Në ndeshjen Flamurtari-Teuta futbolli “u shua” nga antifutbolli

428
Sigal

Prokuroria e Vlorës nis hetimet për ndeshjen skandal, Flamurtari-Teuta

Kur mezi pritej nga tifozët fillimi i kampionatit shqiptar të futbollit, vëmendja nuk kalon tek ndeshjet, rezultatet, skuadrat, futbollistët, blerjet e reja dhe gabimet e arbitrit, ashtu si gjithmonë, por kalon tek disa veprime nga më jo sportivet e mundshme, e që për më tepër kryhen me lëvizje amatoreske të atyre që paguhen për të qenë në fushë dhe për të luajtur, në mënyrë që të kënaqet ai pak publik që gjendet në stadium. Futbolli shqiptar të jep përshtypjen se është marrë “mësysh”, ku pas gjysmës së parë të kampionatit, e cilësuar si më e mira dhe më e pastra, tani të gjithë ulemi me këmbë në tokë dhe i kthehemi realitetit, atij realiteti të hidhur me të cilin filloi edhe kjo fazë e dytë, ku skuadrat nuk kanë guxim të luajnë pa arritur një marrëveshje më përpara me skuadrën kundërshtarë. Por ky futboll, çfarë vlere ka? Çfarë vlere ka nëse vetë tifozët, qeliza e këtij sporti, nuk ndihen të kënaqur me vetë skuadrën e tyre duke mos mbështetur vendimet dhe veprimet e fushës. Ndoshta edhe në fazën e parë ka pasur ndeshje që janë shitur, por siç duket vetë futbollistët kanë aktruar më mirë, e kanë luajtur rolin më mirë dhe nuk kanë rënë në sy kur mund të kenë “lëshuar” pe, ndërkohë që kjo fillim faze duket e ekzagjeruar, tej mase jo sportive, duke pasur një ndikim negativ tek futbolli dhe futbolldashësit. Fiksimi paraprak i rezultatit i mbush me turp skuadrat, por duket se një gjë e tillë nuk është se ka ndonjë efekt të madhe tek ata që të parandalohen veprime të tilla. Efekti parandalues duhet të vijë nga vetë institucioni më i lartë i futbollit në Shqipëri, FSHF, për t’i bërë pritë kësaj nisje shumë të keqe të kampionatit. Të gjithë flasin për mungesën e tifozëve në stadiume, të gjithë shprehen se duhet të ndiqet skuadra e zemrës e të mbështetet, por bie fjala, ose më saktë vlen pyetja se për çfarë duhet të jenë tifozët në stadiume? Të shkojnë e të shijojnë teatër? Shumë mirë, në këtë rast mund të paguajnë një biletë dhe të shkojnë pikërisht në teatër apo edhe në kinema. Si mund dhe pse duhet të jenë tifozët në stadium kur ajo çfarë marrin është thjeshtë një rezultat i stisur më përpara. Ky është një turp për futbollin shqiptar, një turp që ndoshta ka kohë që është dhe ndoshta do të vazhdojë përsëri, por nëse do të vazhdojë e do të vazhdojë, çfarë duhet ky futboll? A mos do të ishte më mirë që t’i jepej fund, të mbyllej kampionati deri në një pikë që të kuptohej se nuk vazhdohet më me farsë, sepse futbolli është një lojë që është krijuar për të dhënë kënaqësi e jo për tu pasuruar disa prototipe që janë vetë shkatërrimtar të lojës së bukur.

Prokuroria nis hetimet për Flamurtari-Teuta

 Prokuroria e Vlorës ka nisur hetimet në lidhje me ndeshjen Flamurtari-Teuta që u cilësua gjerësisht nga të gjithë tifozët dhe mediat si ndeshje e stisur, ku rezultati është vendosur më përpara. Dyshimet lindën nga të gjithë si pasojë e asaj se çfarë u pa në fushë, ku Teuta vetëm se nuk shënoi në portën e vet, duke hapur zonën e rreptësisë për kundërshtarin. Sigurisht që detyrimi i Prokurorisë është që të hetojë dhe pa arritur në një përfundim ligjor, skuadrat janë të “pafajshme”. Prokuroria ka kërkuar materialet e ndeshjes, sidomos pamjet filmike, që  mund t’u japë një shikim më të gjerë mbi atë se çfarë ndodhi me të vërtetë, në mënyrë që të arrihet një mendim më afër vendimit që do të merret. Në fakt, edhe ndeshja tjetër mes Partizanit dhe Laçit u cilësua si e paracaktuar në rezultat, duke bërë që tifozët, sidomos ata të Partizanit, ta dënojnë shumë këtë akt. Sipas Prokurorisë, u mendua se përparësi duhet të ketë takimi i të shtunës, duke qenë se u cilësua si më flagranti nga të gjithë.

