Moisi Dalipi: Portreti i mbrojtësit elegant, Geri Çipi

1032
Sigal

/Gazeta Telegraf

Kur  ndalesh në historinë e sportit  vlonjat  në vite, je i detyruar të qëndrosh tek vlerat dhe kontributi i  familjes sportive Çipi. Në vite dhe dekada në sportin e volejbollit, por veçanërisht atë të futbollit kjo familje fisnike ka emrin e saj të vendosur bukur në historinë e Flamurtarit. Kështu në vitet 1965-1980 janë bashkëshortët Vilson dhe Natasha Cipi që në sportin e volejbollit do tregojnë vlerat e tyre sportive tek ekipet e  Labinotit  dhe Flamurtarit. Por në vitin 1974 deri në vitin 1992 është vendosur në vendin që takon tek futbolli i Flamurtarit karriera e mbrojtëësit dhe kapitenit legjend Kreshnik Çipi. Dhe  pikërisht në shtator të vitit 1992, kur Kreshniku do t’i jepte lamtumirën futbollit dhe do t’ia dorëzonte fanellën me numrin 3 nipit të tij, do nisi  aventura e bukur futbollistike  e mbrojtësit elegant Geri Çipit. Por pak vite më vonë, një tjetër pinjoll i kësaj familje sportive Arnold Çipi do jetë pjesë e skuadrës të futbollit të Flamurtarit.

Por gjithçka nuk mbaron këtu, sepse sot është pjesë e skuadrës të futbollit U-17 të Flamurtarit dhe atij kombëtar djali i Gerit, mbrojtësi me shumë të ardhme Mateo Çipi. E pra kështu, familja Çipi ka më shumë se gjysëm shekulli që vazhdon të kontribuojë fort në sportin vlonjat dhe atë kombëtar. Dhe diku në mjedisin e këtyre vlerave të papërsëritshme sportive  të familjes Cipi është  dhe karriera 15 vjeçare e mbrojtësit elegant Geri Çipi . E nisi sportin  si një  dëshirë dhe detyrë të prindërve të tij Natasha dhe Vilson Çipi, që në moshën 10 vjeçare. Por ndryshe nga prindërit e vet Geri nuk zgjodhi volejbollin, por  futbollin, duke u bërë  kështu  një trashëgimtar besnik i  rolit të  mbrojtësit  si xhaxhai i vet Kreshnik Çipi. Dhe do  jetë vetëm 16 vjeç,  kur në shtator të 1992,  në atë ceremoni lamtumire të kapitenit të Flamurtarit të madh, Geri  Çipi  do  marri jo  vetëm  fanellën,  por dhe këshillat dhe porositë për të vazhduar dhe  nderuar traditën  e familjes. Dhe në fakt, nuk mund të ndodhte ndryshe , sepse mbrojtësi Geri Çipi me elengancën e tij shumë shpejt do bëhet një lider i vërtetë  në mbrotjen e Flamurtarit të atyre viteve. Plot energji, pozicional dhe  i saktë në çdo ndërhyrje Flamurtari me Geri Çipin  po  gjente një zëvendësues të ndenjë në qendër të mbrojtjes , pas largimit nga futbolli të Kreshnik Çipit. Ka diçka të veçantë, të bukur dhe shumë domethënëse kur kjo ndodh brenda të njëjtës familje. Të dy  prindërit e tij, por dhe xhaxhai i vet janë këshilluesit më të mirë për rritjen e vlerave sportive tek  mbrojtësi Geri Çipi. Trajnerët Edmond Liçaj , Bejkush Birçe, Leonidha Curri dhe Petro Ruçi, që kanë punuar me këtë djalosh shtatlartë në ato vite shpreheshin me vlerësime pozitive. I palodhur , i vëmendshëm në çdo seancë stërvitje dhe  ndeshje Geri Çipi do t’i rriste shpejt vlerat e tij sportive tek skuadra e qytetit të lindjes Flamurtari. Së bashku  me Devi Mukën, Ervin Fakaj, Johan Drizën , Fjodor Xhafën , Ervin Skelën  dhe të tjerë djem të talentuar përbënin bazën  e Flamurtarit në vitet 1992-1998.

Një skuadër e bukur kjo që luante futboll bashkëkohor. Në vitin 1998 vjen “shtegëtimi” Geri Çipit  në futbollin profesionist jashtë vendit . Dhe do jetë skuadra sllovene Maribor që për dy sezone  1998-2000, ku  Geri Çipi do të konfimohet si mbrojtës tepër i fortë dhe i pakalushëm. Ai së bashku me sulmuesin beratas Klidon Bozgo do fitojnë Kupë dhe titullin kampion, si dhe pjesëmarrjen në Kupat e Evropës tek skuadra sllovene . Por vetëm dy sezone  qëndrojnë këtu , duke arshivuar 42  ndeshje  dhe  2 gola të shënuar, sepse një ofertë joshëse do ta transferonte për tre sezone 2000-2003 tek  skuadra belge Gent. Edhe këtu bjondi  vlonjat Geri Çipi me 76  ndeshjet e zhvilluara dhe trofet e fituara me këtë skuadër, shton kredibilitetet e tij sportive. Një paraqitje spektakolare e tij në detyrën e mbrojtësit, veçanërisht në ndeshjet ndërkombëtare për Kupat e Evropës, bëri që menaxherët të bëjnë kalimin e tij tek skuadra gjermane Eintraht Frankufurt .Tek kjo skuadër me plot histori suksesi në futbollin gjerman Ceri Çipi do gjejë vlonjatin tjetër, fantazistin me këmbë të arta Ervin Skelën.

