Noti në zi, Covid “rrëmben” Ilir Gjebrenë

690
Sigal

 

Presidenti i Federatës, Agim Çiraku: Ilir Gjebreja, notary që arriti gjithccka. Nëse do të ishte sot, Ai do të ishte pjesëtar në të gjitha aktivitetet ndërkombëtare me normë të merituar

Një keqardhje e madhe në komunitetin e sportit shqiptar për ndarjen e parakohshme nga jeta të kampionit e rekordmenit të pathyeshëm

GJERGJ VYSHKA

E shtuna në mbrëmje do të jepte një tjetër lajm të kobshëm të ndarjes nga jeta të figurave sportive nga Covid-19. Në moshën 70-vjeçare dorëzohet dhe Ilir Gjebrea. “Peshkaqeni”, sikurse e thërrisnin miqtë e tij, kampion dhe rekordmen i padiskutueshëm në 100 dhe 200 metra shpinë, luftëtar i paepur dhe asnjëherë larg pishinave, e kishte humbur betejën e vetme të jetës së tij. Atë me Covid-19 duke iu bashkangjitur atyre që iu dorëzuan këtij virusi të dëmshëm për mbarë botën. Më parë e kishin humbur këtë betejë Skënder Kurti në boks, Viron Toska në basketboll, Shkëlqim Troplini në mundje, Nikolin Lorenci në futboll dhe Ramiz Reka në boks. Figura të rënda për sportin shqiptar. I tillë ishte dhe Ilir Gjebrea, që në karrierën e tij pat bërë not me ‘Tiranën’ dhe ‘Dinamon’, ndërsa emri i tij vazhdimisht shënohej me gërma të arta në listën e rezultateve dhe rekordeve të notit shqiptar. Rekordmen madje dhe kur la karrierën nuk u tërhoq nga pishina. Gjithnjë pranë të rinjve, kujtojnë bashkohësit e tij. Në të gjitha takimet e fundit të veteranëve, që organizoheshin në fund të vitit nga klubi Stela, ai do të ishte i pranishëm. Do të ishte në festën që organizoheshin me notarët e këtij klubi, apo dhe në të gjitha aktivitetet e sporteve të ujit në pishina të mbyllura dhe të hapura. Dhe Ilir Gjebrea, të paktën me veprën e tij dhe atë që ka lënë nga pas në not, nuk ka për t’u harruar asnjëherë, ndërsa do të jetë gjithnjë pranë pishinave dhe atyre që kanë nevojë të mësojnë notin.

 

TRISHTIMI I SADIK MEMËS

Në fakt lajmi i ndarjes nga jeta të Ilir Gjebresë të shtunën në mbrëmje, nëpërmjet rrjeteve sociale, është shpërndarë nga ish-futbollisti i ‘Dinamos’ i viteve 80’ – 90’, Andrea Marko. E menjëherë kanë nisur reagimet e atyre që e deshën fort në gjirin e tyre Ilir Gjebrenë. Por statusi më prekës është ai i kryetrajnerit të ‘Stelës’, Sadik Mema. “Ilir Gjebrea na la…Peshkaqeni nuk kthehet më. Trishtim i madh”. Madje në një set fotografish në faqen e tij në facebook, Sadik Mema do të shkruante: “Addio i dashur Ilir, i miri Ilir!”. Një humbje që dhemb kjo ndarje e parakohshme e Ilir Gjebresë, ndërsa trishtimi vijon të jetë i madh.

