Pesë ndeshjet e para, De Biazi thyen rekordin e Josip Kuzhesë

537
Sigal

Italiani mori nëntë pikë në eliminatoret e Botërorit 2014, ndërsa kroati mori tetë në Euro 2012

 Me fitoren 1-0 në Norvegji, e 14-ta e Shqipërisë në eliminatoret e një Botërori, por dhe e 26-ta në total, përfshirë edhe 12 fitoret në kualifikueset e europianëve, italiani Xhani De Biazi u bë trajneri më i suksesshëm i pesë ndeshjeve të para, duke thyer edhe rekordin e mbajtur nga paraardhësi i tij, kroati Josip Kuzhe. De Biazi ka grumbulluar 9 pikë në pesë ndeshje, ndërkohë që Kuzhe kishte grumbulluar 8 pikë në eliminatoret e Euro 2012-s. Konkretisht, Kombëtarja e De Biazit ka fituar me Qirpon, Slloveninë dhe Norvegjinë (ka humbur me Zvicrën dhe Islandën), duke pasur një bilanc prej 3 fitoresh dhe 2 humbjesh; ndërkohë ajo e Kuzhes mori dy fitore me Luksemburgun dhe Bjellorusinë, dy barazime me Bosnjën dhe Bullgarinë, si dhe një humbje me Bjellorusinë. Në specialen e saj, gazeta “Telegraf” bën një udhëtim statistikor të Shqipërisë, nga eliminatoret e Botërorit 1966 (me trajner Zyber Konçin), tek ato të De Biazit në Botërorit 2014.

  TRAJNERËT SHQIPTARË

Në eliminatoret e Botërorit 1966, pra dhe kur u vendosën grupet nga FIFA, Shqipëria me trajnerin Zyber Konçi nuk grumbulloi asnjë pikë në pesë ndeshjet e para, duke humbur nga dy herë me Holandën dhe Zvicrën, si dhe Irlandën e Veriut. Në kualifikueset e Euro 1968, spikat barazimi i madh 0-0 i Loro Boriçit me Gjermaninë Perëndimore, më 17 dhjetor 1967 (në Tiranë), e që i nxori jashtë gjermanët nga finalet e Europianit në fjalë. Por, gjithsesi, vetëm një pikë në katër ndeshje pas dy humbjeve me Jugosllavinë dhe një tjetre me Gjermaninë. Nuk pati ndeshje të pestë, pasi në grup ishin vetëm tri skuadra. Edhe për Euro 1972, Loro Boriçi grumbulloi vetëm një pikë (një barazim 1-1 me Poloninë në “Qemal Stafa”), pasi dhe ndeshja e pestë u mbyll me humbjen 2-0 me Gjermaninë, pas atyre me Poloninë, Turqinë dhe një tjetër me Gjermaninë (1-0). Pesë ndeshjet e Botërorit 1974 u mbyllën me fitoren 1-0 ndaj Finlandës, e arritur nga trajneri Ilia Shuke, e para në eliminatoret e një Botërori. Në katër të parat me Loro Boriçin, asnjë pikë, pra me katër humbje. Pas një shkëputje prej tetë vjetësh nga arena ndërkombëtare, me një urdhër politik absurd të regjimit të kohës. Shqipëria u rikthye në Europë me rastin e eliminatoreve të Botërorit 1982, ku dhe u regjistrua fitorja e parë në katër ndeshjet e para. I përket trajnerit Zyber Konçi dhe ndeshjes Shqipëri-Finlandë: 2-0, më 3 shtator 1980, me golat e Sefedin Brahos dhe Millan Baçit. Gjithsesi, ajo fitore u shoqërua me katër humbje, pra vetëm 3 pikë të grumbulluara. Në fakt, sipas rregullores, në atë kohë jepeshin 2 pikë për fitoren, por për efekt krahasimi me rregullin e sotëm, e kemi vendosur fitoren me 3 pikë. Për Euro 1984, Shyqyri Rreli grumbulloi vetëm një pikë: barazoi 0-0 me Irlandën e Veriut, në Tiranë, më 15 dhjetor 1982. Pjesa tjetër e “faturës” janë katër humbje.

