14 fitoret e kuqezinjve në Botërorë

753
Sigal

Nga e para e arritur kundër Finlandës, tetor 1973, tek ajo kundër Norvegjisë, mars 2013

Shqipëria ka arritur   fitojë vetëm 14 nga 89 sfidat të vlefshme, për kualifikueset e kampionateve botërore (11 barazime dhe 64 humbje). Rekordin përsa i përket fitoreve të arritura i përket gjermanit Hans-Peter Brigel, me katër të tilla, madje brenda një edicioni eliminator, atij për Botërorin “Gjermani 2006”: Shqipëri-Greqi 2-1, Kazakistan-Shqipëria 0-1, Shqipëri-Gjeorgji 3-2 dhe Shqipëri-Kazakistan 2-1. Shqipëria ka arritur vetëm dy fitore në transfertë: 1-0 kundër Kazakistanit në Almaty (trajner Hans-Peter Brigel, falë golit të Alban Bushit në minutën e 61-të) dhe 1-0 kundër Norvegjisë në Oslo (Xhani De Biazi, me eurogolin e Hamdi Salihit më minutën e 67-të). Trajnerët e huaj kanë fituar më shumë ndeshje, në raport me atë shqiptarë. Brigeli, Hani dhe De Biazi kanë fituar shtatë ndeshje, ndërsa gjashtë shqiptarët: Shuke, Konçi, Rreli, Birçe, Hafizi dhe Zhega, kanë fituar gjashtë ndeshje.

 1. – Fitorja e parë në eliminatoret e një Botërori i përket trajnerit Ilia Shuke, 1-0 kundër Finlandës (10 tetor 1973) për eliminatoret e Botërorit të vitit 1974, finalet e të cilit u luajtën në Gjermani. Ajo ishte fitorja e parë pas një barazimi (1-1 me Irlandën e Veriut) dhe nëntë humbjesh (madje në eliminatoret e Botërorit 1966, i kishim humbur të gjitha takimet). Golin e fitores së parë e shënoi Rramazan Rragami, me penallti (25’).

 2. – Suksesi i dytë mban emrin po të Finlandës, një fitore e arritur shtatë vjet më vonë, saktësisht më 3 shtator 1980, për Kupën e Botës së vitit 1982. Në bankinë ishte Zyber Konçi, ndërkohë që golat mbajnë firmat e Sefedin Brahos (2’) dhe Millan Baçit (18’). Ishin të vetmet pikë të mara, pasi pësuam shtatë humbje rresht, madje një tepër të thellë: 8-0 me Gjermaninë Permëndimore, një ndeshje e zhvilluar në Dortmund, por në stol ishte Loro Boriçi.

 3. – Triumfi pasues i përket Shyqyri Rrelit me një 2-0 madhështore kundër Belgjikës në Tiranë (22 dhjetor 1984) për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Meksikë 1986”, me golat e Mirel Josës në minutën e 69-të dhe Arben Mingës në të 86’, një fitore që vinte pas një barazimi spektakolar 2-2 në Poloni. Ishte hera e parë që, Shqipëria humbiste vetëm në 50 për qind të ndeshjeve.

 4. – Për të pritur për fitoren e radhës në eliminatoret e një Botërori duhej të kalonin shtatë vjet dhe 11 ndeshje. Bejkush Birçe ditën e tij me fat e pati më  qershor 1992, kur mundi Lituaninë me rezultatin 1-0. Autori i golit fitues ishte Edmond Abazi, të realizuar në minutën e 78-të.

 5. – Duhen të kaloni 17 ndeshje, për të thuajse dy eliminatore: 3 barazime dhe 14 humbje që, kuqezinjtë të shijonin një sukses të plotë. Madje ajo u arrit jo në “Qemal Stafa”, edhe pse Shqipëria ishte vendi organizator, por në një ndeshje e zhvilluar në fushë asnjanëse, në Cyrih të Zvicrës, për shkak të trazirave të vitit 1997. Shqipëria e Astrit Hafizit fitoi 1-0 me Irlandën e Veriut, falë golit të mbrojtësit Altin Haxhi në minutën e 65-të. Ndeshja ishte e vlefshme për eliminatoret e Botërorit 1998.

 6. – Medin Zhega ishte i pari që fitonte ndaj Greqisë në një ndeshje zyrtare: 2-0, më 11 tetor të vitit 2000, një ndeshje e vlefshme për fushatën kualifikuese të Botërorit të vitit 2002. Autorë të golave janë sulmuesi Alban Bushi (50’) dhe mbrojtësi Ervin Fakaj (90’). Ai ishte dhe suksesi i vetëm në ato eliminatore. Zhega u shkarkua pas humbjes 2-0 me Gjermaninë (e pesta në gjashtë ndeshje të tij), ndërkohë që edhe zëvendësuesi i tij, Sulejman Demollari i humbi dy ndeshjet e mbetura, Anglinë dhe Finlandën. Me Demollari u mbyll edhe cikli i trajnerëve shqiptarë në krye të Kombëtares sones.