Vetëm një sezon aktivizohet këtu, sepse trajneri gjerman Vili Raiman që nuk i kishte  shumë për zemër  futbollistët shqiptar do t’i  jepte pak hapësira për t’u aktivizuar. Një fakt i tillë bëri që Geri Çipi  sezonin  tjetër  të  jetë pjesë e skuadrës të bundesligës së dytë gjermane  Oberhauzen. Pas  mbylljes të sezonit  2004 tek  kjo skuadër Geri Çipi mbyll aveturën e tij futbollistike jashtë vendit dhe rikthehet në Shqipëri. Në atë periudhë Flamurtari për dy sezone do jetë pjesë e Kategorisë së Parë, ndaj ai zgjodhi Tiranën për të vazhduar të luajë futboll, ku së bashku me Devi Mukën, Rezart Dabullën, Indrit Fortuzin, Saimir Patushin, Isli Hidin e të tjerë  në sezonet 2004-2007 do fitonin  tre tituj kampion , 1 Kupë dhe 3 Superkupa. Por më të plotë portreti i këtij  mbrojtësi elegant, me shumë vlera bëhet  me 34 ndeshjet  që ai ka zhvilluar me ekipin kombëtar në vitet 1995-2005. Dhe ndeshja e tij e parë me ekipin kombëtar e ka zhvilluar  më 30 nëntor 1995 kur ishte vetëm  19 vjeç , në miqësoren kundër Bosnjës. Aktivizimi në këtë moshë me ekipin kombëtar i jep Geri Çipit, “rekordin” personal duke u bërë kështu i pari futbollist vlonjat që aktivizohet në këtë moshë me ekipin kombëtar. Por për çudinë e të gjithëve për pesë vite  dyert e kombëtares do mbyllen për Geri Cipin edhe pse ai aktivizohej me skuadrat të nivelit të lartë si Maribor , Gent dhe Eintraht –Frankfurt. Dhe  në shkurt të vitit 2000 ish trajneri i ekipit kombëtar Medin Zhega do t’i jepte shansin Geri Cipit të rikthehej në rradhët e ekipit kombetar. Dhe ka qënë turneu “Rothmans -2000” i zhvilluar në Maltë ku Geri Çipi shkëlqen  me tërë vlerat e tij. Dhe Shqipëria bëhet fituese e këtij trofeu duke fituar ndaj Andorrës, Maltës dhe Azerbajxhanit. Më vonë për pesë vjet rresht deri në  shkurt të 2005  mbrojtësi vlonjat do zhvillojë dhe 30 ndeshje të tjera me ekipin  kombëtar, duke qënë një prej liderëve në rradhët e mbrojtjes kuqezi.

I vëmendshëm në markim   ndaj çdo sulmuesi, fitues në dyluftimet ajrore  me kundërshtarët Geri Çipi do merrte vlerësimet pozitive nga trajnerët Medin Zhega, Sulejman Demollari, Dossena dhe Hans Peter Brigel. Ai së bashku me portierin Strakosha, mbrojtësit Aliaj, Beqiri, Hasi  dhe Cana, mesfushorët Lala, Murati dhe Skela, sulmuesit Tare, Myrtaj dhe Bogdani do të dilnin fitues në ndeshjet kualifikuese përballë Greqisë dhe Rusisë, si dhe zhvillonin ndeshje me nivel ndaj Anglisë, Filandës, Skocisë, Irlandës, Zvicrës, Turqisë, Gjeorgjisë , Danimarkës, Ukrianës  e të tjera. Ishin  vite të bukura të karrierës sportive për Geri Çipin , i cili shpesh i kujton me shumë nostalgji. Gjithsesi edhe pse  nga futbolli i luajtur  Geri Cipi u largua në vitin 2007, kur ishte vetëm  31  vjeç duke arshivuar  256 ndeshje  kampionati dhe 34 ndeshje ekipin kombëtar,  përsëri ai arriti të formonte me tërë vlerat portretin e një mbrojtësi elegant, që ende Vlora nuk  po  e “prodhon” sërish. Por futbolli mbetet një dashuri dhe pasion i patjetërsuar për Geri Çipin  që në   vitet  2009-2014, me detyrën e sekretarit të  klubit Flamurtari me aftësitë e tij drejtuese dhe organizative  ndihmon skuadrën e zemrës  që në vitet 2009 dhe 2014  të fitojë dy herë  Kupën e Shqipërisë dhe do të marri pjesë për katër sezone në turnet e Evropa- League. Ka disa vite që Geri Cipi i është përkushtuar  biznesit familjar , por tradita e familjes së  tij  si pjesë e futbollit të Flamurtarit vazhdon me djalin e tij 17 vjeçar Mateo Çipi. Djaloshi i ri Mateo në fushën e lojës është një kopje e  babait  në portretin fizik dhe atë teknik, dhe rolin si qendërmbrojtës. Tradita vazhdon, kështu dhe në ditët e sotme, duke bërë që  portreti  i Geri Çipit  që këto ditë mbushi  45 vjeç , të   bëhet më i plotë dhe më intersant me  vlerat që ai dhe familja e njohur vlonjate Cipi i kanë dhënë sportit vlonjat dhe atij kombëtar .

Skeda e Geri Çipit

Lindur: Në Vlorë më 28 shkurt  1976
Roli në skuadër: Qendërmbojtës
Numri i fanellës:  3
Karriera si futbollist: Flamurtari 1992-1998, Maribor 1998-2000, Gent 2000-2003, Entraht-Frankfurt 2003, Oberhauzen  2004, Tirana 2004-2007.
Ndeshje të zhvilluara gjithsej: 290 ndeshje nga të cilat, 256 për kampionate dhe Kupa dhe 34 ndeshje me ekipin kombëtar
Trofe të fituara: 4 tituj kampion ( Gent –Tirana) , dy Kupa (Maribor –Tirana ) dhe tre  Superkupa (Tirana )