Në kualifikueset e Botërorit “Meksikë 1986”, u regjistrua fitorja e bujshme ndaj Belgjikës: 2-0 (22.12.1984) me golat e Arbën Mingës dhe Mirel Josës, por dhe barazimi 2-2 në Poloni, teksa kryesonim 2-1 deri në minutën e 76-të, falë golave të Bedri Omurit dhe Agustin Kolës. Tri humbjet na mbajtën në kuotën e 4 pikëve. Drama e madhe u përket eliminatoreve të Euro 1998 (Agron Sulajt: 5 ndeshje, 5 humbje), Botërorit 1990 (Shyqyri Rrelit: 5 ndeshje, 5 humbje) dhe Euro 1992 (Bejkush Birçes: 5 ndeshje, 5 humbje): asnjë pikë, 15 humbje në 15 ndeshje, madje dhe me rezultat të thellë si ai 9-0 nga Spanja (19.12.1990, Birçe).

Pikët rikthehen në kualifikueset e Botërorit 1994: Birçe grumbulloi katër pikë, falë fitores 1-0 me Lituaninë (gol i Eduard Abazit) dhe barazimit 1-1 me Letoninë. Për Euro 1996, Neptun Bajko mori tri pikë, kjo falë fitores 3-0 me Moldavinë, ndërkohë humbi me dy herë me Gjermaninë, Gjeorgjinë dhe Rumaninë. Për Botërorin 1998, Neptun Bajko (3 ndeshje) dhe Astrit Hafizi (2 ndeshje), grumbulluan vetëm 1 pikë: barazimi 1-1 me Armeninë (Bajko). Hafizi ndeshjen e tij, atë kundër Ukrainës, nuk e luajti në Tiranë, por në Granada të Spanjës (humbi 1-0), dhe po në Granada humbi kundër Gjermanisë. Për Euro 2000, Hafizi mori tri barazime (ndaj Norvegjisë, Greqisë dhe Letonisë), por humbi me Gjeorgjinë dhe Norvegjinë, duke u ndalur në kuotën e 3 pikëve. Po kaq pikë mori dhe Medin Zhega për kualifikueset e Botërorit 2012, por spikat fitorja 2-0 me Greqinë (11 tetor 2000), me golat e Alban Bushit dhe Ervin Fakajt. Pjesa tjetër janë katër humbje, përfshirë dhe atë me Anglinë në Tiranë.

 TRAJNERËT E HUAJ

Me fushatën eliminatore Euro 2004 nis epoka e trajnerëve të huaj, kjo dhe për shkak të preferencave të presidentit të ri të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Në dy ndeshjet e tij, italiani Xhuzepe Dosena grumbulloi vetëm një pikë: 1-1 me Zvicrën (humbi 4-1 me Rusinë, në Volgograd), ndërkohë që në dy ndeshjet e tij, pasuesi gjerman Hans-Peter Brigel grumbulloi katër pikë: një fitore madhështore 3-1 me Rusinë në Shkodër (29.03.2003) dhe në barazim 0-0 në Irlandë, pasi humbi në ndeshjen e pestë me Irlandën. Pra, pesë pikë në pesë ndeshje.

Gjermani Hans-Peter Brigel e thelloi rekordin, duke grumbulluar gjashtë pikë: dy fitore dhe tri humbje, por mbi të gjitha spikasin dy ngjarje, fitorja 2-1 ndaj Greqisë, të porsa shpallur Kampione e Europës, me golat e Edvin Muratit dhe Adrian Aliajt, por dhe fitorja e arritur ndaj Kazakistanit, 1-0 në Almati, me një gol të shënuar nga Alban Bushi. Kjo është dhe fitorja e parë në transfertë, duke marrë në konsideratë vetëm pesë ndeshjet e para (e dyta është ajo me Norvegjinë, më 22 mars 2013, e De Biazit). Për Euro 2008, kroati Oto Bariç grumbulloi vetëm tri pikë, ku spikasin dy barazime jashtë: 2-2 në Bjellorusi dhe 0-0 në Bullgari. Koeficient të mirë pikësh mori edhe holandezi Ari Han: 6 pikë, me vetëm një humbje në pesë ndeshje: një fitore (me Maltën), tre barazime pa gola me Suedinë e Zlatan Ibrahimoviçit në Tiranë (06 shtator 2008) dhe Portugalinë e Kristiano Ronaldos në Braga (15 tetor 2008) dhe Maltën (11 shkurt 2009), si dhe humbjen 2-0 me Hungarinë në Budapest (11 tetor 2008). Kroati Josip Kuzhe u bë i pari që grumbulloi tetë pikë në pesë ndeshjet e para: me 2 fitore ndaj Luksemburgut dhe Bjellorusisë, dy barazime (ndaj Rumanisë dhe Sllovenisë) dhe një humbje ndaj Bjellorusisë. Në fakt, në stol (protokollin zyrtar) në ndeshjet kundër Bosnjës dhe Bjellorusisë, ishte ndihmësi i tij, boshnjaku Xhemal Mustedanagiç (aktualisht drejton Shqipërinë U-17), pasi Kuzhe ishte i shtruar në spital për shkak të një hemorragjie cerebrale. Italiani Xhani De Biazi, në pesë ndeshjet e para të tij ka grumbulluar nëntë pikë, duke u bërë thyer rekordin e vendosur nga kroati Kuzhe. Tri fitore me Qipron (3-1), Slloveninë (1-0) dhe Norvegjinë (1-0, në Oslo), si dhe dy humbje me Zvicrën (2-0, në Lucernë) dhe Islandën (1-2, në Tiranë).

