Alert/ Vaji i palmës tek produktet e bulmetit po helmon shqiptarët

864
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Skandali/ Abuzimi me teprimin dhe fshehjen e vajit të palmës në produktet ushqimore, shkak për sëmundjet e zemrës, tumore dhe dëmtimet e mëlçisë dhe veshkave. Përdorimi masiv i vajit të palmës, në shumë raste edhe i padeklaruar nga kompanitë e qumështit kosit dhe nënprodukteve të tyre kërkojnë hetim të menjëhershëm. Kosova ka një vit që ka ndaluar importin e vajit të palmës.

Të pretendosh sot se në dyqanet e bulmetit mund të gjesh produkte vërtet të shëndetshme, vetëm gënjen veten, rrezikon shëndetin në shumë raste dhe thuajse në të gjitha rastet je i mashtruar. Kjo ndodh rëndom dhe me nënprodukte qumështi, të cilat konsumatorët drejtohen t’i blejnë si të zgjedhura, por në të vërtetë, në brendësi të tyre ka vaj palme e kushedi sa shtesa të tjera ushqimore, të padeklaruara në etiketa, por edhe pa afate prodhimi e përdorimi. Kjo ndodh kryesisht në tregje, por edhe hapur në markete me salcat e kosit ose nënprodukte të tjera qumështi, që shiten me kilogramë e shpesh herë me mbishkrimin “bio”. Ndryshe ndodh me produktet e ambalazhuara, që kanë apo jo shtesa ushqimore, si vaj palme etj, të paktën e kanë të deklaruar dhe secili e merr vetë riskun përsipër. Një pjesë e madhe e nënprodukteve të qumështit që tregtohen në marketet vendase  kanë në përbërje edhe vajin e palmës. Tregtarët abuzojnë, duke e fshehur një fakt të tillë, duke mos e vendosur ekzistencën e vajit të palmës në etiketën e produktit edhe pse ky është një detyrim ligjor. Vaji i palmës gjen modifikime të shumta tek nënproduktet e qumështit, duke filluar që nga djathi, gjalpi dhe salca e kosit. Për të faktuar se çfarë hamë ne, realizimi i investigimit për sa i përket deklarimit të vajit të palmës tek etiketat e produktit të salcës së kosit të ambalazhuar dhe të paambalazhuar. Vendimi i Këshillit të Ministrave me Nr/434, datë 11.7.2018, “Për Etiketimin e Ushqimeve dhe Informimin e Konsumatorit”,  i cili i detyron të gjithë operatorët e biznesit ushqimor që të mos tregtojnë produkte ushqimore pa etiketa, si dhe mënyrën e etiketimit, të deklarimit të përbërësve etj, duket qartë që nuk gjen zbatim, ndërkohë që institucionet ligjzbatuese, ngjajnë të paafta për garantimin e sigurisë ushqimore. Ndërkaq, referuar këtij vendimi, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, më 15.06.2020, iu dërgoi të gjitha shoqatave të biznesit ushqimor, një informacion të detajuar për mënyrën se si duhen etiketuar produktet ushqimore e çfarë duhet deklaruar në të. Por, duket qartë që as VKM dhe as “fushata informuese” e AKU, në shumë raste nuk merren në konsideratë, duke e lënë kështu konsumatorin në mëshirë të fatit.

