Vladimir Bizhga/ Po vijnë lëvizjet e mëdha popullore…

637
Sigal

“Populli sovran grek, sot ka dhënë një mandat të fortë dhe të qartë të padiskutueshëm”, tha Tsipras para anëtarëve dhe simpatizantëve të Syrizës. Shumë zëra si nga Bashkimi Evropian, por dhe nga Shqipëria, bënë zhurmë për ardhjen e partisë së majtë, e quajtur në mënyrë spekulative e ekstremit të majtë, Syrizës. Por përse tremben këta buratino të dhjamokracisë borgjezo burokrate, kur Syriza i ofron popullit të thjeshtë të Greqisë bukë, strehim dhe dinjitet. Mbrojtje të vendbanimeve, negocim të fortë të borxhit me trojkën e KE dhe kujdes për të adresuar krizën humanitare, janë tri gjëra që karakterizojnë programin e Syrizës. Kostoja që ka marrë Syriza, është kaos dhe tokë e djegur për popullin grek i cili është në rrezik të krizës humanitare dhe me të ardhurat zero. Ardhja e Syrizës në pushtet dërgon mesazhe të forta në të gjithë Evropën, së pari, burokratëve të KE, për të diskutuar mbi borxhin e Evropës i cili nga këto lëvizje, si në Itali apo Spanjë por dhe në Francë, do të jetë një shkundje për gjendjen e vështirë të popujve në tërë këto vende. Kjo formon një tjetër peizazh ku do të luftohet për të negociuar kushte më të mira. Kur recetat e Merkelit me ashpërsinë e tyre kanë krijuar dhimbje dhe tragjedi, për gjithë këta popuj, por jo për borgjezinë që pasurohet akoma më shumë. E majta thotë se dhimbja shërohet në solidaritet. Syriza ka qenë opozitë e fortë ndaj shkurtimeve të egra dhe rënies katastrofike të standardeve të jetesës, të imponuara nga viti 2009 së pari, nga një qeveri socialiste e Pasokut dhe pastaj qeveria e Demokracisë së Re, dy mamuthëve që trashëgonin pushtetin si familje dhe e katandisën vendin në këtë gjendje. Por Syriza, nga një parti që regjistroi vetëm disa pikë përqindjeje në zgjedhjet e para të 2008, ajo pothuajse fitoi zgjedhjet e përgjithshme 2012, duke marrë 170,000 vota pas Demokracisë së Re . SYRIZA fitoi zgjedhjet evropiane në maj, me një diferencë prej katër për qind kundrejt Demokracisë së Re. E udhëhequr nga Aleksis Tsipras, djaloshit nga Çameria, Syriza i fitoi zgjedhjet parlamentare shumë bindshëm me 36% me 149 deputet me diferencë me demokracinë e re të Samarasit, e cila mori 28 pikë. Disa votues shqiptar emigrant në Greqi të pyetur për gazetën “Telegraf”, thanë: “Unë kam shpresa se gjithçka do ndryshojë për mirë, do ndryshojë se të gjithë e presin këtë ndryshim”, thotë Sokrati, emigrant shqiptar, mekanik ashensorësh banues në lagjen Neo Kozmos. Eleni, votuese shqiptare, banore në lagjen Muskato, tha për “Telegraf”: “Unë votova për të ardhmen tonë më të mirë, për Syrizen që do ndryshojë Greqinë. Shumë emigrantë shqiptar shprehen me shpresa për atë që do bëjë Syriza, për dhënien e pasaportave, për emigrantët dhe shumë të drejta të tjera si qytetar të shoqërisë që ata kontribuonin prej kaq vitesh. Gazeta amerikane, “Wall Street Journal”, pasi përmblodhi distancën e udhës të ndjekur nga Syriza që nga 2012, në një artikull analitik shkruan se, “Z. Tsipras, nuk flet më për nacionalizime, por ai e ka zëvendësuar termin parazgjedhor të borxhit, me ri negocimin e borxhit”. Syriza dëshiron modernizimin dhe funksionimin normal të shtetit, ndërsa për sigurimin e pranisë së Greqisë brenda euros, Syriza, do të bëjë të pamundurën për restaurimin dhe funksionimin efikas të financave publike. Fitorja e Syrizës do të thyejë magjinë e keqe, për të çliruar tregjet. Kjo do të krijojë një ndjenjë të sigurisë, deklaron Aleksis Tsipras. Ai shtoi se, Greqia me qeverinë e Syrizës do të dalë nga kriza e rëndë, pa masa të reja shtrënguese. Kjo për ne nuk është e negociueshme, deklaron ai. Për malin e borxhit prej € 319.000.000.000 euro të Greqisë. Tspiras ka thënë, “Negocim do të thotë se ne duam një zgjidhje të dakorduar”, duke shtuar, “Ne jemi të përgatitur për një negocim të konsiderueshëm dhe të ashpër. Një erë e re ndryshimesh po fryn mbi Europë, në Spanjë “Podemos”, lëvizja uragan, ne Itali 5 yjet e Grillos, po shkundin baballarët demode të demokracisë, po vjen një lëvizje politike më pranë halleve të popullit, më pranë të vërtetave të mëdha, të cilat këta buratino apo shakaxhinj të përparimit i kanë mbuluar me një dekor vezullues. Një parti e indinjatës popullore, e cila kurrë nuk është testuar në pushtet me fitoren e saj, pas pesë vjet të ortodoksisë fiskale në Europë, ka kthyer në politikën me kokë poshtë. Aleksis Tsipras deklaroi para mediave dhe mbështetësve të tij, “Sot populli grek shkroi historinë”.

