Moisi Dalipi: Elona Hasanaj “artistja” e koshit të ‘Flamurtarit’  

447
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Opinioni sportiv në Vlorë  ka  më shumë se  dyzet vjet që  krenohet me skuadrën e basketbollit të femrave të ‘Flamurtarit’. Që nga  viti 1977 dhe deri sot, kjo skuadër i ka sjellë qytetit bregdetar të dashuruar me sportin, plot 62 trofe me tituj kampion, Kupa dhe Superkupa të Shqipërisë, si dhe kupa te FSHB dhe ato të  ditës shtypit. Natyrshëm në “panairin” e këtyre trofeve janë personazhet që me kontributin dhe vlerat e tyre, kanë pjesën e suksesit  të karrierës sportive. Edhe pse vitet  kalojnë,  në kujtesën e gjithëkujt vijnë natyrshëm emrat e Valentina Hysit dhe Afërdita Vjeros, Muniha Kuqit dhe Arjana Shahinit, Pjereta Cikës dhe Violeta Calës, Eleni Rucit dhe Teuta Birçes, Edlira Agalliut e Afërdita Laçaj, Lida Labovitit dhe Naire Shabanit. Këto janë grupi parë i “Ferrarit” vlonjat që nisi udhëtimin e bukur të fitimit të trofeve. Dhe diku, në vitin 1989, vjen “skuadrilja”  kuqezi e ‘Flamurtarit’  me Launela Dautin, Valbona Sakon(Brinja), Ekelejda  Deneko (Aliko), Elona Hasanaj (Merkaj), dhe Engjëllushe Lamçe. Të gjitha basketbolliste  të kalibrit që do vazhdojën aq bukur traditën, duke i  sjellë Vlorës, tituj kampione dhe trofe. Pranë tyre si trajner, një emër që ka bërë epokë , i njohuri Petrit Stefa. Dhe në këtë histori të bukur  të suksesit sportiv e gjen veten  e saj,  në atë vend që i takon dhe “artistja” e koshit vlonjat, Elona Hasanaj. Dhe  ajo e ka marrë  këtë “pagëzim” nga  tifozëria  vlonjate, për shkak të lojës që ajo zhvillonte  në çdo ndeshje, për spektaklin  që dhuronte  në  fushën e lojës dhe trofetë e fituara me skuadrën e saj. Elona e ka nisur sportin e basketbollit në shkollën 8- vjeçare  “Qemal Gorishova”, aty në lagjen e saj, Vrenez, të Vlorës.

Zbulimi talentit të saj i përket  mësusesit Eduart Haruni. Vetëm 13 vjeçe  ajo  do të  bëhej pjesë ekipit të të rejave të ‘Flamurtarit’. E shpejtë  në lojë, e saktë në pasim dhe gjuatje dhe tepër e sukseshme  në orgazimin e lojës të skuadrës. Edhe pse me trup mesatar, kërcyeshmëria e saj në dyluftime  me kundështarin  ishte e admirueshme. Pjesmarrja në Turneun Ballkanik të Kastorias –Greqi me ekipin kombëtar,  ishte hapi parë i suksesit  në karrierën e saj sportive. Pak më vonë, po me ekipin kombëtar  të të rejave, shkon në turnetë ndërkombëtare në  Bullgari dhe Hungari. Ndërkohë, tek ekipi të rejave të ‘Flamurtarit’,  trajneri Agim Dalipi, lojtares bazë të skuadrës Elonës, do jepte më shumë mundësi për t’u aktivizuar dhe tek ekipi parë. Dhe ka qenë vetëm 17 vjeçe në vitin 1989, kur ekipi parë i ‘Flamurtarit’, me trajner Petrit Stefën, do jepte mundësinë  kësaj lojatare të prespektivës të ishte pjesë e asaj skuadre që qëndronte bukur në podin e nderit, në rivalitet me ‘17 Nëntorin’ dhe ‘Skënderbeun’. Ndeshja e parë për Elonën ka qenë ajo kundër ‘Partizanit’, ku mes shumë emocioneve, shënon vetëm  katër pikë. Gjithsesi  nuk u tërhoq aspak , sepse në stërvitje me një disiplinë  të jashtëzakoshme,  arriti shpejt të jetë titullare. Largimet e  shumë  titullareve pas vitit 1990,  afruan  tek ‘Flamurtari’ lojtare  cilësore si, Launela Dautin, Valbona Brinja, Ekelejda Aliko,  që sëbashku  me Elona Hasanaj (Merkaj), dhe  vajza të tjera të ardhura nga ekipi të rejave, mundësuan  mbajtjen e ‘Flamurtarit’ në elitën e skuadrave më të mira të vendit .

