Moisi Dalipi: Portreti i mbrojtësit elegant Geri Çipi

154
Sigal

Moisi Dalipi
Mjeshter i Madh

Kur ndalesh në historinë e sportit vlonjat në vite, je i detyruar të qëndrosh tek vlerat dhe kontributi i familjes sportive Çipi. Në vite dhe dekada në sportin e volejbollit, por vençarisht atë të futbollit kjo familje fisnike ka emërin e saj të vendosur bukur në historinë e Flamurtarit. Kështu në vitet 1965 -1980 janë bashkëshortët Vilson dhe Natasha Çipi që në sportin e volejbollit do tregojnë vlerat e tyre sportive tek ekipet e Labinotit dhe Flamurtarit. Por në vitin 1974 deri në vitin 1992 është vendosur në vendin që takon tek futbolli i Flamurtarit kariera e mbrojtësit dhe kapitenit legjendë Kreshnik Çipi. Dhe pikërisht në shtator të vitit 1992, kur Kreshniku do t’i jepte lamtumirën futbollit dhe do t’ia dorëzonte fanellën me numërin 3 nipit të tij, do nisë aventura e bukur futbollistike e mbrojtësit elegant Geri Çipit. Por pak vite më vonë, një tjetër pinjoll i kësaj familje sportive Arnold Çipi do jetë pjesë e skuadrës të futbollit të Flamurtarit.

Por gjithëçka nuk mbaron këtu, sepse sot është pjesë e skuadrës të futbollit U-17 të Flamurtarit dhe atij kombëtar djali i Gerit: mbrojtësi me shumë të ardhme Mateo Çipi. E pra! Familja Çipi ka më shumë se gjysëm shekulli që vazhdon të kontribojë fort në sportin vlonjat dhe atë kombëtar. Dhe diku në mjedisin e këtyre vlerave të papërsëritshme sportive të familjes Çipi është dhe karriera 15 vjeçare e mbrojtësit elegant Geri Çipi. E nisi sportin si një dëshirë dhe detyrë të prindërve të tij Natasha dhe Vilson Çipi, që në moshën 10 vjeçare. Por ndryshe nga prindërit e vet Geri nuk zgjodhi volejbollin, por futbollin, duke u bërë kështu një trashëgimtar besnik i rolit të mbrojtësit si dhe xhaxhai i vet Kreshnik Çipi. Dhe do jetë vetëm 16 vjeç, kur në shtator të 1992, në atë ceremoni lamtumire me futbollin të kapitenit të Flamurtarit të madh, Geri Çipi do marrë jo vetëm fanellën por dhe këshillat dhe porositë për të vazhduar dhe nderuar traditën e familjes. Dhe në fakt, nuk mund të ndodhte ndryshe, sepse mbrojtësi Geri Çipi me elegancën e tij shumë shpejt do bëhet një lider i vërtetë në mbrotjen e Flamurtarit të atyre viteve.