 7. – Xhuzepe Dosena ishte i pari huaj që drejtonte Shqipërinë, pas një periudhe gati 45 vjeçare, kur në bankinë ishte hungarezi Miklosh Vadash. Italiani nuk e drejtoi Kombëtaren në ndonjë eliminatore Botërori (në fakt, Bepe qëndroi në bankinë vetëm dy takime). Nis kështu edhe seria e fitoreve me trajner të huaj në bankinë. Gjermani Hans-Peter Brigel ishte i pari, madje me fitoren me të bujshme dhe tepër simbolike, ajo kundër Greqisë (2-1), më 4 shtator 2004, kur helenët sapo ishin kurorëzuar kampionë të Europës, në Portugali. Edvin Murati shënoi në minutë e 2-të, ndërsa Adrian Aliaj realizoi një supergol me gjuajte të lirë në minutën e 11-të. Janokopulos shkurtoi diferencën në minutën e 39-të. Fitorja ndaj Greqisë, e dyta në eliminatoret e një Botërori.

 8. – Gjermani Brigel arriti një tjetër fitore në eliminatoret e Botërorit 2006, pikërisht në Almaty të Kazakistanit, me një gol të realizuar nga Alban Bushi në minutën e 61-të. Kjo ishte fitorja e parë e Shqipërise e realizuar në transfertë, duke e futur gjermanin në histori, ashtu sikundër edhe sulmuesin Bushi. Nga formacioni i asaj ndeshje, i vetmi lojtar që tani është në Kombëtare është Lorik Cana.

 9. – Fitorja e nëntë e Shqipërisë në eliminatoret e një Botërori ka sërish Brigelin si protagonist, një 3-2 ndaj Gjeorgjisë, në një takim të luajtur pa tifozë në “Qemal Stafa”, më 4 tetor 2005. Igli Tare 6’, Ervin Skela 55’ dhe sërish Igli Tare në të 55’ dhanë idenë e një fitore të thellë, por në minutat e fundit të ndeshjes Gjeorgjia u zgjua duke realizuar dy gola: Burduli 85’ dhe Kobiashivili 90’+1.

 10. – Fitorja e dhjetë e Shqipërisë dhe e katërta e Hans Brigelit në eliminatoret e një Botërori, por e gjashta si trajneri i kuqezinjve, përfshirë dhe ato 3-1 me Rusinë dhe 3-1 me Gjeorgjinë (për eliminatoret e Europianit 2004), është ajo 2-1 kundër Kazakistanit në “Qemal Stafa”. Golat mbajnë firmat e Florian Myrtajt (54’) dhe Erjon Bogdanit (56’), ndërsa për miqtë shënoi Nizovtsev (64’). Për herë të parë parë në një fushatë të vetme, Shqipëria arrin katër fitore në 12 ndeshje, madje arrin për herë të parë dhe kuotën tabu të 13 pikëve, duke kapur vendin e 5-të në grup e lënë pas dy skuadra.

 11. – Holandezi Ari Han fitoren e vetme e regjistroi kundër Maltës (3-0), për eliminatoret e Botërorit 2010, një ndeshje e luajtur më 10 shtator 2008. Sulmuesi Erjon Bogdani shënoi golin e parë në minutën e 45’+1, mesfushori Klodian Duro (84’) dhe mbrojtësi Armend Dallku (90’). E vetmja fitore e Hanit, i cili u shkarkua pas humbjes me Hungarinë, i pasuar nga kroati Josip Kuzhe.

 12.  – Fitorja ndaj Qipros (3-1) ishte e 12-ta në eliminatoret e Botërorit, e arritur me Xhani De Biazin në bankinë. Ndeshja u luajt, më 7 shtator 2012 dhe ishte e vlefshme për eliminatoret e “Brazil 2014”. Armando Sadiku (36’), Edgar Çani (84’) dhe një supergol i Erjon Bogdanit (87’). Golin e vetëm për qipriotët e shënoi Vinsent Laban (45+5).

 13. – Pas dy humbjeve rresht: 2-0 me Zvicrën në Gjenevë dhe 2-1 me Islandën në Tiranë, Kombëtarja u rikthye te fitorja, duke mposhtur 1-0 Slloveninë në “Qemal Stafa”. Gjithçka u vendos nga një gol i bukur Odise Roshit në minutën e 37-të të takimit. Një fitore nën siglën e trajnerit Xhani De Biazi.

 14. – Fitorja e 14-të është ajo kundër Norvegjisë, në “Uleval” të Oslos, falë një supergoli të realizuar nga Hamdi Salihi në minutën e 67-të. Kjo ishte dhe fitorja  e dytë që Shqipëria ka arritur në transfertë, pas asaj 1-0 kundër Kazakistanit në Almaty (trajner Hans-Peter Brigel). Në dispozicion të Kombëtares janë dhe pesë ndeshje: dy në Shqipëri (me Norvegjinë dhe Zvicrën) dhe tre jashtë, në Islandë, Slloveni dhe Qipro

