Vota e emigrantëve/ KQZ-ja zbardh mënyrat se si do votojë Diaspora

585
Sigal

Vota e emigrantëve/ KQZ-ja zbardh mënyrat se si do votojë Diaspora. Ekspertët e çështjeve zgjedhore Prof. Kristaq Kume dhe Premto Gogo: Do ketë dyshime për manipulime të listës zgjedhore

 

Është bërë publik një raport kofidencial, ku vlerësohen opsionet  dhe shanset e realizimit të  votës  së  shtetasve shqiptarë të cilët jetojnë jashtë vendit. Varianti i parë  është ai i modeleve perëndimore, me postë. Konkretisht në dokument specifikohet, se fillimisht duhet te bëhet regjistrimi i diasporës. Emigrantët të cilët kanë  paraqitur një kërkesë pranë KQZ-së  për të votuar, përfshihen në listën e zgjedhësve jashtë vendit. Ata ndahen sipas zonave zgjedhore në të cilat ju figuron emri  në Shqipëri. Në të njëjtën kohë, emrat e tyre aneksohen nga listat e votuesve që votojnë brenda territorit të Shqipërisë, për të shmangur  mbivendosjen. Këtyre shtetasve me banim jashtë Shqipërisë u dërgohet një kod individual regjistrimi në formën e një barkodi të skanueshëm, i cili do të shërbejë si elementi kryesor identifikues për t’u pajisur me fletën e votimit. Por, vetë grupi i punës, i cili po studion shembujt nga rajoni,  është i bindur se për zbatimin e kësaj praktike nuk ka kohë, pasi thekson, se ky proces duhet të nisë 6 muaj përpara datës së zgjedhjeve dhe të përfundojë 2 muaj para 25 prillit. Varianti i dytë është nëpërmjet portalit E-albania. Sipas këtij opsioni nëse një emigrant dëshiron të votojë, atëherë si fillim ai duhet të japë adresën e vendbanimit të tij jashtë shtetit në protalin E-Albania. Pas regjistrimit nëpërmjet faqes së KQZ-së ato mund të shkarkojnë  fletën e votimit online. Por, ky propozim, i cili është huazuar  nga modeli Kosovar, duket se nuk ka besueshmëri, gjë të cilën e bën të ditur vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ku shprehet se: “Kjo mënyrë ka pasur vlerësime negative nga ana e vëzhguesve si një proces i pasigurt  dhe i pambrojtur, nisur edhe nga numri i madh i ankimimeve në gjykatë nga ana e subjekteve zgjedhore për keqpërdorim të këtij procesi”. Variant i tretë është votimi elektronik, por në rast se aplikohet ky opsion, duhet  të merret  në konsideratë identifikimi i votuesve, garantimi i identitetit të zgjedhësve dhe siguria për fshehtësinë e votës. Ky  raport është paraprak, ndërsa dokumenti final do  kërkojë mbështetjen e  5  anëtarëve të Rregullatorit, pasi do jenë ata që do vendosin për fatin e  votës së diasporës.

Prof. Dr. Kristaq Kume dhe Premto Gogo: E pamundur vota e Diasporës

Pamundësinë që emigrantët të votojnë në 25 prill, e konfirmojnë dhe ekspertët që mbikëqyrin proceset zgjedhore. Problemin, eksperti i çëshjeve zgjedhore Prof. Dr. Kristaq Kume, e sheh që në gjenezë, kur Këshilli Politik nuk e shkroi në Kodin Zgjedhor një formulë konsensuale se si duhet të votojnë emigrantët.  Duke mos u shtjelluar në ligj, në veçanti në kushtet, kur situatat politike në vendin tonë janë të ngarkuara, çdo vendim i KQZ-së për këtë çështje do të jetë i ekspozuar ndaj qëndrimit kundër të opozitës. Kjo gjë duhet të ishte vendosur në Këshillin Politik. Premto Gogo nga KRIK Albania, edhe pse e njeh si detyrim kushtetues që diaspora të votojë, e sheh të pamundur për zgjedhjet e ardhshme. “Fakti që politika ka dështuar t’ju garantojë këtë të drejtë, nuk do të thotë që ata nuk e kanë. Por në kushtet që jemi, KRIK mendon se nuk ka më kohë”, shprehet ai.  “Ishte një patate e nxehtë që u hodh në duart e KQZ-së”, tha Premto Gogo.   Gogo dhe Kume, thonë se procesi është i rrezikuar jo vetëm për kohën e paktë, por për shkak se do të bëhen ndërhyrje të dyshimta në listën e zgjedhësve. “Që tani është një proces i kompromentuar dhe pa transparencë”, u shpreh ai.  “Besimi i palëve tek mënyra e votimit është kusht. Votimi me fletë që zgjedhësi mund ta shkarkojë vetë online, është proces që nuk besoj se krijon besim tek palët. Fleta e votimit duhet t’i dërgohet me postë zgjedhësit. Në rastin tonë, besimi tek shërbimi i postës publike është problematik. Opozita tashmë ka filluar ta artikulojë këtë mungesë besimi. Votimi me postë mund të bëhet duke përdorur shërbime nga të tjera kompani që ofrojnë shërbimin postar”, tha Prof. Dr. Kristaq Kume. Përfaqësuesi i KRIK Albania, paralajmëron dhe një rrezik tjetër që mund të ndodhë nëse njëra palë shkon përpara me votën e emigrantëve. “Mund të jetë një arsye për mos-njohjen e rezultatit në zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh ai. Ekspertët i shohin të dyja palët bashkë, në një plan për të larë duart me emigrantët. “Kjo mund të shkaktojë delegjitim të votës së emigrantëve. Ne e e provuam, por nuk bëhet, dhe për ta mbyllur përgjithmonë këtë diskutim”. Gogo sugjeron që përfundimisht, emigrantët të mos votojnë as në 2021, por parlamenti i ri, të nisë një reformë të vërtetë elektorale që të krijojë kushte të qarta dhe hapësirë reale që emigrantët të votojnë.