Koalicioni PD-LSI është vullnet, i cili duhet të respektohet nga Presidenti për mandatimin e qeverisë së re

253
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Forumi në gazetën “Telegraf”: Flasin, Prof. Dr. Elmaz Sherifi, konstuticionalisti Ledio Braho, Prof. Dr. Enver Bytyçi

Pavarësisht se zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen në 25 prill 2021,  pavarësisht se KQZ-ja mund të certifikojë mandatet e deputetëve, që do të dalin nga këto zgjedhje edhe në maj, apo qershor, Kuvendi i ri do të zhvillojë seancën e parë plenare pas datës 9 shtator, atëherë kur parlamentit aktual i mbaron mandati. Mes datës 9 dhe 19 shtator, Presidenti i Republikës është i detyruar të emërojë kryeministrin e ri.

Por kë do të zgjedhë Presidenti i Republikës Ilir Meta, për të mandatuar të krujojë qeverinë e re? Atë parti, që ka marrë më shumë mandate, pavarësisht se nuk ka 71 mandate? Apo, atë koalicion paszgjedhor, që ka 71 mandate?  Për këtë, është e shkruar vetëm një fjali në Kushtetutë, përkatësisht në nenin 96, ku shkruhet:

“1. Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend”.

“Ajo që bëri PD-LSI është një vullnet kundër PS-së, do interpretuar në një frymë tjetër. Koalicioni është vullnet  dhe ky vullnet duhet të respektohet nga Presidenti”

“Është e qartë, se Rama është humbës para koalicionit të gjerë të shqiptarëve të pakënaqur nga keqqeverisja në mandatin e dytë të “tepsisë dhe kazaneve”

Deri më tani, kjo fjali nuk ka lënë vend për diskutime, pasi koalicionet zyrtarizoheshin përpara zgjedhjeve në KQZ. Por në këto zgjedhje, kemi dy lloj marrëveshjesh nga ana e opozitës;

Së pari, KQZ është depozituar koalicioni i Bashës me aleatët e tij, ku nuk përfshihet LSI-ja, dhe e dyta, një marrëveshje e firmosur sot me Monika Kryemadhin por që nuk do të protokollohet në KQZ, pasi të dy do të dalin me lista të vecanta kandidatësh.

Këtu lind pyetja: a do të llogariten votat e LSI-së bashkë me Koalicionin e Bashës dhe do të krahasohen me votat e PS-së, përpara se Meta të mandatojë kryeministrin e ri?

PS thotë jo. Pasi sipas tyre, votat e listës së PS, duhet të krahasohen vetëm me listën e PD, dhe me listën e LSI veç e veç. Opozitës mund t’i leverdisë t’i llogarisë PD plus LSI, përballë PS. Kjo për faktin se historikisht PS është partia më e votuar në vend, por PD dhe LSI, nëse do të mblidhen së bashku, mund t’ia dalin të kalojnë socialistët në total votash. Kush merr i pari autorizimin nga Presidenti, ka shanset më të larta të krijojë shumicën në parlament. Edhe nëse nuk i ka vetë, të bashkojë numrat me elementë që mund të ripozicionohen pas zgjedhjeve.

Ndryshimi nuk do të vijë thjesht nga ndërrimi i vendeve në qeverisje, por nga aftësia dhe vullneti i opozitës së sotme, nesër në pushtet, për të bërë reforma thelbësore në interes të qytetarëve”

“Kësaj radhe e sigurt është se Rama luan bllofin. Asnjë llogari matematike nuk e çon numrin e deputetëve të rilindjes më shumë se 55-60. Nuk ka shans”

Komisioni i Venecias, në opinionet e tij, që ka dhënë, është shprehur se duhet që partitë politike në Shqipëri, paraprakisht, përpara zgjedhjeve, duhet të bëjnë një marrëveshje politike, për t’u dakordësuar, se kush do të ketë prioritetin, që të krijojë qeverinë e re.

Pyetjet e gazetës “Telegraf”

– Cili është gjykimi juaj për marrëveshjen Basha-Kryemadhi? Dhe pse Rilindja Socialiste dhe Rama do të kandidojnë pa aleancë në këto zgjedhje parlamentare të 25 prillit?