PESË NDESHJET E PARA

BOTËRORI 1966

Holandë-Shqipëri     2-0  Zyber Konçi

Shqipëri-Holandë           0-2  Zyber Konçi

Shqipëri-Zvicër      0-2  Zyber Konçi

Zvicër-Shqipëri      1-0  Zyber Konçi

Irlandë V.-Shqipëri  4-1  Zyber Konçi

0 fitore, 0 barazime, 5 humbje; 0 pikë

EURO 1968

Gjermani-Shqipëri    6-0  Loro Boriçi

Shqipëri-Jugosllavi 0-2  Loro Boriçi

Jugosllavi-Shqipëri 4-0  Loro Boriçi

Shqipëri-Gjermani    0-0  Loro Boriçi

Nuk pati ndeshje të pestë, pasi ishin tre ekipe

0 fitore, 1 barazim, 3 humbje; 1 pikë

EURO 1972

Poloni-Shqipëri            3-0  Loro Boriçi

Turqi-Shqipëri       2-1  Loro Boriçi

Shqipëri-Gjermani    1-0  Loro Boriçi

Shqipëri-Poloni     1-1  Loro Boriçi

Gjermani-Shqipëri    2-0  Loro Boriçi

0 fitore, 1 barazim, 4 humbje; 1 pikë

BOTËRORI 1974

Finlandë-Shqipëri    1-0  Loro Boriçi

Rumani-Shqipëri            2-0  Loro Boriçi

Gjermani-Shqipëri    2-0  Loro Boriçi

Shqipëri-Rumani     1-4  Myslim Alla

Shqipëri-Finlandë    1-0  Ilia Shuke

1 fitore, 0 barazime, 4 humbje; 3 pikë

BOTËRORI 1982

Shqipëri-Finlandë    2-0  Zyber Konçi

Bullgari-Shqipëri    2-0  Zyber Konçi

Austri-Shqipëri            5-0  Zyber Konçi

Shqipëri-Austri      0-1  Zyber Konçi

Shqipëri-Gjermani    0-2  Loro Boriçi

1 fitore, 0 barazime, 4 humbje; 3 pikë

EURO 1984

Austri-Shqipëri            5-0  Shyqyri Rreli

Turqi-Shqipëri       1-0  Shyqyri Rreli

Shqipëri-Irlandë Ver. 0-0  Shyqyri Rreli

Shqipëri-Gjermani    1-2  Shyqyri Rreli

Irlandë Ver.-Shqipëri 1-0  Shyqyri Rreli

0 fitore, 1 barazim, 4 humbje; 1 pikë

BOTËRORI 1986

Belgjikë-Shqipëri    3-1  Shyqyri Rreli

Poloni-Shqipëri            2-2  Shyqyri Rreli

Shqipëri-Belgjikë    2-0  Shyqyri Rreli

Greqi-Shqipëri       2-0  Shyqyri Rreli

Shqipëri-Poloni      0-1  Shyqyri Rreli

1 fitore, 1 barazim, 3 humbje; 4 pikë

EURO 1988

Austri-Shqipëri            3-0  Agron Sulaj

Shqipëri-Spanjë      1-2  Agron Sulaj

Rumani-Shqipëri            5-1  Agron Sulaj

Shqipëri-Austri            0-1  Agron Sulaj

Shqipëri-Rumani      0-1  Agron Sulaj

0 fitore, 0 barazime, 5 humbje; 0 pikë

BOTËRORI 1990

Poloni-Shqipëri            1-0  Shyqyri Rreli

Suedi-Shqipëri       1-2  Shyqyri Rreli

Shqipëri-Angli       0-2  Shyqyri Rreli

Angli-Shqipëri       5-0  Shyqyri Rreli

Suedi-Shqipëri       3-1 Shyqyri Rreli

0 fitore, 0 barazime, 5 humbje; 0 pikë

EURO 1992

Islandë-Shqipëri     1-0  Bejkush Birçe

Shqipëri-Francë            0-1  Bejkush Birçe

Spanjë-Shqipëri            9-0  Bejkush Birçe

Francë-Shqipëri            5-0  Bejkush Birçe

Shqipëri-Çeki        0-1  Bejkush Birçe

0 fitore, 0 barazime, 5 humbje; 0 pikë

