“Paris 2024”/ Presidenti FSHN, Agim Çiraku: Suksese kampionëve!

164
Sigal

“Paris 2024”/ Nga 25 korriku deri më 11 gusht, olimpizmi botëror zhvillon edicionin e 33-të veror. Në delegacionin shqiptar edhe dy notarë kampionë

 

Ndërsa u pyet dje për garat që kanë nisur të zhvillojnë në Olimpiadën e Parisit dy notarët tanë, Kaltra Meça për Femra dhe Greisi Koxhaku për meshkuj, Presidenti i FSHN-së Agim Çiraku deklaroi për gazetën “Telegraf” se në Shqipëri, ata do i presë të dy si rekordmenë. “Ju uroj suksese të gjithë sportistëve tanë në Olimpiadën Botërore “Paris 2024”, e në veçanti notarëve tanë. Kam shumë besim se do paraqiten mirë të dy, të tregojnë mundësitë e tyre më të mira. Kaltra dje shënoi një kohë të mirë në garën e 200 m, Stil i Lirë, edhe pse ishte një hap larg rekordit kombëtar”, kështu uron Presidenti Agim Çiraku dy notarët tanë që marrin pjesë në garat e notit në Olimpiadën Botërore në Paris.

Agron KAJA

Kaltra Meça garoi dje në Baterinë A në 200 m Stil i Lirë. Në këtë garë ajo bëri më të mirën e saj duke shënuar kohën 2”12’21 dhe u rendit në vëndin e 27-të mes 31 garueseve. Ndërkohë që koha më e mirë e saj në këtë garë është 2’10”52.

Garat e Lojrave Olimpike Botërore Verore “Paris 2024”, zyrtarisht nisën ditën e premte më 26 korrik, ndërkohë që më parë në disa sporte, garat kishin tri ditë që zhvilloheshin. Gjithsesi, duhet kujtuar se ditën e premte rreth orës 19:30, me një ceremoni madhështore me dronë, helikopterë, flluska gjigante dhe balona apo akrobatë, kaluan nga njëri breg në tjetrin me fishekzjarrë, piktura të mëdha, ekrane gjigante dhe muzikë “live”, e performuar nga Lady Gaga dhe Celine Dion. Ndërsa 85 varka parakaluan me më shumë se 8 mijë sportistë përgjatë gjashtë kilometrave të lumit Sena dhe monumenteve më ikonike të Parisit, si dhe para 326 mijë spektatorëve, nga të cilët 122 mijë ishin me pagesë. Vëmendje tërhoqi e gjithë parada historike, që zgjati 3 orë e 45 minuta, nisur nga Pont d’Austerlitz në Pont d’Iéna, deri në Trocadero. Kjo atmosferë madhështore tashmë ia çeli zyrtarisht “portën” garuesve, edhe pse disa gara kishin ditë që po zhvilloheshin në Paris. Ndërkohë që e para garuese shqiptare ishte qitësja Manjola Konini, e cila i provoi emocionet e këtyre garave në datën 27 korrik në garën Pistoletë Ajër 1X10. Ajo u rendit në vëndin e 43-të nga 44 pjesëmarrës. Ndërkohë që në datën 28 korrik, për notin shqiptar në ujrat e pishinës së Parisit “vallëzoi” notarja Kaltra Meça, e cila në orën 11:00 mati forcat në garën e 200 m Stil i Lirë në Baterinë 1 kualifikuese. Ajo arriti kohën 2’12”21, duke e përmirësuar me 1 sekondë kohën e saj që arriti në garat e Kupës së Shqipërisë në Tiranë, 2’13”11, ndërsa koha më e mirë e saj është 2’10”52. Në “Paris 2024” ajo mori pjesë me Ftesë, ndërsa notari tjetër shqiptar që do të garojë në Paris është edhe talenti i Tiranës, Greisi Koxhaku, i cili është ftuar vetëm në garën e 100 m Stil i Lirë. Edhe pse në moshë të re, Greisi ka zhvilluar disa gara ndërkombëtare dhe këtu ai kërkon që veç pjesëmarrjes, të thyejë edhe rekordin kombëtar, që do të jetë një përmirësim i kohës rekord të vendosur prej tij. Pas garave të Kupës së Shqipërisë në Tiranë javën e kaluar, Greisi fiksoi kohën 55”75 në 100 m Stil  Lirë. “ … Edhe pse në këto gara të Kupës unë u shpalla Notari më i Mirë për Meshkuj, për mua është si test para garës në Olimpiadën Botërore në Paris. Aty do garoj në 100m Stil i Lirë në datën 30 korrik dhe shkoj me synimin për të bërë më të mirën, të thyej rekordin kombëtar në këtë garë, ku edhe do synojë të përmirësojë kohën time më të mirë”. Greisi e zhvillon garën në datën 30 korrik, ora 11:15.

