Mourinho bën vizitën e veçantë para ndeshjes me Leicesterin

142
Sigal

Në çdo dalje të tij, Jose Mourinho kujdeset jashtëzakonisht shumë për aspektin mediatik dhe atë të rritjes së imazhit, teksa të njëjtën gjë po bën edhe në transfertat e fundit të klubit të Romës.

Kështu disa ditë më parë, teksa udhëtoi në Napoli për ndeshjen ndaj ekipit vendas, zgjodhi të bëjë homazhe në muralin e legjendës argjentinas Diego Armando Maradona, duke fituar simpatinë dhe respektin e tifozëve napolitanë e jo vetëm.

Këtë herë Roma ka mbërritur në Leicester dhe Mourinho nuk ka humbur rastin për të bërë një tjetër gjest që rrit ndjeshëm popullaritetin e tij.

Kështu disa orë para përballjes me “dhelprat”, portugezi ka bërë homazhe në statujën “The boss”, që ndodhet pranë stadiumit dhe është ndërtuar në nderim të ish-presidentit të Leicester, Vichai Srivaddhanaprabha, i cili u nda nga jeta në mënyrë tragjike në 2018-ën, pas një defekti në helikopter.

Menjëherë pas kësaj vizite, klubi i Leicester ka falënderuar portugezin, i cili nga ana tjetër ka marrë komplimentet edhe nga shumë tifozë të “dhelprave” të cilët do t’i ketë kundërshtarë mbrëmjen e sotme.