Qendra “Alert”, një organizatë jofitimprurëse, po zbaton projektin “ Ushqimi, risku masiv për konsumatorët, mungesa e kontrolleve dhe e informimit nga institucionet”, si një ndihmesë për të rritur cilësinë e ushqimeve të tryezës. Gazetarët së bashku me specialistët e laboratorit të akredituar “Noval”, vendosën që të bëjnë një investigim në tregun vendas. Për të faktuar një gjë të tillë, në disa markete dhe minimarkete  të kryeqytetit u blenë 5 mostra salcë kosi të kompanive të ndryshme në markete dhe dyqane që reklamohen se kanë produkte bulmeti bio. Mostrat janë blerë të ambalazhuara dhe jo të ambalazhuara. Më pas, me frigoriferë ftohës dhe temperaturë optimale u dërguan pranë laboratorit “Noval”, ku  kërkuam që të analizonte nëse në salcën e kosit ka prani të vajit të palmës. Nga analizat rezultoi se, tri nga mostrat dolën me prezencë të vajit të palmës, përfshi këtu edhe mostrat e blera në dyqanet e ashtuquajtura “bio”. Më pas gazetarët investigativë bën një krahasim me etiketat e këtyre produkteve.
Prof. Kapllan Sulaj, Dekan i Fakultetit të Bioteknologjisë së Ushqimit në Universitetin Bujqësor të Tiranës në verifikimin dhe interpretimin e raport-analizave të vënë në dispozicion nga Qendra “Alert”, deklaroi se salcat e kosit janë përgatitur me vaj palme. “Nga raportet analitike tregohet se ka prani të vajit të palmës. Nuk ka vlerësim sasior për njësi peshe. Vaji i palmës përdoret në industrinë ushqimore dhe në industrinë e përpunimit të qumështit. Vlerësimi sasior nga laboratori duhet të tregonte sasinë që përdoret në çdo rast dhe në këtë rast këtë të dhënë nuk e kemi. Efekti që ka vaji i palmës në shëndet i referohet dozave të ekspozimit dhe prandaj analiza sasiore mbetet e rëndësishme”, thotë Sulaj.

Rezultatet e mostrave:

Kampioni me kodin nr.11, rezulton të jetë produkt i prodhuar nga kompania “Jugu Farm”. Rezultatet e analizave treguan që ky produkt të jetë përgatitur me vaj palme. Ndërkohë që në etiketën e tij nuk shënohet asgjë përveç emrit të prodhuesit. Kjo salcë kosi është blerë e hapur, pra me peshë, në një nga supermarketet e kryeqytetit, pranë “Pazarit të Ri”. Në këtë rast kompania fsheh të dhënat kryesore të produktit, që i detyrohet me ligj konsumatorit. Këto salca nuk janë të sigurta edhe për faktin se në asnjë tabelë nuk shënohet jetëgjatësia e produktit. Në këtë rast konsumatori mbetet në duart e shitësve. Ndërkohë që Autorteti Kombëtar i Ushqimit, është ai institucion që duhet t’i garantojë siguri ushqimore konsumatorit.

Kampioni me nr. 12, i salcës së kosit Erzeni, sipas rezultatit të analizave, ka rezultuar se nuk ka prani të vajit të palmës. Megjithëse vaji i palmës është i deklaruar në etiketën e produktit të ambalazhuar, nga analizat laboratorike, në kampionin e marrë, nuk ka rezultuar prani.

Kampioni me numër 13, është prodhim i Lufrës dhe rezulton se është përgatitur me vaj palme. Në etiketën e këtij produkti kemi të shënuar përqindjen dhe praninë e vajit të palmës. Në këtë rast ky produkt me etiketë që nuk pasqyron të dhënat kryesore që kërkon ligji për etiketimin dhe informimin e konsumatorit, vë në rrezik jetën e këtij të fundit.

Kampioni me nr. 14, korrespondon të jetë ai i kompanisë Gjirofarma. Salca “Perfetto”, në etiketën e këtij produkti në listën e përbërjeve shënohet që ka vaj vegjetal, por nuk ka të saktësuar llojin dhe sasinë në të. Nga analizat laboratorike rezultoi që ky produkt rezulton të jetë i përgatitur me vaj palme.

Ndërsa kamioni me kodin numër 15, është  blerë në një dyqan bulmeti, e cila si të dhënë kishte vetëm origjinën e produktit. “Salcë Kosi Gjirokastre”, nuk rezultoi me vaj palme. Por edhe këtu shfaqen probleme, sepse kompania në fjalë nuk kishte të shënuar asnjë të dhënë për datën e prodhimit, datën e skadencës  apo përbërësit e tjerë  që ka ky produkt.

