Nostalgji e nderim, për ata që nisën dhe “mbajtën gjallë” ekipin “Minatori” të Memaliajt

1817
Sigal

Histori sportive nga ish-qytetet punëtore

Ekipi “Minatori”, ato “fusha” rrugicash lagjesh e ajo fushë zhavorrishteje buzë Vjosës në Memaliaj, ka nxjerrë edhe emra futbollistësh të njohur të nivelit kombëtar e ndërkombëtarë si Mitat Shehu, Mujo Targaj e Foto Strakosha

 Këto ditë më erdhi një e-mail nga qyteti Memaliaj. Ma dërgonte ish-shoku i fëmijërisë, njeriu i mirë, human, dashamirës e paqësor Ladi Sali Lika, ose “Ladi Nures” siç e quante brezi ynë (emri i nënës përdorej si “mbiemër” i çunave të Memaliajt në vitet 1950-‘80). Më kishte dërguar 1 fotografi “bardh e zi”, fiksuar afro 50 vite më parë, shoqëruar me një listë emrash të njohur e të mbetur në kujtesën time dhe në historinë e qytetit ku jam lindur e jam rritur. Më kishte dërguar dhe një fotografi tjetër po “bardhë e zi”, ku ishte fiksuar ish-futbollisti dhe trajneri emblemë i këtij qyteti Karafil Çaushi (nuk jeton më), dalë në fushën e futbollit në Memaliajt me 2 djemtë e tij ish-futbollistë, Namikun dhe Bektashin. Në fund të e-mail-it, “Ladi Nures” më shkruante: “Nëse mundeni, dëshirojmë që këto dy fotografi të publikohen në gazetën “Telegraf”, në kujtim dhe nderim të ish-futbollistëve të Memaliajt”. Fotografitë më krijuan nostalgji, pse jo, një lloj emocioni të thellë. Në të ishin fiksuar “të mëdhenjtë”, të paharruarit e një prej brezave të parë të ekipit të futbollit “Minatori”, të qytetit të vogël të Memaliajt. Ishin vitet e hapave të parë të rritjes së qytetit, kur për prindërit tanë të urtë, të mirë, punëtorë “heronj” nëntokë e mbitokë, dhe për ne fëmijët “çamarrokë”, kishte vetëm katër gjëra: Për prindërit ishte detyrë puna, për ne ishte detyrim shkolla. Ndërsa si çlodhje, për të gjithë bashkë ishin vetëm ndeshjet dhe stërvitjet e ekipit të futbollit “Minatori”, si dhe filmat e përditshëm që shfaqeshin paradite për fëmijët, pasdite për nxënësit e shkollave, e në mbrëmje për të rriturit, që në ato vite i shfaqte me shumë pasion e korrektesë i paharruari, ish-“futbollisti i madh” i ekipit të “Minatorit” Gëzim Hysesani e pas tij njeriu i mirë Gëzim Bijo. Në ato vite, futbollistët e Memaliajt luanin me shumë sakrifica në një fushë zhavorri e balte buzë luginës së lumit Vjosë, ose “kampit” siç quhej. Tashmë, brezi që vazhdon futbollin a atyre që përpara 30 e ca vitesh luajtën në zhavorrishte, iu dha mundësia të luajnë në një stadium me infrastrukturë të kompletuar e me fushë “qilim”, stadium të cilin e kanë pagëzuar me “vendim fshatçe” si Memaliaj, me emrin e emblemës së futbollit memaliot si futbollist e trajner, të paharruarit Karafil Caushi, në gjurmët e përvojës së të cilit (e të tjerëve) po vazhdon tradita e futbollit në këtë qytet! Afro një vit më parë, gjatë një bisede në Memaliaj me gazetarin sportiv dhe mbështetësin “e tërbuar” të ekipit, Gëzim Shehu, ai më tha: – E duam aq shumë futbollin, sa pas vitit 1990 në Memaliaj janë mbyllur shumë punë e aktivitete shoqërore, madje edhe miniera, ndërsa ekipi nuk u braktis, u mbajt “gjallë me serum” edhe në momentet më të vështira kur bashkia jepte pagesë për secilin lojtar sa “për një hamburger” në ditë, nuk u shua futbolli në Memaliaj as kur FSHF na bllokoi aktivitetin si futboll, as kur djemtë e ekipit “hanin bukë thatë” dhe luanin futboll me sakrifica e “rrobe shtëpie” prej pamundësive financiare dhe këtë ekzistencë e ka meritë “shpirti futbollistik” i memaliotëve, i trashëguar në breza”. Memaliaj ka pasur afro 20 breza futbollistësh të rritur, të rinj e fëmijë. Ka pasur edhe “familje futbolli” që kanë “prodhuar” disa breza lojtarësh si familja Caushaj, Seferaj, Shehaj (djemtë e Sadikut), Goxhaj (djemtë e Temes), Abedinaj, Kocali, Zhupaj (djemtë e Jonuzit), disa prej të cilëve kanë shërbyer e shërbejnë ende si trajnerë, instruktorë e konsulentë të ekipit “Minatori” me futbollistë e specialistë të çdo moshe, si Asllan Seferi, Viron Laska, Ferman Haska, Qako Fani, Altin Zhupa dhe 3 Vladimirët: Bushi, Shehu e Hoxha… Por ekipi “Minatori”, ajo fushë futbolli zhavorrishte buzë Vjosës, ka nxjerrë edhe emra futbollistësh të njohur të nivelit kombëtar e ndërkombëtarë si Mitat Shehu, Mujo Targaj e Foto Strakosha. Por po kaq dinjitoz e të “mëdhenj” kanë mbetur në kujtesën e memaliotëve edhe emra të hershëm të futbollit të këtij ekipi, si  Meçe Murati, Dilaver Abazi, Muhamet Lola, Abaz Dedgjoni, Petref Goxhaj, Viron Laska, Asllan Seferi, Vladimir Shehu, Sadik Nela, Namik Caushi, Myzafer Shehu, Pape Goxhaj, Kastriot Lika (Çoti), Ferman Haska, Vladimir Bushi, Luan Shehu, Vilson Shehu, Petrit Kocali, Vladimir Hoxha (Buci), Maliq Xhani, Avdulla Muçi, Ilir Seferi, Flamur Hoxha (Brinjo), Reshat Sala, Qako Fani, Irakli Liti, Medin Dashi, Luan Meta, Mihal Çimi, Selam Kocali, Mariglen Hysesani, Qemal Mateli, Astrit Goxhaj, Xhevit Kaçori, Viktor Guma, Arben Shehu, Bektash Caushi, Edmond Hoxha e deri tek emra që kanë lënë gjurmë si G. Halili, F. Shehu, G. Nela, A. Zhupa, G. Muçi, Skëndi, Tafili, Geno Hysesani, Ylli Abedini e shumë të tjerë, të cilët meritojnë të nderohen e kujtohen, për atë çfarë kanë dhënë nga shpirti dhe energjia e tyre për këtë “ekip të madh”  për zemrat e memaliotëve.

Nga e djathta në të majtë (lartë): Karafil Caushi, Mitat Gërbi, Eqerem Braja, Sabaudin Shehu, Eqerem Shehu, Nezim Shehu, Dilaver Abazi, Novruz Çibuku.

Nga e majta në të djathtë (poshtë): Spiro Kreci, Sefi Pazaj, Gëzim Hysesani, Shpëtim Mullaraj, Ferat Trajneri (kështu njihej), Vladimir Shehu.

Përparim HALILI