Plot energji, pozicional dhe i saktë në çdo ndërhyrje Flamurtari me Geri Çipin po gjente një zëvendësues të denjë në qendër të mbrojtjes, pas largimit nga futbolli të Kreshnik Çipit. Ka diçka të veçantë, të bukur dhe shumë domethënëse kur kjo ndodh brenda të njëjtës familje. Të dy prindërit e tij, por dhe xhaxhai i vet janë këshilluesit më të mirë për rritjen e vlerave sportive tek mbrojtësi Geri Çipi. Trajnerët Edmond Licaj, Bejkush Birçe, Leonidha Curri dhe Petro Ruci që kanë punuar me këtë djalosh shtatlartë në ato vite shpreheshin me vlerësime pozitive. I palodhur, i vëmendshëm në çdo seancë stërvitje dhe ndeshje Geri Çipi do t’i rriste shpejt vlerat e tij sportive tek skuadra e qytetit të lindjes, Flamurtari. Së bashku me Devi Mukën, Ervin Fakaj, Johan Drizën, Fjodor Xhafën, Ervin Skelën dhe të tjerë djem të talentuar përbënin bazën e Flamurtarit në vitet 1992-1998. Një skuadër e bukur kjo që luante futboll bashkëkohor. Në vitin 1998 vjen “shtegëtimi”Geri Çipit në futbollin profesionist jashtë vendit. Dhe do jetë skuadra sllovene Maribor që për dy sezone 1998-2000, Geri Çipi do të konfimohet si mbrojtës tepër i fortë dhe pakalushëm. Ai së bashku me sulmuesin beratas Klidon Bozgo do fitojë Kupë dhe titull kampion, si dhe pjesëmarrjen në Kupat e Evropës tek skuadra sllovene. Por vetëm dy sezone qëndronte këtu, duke arshivuar 42 ndeshje dhe 2 gola të shënuar, sepse një ofertë joshëse do ta transferonte për tre sezone 2000-2003 tek skuadra belge. Edhe këtu bjondi vlonjat Geri Çipi me 76 ndeshjet e zhvilluara dhe trofetë e fituara me këtë skuadër, shton kredibilitetet e tij sportive. Një paraqitje spektakolare e tij në detyrën e mbrojtësit me skuadrën Geri, veçanërisht në ndeshjet ndërkombëtare për Kupat e Evropës, bëri që manexherët të bëjnë kalimin e tij tek skuadra gjermane Eintraht –Frankufurt. Tek kjo skuadër me plot histori suksesi në futbollin gjerman Geri Çipi do gjejë vlonjatin tjetër, fantazistin me këmbë të arta Ervin Skelën. Vetëm një sezon aktivizohet këtu, sepse trajneri gjerman Vili Raiman që nuk i kishte shumë për zemër futbollistët shqiptar do t’i jepte pak hapësira për t’u aktivizuar. Një fakt i tillë bëri që Geri Çipi sezonin tjetër të jetë pjesë e skuadrës të bundesligës dytë gjermane Oberhauzen. Pas mbylljes të sezonit 2004 tek kjo skuadër Geri Çipi mbyll aventurën e tij futbollistike jashtë vendit dhe rikthehet në Shqipëri. Në atë periudhë Flamurtari për dy sezone do jetë pjesë e Kategorisë Parë, ndaj ai zgjodhi Tiranën për të vazhduar të luajë futboll, ku së bashku me Dervi Mukën, Rezart Dabullën, Indrit Fortuzin, Saimir Patushin, Isli Hidin e të tjerë në sezonet 2004-2007 do fitonin 3 tituj Kampion, 1 Kupë dhe 3 Superkupa. Por më të plotë portreti i këtij mbrojtësi elegant, me shumë vlera bëhet me 34 ndeshjet, që ai ka zhvilluar me ekipin kombëtar në vitet 1995-2005. Dhe ndeshja e tij e parë me ekipin kombëtar e ka zhvilluar më 30 nëntor 1995 kur ishte vetëm 19 vjeç, në miqësoren kundër Bosnjës. Aktivizimi në këtë moshë me ekipin kombëtar i jep Geri Çipit, “rekordin” personal duke u bërë kështu i pari futbollist vlonjat, që aktivizohet në këtë moshë me ekipin kombëtar. Por për çudinë e të gjithëve për pesë vite dyert e kombëtares do mbyllen për Geri Çipin edhe pse ai aktivizohej me skuadra të nivelit të lartë si Maribor, Gent dhe Eintraht –Frankfurt. Dhe në shkurt të vitit 2000 ish- trajneri ekipit kombëtar Medin Zhega do t’i jepte shansin Geri Çipit të rikthehej në rradhët e ekipit kombëtar. Dhe ka qënë turneu “Rothmans -2000” i zhvilluar në Maltë ku Geri Çipi shkëlqen me tërë vlerat e tij. Dhe Shqipëria bëhet fituese e këtij trofeu duke fituar ndaj Andorrës, Maltës dhe Azerbaxhanit. Më vonë për pesë vjet rresht deri në shkurt të 2005 mbrojtësi vlonjat do të zhvillojë dhe 30 ndeshje të tjera me ekipin kombëtar, duke qenë një prej liderëve në rradhët e mbrojtjes kuqezi. I vëmendshëm në markim ndaj çdo sulmuesi, fitues në dyluftimet ajrore me kundërshtarët Geri Çipi do merrte vlerësimet pozitive nga trajnerët Medin Zhega, Sulejman Demollari, Dossena dhe Hans Peter Brigel.

Ai së bashku me portierin Strakosha, mbrojtësit Aliaj, Beqiri, Hasi dhe Cana, mesfushorët Lala, Murati dhe Skela, sulmuesit Tare, Myrtaj dhe Bogdani do të dilnin fitues në ndeshjet kualifikuese përballë Greqisë dhe Rusisë, si dhe zhvillonin ndeshje me nivel ndaj Anglisë, Finlandës, Skocisë, Irlandës, Zvicrës, Turqisë, Gjeorgjisë, Danimarkës, Ukrainës e të tjera. Ishin vite të bukura të karrierës sportive për Geri Çipin, i cili shpesh i kujton me shumë nostalgji. Gjithsesi edhe pse nga futbolli Geri Çipi u largua në vitin 2007, kur ishte vetëm 31 vjeç duke arshivuar 256 ndeshje kampionati dhe 34 ndeshje me ekipin kombëtar, përsëri ai arriti të formonte me tërë vlerat portretin e një mbrojtësi elegant që ende Vlora nuk po e “prodhon” një tip të ngjashëm. Por futbolli mbetet një dashuri dhe pasion i patjetërsuar për Geri Çipin që në vitet 2009-2014, me detyrën e sekretarit të klubit Flamurtari me aftësitë e tij drejtuese dhe organizative ndihmon skuadrën e zemrës që në vitet 2009 dhe 2014 të fitojë dy herë Kupën e Shqipërisë dhe do të marrë pjesë për katër sezone në turnet e Evropa- League. Ka disa vite që Geri Çipi i është përkushtuar biznesit familjar , por tradita e famjljes tij si pjesë e futbollit të Flamurtarit vazhdon me djalin e tij 19 vjeçar Mateo Çipi. Djaloshi i ri Mateo në fushën e lojës është një kopje e babait në portretin fizik dhe atë teknik, dhe rolin si qëndërmbrojtës. Tradita vazhdon kështu dhe në ditët e sotme, duke bërë që portreti Geri Çipit, të bëhet më i plotë dhe më intersant me vlerat që ai dhe familja e njohur vlonjate Çipi i kanë dhënë sportit vlonjat dhe atij kombëtar.

Skeda e Geri Çipit

Lindur: Në Vlorë më 28 shkurt 1976

Roli në skuadër: Qëndërmbojtës

Numëri fanellës: 3

Kariera si futbollist: Flamurtari 1992-1998, Maribor 1998-2000, Gent 2000-2003, Entraht-Frankfurt 2003, Oberhasuzen 2004, Tirana 2004-2007.

Ndeshje të zhvilluara gjithsejt: 290 ndeshje nga të cilat 256 për kampionate dhe Kupa dhe 34 ndeshje me ekipin kombëtar.

Trofe të fituara: katër tituj kampion (Gent –Tirana), dy Kupa (Maribor –Tirana) dhe tre Superkupa (Tirana).