Po përse vaji i palmës përdoret në punishtet e bulmetit?

Eksperti i Bujqësisë, Ervin Resuli thotë se vaji i palmës ul kostot e prodhimit të këtij produkti. “Ky përbërës është i njohur për koston e tij relativisht të ulët, përmban nivel të lartë yndyre dhe shërben për t’i zgjatur jetën produkteve të ndryshme ushqimore, si dhe rrit rrezen e produktit. Përdorimi i vajit të palmës është duke vënë në rrezik fermerin shqiptar”, thotë Resuli. Eksperti i bujqësisë shprehet gjithashtu se numri i baxhove në vend nuk i plotëson kërkesat e tregut për qumësht të freskët. “Përballë kësaj situate, industria e përpunimit të qumështit detyrohet të përdorë shtesa të ndryshme proteinike. Qumështi pluhur, si dhe abuzimet me vajin e palmës ulin interesin për qumështin e freskët. Vaji i palmës kushton shumë lirë në tregun botëror, ndërsa litri i qumështit tek fermeri vendas është i kushtueshëm, pasi kostot e prodhimit janë tepër të larta. Fermeri shqiptar nuk subvencionohet mjaftueshëm që qumështi i freskët të jetë konkurues. Edhe në ato raste kur baxhot kërkojnë qumësht të freskët tërheqin qumështin nga vendet e rajonit si Serbia dhe Maqedonia, element ky që tregon se edhe në këtë rast qumështi i baxhove tona përsëi nuk preferohet”, shton Resuli.

Por çfarë rreziku sjell kjo?
Në vitin 2019-2020 industria e përpunimit në Kosovë, braktisi qumështin e freskët të baxhove duke preferuar që zgjidhjen ta gjente tek vaji i palmës. Përballë kësaj situate qumështi i fermerëvë përfundoi në kanal. Më pas ishte protesta e fermerëve në Kosovë që vuri në lëvizje qeverinë vendase, duke ndaluar kështu kategorikisht importin e vajit të palmës dhe përdorimin e tij tek induastria e bulmetit. Me këtë vendim qeveria i siguroi konsumatorit një produkt cilësor dhe shpëtoi nga falimentimi baxhot e vendit. Ndërkohë në Shqipëri vaji i palmës gjen përdorim të gjerë në industrinë ushqimore dhe atë kozmetike, duke qëndruar i fshehur, pasi në etiketën e produkteve nuk shënohen të dhënat kryesore që i bën të ditur konsumatorit se çfarë produkti ka në dorë.

Po përse nuk deklarohet vaji i palmës, kur është i ndaluar të përdoret në industrinë ushqimore?

Përse hezitojnë fabrikat e mëdha dhe baxhot e vogla ta vënë konsumatorin përballë faktit që produkti i tyre ka edhe vaj palme? A është i rrezikshëm për shëndetin e njeriut vaji i pamlmës? Përgjigjen e gjetëm tek mjekja Blerta Brati Kika, e cila është mjeke mikrobiologe.

E pyetur, se a a vihet në rrezik jeta e konsumatorit nga vaji i palmës, apo nëse i shkaktohen probleme shëndetësore, Kika thotë se, “një arsye për rrezikun që vjen nga vaji i palmës janë problemet shëndetësore që shfaqen nëse konsumohet vazhdimisht dhe në sasi të mëdha.Vaji i palmës përmban 45% të acideve yndyrore të ngopura, të cilat shkaktojnë probleme vaskulare. Sidoqoftë, në këtë pikë ekzistojnë mosmarrëveshje midis specialistëve. Vaji i palmës ka përfitime të caktuara ushqyese, veçanërisht mbi acidet yndyrore të përpunuara, që gjenden në vajrat bimorë të hidrogjenizuar”. Sipas mjekes, problemi qendron se, është shumë e vështirë të kontrollosh sasinë që konsumon, sepse vaji përdoret në një numër shumë të madh të produkteve ushqimore dhe shumë pak vaj është i mjaftueshëm për një konsum vjetor familjar”.

