtarin që konsolidon
pozitat në mesin e tabelës së renditjes, por një hap prapa për Kukësin që ishte
katër pikë larg ndjekësve, tashmë e ngushton këtë diferencë. Gjithsesi, Kukësi është
Kampion Dimri në Kategorinë Superiore 2016-2017, duke treguar se këtë sezon e
ka më seriozisht pretendimin për titullin kampion.
E enjte, 22 dhjetor 2016, ora 14:00
Në stadiumin “Gjirokastra”
LUFTËTARI-KUKËSI 2-2
Shënues: Rexhinaldo 5’, Rapo 87’/ Pejiç (p) 36’, Emini 65’
Luftëtari: Ruçi, Liçaj, Beqiri, Bojom,
Mersini, Ramadani, Rapa, Rrapo (Brahimaj 90′), Abazaj, Bregu, Rexhinaldo. Trajner:
Mlladen Milinkoviç
Kukësi: Koliçi, Hallaçi, Shameti, Alla (Pashaj 24′), Imami,
Dvornekoviç, Lena, Karioka, Greca (Moreira 66′), Emini (Dema 74′), Pejiç. Trajner:
Ernest Gjoka
Gjyqtar: Klajdi Kola
MINUTA TË VEÇANTA
5′ GOL 1-0 Rexhinaldo kalon vetë gjithë mbrojtjen e Kukësit dhe pasi
futet në zonë godet saktë drejt portës duke kaluar Luftëtarin në avantazh.
16′ Pejiç shërben mjaft mirë për Eminin brenda zonës, por
goditja e këtij të fundit shkon jashtë, pak mbi traun e portës.
24′ Kukësi kryen zëvendësimin e parë të detyruar.
Largohet Alla i dëmtuar, në fushë Pashaj.
34′ GOL 1-1 Imami rrëzohet në zonë dhe arbitri akordon
penallti për Kukësin. Protesta të shumta nga ana e lojtarëve të Luftëtarit për
këtë vendim. Pas 2 min, Pejiç ekzekuton penalltinë në mënyrë të saktë dhe
barazohen shifrat.
65′ GOL 1-2 Emini godet saktë brenda zonës një top të
krosuar nga e djathta nga Karioka dhe Kukësi kalon në avantazh duke përmbysur
shifrat.
79′ Bregu tenton me një goditje të rrezikshme brenda
zonës, por Koliçi tregohet i vëmendshëm.
87′ GOL 2-2 Donald Rrapo barazon, me një goditje jashtë
zonës së reptësisë e kalon topin në trekëndëshin e djathtë të portierit
kuksiane
LAÇI-TEUTA 0-2
Shënues: Ribaj 24’ (p), 64’
Një fierak për tri pikët durrsake
Janë të quajtur “Djemtë
e detit”, kjo nga pozicioni bregdetar i qytetit të Durrësit, por me fitoren e
djeshme në Laç, skuadra e Teutës mund të quhet edhe si një “nëndetëse” që në
lundrimin e saj 90 minutësh tregoi se nuk duhet të jetë për mbijetesë. Në Laç
kishte edhe disa polemika pas ndeshjes, duke aluduar për një fiksim të mundshëm,
por që gjithsesi në këtë fundviti nuk mund ti marrësh më shumë se sa rezultatit
2-0 për durrsakët. Akuino i Laçit e nisi me protagonizëm ndeshjen duke
rrezikuar disa herë deri në minutën e 27-të kur gjuajti penalltinë e akorduar
nga arbitri Jorgji, e kontestuar nga durrsakët. Pritja nga portieri Moçka i dha
zemër lojës së Teutës, e cila tre minuta më parë kishte shënuar golin e
avantazhit me fierakun Ribaj, po me penallti. Dhe Laçi tregon se nuk pajtohet
me rezultatin, por vetëm raste shënoi në kronikën e ndeshjes, sepse konkludimi
përsëri i takoi Teutës në minutën e 64-ët, përsëri me Ribajn, “asi nën mëngët”
e Maganit për golin.





















