Kryeministri inauguron shkollën “Bajram Curri” në Durrës

1628
Sigal

Kryeministri Sali Berisha përuroi shkollën e re 9-vjeçare “Bajram Curri” në Durrës, ku nënvizoi faktin se sot u përurua një nga shkollat më moderne të vendit me një investim prej 185 milionë lekë, fonde të akorduara nga Banka Botërore dhe Qeveria shqiptare. Duke përmendur arritjet e viteve të fundit në këtë drejtim, nisur nga rëndësia që ka ky vit për Shqipërinë, Kryeministri garantoi se investimet në shkolla do të jetë prioriteti i qeverisë në këtë 100 vjetor të Pavarësisë. “Shkolla ka ardhur si dhuratë për të gjithë nxënësit dhe fëmijët e zonës së plazhit me parametra modern dhe europiane, për 100 vjetorin e Pavarësisë”, tha Berisha. Në gjithë vendin theksoi Berisha janë rikonstruktuar dhe ndërtuar të reja 71 për qind e mjediseve arsimore, ndërsa në Durrës kjo shifër shkon 80 për qind. Duke theksuar se mbetet ende rrugë për të bërë, kryeministri kërkoi që vëmendja të përqendrohet tek cilësia e arsimit. Kryeministri theksoi se paga e mësuesve është dyfishuar, duke qëndruar mbi rrogën mesatare të vendit. Shefi i qeverisë bëri të ditur se për ndërtimin e shkollës në Plazh të Durrësit janë investuar 185 milionë lekë, ndërsa kapaciteti i shkollës është me rreth 1 mijë nxënës. Shkolla përbëhet nga 24 klasa, 4 laboratorë dhe nga një sallë multifunklsionale së bashku me palestrën. Kryeministri Berisha është  përqendruar vetëm në fushën e arsimit gjatë fjalës së tij në këtë inaugurim. Ai ka theksuar se, lëndët e gjuhës shqipe dhe matematikës duhet të jenë shtyllat kryesore të arsimit parauniversitar për të zhvilluar arsimin ashtu siç e kërkon koha.