Vepror Hasani: Zgjedhjet përfunduan, entuziazëm askund, vetëm buzëqeshje diplomatike

358
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Buzëqeshjet, fatkeqësia shekullore e shqiptarëve, u lodhëm prej tyre

Zgjedhjet përfunduan, që nga data 25 e deri sot kanë kaluar 6 ditë, gati një javë, por entuziazëm nuk sheh askund, duket sikur asgjë nuk ka ndryshuar dhe realisht, nuk ndodhi ndonjë gjë e re, megjithatë, njerëzit sërish vijojnë të qëndrojnë para ekraneve me shpresën se do të dëgjojnë ndonjë gjë më të mirë nga ambasadorët, por prej tyre marrin vetëm buzëqeshje diplomatike. Për ta, edhe pozita, edhe opozita janë të lavdëruara. Por shqiptarët nuk e kuptojnë dot artikulimin me boshësi fjalësh. Për shqiptarin miq të vërtetë janë ata që, të mirat dhe të këqijat ia thonë në sy. Vetëm atëherë ai u shtrëngon dorën dhe i konsideron miq për kokë. Gjuha  diplomatike “as mish as peshk”, nisur nga zakoni i shqiptarëve, nuk i hyn askujt në punë, buzëqeshjet aq më pak. Shqiptari i mbetet falenderues atij që i prek “plagën” që i thotë “ja ku e ke”, sepse i pëlqen t’ia thonë të këqijat ngaqë nuk i mungon dëshira të përmirësohet, dhe pas kësaj ai realisht, nis të bëjë më të mirën për t’u përmirësuar. Por kur atij i flitet me një gjuhë “pa jetë”, zhgënjimi i tij është i madh.

S’ka ndodhur asgjë!

Komunikimi i gjashtë ditëve të fundit duket sikur synoi krijimin e një gjendjeje rozë, tejet të largët nga realja. Por e vërteta nuk mund të fshihet: gjatë fushatës zgjedhore u vranë njerëz, familjarët humbën njeriun e tyre të shtrenjtë, fëmijët babanë e tyre, gruaja bashkëshortin e vet, “ikja” e kryefamiljarit për familjen shqiptare është tragjedia më e madhe që mund t’i ndodhë, sepse kryesisht i punësuar është vetëm bashkëshorti, gjithë të tjerët presin prej tij. Dhe jo vetëm kaq, persona të armatosur dolën në rrugë me qëllim përhapjen e panikut tek njerëzit, ndaj pati edhe nga ata që nuk shkuan fare në qendrat e votimit, që nuk lejuan as djalin dhe as vajzën të shkonte në votime. Nuk mungoi as shitja e votes, sepse të gjendur nën një atmosferë jonormale zgjedhore, për shkak të frikës së përhapur, nuk mund të thoshin dot, “nuk e shes votën”. E njëjta gjë ndodhi me pjesën më të vobektë të shoqërisë, me mjeranët dhe të papunë që nuk blejnë dot as bukën, ndërsa shitja e votës ishte “luks” për ta, sepse pesëmijë lekë ata nuk i sigurojnë dot as për një muaj me mbledhjen e kapaçkave, ndërsa në shtëpi ushqehen me bukë thatë. Ndaj fjalori i përdorur deri më tani dhe buzëqeshjet diplomatike, janë një tjetër mjerim për fukarenjtë. Kurrësesi nuk mund të thuhet s’ka ndodhur asgjë. Më shumë se kushdo tjetër është kjo pjesë e shoqërisë që ka nevojë të thuhen të vërteta, sepse ndryshe përmirësimi i jetës së tyre nuk do të ndodhë kurrë. Ata e shtyjnë varfërinë e tyre nga dita në ditë, me sot me nesër, madje shumëkush prej tyre e siguron bukën duke mbledhur kothere te kazanët e plehrave.

Fatkeqësia e shqiptarve: 100 vjet me buzëqeshje

Fatkeqësitë më të tmerrshme të shqiptarëve, më të lodhshmet dhe më të neveritshmet kanë qenë dhe vijojnë të mbeten buzëqeshjet, të cilat për gati një shekull të tërë (1945- 2021), ende nuk po po marrin fund.  Për 50 vjet me radhë regjimi i kaluar u dhuroi shtetasve të vet, vetëm buzëqeshje, ëndrra për kohë më të bukura, lumturi “që s’e kishte asnjë vend tjetër i botës”, duartrokitje të pafundme për “sakrificat” e udhëheqësve tanë që populli të bënte një jetë prej vërteti që nuk e kishte askush. Shumëkush besoi te fjalët e tyre, besoi te buzëqeshjet e tyre;  e mësuan këtë popull të jetonte me gënjeshtra, e të mos takohej kurrë me të vërtetën. E thurën me tela me gjemba që të besonin se ishin vërtet “fanari ndriçues i Evropës”. Ndaj sot, më shumë se kurrë, ky vend ka nevojë t’u thotë “STOP”, gjithë marrëzive që nuk po marrin fund. Ky popull vijon të nëpërkëmbet edhe sot e kësaj dite.