Si e parashikon Kodi Penal Shqiptar paracaktimin e rezultateve sportive

 Në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë ka një shtojcë të vitit 2008 ku flet mbi paracaktimin e rezultateve sportive, diçka që bie në kundërshti me lojën e ndershme. Duke e cituar fjalë për fjalë, në nenin 197/a të ligjit Nr. 10023, thuhet: “Kryerja e veprimeve ose mosveprimeve për paracaktimin e rezultateve në garat sportive, kombëtare dhe ndërkombëtare, në kundërshtim me parimet e lojës së ndershme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 500.000 (pesëqind mijë) lekë deri në 3 milionë (tre) lekë ose me burgim nga tre muaj deri në dy vjet. Po kjo vepër, e kryer për qëllime të fitimit pasuror, dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga 2 milionë (dy) lekë deri në 10 milionë (dhjetë) lekë”. Ky nen nuk ka nevojë për interpretim të thellë, pasi kuptohet që në fillim se shkelje të tilla janë të dënueshme, e si të tilla meritojnë që të marrin po dënimin e merituar. Me një shikim më shumë në këtë nen, vërehet se burgu është bashkëshoqëruese e gjobës e sidomos kur paracaktimi i rezultatit është bërë për qëllime fitimi pasuror, gjoba dhe dënimi me burg janë të pandara.

 Pero Pejiç, “gjigandi” i gola në Superligë

Kampionati shqiptar në 19 ndeshje të luajtura, ka nxjerrë deri më tani vetëm një sulmues që qëndron para të gjithëve, duke mos pasur asnjë që të ndjekë ritmin e tij, duke qenë se është i vetëm me 11 gola të shënuar, ndërkohë që Bakaj dhe Ndikumana kanë nga 7 të tillë. Sulmuesi i Kukësit ka pasur gjithmonë një ecuri shumë të mirë në kampionatin shqiptar, ku kujtojmë se ka luajtur edhe në skuadra të tjera si tek Skënderbeu, Flamurtari etj., duke ia dalë që të ishte faktor tek skuadrat ku është aktivizuar. Me golin që shënoi ndaj Vllaznisë ditën e shtunë, ia doli që të dërgonte në 90 golat e shënuar në këtë kampionat, duke u bërë kështu një golashënues model në kampionatin tonë

FSHF fillon trajnimin e trajnerëve me seminare përgatitore

Ashtu siç ishte programuar, ka filluar dje në Tiranë një seminar i mbajtur për trajnerët shqiptarë në mënyrë që të jenë sa më të përgatitur në punën e tyre, duke filluar edhe që nga ky fillim i gjysmës së dytë të kampionatit. Gjatë seminarit bëhet një analizë e gjysmës së parë të sezonit, gjithashtu edhe me vendimet disiplinore që janë marrë. Gjatë këtij seminari ka provime për trajnerët ndërkohë që ditën e sotme do të ketë edhe provimin fizik për secilin pjesëmarrës.

 

 Tirana vazhdon “arratinë”, ndeshja me Flamurtarin luhet në “Elbasan Arena”

 Vazhdon përsëri të “shtegtojë” skuadra e Tiranës sa në një stadium në një tjetër, duke qenë se nuk ka një stadium për skuadrat kryeqytetase meqë “Qemal Stafa” nuk është akoma gati. Ashtu si pak ditë më parë, kur ndeshjen me Apoloninë e luajti në Durrës, edhe këtë herë takimin ndaj Flamurtarit do ta luajë në “Elbasan Arena”, në një stadium afër qytetit, duke shfrytëzuar edhe rastin se elbasanasit nuk luajnë në shtëpi por janë në transfertë në Kukës. Në ndeshjen me Apoloninë nuk është se pati ndonjë ndikim në faktin se nuk luhej në stadiumin e tyre, por gjithsesi ndeshja me Flamurtarin është e një tjetër kategorie, por siç pritet përsëri tifozët nuk do të mungojnë.