 

GARAT E NOTARËVE

 

KALTRA MEÇA

Datë 28 korrik 2024

Gara 200 m Stil i Lirë

Koha 2’12”21

Vëndi 27 me 31 garuese

GREISI KOXHAKU

Datë 30 korrik 2024

Gara nis në ora 11:00

Në 100 m Stil i Lirë

Një shqiptar mbajti 200 metra flakën olimpike

Në Lojrat Olimpike Botërore në Paris, për herë të parë një shqiptar ka mbajtur për 200 metra Flakën Olimpike në “Paris 2024”. Ai quhet Adrian Suka, një ish-futbollist i Dinamos që në vitet 1990 emigroi në Francë, ku është aktivizuar me ekipin Laval-it dhe ish-trajner i St-Gratien, amatore. Pishtari është një traditë që karakterizon ceremoninë e hapjes së Lojrave Olimpike. Stafeta e tij ka nisur nga Mali i Olimpit në Greqi, më 16 prill 2024.

Shqipëria parakaloi me flamur “kinez” në Paris!

Para nisjes së Olimpiadës Botërore në “Paris 2024”, Presidenti i KOKSH ka reklamuar koleksionin e veshjeve zyrtare të “Team Albania”, me të cilat u vesh gjithë delegacioni ynë në këto lojra. Është një veshje e cila u përshëndet gjithkund në media, e më gjërë. Por ajo që nuk shkon dhe nuk i është kushtuar rëndësi e seriozitet, është skandali me flamurin “kinez” në ceremoninë e hapjes së Lojërave, që ka lënë një shije të keqe te shqiptarët.

 

HISTORIA/ Notarët shqiptarë kanë marrë pjesë në gjashtë Olimpiada, në Paris është e shtata

 

Kaltra Meça, Flamurtare e Shqipërisë në “Paris 2024”

 

Për herë të parë në historinë e pjesëmarrjes në Lojrat Olimpike Verore Botërore, për Shqipërinë Flamurmbajtëse është një notare, pikërisht Kaltra Meça në “Paris 2024”. Flamurtarët e tjerë të Shqipërisë në Lojërat Olimpike Verore janë: Në Gjermani 1972-Afërdita Tusha/ Qitje; Në Spanjë1992-Kristo Robo/ Qitje; Në SHBA 1996-Mirela Maniani/ Atletikë; Në Australi 2000-Ilirjan Suli/ Peshëngritje; Në Greqi 2004-Klodiana Shala/ Atletikë; Në Kinë 2008-Sahit Prizreni/ Mundje Lirë; Në Angli 2012-Romela Begaj/ Peshëngritje; Në Brazil 2016-Luiza Gega/ Atletikë; Në Paris 2024-Kaltra Meça/ Not-Zelimkhan Abakarov/ Mundje Lirë

 

Në tetë notarë garues, Sidni Hoxha e Kaltra Meça më të mirët

 

Agron KAJA

 