– Pavarësisht se Aleanca për Ndryshim e Opozitës së Bashkuar nuk u rregjistrua në KQZ, a duhet ta njohë Presidenti i Republikës për ta mandatuar për krijimin e Qeverisë së re, pas 25 prillit, nëse fitojnë 71 mandate?

Flasin për gazetën “Telegraf” :

Prof. Dr. Elmaz Sherifi

Presidenti duhet të dekretojë atë koalicion paszgjedhor që ka shumicën e mandateve në parlament

-Marrëveshja e bërë më 1 mars shpreh vullnetin politik të opozitës reale, për të krijuar frymëzim te elektorati shqiptar, që është i pakënaqur nga qeverisja tetëvjeçare e Edi Ramës. Ai është një bashkim vullnetesh i spektrit  të gjerë politik dhe elektoral, i cili me sa kuptohet, është i mirëpritur nga shumica e votuesve.

Rama e ka një koalicion te padeklaruar, pra të kamufluar, me “opozitën e opozitës” që ndryshoi pa procedura kushtetuese, Kushtetutën dhe si shpërblim për shërbimin që i dhanë “rilindjes”, u ndryshua Kodi Zgjedhor me uljen e pragut zgjedhor deri në 1 %, që disa nga partitë e krijuar nga lista e deputetëve të PS dhe LSI-së, të kenë mundësi të futen në parlament e të bëjnë koalicion me Ramën, që ai të bëjë realitet ëndrrën për marrjen e mandatit të tretë. Alencë Rama po bën  edhe me disa deputetë  të “opozitës së opozitës”, të cilët kane deklaruar se e mirëpresin futjen e emrit të tyre në listat e deputetëve të”rilindjes”, për të freskuar mjedisin e deputetëve socialistë të lodhur.

– Për të gjithë ata që e kuptojnë politikën është e qartë, se Rama është humbës para koalicionit të gjerë të shqiptarëve të pakënaqur nga keqqeverisja në mandatin e dytë të “tepsisë dhe kazaneve”. Ky fakt e detyroi Ramën që të ndryshonte në mënyrë të njëanëshme dhe pa konsensusin e opozitës reale,  Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor.  Ky realitet i ka nervozuar me tepëri gazetarët që admirojnë sot Ramën, kur dikur i botonin raportet mjekësore dhe e konsideronin “hiçin” ! Janë po të njëjtit që nuk e duan alternativën opozitare, por janë edhe të “shqetësuar” nga dalja e opozitës me dy lista zgjedhore në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Pra, kuptohet botërisht se Rama nuk i fiton zgjedhjet dhe Presidenti do të ushtrojë kompetencat kushtetutese për të dekretuar kryeminister kandidatin e opozitës, fituesin e zgjedhjeve.

Av.Ledio Braho

Ledio Braho, konstitucionalist

Koalicioni PD-LSI është vullnet, i cili duhet të respektohet nga Presidenti për mandatimin e qeverisë së re

-Komisioni i Venecias, kur Presidenti i Republikës Ilir Meta iu drejtua për ndryshimet e Kodit Zgjedhor në paragrafin 25 e kishte ngritur këtë problematike, duke këshilluar partitë të ulen të zgjidhin këtë problematikë. Komisioni thotë se neni 96 nuk përputhet me ndryshimet në Kushtetutë dhe nuk ka më kuptim. Por në opinionin përfundimtar të Venecias ky paragraf nuk ekzsiton më, është vetëm një fjali, që nuk ka lidhje me këtë çështje, pasi duket se nuk ka dashur të hyjë më tej, pasi do të hasë konfliktit. Do të jetë Gjykata Kushtetuese, që në një rast hipotetik, t’i japë zgjidhje konflikt. Ajo që bëri PD-LSI është një vullnet kundër PS-së, do interpretuar në një frymë tjetër. Koalicioni është vullnet  dhe ky vullnet duhet të respektohet nga Presidenti”.

