25 vjeçari u vra nga polici, flet xhaxhai: Nipi kishte në dorë dy hurma, jo pistoletë, zbardhni ngjarjen

305
Sigal

Hasan Rasha, xhaxhai i Klodjan Rashës, 25-vjeçarit që u ekzekutua nga policia pas mesnatës së djeshme ka deklaruar se nipi i tij nuk ka pasur armë me vete.

Në një deklaratë për mediat ai tha se në fillim kur i kanë marrë në telefon i kanë thënë se djali është arrestuar nga policia dhe pastaj kanë marrë vesh se djalin e kanë vrarë.

Xhaxhai i të riut u shpreh për mediat se Rasha kishte qenë në shtëpi me dy hurma në dorë të cilët i kishte lënë në ballkon dhe pastaj ka dalë për të pirë kafe.

Ai i bën apel policisë të zbardhë sa më shpejt ngjarjen për të mësuar njëherë e mirë se si ka ndodhur vrasja e nipit të tij.

“Në fillim na thanë djali është arrestuar nga policia. Dhe ky ka shkuar sikur është arrestuar. Pastaj kanë thënë se djali ka bërë aksident me policinë.

Pastaj kanë thënë se ka vdekur. Djali ka dalë me pirë kafe. Ka pasur dy kokrra hurma në dorë i ka lënë në ballkon. Kërkojmë që kjo të zbardhet deri në fund.

Vëllai më ka thënë se djali nuk ka pasur asgjë me vete se nuk ka armë në shtëpi.

Apelin policisë prej nesh që këtë punë ta zbardhë deri në fund si të jetë në punë”, deklaroi ai