Ylli Asllani: Një shkrim që nuk do të doja ta shkruaja!

387

Eleminohet pas 30 viteve Shoqata historike e Bashkive të Shqipërisë

Sigal

Nga Ylli Asllani/
Sekretar i PD për Pushtetin Vendor.
Ish Kryetar i Bashkisë Gjirokastë

“Ky forum u krijua 30 vite më parë nga kryebashkiakët e dalë në zgjedhjet e vitit 1992. Fisnikëria e themeluesve buronte nga fakti se qysh në zanafillë i dhanë marrëdhënieve vendore një dimension evropian! Në kaosin e tranzicionit demokratik idea e tyre ishte e thjeshtë: Të mbronin interesat e bashkive, standartet perëndimore dhe demokracinë e brishtë vendore përtej interesave politikë të kohës!”

Në pritje të dekretit të Presidentit të Republikës për shpalljen e datës së zgjedhjeve vendore, qytetarët shqiptarë dhe rrjeti evropian i bashkive u njohën së fundmi me shkrirjen dhe uzurpimin e shoqatës së bashkive të Shqipërisë nga maxhoranca qeverisëse. Pas hapjes së negociatave me BE, eleminimi i një shoqate antare e rrjetit evropian të autoriteteve lokalë është  një ogur jo i mirë për sinqeritetin e marrëdhënieve me BE, po ashtu dhe për mbarëvajtjen e pavarësisë lokale, besimin e ndërsjelltë dhe transparencën elektorale të zgjedhjeve vendore të pritshme. Tashmë askush në Shqipëri nuk ka asnjë dyshim se hap pas hapi, në qeverisjen vendore si në të gjitha fushat, përfshi dhe drejtësinë po kthehemi pas në kohrat e sundimit të egër një partiak, edhe pse partnerët na ftojnë në negociata perëndimore! Por le të kthehemi tek Shoqata e Bashkive. Ky forum u krijua 30 vite më parë nga kryebashkiakët e dalë në zgjedhjet e vitit 1992. Fisnikëria e themeluesve buronte nga fakti se qysh në zanafillë i dhanë marrëdhënieve vendore një dimension evropian! Në kaosin e tranzicionit demokratik idea e tyre ishte e thjeshtë: Të mbronin interesat e bashkive, standartet perëndimore dhe demokracinë e brishtë vendore përtej interesave politikë të kohës! Pluripartitizmi i kryebashkiakëve ishte dhe arma më e fortë kundër despotizmit dhe paranojave të “ udhëheqësve” të rastit! Kryebashkiakët, me këtë shoqatë krijuan një instrument demokratik të përbashkët, nëpërmjet të cilit të ishin një zë i fortë dhe oponent ndaj politikave qëndrore dhe reformave të qeverisjes vendore. Konfiguracioni pluralist i lejonte ata sipas rradhës të shprehnin me argumente dhe kulturë të vërtetat e kohës në dobi të mirëqeverisjes dhe autonomisë vendore. Si kryebashkiak i Gjirokastrës kam patur nderin të kem qenë antar i saj me shumë kryetarë të tjerë të majtë e të djathtë! Arritjet e kësaj shoqate ishin realisht thelbësore! Nuk është e mundur në pak rreshta për të paraqitur në këtë shkrim kontributin e vyer të saj në ngritjen dhe konsolidimin e qeverisjes vendore. Pasi do të duhet shumë kohë të paraqitësh rolin e saj në hartimin e ligjeve të pushtetit lokal, rritjen e kapaciteteve drejtuese lokalë, pjesëmarrjen aktive në reformat e decentralizimit e zhvillimit rajonal, betejën për pavarësinë financiare të bashkive, përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, por edhe oponencën ndaj hapave të gabuar të të gjitha qeverive! Çfarë po ndodh tani me këtë trashëgimi të vyer demokratike? Akti i shkrirjes së ‘shoqatës së bashkive’ me vendim gjykate është vula e fundit e hedhur në dështimin e demokracisë vendore shqiptare. Fillimi i këtij fundi ka qenë viti 2009, kur kryebashkiakët socialistë u urdhëruan të braktisin anijen e përbashkët për të formuar ‘Shoqatën për autonomi vendore’ të cilën e drejton sot Kryebashkiaku i Tiranës. Një shoqatë  kjo me 59 bashki të majta e cila është një organizatë e mirëfilltë e partisë socialiste në pushtetin vendor. Sidoqoftë padashur të paragjykoj asnjë inisiativë, aktiviteti i saj i njëanshëm rezulton kundra produktive me interesat e qytetarëve. Ajo pas 12 vitesh ende nuk është pranuar nga Kongresi evropian i autoriteteve vendore të Këshillit të Evropës. Madje vazhdon të jetë pengesë serioze e alokimit të shumë fondeve evropianë të para integrimit nga rrjeti autoriteteve evropianë i të zgjedhurve vendorë. Pasi këto institucione nuk i njohin shoqatat një partiake si pjesë e filozofisë së tyre. Gjithsesi, uzurpimi i bashkive pa garë elektorale në vitin 2019, i dha mundësinë kryebashkiakëve të PS që të dilnin nga kjo vorbull dhe të riktheheshin normal tek Shoqata e Bashkive të Shqipërisë. Madje në mungesë të Kryetarëve të djathtë ta kishin atë të gjithë të vetën…Por me sa duket as ky variant nuk i plotëson objektivat e tyre afatgjatë, pasi zgjedhjet e ardhshme vendore nuk i japin siguri! Ndaj synimi PS ishte shkatërimi i plotë i organizatës pluraliste dhe zëvendësimi i saj me një manekin të përhershëm të maxhorancës, sikurse është ‘Shoqata për autonomi vendore’. Për të realizuar eleminimin e Shoqatës historike të bashkive u thirrën në skenë aktorë dhe metoda policeske. Disa prej bashkiakëve komando uzurpuan  zyrat e shoqatës me dhunën e “drejtësisë” me qëllim për të realizuar nga brenda shkrirjen e shoqatës së bashkive, i vetmi organizëm i njohur ndërkombëtarisht nga partnerët perëndimorë. Me këtë gjest të ulët ata plotësuan paranojën për sundim të plotë të Kryeministrit, për fat të keq njëkohësisht ish-kryebashkiakut të Kryeqytetit, dhe njëkohësisht shkruan kështu faqen më të turpshme të karierrës së tyre!