“Vaji i palmës është edhe më i rrëzikshëm kur përdoret në sasi të mëdha. Konsumatori e ka të vështirë të masë sasinë ditore, se sa vaj palme mund të përballojë organizmi i tij në ditë, pasi shumë produkte nuk e deklarojnë fare prezencën e tij. Por edhe në ato pak raste kur deklarohet, mungon një tjetër e dhënë e rëndësishme, që është sasia. aq më keq, kur konsumatori nuk është aspak i informuar për praninë e këtij produkti në salcat e kosit apo ushqime të tjera”, theksoi mjekja, duke shtuar se, “vaji i palmës është plot me yndyrna të ngopura, të cilat rrisin nivelin e kolesterolit dhe ndihmojnë në bllokimin e enëve të gjakut. Vaji i palmës përmban acid palmitik që është një yndyrë krejt e ngopur. Me kalimin e kohës, përdorimi i vajit të palmës të çon drejt goditjeve në zemër dhe infarkteve dhe sëmundjeve të tjera të sistemit kardiovaskular”.

Disa nga problemet e tjera të vajit të palmës, sipas mjekes, “është shumë e vështirë të tretet për shkak se është më i trashë se vajrat e tjerë. Procesi i rafinimit largon lëndët ushqyese dhe gjithashtu e bën vajin shumë më të vështirë të tretet. Për këto arsye, rekomandohet që vaji i palmës të shmanget nga përdorimi”. Ndërkohë, nutricioniste dhe biologe molekulare , Hyrida Basha thotë se, “vaji i palmës, në gjendje oksidimi mund të kërcënojë funksionet fiziologjike dhe biokimike të trupit”. Sipas saj, “prodhuesit e ushqimeve të përpunuara oksidojnë vaj palme në produktet e tyre për qëllime gatimi, që do të thotë se shumica e konsumatorëve të vajit të palmës e konsumojnë në gjendje të oksiduar. Rreziqet e vajit të palmës të oksiduar përfshijnë organotoksicitetin e zemrës, veshkave, mëlçisë dhe mushkërive si dhe dëmtim të organeve riprodhuese, të cilat çojnë deri në sëmundjen e kancerit”. “Vaji i palmës është i dëmshëm për shëndetin e konsumatorëve, aq më tepër të atyre që nuk e dinë që e marrin apo dhe më keq kur nuk njohin sasinë, për shkak të nivelit të lartë të acideve yndyrore të ngopura, të cilat rrisin kolesterolin e keq. Lidhur me ndikimet në shëndet, problemi është përmbajtja e lartë e yndyrës së ngopur, e cila mund të arrijë 50% në rastin e vajit të palmës që rrjedh nga fruti dhe 80% për vajin e nxjerrë nga fara e palmës. Kjo vlerë e lartë kontribuon në rritjen e nivelit të kolesterolit të keq në gjak. Ky vaj është i përdorshëm nga industritë, në një gjendje të oksiduar me një qëndrueshmëri gjysmë të ngurtë, në temperaturën e dhomës. Pikërisht oksidimi i tij mund të shkaktojë disa lloje helmimesh për trupin”, thekson nutricionistja Basha.

Materiali është realizuar, si pjesë e projektit “Ushqimi, risku masiv për konsumatorët, mungesa e kontrolleve dhe e informimit nga institucionet”, të mbështetur financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.

Vijon nesër:

– Ja të dhënat më të detajuara për kodin doganor që i referohen qumështit.
–  Si 9.2 milionë kg qumësht u importuan në Shqipëri në vitin 2018, 50% më shumë se në 2014-ën
– Prodhimi i qumështit rritet me 0.5% në vitin 2019