BOTËRORI 1994

Spanjë-Shqipëri            3-0  Bejkush Birçe

Irlandë-Shqipëri     2-0  Bejkush Birçe

Shqipëri-Lituani           1-0  Bejkush Birçe

Irlandë V.-Shqipëri  3-0  Bejkush Birçe

Shqipëri-Letoni      1-1  Bejkush Birçe

1 fitore, 1 barazim, 3 humbje; 4 pikë

EURO 1996

Uells-Shqipëri       2-0  Neptun Bajko

Shqipëri-Gjermani    1-2  Neptun Bajko

Shqipëri-Gjeorgji    0-1  Neptun Bajko

Gjermani-Shqipëri    2-1  Neptun Bajko

Shqipëri-Moldavi           3-0  Neptun Bajko

1 fitore, 0 barazime, 4 humbje; 3 pikë

BOTËRORI 1998

Shqipëri-Portugali   3-0  Neptun Bajko

Shqipëri-Armeni      1-1  Neptun Bajko

Irlandë V.-Shqipëri  2-0  Neptun Bajko

Shqipëri-Ukrainë*    0-1  Astrit Hafizi

Shqipëri-Gjermani*   2-3  Astrit Hafizi

0 fitore, 1 barazim, 4 humbje; 1 pikë

*U luajt jo në Tiranë, por në Granada të Spanjës

EURO 2000

Gjeorgji-Shqipëri    1-0  Astrit Hafizi

Norvegji-Shqipëri    2-2  Astrit Hafizi

Shqipëri-Greqi       0-0  Astrit Hafizi

Letoni-Shqipëri      0-0  Astrit Hafizi

Shqipëri-Norvegji    1-2  Astrit Hafizi

0 fitore, 3 barazime, 2 humbje; 3 pikë

BOTËRORI 2002

Finlandë-Shqipëri    2-1  Medin Zhega

Shqipëri-Greqi       2-0  Medin Zhega

Gjermani-Shqipëri    2-1  Medin Zhega

Shqipëri-Angli       1-3  Medin Zhega

Greqi-Shqipëri       1-0  Medin Zhega

1 fitore, 0 barazime, 4 humbje; 3 pikë

EURO 2004

Shqipëri-Zvicër      1-1  Xhuzepe Dosena

Rusi-Shqipëri        4-1  Zhuzepe Dosena

Shqipëri-Rusi        3-1  Hans-P. Brigel

Shqipëri-Irlandë           0-0  Hans-P. Brigel

Irlandë-Shqipëri           1-0  Hans-P. Brigel

1 fitore, 2 barazime, 2 humbje; 5 pikë

BOTËRORI 2006

Shqipëri-Greqi       2-1  Hans-P. Brigel

Gjeorgji-Shqipëri    2-0  Hans-P. Brigel

Shqipëri-Danimarkë   0-2  Hans-P. Brigel

Kazikstan-Shqipëri   0-1  Hans-P. Brigel

Shqipëri-Ukrainë           0-2  Hans-P. Brigel

2 fitore, 0 barazime, 3 humbje; 6 pikë

EURO 2008

Bjellorusi-Shqipëri  2-2  Oto Bariç

Shqipëri-Danimarkë   0-2  Oto Bariç

Holandë-Shqipëri           2-1  Oto Bariç

Shqipëri-Slloveni    0-0  Oto Bariç

Bullgari-Shqipëri    0-0  Oto Bariç

0 fitore, 3 barazime, 2 humbje; 3 pikë

19. BOTËRORI 2010

Shqipëri-Danimarkë   0-0  Ari Han

Shqipëri-Maltë       3-0 Ari Han

Hungari-Shqipëri           2-0  Ari Han

Portugali-Shqipëri   0-0  Ari Han

Maltë-Shqipëri       0-0  Ari Han

1 fitore, 3 barazime, 1 humbje; 6 pikë

20. EURO 2012

Rumani-Shqipëri      1-1  Josip Kuzhe

Shqipëri-Luksemburg  1-0  Josip Kuzhe

Shqipëri-Bosnjë      1-1  Josip Kuzhe

Bjellorusi-Shqipëri  2-0  Josip Kuzhe

Shqipëri-Bjellorusi  1-0 Josip Kuzhe

2 fitore, 2 barazime, 1 humbje; 8 pikë

