Flet historia. Me rastin e 79-vjetorit të masakrës nayiste të Hondrovunit
(Rreth librit studimor “Qershori i përgjakur i Bregut”, shkruar nga Anastas Gurma)
Nga Agron Mema dhe Koço Kosta – veteran i gazetarisë shqiptare
Në tërë historinë e Luftës Nacionalçlirimtare. Kjo periudhë gati 10-ditore, për zonën e Bregut (fshatrat Nivicë- Borsh), përbën majën më të lartë, më të lavdishme të qëndresës, sakrificës, vetmohimit e ndërgjegjësimit kombëtar të popullit të kësaj zone me tradita luftarake e atdhetare të pashembullta
Flet vetë historia: Në këtë 79 vjetor të masakrës së madhe naziste të Hondrovunit në fshatin Shën-Vasil të Bregdetit, masakra më e madhe pas asaj të Borovës në Shqipëri, nuk ka më mirë sesa të sjellim këtë shkrim analitik e reçensiv mbi librin “Qershori i përgjakur ” i Anastas Gurmës, libër që tanimë i jep kartën e identitetit kësaj masakre makabre. Nëpërmjet fakteve, dokumentave, fotografive dhe vetë dëshmive të të mbijetuarve kjo reale, kjo dhimbje e madhe që pushtuesit nazistë shkaktuan në Bregdet. 15 qershor- 23 qershor 1944. Kaq pak ditë në subjektin e një libri- studim. Në tërë historinë e Luftës Nacionalçlirimtare. Kjo periudhë gati 10- ditore, për zonën e Bregut (fshatrat Nivicë- Borsh), përbën majën më të lartë, më të lavdishme të qëndresës, sakrificës, vetmohimit e ndërgjegjësimit kombëtar të popullit të kësaj zone me tradita luftarake e atdhetare të pashembullta. Një statistikë e shkurtër, pa hyrë në analiza për ta vërtetuar këtë. Vetëm në një hark kohor 10 ditor, prej 15- 23 qershor, u pushkatuan 100 vetë, u vranë nga bombardimet 20 vetë. Në një varr të hapur pushkatohen e groposen 48 vetë! Mbani frymën: 191 burra u intrenuan në kampet e shfarosjes naziste…Kjo është historia, e vërteta e saj. Autorë të saj, janë populli i Bregut. Eshtë e padyshimtë që:- Kur flet historia, e vërteta, cilido pas saj duhet të heshtë, të dëgjojë, të mbajë shënime. Jo të zhgaravisin mbi të a të hallakaten në skutat e paqena të saj. Është bërë “modë” sot, brenda e jashtë vendit, në portalet televizive, faqet e shtypit (pa le më në atë mjeranin Fb), që flasin e shkruajnë lloj- lloj “historianucësh”, panjohur e palexuar asgjë dokumentuese, panjohur alfën e historisë: Të vërtetën, realen, esencialen, të përgjithshmen.
Dhe këta nuk janë të paktë. Me “një okë” mend e “autoritet”, në emër gjoja të së resë, falsifikojnë, keqinterpretojnë, shpifin, shtrembërojnë, redaktojnë e reduktojnë, deformojnë historinë, faktet, ngjarjret, figurat, datat, kujtesën. Me qëllimin dashakeqës e mohues të “rivlerësimit” e “rikrijimit të gjithçkaje të së kaluarës”, të mendësisë që di e do të trazojë ujërat. Kështu tërheqë vemendjen, bëhet i njohur. Ka dhe ai zë e mendim. Nuk ka rëndësi se nga ç’dritare godet (interesat politike, konjukturale e, aq më keq, segmentet antikombëtare e mohuese të historisë shqiptare). Ndryshe, krejt ndryshe ndodh në punimin “Histori e Kujtime” të A. Gurmës. Me përgjegjësinë e tij prej biri të vetëdijshëm të Bregut, lindur, mëkuar, përkundur me gurrën e pashtershme të këtyre ngjarjeve, ku dhe prindërit e tij ishin aktorë të gjallë të kësaj drame historike; me personalitetin e një kuadri të lartë ushtarak, të mirëformuar shkencërisht, njeriut që di të studiojë, evidentojë e përpunojë, brenda kronologjisë së dhënë, fakte, detaje, figura, ngjarje, dokumente të kohës, nga arkivat dhe ato gojore të pjesëtarëve konkretë, përshkruese, të pakundërshtueshme, jep një nga ngjarjet më të përgjakshme, më vendimtaren e luftës së Bregut. A. Gurma, nuk ështe historian “shkolle”, por hulumtues pikant i ngjarjeve, që ka marrë