“Çfarë po ndodh tani me këtë trashëgimi të vyer demokratike? Akti i shkrirjes së ‘shoqatës së bashkive’ me vendim gjykate është vula e fundit e hedhur në dështimin e demokracisë vendore shqiptare.”

Në këto kushte: Shoqata për Autonomi Vendore e krijuar në mënyrë të njëanshme nga PS nuk mund të jetë kurrë përfaqësuese e interesave të përbashkëta të kauzës së të zgjedhurve vendorë demokratë të Shqipërisë! Sikurse nuk mund të bëhet dot e vetme, pa opozitën antare e rrjetit evropian të autoriteteve vendore. Nga ana tjetër të zgjedhurit demokratë, megjithë mbylljen e përkohshme të ‘shoqatës së bashkive’ do të mbajnë të pashuar kauzën e demokracisë vendore si dhe statusin pluralist të shoqatës, programin e vetqeverisjes dhe antarësinë në rrjetin evropian të shoqatës historike të bashkive. Pas zgjedhjeve vendore të vitit 2023, kryebashkiakët që do të vijnë nga Partia Demokratike do të punojnë që Shoqata Bashkive të Shqipërisë të ridimensionohet në status dhe program në adresë të interesave të përbashkëta të një shoqate të vërtetë evropiane të pushtetit vendor, në adresë të së mirës publike dhe jo interesave partiake. Nën këtë vizion demokratik ringritja e ‘Shoqatës së Bashkive’ do të jetë e afërt, dhe asnjëherë nuk do të jetë vonë për bashkëpunim edhe me kolegët e majtë, të cilët gjithsesi do ta kenë të vështirë…