DHIMBJA E NIPIT PËR DAJËN

Më prekës ka qenë statusi i nipit të Ilir Gjebresë, Edmond Prifti. “Peshkaqeni ynë, gjiganti, daja im i shtrenjtë, si munde ta bëje këtë o kampioni Ilir Gjebrea të mos luftoje me Covidin, kur ti e mushkëria jote, zemra e madhe, luftoi e mori rekorde dhe dhjetëra medalje? Me ty që u rrita duke dëgjuar historitë e notit, çunave të liqenit, të medaljeve që i mbaje në kavanozë…ti që mbaje në këmbë gjithë lagjen…historitë e tua të pafundme që i dinte gjithë Shqipëria…nuk di sa mund të shkruhet për ty…e mua nuk më besohet se po shkruaj për atë dajën tim, legjendën, mbi këtë fotografi të fundme. Sa krenar që jam ndjerë e ndihem që jo veçse ishte daja im, ai legjenda e notit shqiptar, apo siç e njihnin dikur “Peshkaqeni”, një nofkë e ngjitur gjatë garave në Sarandë në vitet 70, apo Gjiganti e Profesori siç e njihnin shumë, por se Legjenda, Ilir Gjebrea, e jetoi këtë jetë plotësisht. Plotësisht në mënyrën më të qeshur dhe fisnike. Ishte ai që ishte për këdo, një krah, një histori, një forcë për guxim, për të buzëqeshur dhe për të ecur para. Energjiku!”, shkruante i nipi, ndërsa trishtimi dhe për të është i madh si për të gjithë komunitetin e notit shqiptar. Dhimbje pa fund, por që dhimbja do të kthehet në forcë, sepse noti shqiptar do të vazhdojë ta kujtojë Ilir Gjebrenë. Mjeshtrin e sportit që i bëri të gjithë për vete.

 

AGIM ÇIRAKU: ILIR GJEBREA, NOTARI

QË E ARRITI GJITHÇKA ME FORCAT E VETA

Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit: Nëse do të ishte sot, ai do të ishte pjesëmarrës në të gjitha aktivitetet ndërkombëtare me normë të plotësuar

E trishtë ka qenë ndarja e parakohshme nga jeta e Ilir Gjebresë dhe për presidentin e Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku. Bashkëkohës me Gjebrenë, ndërsa ka ndjekur nga pranë atë karrierë të pasur të kampionit dhe rekordmenit të 100 dhe 200 metrave shpinë. Një humbje e madhe për notin shqiptar, ndërsa ishte shembull për notarët e rinj. Ky është thelbi i intervistës së presidentit të Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, për Ilir Gjebrenë, 70-vjeçari që humbi të vetmen betejë të jetës së tij, atë me Covid-19.

  • Noti shqiptar në zi, ka humbur një figurë si Ilir Gjebrea. Një vlerësim për të…
  • Ilir Gjebrea mund të konsiderohet pa frikë një notar i nivelit botëror. Kemi qenë bashkëkohës, unë pak më i ri në moshë se Gjebrea, por që kemi bërë not me Tiranën me trajner Esat Muzinën. Kampion dhe rekordmen e notar shpine që nuk kishte shok. Hyn në plejadën e artë të notarëve dhe që arrinte rezultate si askush tjetër. Madje dhe kur la karrierën si sportist ai ishte përsëri atje si një shembull për të rinj për t’i ndihmuar për të mësuar notin. Pishina dhe ai ishin një. Ndaj është humbje e madhe kjo ndarje e parakohshme nga jeta e Ilir Gjebresë. Shumë i mirë dhe i thjeshtë me njerëzit, i kudondodhur dhe i gatshëm për të ndihmuar çdokënd.
  • Nëse do të ishte në kohët e sotme, çfarë do të arrinte Ilir Gjebrea?
  • Ilir Gjebrea çdo rezultat e ka me forcat e veta dhe me djersën e tij. Që do të thotë se në Olimpiada, Kampionate Botërore dhe Evropiane ai do të ishte padiskutim me normë kualifikimi dhe jo me ftesë, sikurse shkojmë sot. Gjithnjë në majë, sikurse arrinte Gjebrea në kohën e tij.
  • Dhe çfarë ka humbur noti shqiptar me ndarjen nga jeta të Ilir Gjebresë?
  • Ka humbur dashamirësin e këtij sporti. Ka humbur rekordmenin dhe kampionin. Sepse ishte pikë referimi për të gjithë notarët për afërsinë e ngrohtësinë për t’i ndihmuar. Gjithë kohës në pishinë dhe asnjëherë nuk është ndarë prej saj. Një figurë që mund të vijë rallë në sportin e notit.