Prof. Dr. Lush Susaj: Dhu.nues të protestës studentore dhe vra.sës të demokracisë universitare

163

“Në universitetet tona ka gjithnjë e më pak autonomi financiare, pasi edhe financimi dhe ndarja e fondeve vjen nga lart. Ndërsa nuk ka demokraci e as përkujdesjen e duhur për studentët. Kjo për shkak të mungesës së theksuar të dëgjesës dhe të përfaqësimit të problematikave dhe të zërave studentorë.”

Sigal

Dje me datën 5 5ars 2023, fare rastësisht, afër Medresesë, takova Selmanin, ish studentin e inxhinierisë, që në vitet 2018-2019, protestoi për rreth 40 ditë me radhë, ku me megafon në dorë bënte thirrje për t’u grumbulluar e protestuar para ministrisë së Arsimit, apo për të protestuar para Kryeministrisë, apo për të qëndruar e protestuar tek kryqëzimi i Zogut të Zi, në mjediset e UBT, etj.

Unë kam patur rastin dhe fatin që të gëzohem aq shumë nga reagimi i pastër i rinisë studentore. Sepse unë kam besuar dhe vazhdoj që të besoj që vetëm lëvizja masive e studentëve dhe pedagogëve të Shqipërisë, do të mund të demokratizojë dhe ta shpëtojë universitetin dhe shkollën shqipe, e bashkë me të do të mund të ndriçojë dhe demokratizojë gjithë jetën shoqërore, administrative dhe politike të Shqipërisë.

Unë kam patur rastin që të shoh nga afër sinqeritetin dhe vendosmërinë e Selmanit dhe të studentëve të tjerë, që qëndronin gjithë ditën në protestë, në të ftohtë e me shumë pak ushqim, në të shumtën e rasteve me një byrek e një shishe ujë në dorë.

Ndërsa dhimbja që unë kam përjetuar dhe parë nga afër, është momenti i mobilizimit të strukturave politike, dhe ndërhyrja e tyre për ta paralizuar e përçarë protestën studentore, e kjo sipas ditarit tim, ka ndodhur që në ditën e gjashtë pas fillimit të protestës studentore. Pa përmendur faktin që profesorët, që në ditën e tretë u thirrën në mënyrë urgjente nga ana e organizatave dhe celulave të partisë, e ku u porositën për të bërë çdo përpjekje për të shantazhuar e frikësuar studentët, në mënyrë të tillë që protesta të kishte sa më pak pjesëmarrje e të shuhej shpejt.

Unë kujtoj se si në atë fund dhjetori të vitit 2018 dhe në janar të vitit 2019, janë thurur aq shumë poezi për ata pedagogë që kërcënonin studentët me mungesat dhe me futjen apo mos futjen e tyre në provime. Është shkruar e folur aq shumë për ata që gjoja bënin mësim me 3-4 studentë, kur mbi 95% e studentëve kishin shpallur grevë dhe kishin ndërprerë frekuentimin e leksioneve.

Selmani me kujtoj atë ditën kur po binte shi, e ku studentë dhe pedagogë ishim mbledhur tek shkallët para fakultetit të bujqësisë, duke dëgjuar e lexuar poezitë e studentëve protestues. Kur unë po lexoja një poezi me titull “Halli i Madh i Studentëve”, e botuar tek libri me poezi e me titull “Studentët Protestojnë” (2019, faqe 20-23), Selmani me mbuloi me çadrën e tij që të mos lagej letra.

Kujtuam se si aty para protestuesve kaloi një pedagog që mbante regjistrin në dorë, e që pa me neveri nga Selmani dhe nga studentët e tjerë. Pasi përfundoi protesta, Selmani më ka ardhur disa herë në zyrë, ku më ka treguar për presionin dhe dhunën ndaj tij, e që ka kulmuar në momentin kur pedagogu e ka ngelur në klasë, duke i thënë në sy të klasës fjalët: “shko e protesto e mbaj çadrën Lushit”.

Unë e di shumë mirë që Selmani dhe të gjithë studentët që protestuan, e që nuk u thyen nga demagogjia dhe presioni politik e administrativ, ngelën në klasë, ose u ulën notën mesatare, ose u fyen dhe u detyruan që të ndërpresin studimet e të emigrojnë, ose u detyruan që të qëndrojnë pa punë, edhe pse profesioni i tyre është shumë i kërkuar në Shqipëri dhe jas, kjo mund të verifikohet lehtë.

Ndërsa folëm edhe me njërin nga studentët më të mirë të universitetit, i cili pas goditjes tinëzare që mori në provimet e vitit të tretë e më pas edhe në mastër, iku për në Francë nga ku na mori në telefon. Të tillë shëmbuj të gjallë ka plot, e që tregojnë për mënyrën mizore e antishqiptare që është përdorur për të shtypur protestën studentore të viteve 2018-2019, e që ky shëmbull i zi ka shërbyer dhe po shërben akoma për të mbytur çdo lloj proteste, reagimi dhe lëvizje për shkollën dhe universitetet publike.