BOTËRORI 2014

Shqipëri-Qipro       3-1  Xhani De Biazi

Zvicër-Shqipëri      2-0  Xhani De Biazi

Shqipëri-Islandë           1-2  Xhani De Biazi

Shqipëri-Slloveni    1-0  Xhani De Biazi

Norvegji-Shqipëri    0-1 Xhani De Biazi

3 fitore, 0 barazime, 2 humbje; 9 pikë

 1 humbje

kanë regjistruar në pesë ndeshjet e para, holandezi Ari Han (Botërori 2010) dhe kroati Josip Kuzhe (Euro 2012)

0 fitore

kanë regjitruar në pesë ndeshjet e para Zyber Konçi, Loro Boriçi, Bejkush Birçe, Agron Sulaj, Neptun Bajko dhe Astrit Hafizi.

3 fitore

Xhani De Biazi është trajneri i vetëm që ka arritur tri fitore në pesë ndeshjet e para, kundrejt dy humbjeve të regjistruara.

 Shqipëria, surpriza e fundjavës europiane

 Fitorja e Shqipërisë në Oslon e largët bën bujë edhe në mediat italiane, të cilat thurin elozhe për punën e trajnerit Xhani de Biazi, duke sjellë në vëmendje kurbën në ngritje të skuadrës kuqezi gjatë viteve të fundit. Sipas asaj që shkruhet në faqen e specializuar, tuttomercatoëeb.com, deri në fillimin e viteve ’90, Kombëtarja jonë ishte një nga më të dobëtat në Europë dhe zona “play off” dukej një ëndërr e largët, por tashmë, gjithçka është e mundur dhe Shqipëria është shumë pranë historisë edhe pse ka shumë rrugë për të bërë. Në vijim të shkrimit, faqja shton se do të jetë shumë e vështirë që kuqezinjtë të vazhdojnë këtë rrugë, por shton se me kontributin e një trajneri italian, kjo përrallë mund të transformohet në një realitet të prekshëm në fund të eliminatoreve. “Fitorja e Oslos kundër Norvegjisë e projektoi Shqipërinë drejt vendit të dytë në grupin e saj ku kryeson Zvicra, kjo e fundit, si për ironi të fatit i ka themelet te lojtarët e lindur nga emigrantët shqiptarë të viteve 90. Shqipëria është ajo origjinale dhe të paktën për momentin gjendet vetëm 2 pikë larg, ndërsa lë pas Norvegjinë, Slloveninë dhe Qipron”, shkruan ndër të tjera tuttomercatoëeb.com. Në vijim, shkrimi ia lë vendin historisë ku theksohet se deri në vitin 1966 Shqipëria nuk ka marrë pjesë në eliminatoret e botërorit, ndërsa në po këtë sezon debutoi në grupin ku bënte pjesë edhe Zvicra, Irlanda e Veriut dhe Holanda ku grumbulloi vetëm 1 pikë. “Këtë herë duket se Shqipëria e ka seriozisht ose të paktën po i provon të gjitha mundësitë. Zvicra është skuadra më e fortë e grupit, Norvegjia dhe Sllovenia janë superiore, ndërsa Qiproja dhe Islanda duken kundërshtarë me të cilët mund të përballet si e barabartë. Një skuadër e rritur shumë falë edhe eksperiencës së lojtarëve që aktivizohen jashtë vendit sepse vetëm 4 prej tyre militojnë në kampionatin shqiptar”, përfundon shkrimin e saj faqja italiane.