Prof. Dr. Enver Bytyçi

Rilindja e Ramës nuk merr më shumë se 55-60 deputetë, është opozitë

Para tri ditësh koalicioni opozitar nënshkroi marrëveshjen parazgjedhore. Sipas kësaj marrëveshjeje të gjithë opozitarët bashkohen kundër një qeverisjeje jo vetëm të dështuar, por edhe të inkriminuar. Ndërkohë, kreu i mazhorancës në minorancë, pra Edi Rama, ka vendosur të shkojë në zgjedhje i vetëm, duke pretenduar se do të marrë 74 mandate, d.m.th aq sa mori me vjedhje, blerje e grabitje në vitin 2917. Disa herë Rama e ka paracaktuar numrin e mandateve bazuar në llogaritjet matematike të mandateve që do të grabiste, vidhte e blinte me ndihmën e bandave dhe banditëve. Por kësaj radhe e sigurt është se Rama luan bllofin. Asnjë llogari matematike nuk e çon numrin e deputetëve të rilindjes më shumë se 55-60. Nuk ka shans. Në këtë shifër llogariten dhe blerje-shitjet, manipulimet dhe mashtrimet e Edi Ramës. Kurrë nuk mund të mbërrijë ai te 70 mandatet, të cilat i pretendon.

Por Rama provokon. Bën sikur është ende në lojën politike. Dhe këtë skemë mashtruese Presidenti Ilir Meta e njeh mirë. Më kujtohet se si e kthjelloi Partinë Demokratike në zgjedhjet lokale të majit 2011 për metodat dhe mënyrat e manipulimit të zgjedhjeve nga ana e socialistëve. Këta demokratët e dinin që ia vidhnin votat, por nuk kishin mësuar se cilat janë mënyrat e metodat e vjedhjes. Iliri, duke qenë se i njihte nga brenda, ua mësoi demokratëve të vërtetën. Por mbi të gjitha, besoj se Ilir Meta nuk rrëshqet asnjëherë nga ato që thotë.  Ndërkaq,  Presidenti i Republikës  prej disa kohësh po paralajmëron mazhorancën e Edi Ramës, tashmë prej kohësh në minorancë, për respektimin e vullnetit të qytetarëve dhe pasojat që do të ketë nëse ajo manipulon sërish me zgjedhjet e 25 prillit. Nëse opozita dhe gjithë aktorët e tjerë të brendshëm e të jashtëm ia pamundësojnë Edi Ramës manipulimin dhe vjedhjen e vullnetit të qytetarëve, është e sigurt se Rilindja nuk del parti e parë në zgjedhje. Për pasojë, Presidenti i vendit do të mandatojë të parin, në rastin konkret me shumë mundësi Partinë Demokratike, e cila ka në listat e saj edhe përfaqësueit e disa partive tjera jo pa peshë elektorale. Por le të pranojmë variantin se Rilindja del në vendin e parë. Askush nuk do të pranojë të qeverisë me Edi Ramën. Për pasojë, Presidenti do të detyrohet të mandatojë partinë e dytë dhe në këtë rast PD dhe LSI do të kenë jo vetëm shumicën absolute, por edhe shumicën e cilësuar. Do të ishte mirë që koalicioni opozitar anti-krim të kishte 92 deputetë, me qëllim që të zhvillohej edhe reforma kushtetuese. Por edhe nëse nuk arrihet kjo, reformat mund të bëhen me shumicën e cilësuar.  Për mua ka rëndësi që të mos manipulohet vullneti i zgjedhësve, që të ndalohet njëherë e mirë trafikimi i deputetëve, që të respektohet e drejta dhe Kushtetuta e vendit. Nëse ndodhin këto, dhe me siguri që nuk do të shohim bëma anti-demokratike më në këtë vend, atëherë arrihet ndryshimi. Ndryshimi nuk do të vijë thjesht nga ndërrimi i vendeve në qeverisje, por nga aftësia dhe vullneti i opozitës së sotme, nesër në pushtet, për të bërë reforma thelbësore në interes të qytetarëve dhe në funksion të krimit të organizuar dhe korrupsionit qeveritar e zgjedhor! Përfundimisht dua të them se çdo formë manipulimi do të marrë goditje. Urojmë dhe shpresojmë për një proces të drejtë dhe të saktë, me qëllim që të parandalohen konfliktet civile pas zgjedhjeve. Kosova është bërë tashmë model dhe frymëzim për këtë, ndaj dhe mësimi që vjen nga kjo duhet të jetë nxjerrë. Nëse ndodh që të manipulohet e vidhet qoftë edhe një votë, atëherë do të humbasë legjitimiteti i zgjedhjeve. Zgjedhjet jo legjitime do të shkaktojnë përsëritjen e ngjarjeve tragjike që kanë ndodhur në të kaluarën në Shqipëri dhe në vende të tjera hibride në aplikimin e parimeve të demokracisë.