Nesti Gjoka: Kampionati shqiptar nuk është i lehtë për të bërë parashikime

142
Sigal

INTERVISTA/ Specialisti i futbollit Nesti Gjoka, skanon ndeshjet e Superiores dhe sfidat e javës së 8-të

Agron KAJA

Java e tetë e Superiores nisi dje me ndeshjen Dinamo City-Laçi, 2-1, si e komentoni rezultatin?

Një ndeshje ku mendoja se Laçi do bënte diçka ndryshe, por vazhdoi me problemet e tij, ishte shumë i pafuqishëm. Ndërsa Dinamo po funksionon nga java në javë dhe e shoh si një skuadrat më rivalizuese për ta fituar kampionatin. E meritoi fitoren.

Sot do luhen dy ndeshje të tjera, Partizani-Bylis dhe Skënderbeu-Egnatia, cili është paparashikimi juaj?

Janë dy ndeshje të rëndësishme për kreun, për Partizanin dhe Egnatian. Por edhe për Skënderbeun e Bylisin që nuk janë në pritshmëritë. Partizani është skuadër e kompletuar e pretendent dhe do ta zgjidhë pozitivisht. Egnatia nuk është e vjetshmja, por e ka potencialin që këtë sfidë ta kalojë pozitivisht.

Kjo javë mbyllet me sfidën AF Elbasani-Vllaznia, e quajmë këtë si një mbyllje “klasike” të javës?

Sigurisht që është një “klasike”, me Elbasanin që ka ambicie të mëdha dhe ka një trajner me eksperiencë. Ndërkohë që Vllaznia ka ambieciet e saj, është skuadra kryesuese e tetë javëve dhe do jetë një ndeshje e hapur për “Final 4”.

Në këto javë të luajtura në Superiore, çfarë veçoni në rrugëtimin e 10 skuadrave?

Kanë qënë javë më shumë interesante, sepse skuadrat kanë dhënë si të mirat e tyre, ashtu edhe mangësitë. Por ka skuadra që pretendojnë “Final 4” dhe mbeten interesante, si Tirana me skuadër të re që nuk po bën diferencë. Është edhe Dinamo që me afrimin e teknikut Daja po tregon ndryshimin në kampionat.

Duke ju referuar renditjes pas startit së javës së 8-të, janë skuadrat në pritshmëritë e tyre?

Nuk janë në pritshmëri të gjitha skuadrat. Çdo javë që do kalojë ato do japin më të mirën e tyre, sepse kanë ndryshuar lojtarë e trajnerë dhe duhet një farë kohe që të përshtaten. Kjo është në folizofinë e futbollit sot, ndaj duhet të presim.

Në dy javë nuk u “shqetësuan” bankinat me largime e shkarkime, do jetë kjo një pyetje e përjavëshme për trajnerët?

Puna e bankinave në Shqipëri është shumë specifike dhe e prekshme. Duhet tu jepet kohë atyre që punojnë, kështu sot për nesër nuk mundet ndërruar trajneri. Lëvizja e shpeshtë e trajnerëve nuk është e shëndetëshme, për futbollin dhe për skuadrat. Duhet durim me trajnerët.

Java e 9-të do të luhet pas 10 ditëve, sa vlen ky pushim zyrtar për skuadrat dhe lojtarët?

Gjithë pushimet mes ndeshjeve, kanë të mira se shërbejnë për rikthimin e lojtarëve, shërbejnë për rikuperime apo për të rritur nivelin fizik të lojtarëve. Kjo i qetëson skuadrat dhe u sjell harmoni, ndërkohë që edhe trajnerëve u jep më shumë njohje të gjendjes së lojtarëve.

Është paksa shpejt, për ju cilat skuadra kanë treguar se mundet të jenë pjesë e “Final 4”?

Kampionati shqiptar nuk është i lehtë për të bërë parashikime, sepse në këtë kampionat që ka tetë javë që ka nisur, për “Final 4” janë 7 skuadra. Ndaj nuk mundet që të sjellësh një mendim të përfarët. Duhet edhe pak kohë për këtë mendim.

Nisur nga sezoni i kaluar, mendoni se do ketë efikasitet formula e “Final 4”?

Në idenë time, do ishte mirë një kampionat i Superiores pa formulën me “Final 4”. Pavarsisht se Egnatia e mbylli sezonin e kaluar si kampione me këtë formulë, por duhet një kampionat me më shumë skuadra, dhe nuk duhet fare kjo formulë.

 

Në Kombëtare, vetëm një lojtar nga Superiorja!

Abissnet Superiore nisi dje ndeshjet e javës së 8-të, ndërkohë që po dje trajneri  Kombëtares, Silvinjo, zyrtarizoi listën e lojtarëve që do të grumbullojë për dy ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve. Duke ju referuar emrave, në këtë listë është vetëm një lojtar që luan në Abissnet Superiore, Andi Hadroj. Ndërsa Agim Zeka është ftuar për sfidat me Çekinë dhe Gjeorgjinë.

10 ditë

Kampionati i Superiores do ndëpritet 10 ditë, shkak ndeshjet e Kombëtares. Fillimi pritet ditën e mërkurë, 16 tetor 2024

 

ABISSNET SUPERIORE

Ndeshjet-Java 8

E premte, 4 tetor 2024

Dinamo C- Laçi          2-0

E shtunë, 5 tetor 2024

Partizani-Bylis                         19:00

Skënderb.-Egnatia      19:00

E dielë, 6 tetor 2024

Teuta-Tirana    19:00

Vllaznia-AFElbasa      19:00

RENDITJA                   

Skuadrat        Nd       Pikë

1.Dinamo C    8          14

2.Vllaznia        7          13

3.Partizani       7          12

4.AF Elbasa     7          12

5.Egnatia         7          11

6.Teuta            7          10

7.Tirana           7          9

8.Skënderbe    7          7

9.Bylis             7          5

10.Laçi            8          3

DINAMO CITY-LAÇI  2-1

Edhe me bankinë italiane, Laçi nuk ia del me Dinamon

Në ndeshjen e luajtur dje me Dinamon, Laçi u drejtua nga italiani Françesko Pasiatore, pasi klubi ende nuk ka marrë vendim për trajnerin e ri. Ndërkohë që dje në “Elbasan Arena”, as shiu i dëndur nuk e ndali Dinamon që të merrte tri pikët, e për pasojë edhe kryesimin provizor të tabelës së renditjes. Vetëm 22 minuta lojë priti golashënuesi blu, Itodo Mandela, dhe me golin që shënoi paralajmëroi Laçin se nuk do ta kishte të lehtë. Laçianët nuk u dorëzuan, e ritën nivelin e lojës, por nuk gjetën rrugën e rrjetës, për ta mbyllur pjesën e parë në disavantazhin 0-1. Në pjesën e dytë, Baton Zabërgja tregoi vlera pas një goditje të fortë, duke e çuar në rezultati 2-0. Por në minutën e 7-të shtesë, Kurti shkurtoi diferencën në 1-2, pa asnjë mundësi tjetër pçr më shumë. Me këtë fitore, Dinamo tregoi se me Ilir Dajën në bankinë po luan më e sigurtë mes pretendentëve kryesues të Superiores.