Ja disa nga reagimet e krerëve të shteteve ndaj zgjedhjeve parlamentare greke

 ATHINË -Pas fitores së Alexis Cipras, udhëheqësit të Syrizës, në zgjedhjet parlamentare të Greqisë për herë të parë pas 42 vjetësh, do të qeverisë një forcë e re politike dhe jo më dy partitë tradicionale. Demokracia e Re dhe PASOK, por zgjedhja e Ciprës si kryeministër i ri i Greqisë ka ngjallur debate të mëdha në Bashkimin Europian për shkak se vetë Cipra ka deklaruar që do rishikojë të gjitha marrëveshjet e huamarrjes që ka nënshkruar Greqia me Trojkën. Alexis Cipras, fituesi i zgjedhjeve në Greqi, dje ka qenë në selinë e Presidentit të Republikës greke, Karolos Papulias për të marrë mandatin për krijimin e qeverisë së re. Partia e kryesuar nga zoti Cipras ka 149 deputetë në Parlament, nga 151 që është maxhoranca absolute. Gjatë ditës së djeshme, kreu i Syriza ka arritur një akord me partinë e të djathtë të pavarur të kryesuar nga Panos Kammenos. Alexis Cipras, gjithashtu gjatë ditës së djeshme ka pasur një takim me Kryepeshkopin e Athinës, Ieronymos.

 Shtëpia e Bardhë: “Uashingtoni shpreson të vazhdojë bashkëpunimin e afërt me qeverinë greke. Përshëndesim Greqinë për zgjedhjet”, deklaroi zëdhënësi i Këshillit për Sigurinë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Marc Stroch, i cili shoqëron presidentin amerikan Barack Obama, gjatë vizitës së tij në Indi.

 Presidenti rus, VladimirPutin, e përshëndeti fitoren e SYRIZA-s në zgjedhjet parlamentare në Greqi. Putin shprehu bindje se Rusia dhe Greqia do të vazhdojnë të zhvillojnë bashkëpunimin konstruktiv tradicional në të gjitha sferat me interes të përbashkët dhe në zgjidhjen e problemeve aktuale evropiane dhe botërore.

 Kryeministri britanik, David Cameron, vlerësoi se rezultatet nga zgjedhjet në Greqi mund të sjellin rritjen e paqartësisë ekonomike në Evropë, për shkak të së cilës, sipas tij, Britania e Madhe duhet të orientohet në zhvillimin e ekonomisë së saj. “Zgjedhjet në Greqi do ta rrisin pasigurinë ekonomike në Evropë dhe për këtë shkak Britania e Madhe duhet t’i përmbahet planit tonë duke e garantuar sigurinë në shtëpinë e saj”, deklaroi Cameron.

Presidenti i Francës, François Hollande, i dërgoi telegram urimi Ciprasit për fitoren në zgjedhje duke i dëshiruar bashkëpunim të përbashkët në forcimin e rritjes dhe stabilitetit të eurozonës.

Kryetari i Partisë Popullore Evropiane, Manfred Weber, në reagimin e parë për rezultatet zgjedhore në Greqi vlerësoi se së shpejti do të bëhet shumë qartë se premtimet që ia dha popullit grek Ciprasi nuk janë asgjë tjetër përveçse “gënjeshtra parazgjedhore”. “Obliguesit tatimorë evropianë nuk janë të gatshëm të paguajnë për premtimet boshe të Ciprasit. Evropa është e gatshme të tregojë solidaritet ndaj Greqisë nëse ajo tërësisht i respekton obligimet e ndërmarra”, theksoi Ëeber.

Liderja e Frontit Nacional francez, Marine Le Pen, vlerësoi se me zgjedhjet e djeshme populli grek i dha një shuplakë Bashkimit Evropian.

 Kancelarja gjermane, Angela Merkel, pret nga qeveria e ardhshme greke që të respektojë angazhimet në çështjet e reformës ekonomike dhe të masave buxhetore, deklaroi sot zëdhënësi i saj. “Për ne është shumë e rëndësishme që masat e qeverisë së re të vazhdojnë në ndjekjen e rritjes ekonomike të Greqisë, që do të thotë që angazhimet e marra të respektohen”, deklaroi zëdhënësi Steffen Seibert, në një konferencë për shtyp.