Shqipëria ka marrë pjesë në 8 Olimpiada Botërore Verore, duke nisur nga Mynih 1972 e deri te Tokio 2020. Dhe në këto pjesëmarrje, edhe notarët kanë lënë gjurmët e tyre, të cilët kanë marrë pjesë në 6 Lojra Olimpike Botërore, nisur nga Barcelonë 1992 e deri në Tokio 2020. Por notari i parë shqiptar që ka shënuar emrin e tij në këto lojra ishte Frank Leskaj në Barcelonë 1992. Ai garoi në 50 m Stil i Lirë duke u renditur në vëndin e 50-të, ndërsa më të fundit janë notarët Greisi Koxhaku e Kaltra Meça në “Paris 2024”, të cilët do të fiksojnë në 8 numrin e notarëve shqiptarë që kanë garuar në olimpiadat verore. Por nisur nga statitikat e Federatës Shqiptare të Notit, notari Sidni Hoxha ka më shumë pjesëmarrje, pasi ai ka garuar në tre Lojra Olimpike Botërore: Në Pekin 2008, Londër 2012 dhe Rio 2016. Ndërsa notaret Rovena Marku dhe Nikol Merizaj kanë garuar përkatësisht: Marku në Athinë 2004 dhe Pekin 2008 dhe Merizaj në Rio 2016 dhe në Tokio 2020. Edhe renditjen më të mirë në këto pjesëmarrje, për Meshkuj e ka arritur Sidni Hoxha në Londër 2012, duke u renditur në vëndin e 37-të në Botë, pasi garoi në 100 m Stil i Lirë. Ndërsa Kaltra Meça u rendit në vëndin e 27-të në 200 m Stil i Lirë, garë e zhvilluar dje në “Paris 2024”, Bateria A. Ndërkohë që  renditjen më të ulët për notarët shqiptarë që kanë garuar në olimpiada botërore verore, është ajo e Kreshik Gjatës në Athinë 2004, i cili u rendit në vëndin e 66-të. Ndërkohë kujtojmë se dy notarët e Tiranës, Greisi Koxhaku e Kaltra Meça do garojnë në “Paris 2024” me ftesa, dhe për të dy këta është hera e parë që marrin pjesë në një olimpiadë sportive botërore verore. Kaltra garoi dje në 200 m Stil i Lirë, ndërsaGreisi në 100 m Stil i Lirë garon në datën 30 korrik, ora 11:30, dhe në këto gara, dy notarët tanë shoqërohen nga trajneri i tyre tek Tirana, Arjan Fetishaj. Thuajse në të gjitha këto pjesëmarrje, notarët shqiptarë kanë qënë me ftesa, dhe jo si të kualifikuar, ndërkohë që paraqitjet e tyre kanë qënë dinjitoze. Por ka edhe një fakt për historinë e notarëve shqiptarë si pjesëmarrës në olimpiadat botërore verore, se në të gjitha këto pjesëmarrje, vetëm Kaltra Meça në “Paris 2024” është flamurmbajtëse e delegacionit olimpik shqiptar. Nga ana tjetër, për periudhën që Agim Çiraku e drejton Federatën Shqiptare të Notit, notarët shqiptarë kanë garuar në tre olimpiada sportive botërore verore,2016, 2020 dhe 2024. Në edicionin e 33-të të Olimpiadës në Paris që do zgjasë 19 ditë, kanë nisur të garojnë 10,714 sportistë nga 206 shtete në 32 disiplina sportive, për një numër total prej 329 medalje.

Majkëll Felps, kampion me medalje

Notari më fitues në historinë e Lojërave Olimpike, për meshkuj, rekordin e mban amerikani Majkëll Felps. Në vitet 2004-2016, në katër Olimpiada, Felps ka fituar 28 medalje: 23 Ari, 3 Argjendi dhe 2 Bronzi.

 

Rekord olimpik në stafetë 4X100m

Në “Paris 2024”, Noti ka dhënë medaljet e para në këto lojra olimpike. Vetëm një rekord olimpik i thyer në 4×100 metra stil i lirë për femra, që ka ardhur nga Australia, e cila ka fiksuar kohën e re 3’28”92

 

Notarë shqiptarë në Lojrat Olimpike

BARCELONË 1992

Frank Leskaj

50m e 100m St. Lirë

Renditja-Vëndi 50

ATHINË 2004

Kreshik Gjata

100m Stil i Lirë

Renditja-Vëndi 66

Rovena Marku

50m Stil i Lirë

Renditja-Vëndi 60

PEKIN 2008

Sidni Hoxha

50 m St. Lirë

Renditja-Vëndi 63

Rovena Marku

50m Stil i Lirë

Renditja-Vëndi 53

LONDËR 2012

Sidni Hoxha

100m St. Lirë

Renditja-Vëndi 37

Noel Borshi

100m Stil i Lirë

Renditja-Vëndi 40

RIO 2016

Sidni Hoxha

50m Stil i Lirë

Renditja-Vëndi 41

Nikol Merizaj

50m Stil i Lirë

Renditja-Vëndi 43

TOKIO 2020

Nikol Merizaj

50m Stil i Lirë

Renditja-Vëndi 42

 

Anglezi Adam Peaty pranë legjendës Felps

Anglezi Adam Peaty pranë legjendës Phelps, 100m larg medaljes së artë të tretë radhazi. Notari britanik u kualifikua në finalen e garës së 100 metrave not stil delfin, dhe me këtë arritje ai është shumë pranë një suksesi që më parë e ka shijuar vetëm notari legjendar amerikan, Majkëll Felps. Ai është i vetmi notar që ka fituar tri medalje të arta radhazi në tri edicione të ndryshme të Lojrave Olimpike: Në Rio 2016, në Tokio 2020 dhe në finalen 100 m Delfin në “Paris 2024”.