përsipër të tregojë e trajtojë objektivisht të vërtetën. Nuk flet nga katedra, por bashulur tek fakti, ngjarja, njerëzit. Mbi të gjitha: Vërtetësi, paanshmëri në shtjellimin e ngjarjes. I ndërgjegjësuar se i takon atij ta pasqyrojë këtë faqe të lavdishme të Bregut. Libri ndahet në dy pjesë, ‘Histori’ dhe ‘Kujtime’, që natyrshëm plotësojnë e mbështesin njera- tjetrën. Ndërsa pjesa e parë pasqyron gjerësisht themelet e qëndresës; “Kujtimet” në pjesën e dytë, janë brilante shpirtërore rrëfimi. Ndërkohë, meqë po i përmendim, ato përbëjnë secila pjesën unikale të së vërtetës së madhe, – drejtësinë e Luftës Nacçl, heroizmin e rezistencës popullore. Libri është biografia e atyre 10 ditëve të tensionuara, të përgjakura, të qëndresës së madhe, të heroizmit të gjerë popullor, të fitores së madhe. Eshtë maja me e lartë, më e pastërt, më e artë, më heroikja e popullsisë së zonës së Bregut, nga më të lavdishmet e të pashembulltat për mbarë historinë e luftës sonë.
E që të arrish në këtë përfundim, duhet bërë ballafaqimi me kushtet e kohës. Ç’kërkonin të arrinin të dy pjesëtarët e këtij mejdani luftarak? Nga njëra anë Komanda gjermane me shërbëtorët e tyre (në zonën e jugut për realizimin e Operacionit famëkeq të Qershorit, qenë dislokuar mbi 40.000 forca gjermane e 10.000 balliste); dhe, nga ana tjetër, popullsia e Bregut, bijtë dhe bijat e saj sypatrembur që donin të mbronin tokën, fshatin, familjet, pasuritë, fëmijët, veten, të ardhmen, dinjitetin, identitetin kombëtar, lirinë. “Operacioni i Qershorit 1944, ishte përpjekja e fundit…, që bënte pushtuesi dhe bashkëpunëtorët e tyre për shkatërrimin përfundimtar të Ushtrisë dhe Frontit Nacçl në pjesën jugore të vendit” Nëse nënshtrohej e pushtohej Bregu dhe, veçanërisht binte e gremisej porta e saj e hyrjes Nivicë- Shënvasili, atëherë pushtimi e nënshtrimi për më tej qe i kollajtë. Bregasit, të dalluar historikisht për liri, pavarësi e mosnënshtrim ndaj çdo pushtuesi, u ndodhën në këtë qershor të zjarrtë, në ciklonin e betejës. Jo pak. 103 djem, balli i rinisë, u sakrifikuan për vendin, duke dhënë jetën në moshën më të bukur. Ky punim- studim serioz e i përgjegjshëm historik, i botuar nën titullin aq domethënës e mbresëlënës “Qershori i Përgjakur (Nënvizimi ynë) i Bregut”, bën vlerësimin real të përmasave historike, kombëtare, strategjike të kësaj ngjarjeje epokale, gati të pashoq në vendin tonë e më tej, gjatë Luftës së Dytë Botërore. (Ç’paturpësi, degradim i kësaj ngjarjeje nga historiografia shqiptare, që e përmënd këtë qëndresë vetëm me dy rreshta! Si të bëhet fjalë për një lojë kukamshefti.( Krim historik!) Autori ka marrë përsipër e ka realizuar dokumentarisht, suksesshëm qëndresën heroike të popullit të Bregut përballë bishës naziste e bashkëpunëtorëve të tyre. E ka vendosur atë në piedestalin, që i takon në mbarë historinë e Luftës. Pse bën të veçantën ky botim? Ç’të re bie në historiografinë e Luftës? Ç’gur të ri themeltar vendos? A shton autori në madhështinë e kësaj qëndrese të nënvleftësuar e gati harruar deri më dje? Qershori 1944, siç nënvizon autori, për Bregun ka qenë muaji më i vështirë, i veçantë e i papërsëritshëm nga intensiteti i ngjarjeve tragjike që u zhvilluan. Në atë dhjetëditësh, 15- 23 qershor, bregdetasit u bombarduan (20 të vrarë e shumë të tjerë të plagosur); u shkatërruan mizorisht 10 shtëpi; u dogjën mbi 100 dynim ara të mbjella me grurë gati për korrje; u vodhën hajdutërisht me forcë, 3000 krerë bagëti; u plaçkitën nga shtëpitë e fshatarëve gruri, misri, vaji i vitit, orendi e objekte me vlerë, deri në shkuljen e marrjen e dyerve e dritarev (!!!).