14 fitoret

 1. 10 tetor 1973

Shqipëri-Finlandë 1-0

Trajner: Ilia Shuke

El. Botërori 1974

2. 3 shtator 1980

Shqipëri-Finlandë 2-0

Trajner: Zyber Konçi

El. Botërori 1982

3. 22 dhjetor 1984

Shqipëri-Belgjikë 2-0

Trajner: Shyqyri Rreli

El. Botërori 1986

4. 3 qershor 1992

Shqipëri-Lituani 1-0

Trajner: Bejkush Birçe

El. Botërori 1994

5. 10 shtator 2007

Shqipëri-Irlandë e Veriut 1-0

Trajner: Astrit Hafizi

El.Botërori 1998

6. 11 tetor 2000

Shqipëri-Greqi 2-0

Trajner: Medin Zhega

El. Botërori 2002

7. 4 shtator 2004

Shqipëri-Greqi 2-1

Trajner: Hans-Peter Brigel

El.Botërori 2006

8. 13 tetor 2004

Kazakistan-Shqipëri 0-1

Trajner: Hans-Peter Brigel

El.Botërori 2006

9. 4 tetor 2005

Shqipëri-Gjeorgji 3-2

Trajner: Hans-Peter Brigel

El.Botërori 2006

10. 3 shtator 2005

Shqipëri-Kazakistan 2-1

Trajner: Hans-Peter Brigel

El. Botërori 2006

11. 10 shtator 2008

Shqipëri-Malta 3-0

Trajner: Ari Han

El. Botërori 2010

12. 7 shtator 2012

Shqipëri-Qipro 3-1

Trajner: Xhani De Biazi

El. Botërori 2014

13. 16 tetor 2012

Shqipëri-Slloveni 1-0

Trajner: Xhani De Biazi

El. Botërori 2014

14. 22 mars 2013

Norvegji-Shqipëri 0-1

Trajner: Xhani De Biazi

El. Botërori 2014

4 fitoret e Brigelit

 Rekordi i fitoreve i përket Hans-Peter Brigel në “Gjermani 2006”: Shqipëri-Greqi 2-1, Kazakistan-Shqipëri 0-1, Shqipëri-Gjeorgji 3-2 dhe Shqipëri-Kazakistan 2-1.

 2 fitore jashtë

 ka arritur Shqipëria në transfertë: 1-0 kundër Kazakistanit në Almaty (trajner Hans-Peter Brigel) dhe 1-0 kundër Norvegjisë në Oslo (Xhani De Biazi).

Shqiptarë-Të huaj

 Trajnerët e huaj kanë fituar më shumë ndeshje, në raport me atë shqiptarë. Brigeli, Hani dhe De Biazi kanë fituar 7 ndeshje, ndërsa gjashtë shqiptarët, 6.

BILANCI NË ELIMINATORE

El         N    F    B    H

1966       6    0    1    5

1974       6    1    0    5

1982       8    1    0    7

1986       6    1    2    3

1990       6    0    0    6

1994       12   1    2    9

1998       10   1    1    8

2002       8    1    0    7

2006       12   4    1    7

2010       10   1    4    5

2014       5    3    0    2

Total      89   14   11   64

Gola të shënuar: 59

Gola të pësuar: 169

Berisha: “U mërzita nga sharjet e tifozëve!”

 Zakonisht kur futbollistët e Norvegjisë dalin në fushën e stadiumit “Ullevaal” marrin duartrokitje dhe brohoritje nga tifozët. Mirëpo, në ndeshjen eliminatore kundër Shqipërisë, tifozët shqiptarë u dhanë një “nokaut” shikuesve norvegjezë. Krahas lojtarëve të Norvegjisë ishte edhe Valon Berisha, i cili u vërshëllye nga tifozët shqiptarë. Mesfushori me prejardhje nga Kosova, Berisha, është pjesë e Përfaqësueses së Norvegjisë dhe në humbjen 1:0 nga Shqipëria, u aktivizua në pjesën e dytë.

Më i befasuari nga të gjithë ka mbetur Berisha, i cili nuk ka pritur një reagim të tillë nga tifozeria shqiptare që ishte në numër më të madh se ajo norvegjeze në tribunat e stadiumit “Ullevaal”. “Nuk jam pritur shumë mirë dhe nuk pres që të pritem, pasi u vërshëlleva më së shumti”, tha Berisha, i cili ka lindur në Suedi, por prindërit i ka nga Kosova. “Mirëpo, prej momentit që u futa në fushë, u mundova të jap maksimumin dhe besoj se do të kishte qenë më lehtë për mua sikur të kisha pasur minutazh pak më të madh kundër Shqipërisë”. Berisha 20-vjeçar, i cili aktivizohet me skuadrën nga Austria, Red Bull Salzburg, ka thënë se është mërzitur me vërshëllimat që i ka marrë nga tifozët shqiptarë. Ai thotë se nuk e ka pasur aspak lehtë të luajë kundër Shqipërisë. Sipas tij, mediumet në Shqipëri kanë shkruar shumë për të, kështu që tifozët e kanë ditur shumë mirë se kush është ai. “Kam mbetur pak i mërzitur, por nuk i fajësoj tifozët. E kam ditur se do të ketë tifozë shqiptarë në tribuna, por jo gjithmonë ne vërshëllehemi në fushën tonë. Ata krijuan energji dhe atmosferë të mirë në tribuna”, thotë Berisha.