Çdo sezon që kalonte,  Elona Hasanajn  do gjente aty, tek ‘Flamurtari’ në krye të skuadrës, si një kapitene që, për 19 vjet e udhëhoqi skuadrën e ‘Flamurtarit’ në fitimin e titujve kampion dhe trofeve njëra pas tjetrës. Dhe kur shikon  bilancin e karrierës të kësaj lojtareje  në kornizën e 20  viteve sportive 1989 -2009,  ku  ka fituar  plot 23 trofe, ku 8 janë tituj kampion  kombëtar , 9 janë Kupa të Shqipërisë dhe, 6 janë Superkupa , bindesh  shpejt se, kjo lojtare  e  “Ferrarit” të ‘Flamurtarit’,  gjithçka e ka merituar me klasin e lojës të saj të  zhvilluar. E fortë në  driblim, e saktë në gjuatjet nga distanca dhe gjysëm distance, plotë fantanzi në orgazimin e lojës të skuadrës , Elona Hasanaj,  ishte një lidere e  vërtetë në fushën e lojës. Shumë herë, dhe në shumë ndeshje në shkallët e pallatit të sportit në Vlorë,  entuziazmi që  përcjell tek tifozët,  kishte në qendër lojën e kapitenes Hasanaj. Në rivalitet të fortë përballë motrave Alibega, Komtit  dhe Çekiçit të ‘Tiranës’, Lida Shehut të ‘Skënderbeut’  dhe Elsa Gogës të ‘Apollonisë’,  apo  lojtareve  të huaja që mbushën skuadrat shqiptare pas vitit 2000, kapitenia  vlonjate do ishte  e sukseshme dhe përcaktuese  në fitoret e  skuadrës saj. Gjuatjet për tre pike,  kanë qenë  vlera e saj e shtuar për ‘Flamurtarin’ e atyre viteve. Nga llogaritjet që bëhen rezulton se, në 20 vitet të  karrierës saj, për çdo ndeshje, kjo lojtare kalibri  ka shënuar mesatarisht  nga 25 pikë ose, 750 pikë për çdo sezon sportiv. Për më tepër akoma, kalkulimet duan të thonë se janë  afërsisht 15 mijë pikë të shënuara nga kjo lojtare për ‘Flamurtarin’  e viteve 1989-2009. Një fakt shumë intersant  veçojmë  me këtë rast, kur në vitin  2005, u vlerësua si rekordi Gines  nga specialistët, sepse në një ndeshje kampionati  të vitit 2005, kundër ‘Luftëtarit’ në Gjirokastër, kapitenia vlonjate, do të shënonte plot 86 pikë në atë fitore me  tre shifra të ‘Flamurtarit’ . Dhe do kalonin shumë vite të tjerë që baskebollistet e tjera si Zyka ,Qypi dhe Rrapaj ta ndryshonin këtë  shifër të  pikës  kulmore të rekordit  për pikët e shënuara të një ndeshje  dhe të vendosur  nga Elona Hasanaj.

Trajnerët   që kanë drejtuar nëpër vite dhe dekada këtë skuadër të suksshme të  klubit  ‘Flamurtari’ si Petrit Stefa, Agim Dalipi, Vladimir Mustafaraj dhe Viron Toska,  të tregojnë me shumë respekt për kontributin e jashtëzakoshëm që ka  dhënë në skuadër  dhe në arritjen e sukseseve të saj kapitenia legjendare  Elona Hasanaj. Ata në një mendim të përbashkët e thonë  me shumë bindje se: “Elona Hasanaj si lojtare dhe kapitene, ishte një motivim dhe frymëzim për të gjithë skuadrën. Ajo dhuronte spektakël për tifozët në çdo ndeshje. Trofetë e fituara nga skuadra jonë, në ato vite kanë brenda  tyre pjesën e suksesit të kësaj lojtareje, që do jetë shumë  e vështirë  t’i vijë përsëri ‘Flamurtarit’”. Më i plotë portreti kësaj lojtareje të basketit shqiptar të femrave,  bëhet jo vetëm me faktin që, për shumë sezone të karrierës saj, ajo ka qenë shënuesja më  e mirë e kampionatit, por dhe si pjesë e ekipit  kombëtar në vitet 1992 -2007, ku merr pjesë në shumë ture ndërkombtare, për Kupa Promocioni dhe Lojrat Mesdhetare, pa përjashtuar këtu    ndeshjet  me ‘Flamurtarin’ në Kupat e Evropës. Në moshën 37 -vjeçare, në fund të sezonit të suksesshëm sportiv të vitit 2009, ku pasi ka ngritur lartë titullin kampion të rradhës, të fituar nga ‘Flamurtari’,  mes entuziazmit dhe duartrokitjeve pa fund  të tifozëve, lotëve të notalgjisë të kapitenes  dhe shoqeve të skuadrës,  kapitenia do i jepte fund  baskebollit të luajtur. Një mbrëmje, ish -krybashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika do shprehej: “Tashmë, ‘Flamurtari’ do të  mbetet pa kapitenen e tij të trofeve”.  Por mosha e largon nga loja në parket, por jo nga basketbolli,  sepse që nga  2010 e në vazhdim,  ajo drejton ekipin e të  rejave  të basketbollit ‘Flamurtari’.

Dhe në 10 vjet drejtimi tek kjo skuadër,  janë fituar 6 herë titulli kampion. Për pesë sezone  pjesë e kësaj skuadre dhe më vonë e ekipit parë të ‘Flamurtarit’  dhe  me fanellën e  mamasë së saj, atë me numër 10, ka qenë në skuadër dhe vajza e saj, Kejsi Hasanaj, që sot  vazhdon studimet pasunversitare  në Bercelonë. Kjo skuadër, kur të gjitha janë vajza të reja dhe të talentuara dhe që mbështeten nga ana financiare dhe nga subjekti privat “Nisatel” të drejtuar  nga Sadrit Danaj,  kanë arritur  të jenë që tani fidanishtja  për të ardhmen e ‘Flamurtarit’. Dhe si zakonisht , talentet nuk mungojnë edhe këtu. Sajda Danaj, Rigerta Diamanti dhe Serena Brahimi, janë  vetëm tre, nga ato talente të së ardhmes, ku puna profesionale  e trajneres  Elona Hasanaj,   kërkon të prezantohet me vazhdimin e bukur të kësaj tradite sportive në Vlorë. Me vlera të tilla që krijojnë  dhe përcjellin për opinionin tonë sportiv këta njerëz të mire, që e duan  dhe  e respektojnë sportin, natyrshëm  kërkojnë  dhe  vlerësimin e duhur moral  nga të gjitha ata që drejtojnë  sportin shqiptar.