U internuan çnjerëzisht në kampet e shfarosjes naziste 191 burra. (Të mbahet fryma e të mpikset gjaku t’i lexosh pa le më t’i kujtosh e shkruash! Vetëm përmendja e tyre emërore dhe kohërënia do t’i kalonin ku e ku përmasat e këtij shkrimi.) Kështu, me këto barbarizma, reprezalje, vrasje, sipas urdhërit të dalë nga Operacioni, që “…të pushkatohen në vend gjithë partizanët (kur nga gjithë viktimat e Bregut në këtë 10- ditor asnjeri nuk ishte partizan- shënimi ynë)… Popullsia që do kapet të arrestohet dhe të gjithë meshkujt nga 16- 60 vjeç të grumbullohen në pika të caktuara (u realizua- shënimi ynë). Të digjen e shkatërrohen të gjitha shtëpitë… (u realizua)”. Por Bregu as u frikua, as u mposht, as u shua. Doli më vital, më i bashkuar e fitimtar nga zjarri i kësaj lufte. Populli i Bregut, si ai i mbarë Shqipërisë, siç thekson autori, me luftën e vet, në mënyrë të ndërgjegjshme me instiktin e identifikimit kombëtar, i bindur se lirinë që aspironte e kërkonte do ta paguante rëndë, u rreshtua pa mëdyshje krah Bllokut Antifashist. Në të kundërt, siç spekullonin forca të tjera, bashkëpunëtore të pushtuesit se: “Gjermani është kalimtar tek ne”, “Nuk matet miu me luanin”, “Mos t’i biem në qafë se do hamë kokën tonë”, “Ne kemi dufeqe me spëng e ata topa e avionë të rëndë” etj. etj parrulla disfatiste, të na falin, por Shqipëria e dalë apo kundërvenë këtij Blloku, do të bënte realitet deklaratën ogurzezë të Bismarkut, veç, nuk do ishte më as shprehje gjeografike. Këtë e dinte dhe populli i Bregut. Ndaj dhe u rreshtua ndaj atij Blloku pa ngurim. Syçelja më e madhe dhe vendimi më i rëndësishëm historik i tij. Në këtë 10 ditor, ndahej shapi nga sheqeri.
O mundi e gjaku i derdhur shkonte dëm. shkatërroheshe, ose do vazhdoje jetën mes sakrificave e vetmohimit, në emër të së nesërmes, familjeve, fëmijëve, vatanit. Kur historia i kërkoi, o jetën o robërinë, ai zgjodhi fitoren, qoftë me çdo lloj sakrifice a pagese. Nuk është rastësi qëndresa, sakrificat, vendosmëria, trimëria, vetmohimi i bregasve për lirinë. Në traditën luftarake të kësaj zone “…çdo shtëpi ishte e detyruar të kishte të gatshëm për mbrojte një djalë, një kalë dhe gjithë pajimet e nevojshme për të luftuar”. Aspak rastësi, që Vasil Laçi, me aktin e tij heroik të pashoq, pothuaj në Evropë, shtiu mbi Viktor Emanuelin në zemër të Tiranës,- është nga Piqerasi i Bregut. Një nga dëshmorët e parë të Luftës Antifashiste, Mitro Dhimërtika, është nga Nivica e Bregut. Në radhët e formacioneve partizane u rreshtuan 298 partizanë. Ndaj, nënshtrimi i Bregut përbënte një nga synimet kryesore për të nënshtruar tërë vendin nga Komanda gjermane e Operacionit të Qershorit. Por vendi kishte zot. Bregu histori mosnënshtrimi. Libri i një ditari të vëmendshëm, rrënqethës. Kujtojmë shkurt: Më 15 qershor pushtohet nga barbarët nazistë e lakejtë e tyre, Nivica e Shën Vasili. Arrestohen e izolohen gjithë burrat, gratë, pleqtë e fëmijët, që u gjetën në fshatra. Në rrugët e Nivicës vriten të parët, katër të moshuar, fshatarë të pafajshëm. Komanda gjermane, përzgjedh 6 djem niviciotë të mbartin nga mali Shëndëlli gjermanët e vrarë. Për ironi, teksa sjellin trupat