Dhuna e kamufluar e selektive shërbeu për të paralajmëruar profesorët dhe studentët e tjerë, që të mos guxojnë për të reaguar e folë as në rastin kur bie financimi i universiteteve, e as kur reduktohen të ardhurat përsonale dhe cilësia e mësimdhënies dhe jetës së stafeve pedagogjike. As në rastet kur bie numëri i studentëve dhe klasat mbetën të përgjysmuara ose bosh. As në rastet kur mungon transparenca, e ku fondet nuk shkojnë në departament, e as tek profesorët e fushave, por administrohen në shërbim të një grupi gjithnjë e më të vogël njerëzish.

Në këtë mënyrë, për shkak të dhunës mbi protestuesit, e më pas edhe të lenies së tyre pa punë e jashtë çdo vendimarrje e mundësie përfaqësimi dhe informimi, universitetet vazhduan rrukullisjen e tyre në krahët e autokracisë, që mbiu dhe u rrit në hapësirën e krijuar nga vrasja e autonomisë, meritokracisë dhe e demokracisë universitare e studentore. Tashmë në universitetet tona nuk ka autonomi, pasi edhe studentët i cakton nga lartë ministria, e sikurse duket nga kjo janë mbyllur e po mbyllën edhe degët jetike, sikurse janë mësuesia, agronomia, etj.

Në universitetet tona ka gjithnjë e më pak autonomi financiare, pasi edhe financimi dhe ndarja e fondeve vjen nga lart.

Ndërsa nuk ka demokraci e as përkujdesjen e duhur as për studentët. Kjo për shkak të mungesës së theksuar të dëgjesës dhe të përfaqësimit të problematikave dhe të zërave studentorë. Për shkak të mungesës së financimit të studentëve dhe të familjeve të tyre, të paktën sa në Kosovë. Për shkak të tarifave të larta e totalisht të panevojshme që paguajnë studentët tanë. Kujtoj faktin që në Bch studentët tanë paguajnë një tarifë prej 250-300 euro/vit, ndërsa në Kosovë paguhet vetëm 50 euro/vit. Për mastër paguhet 1200-1500 euro, ndërsa në Kosovë nga 150 euro/vit. Studentët e Selanikut, Shkupit, Podgoricës, Prishtinës, etj, kanë kampuse universitare me siguri dhe mensa, me mjedise argëtuese e me fjetje falas, ndërsa studentët e Shqipërisë nuk kanë asgjë prej tyre.

Përkundrejt mjedisit aktual dhunues e frikësues mbi studentë e pedagogë, na shfaqet ajo mungesa e theksuar e demokracisë studentore e universitare. Shfaqet si një rënia e interesit për shkollën dhe reduktim i cilësisë së mësimdhënies. Shfaqet si ikje masive e rinisë shkollore e studentore për të mësuar e punuar jashtë. Shfaqet si emigrim i pedagogëve dhe profesionistëve më të mirë drejt vendeve të rajonit dhe botës.

Pothuajese në një situatë të tillë edhe më të rëndë, para shumë pak vitesh kanë qënë edhe universitetet publike të Kosovës. Kujtoj faktin që në atë kohë, sipas organizatës Demokracia Studentore (dt 27 shkurt 2020),  thuhet që problemet në universitetet publike të Kosovës, janë shkaktuar (sikurse edhe sot në shkollat dhe universitetet e Shqipërisë) nga  politizimi i tyre në shërbim të klaneve të interest, ku klanet i kanë shërbyer vetëm grupeve të politikës dhunuese e  konfliktuale, dhe piramidave autokratike, të cilat duhen shkatërruar e çmontuar sa më parë, që universitetet dhe shkollat tona të mund të demokratizohen e të marrin frymë lirshëm. Në Kosovë (një shëmbull i mirë edhe për Shqipërinë), për të dalë nga kjo gjendje, Demokracia Studentore vërshoi në rrugë dhe universitete, nga ku kërkoi që Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me kryeministrin dhe grupet e ekspertëve, të marrin vendim të menjëhershëm për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme dhe për shkarkimin e të gjitha bordeve dhe rektorëve të universiteteve publike. Falë vërshimit të demokracisë studentore në universitete dhe çmontimit të piramidave autokratike, nepotike e korruptive, sot universitetet e Kosovës, funksionojnë dhe janë shumë më mirë se sa universitetet e Shqipërisë.

Kjo tregon që edhe shërimi i universiteteve tona, nuk mund të vijë kurrë nga heshtja ndaj mjedisit të dhunës dhe ndaj metodave të frikësimit dhe përçarjes. As nga humbja e autonomisë akademike e financiare, e as nga margjinalizimi dhe varfërimi i studentëve dhe profesorëve reagues. Universitetet tona, sikurse ndodhi edhe në Kosovë, mund të sherohen e të shpetohën vetëm përmes demokratizimit, gjithëpërfshirjes dhe transparences. Vetëm vërshimi i demokracisë studentore, mund të çmontojë piramidat autokratike, nepotike e abuziviste që kanë nxirë dhe mpirë universitetet e Shqipërisë. Nga dhuna mbi studentët dhe profesorët reagues e protestues, sado e kamufluar që të jetë, nuk buron asgjë e mirë, e kjo duhet denoncuar e ndriçuar që të mos ndodh e përseritët më kurrë.