gjermane, djemtë i pushkatojnë dhe i hedhin barbarisht në përroin e Vilëzës. Nga të gjashtë, dy shpëtuan batareve naziste. Dhe sa rrënqethëse. Nëna niviciote që pa e ndoqi me tmerr masakrën, nuk duroi dhe vuri kujen me ulurimë. Breshëria e automatikut gjerman e la nënë Shanën pa frymë!!! Më 17 qershor, të arrestuarit nga këta dy fshatra i nisin për në Borsh e Çorraj. Në Lukovë pushkatojnë dy prej tyre. Se dhe kështu, të lidhur e të rrethuar me armatime të rënda, armiku u kishte frikën këtyre burrave të paarmatosur, zbathur e xhveshur. Rrugës pushkaton dy prej të arrestuarve. Në Piqeras, veç burrave, ishin arrestuar dhe 12 gra. Për lirimin e tyre, ballistët kërkuan 9 kv. vaj ulliri. Dhe ashtu u bë.(?!) Ishin arrestuar gati 200 burra e djem nga zona dhe njeri nuk u dinte fatin. Tërë Bregu në agoni, padije, rrënqethje, gati për vaje. Më 19 qershor, nga të arrestuarit, 13 prej tyre, niviciotë, u çuan në Çorraj. Jo pa qëllim u zgjodh Çorraj. Duke kryer këtu një vrasje masive, hitlerjanët synonin terrorizimin e popullit të Lumit të Vlorës, veçanërisht Kuçit. Në mesditë ky grup u vendos para skuadrës së pushkatimit. Ngathtësia e mitralierit gjerman dhe mjegulla e dendur që mbuloi fshatin bëri që nga të 13, u vranë 5 dhe u plagosën rëndë 5 të tjerë, që shpëtuan fal strehimit dhe ndihmës shëruese që iu bë nga stanarët e familjet çorrjote. Masakra naziste nuk ndalet. Më 19 qershor vritet 18 vjeçari Dh. Papadhimitri. Më 20 qershor vriten në rrugët e fshatit Shën Vasil 4 vetë. 23 qershori 1944 shënon kulmin e barbarisë së bishës naziste. Nga të arrestuarit që kishin grumbulluar në Shën Vasil, marrin 48 vetë, të moshës 17- 60 vjeç. I pajisën me kazma e lopata e të shoqëruar nga një togë ushtarësh gjermanë, i çuan për fund fshatit, në vendin e quajtur Hondrovun. Aty i vunë të hapnin një gropë të thellë. Varrin e tyre të përbashkët. Pasi i rreshtuan në buzën e gropës, i pushkatuan të gjithë nën breshërinë e automatikëve. “Gropa e përbashkët,- shkruan autori,- u mbush me gjak. U krijua një pellg i madh gjaku, që edhe tokës iu desh kohë që ta pinte”. 48 njerëz të thjeshtë, të pafajshëm, prisnin e shpresonin lirinë. Lanë shtëpitë, familjet, fëmijët, gratë. Mbetën gra shtatzëna. Ikën baballarë pa njohur ende fëmijët e tyre. Dhe djem mustaqepadirsur. Dhimbja qe e madhe, e pathënë. Disa shtëpi u lyen në ngjyrën e zezë, që tregonin helm të përjetshëm. Poeti popullor e përjetëson, mes të tjerash, këtë ngjarje shkurt e plot: “Jetën dhanë të gjithë tok/ Për liri e këtë tokë/… Vendin tuaj e nderuat”/. Vend të veçantë në libër zë përshkrimi i kushteve çnjerëzore në kampin e shfarrosjes naziste, kryesisht në “Stalog- VII-A”, ku qenë internuar dhe të 188 burrat e Bregut. Dokumentet arkivore, fotografitë dhe veçan kujtimet e shkruara të atyre që provuan atë kalvar, janë nga më rrënqethëset. Një barbari e tragjedi mizore. Por njerëzit mbijetuan, se mbijetoi Shqipëria. Një dallesë.
Në libër bien fakte, ngjarje, ndeshje, qëndrime, marrja e fateve të vendit në dorë nga populli. Por, ndryshe nga historiografia jonë e pasluftës 39- 44, që glorifikon verbërisht, trutharësisht vetëm PK-në, tek punimi i Anastasit nuk bëhet fjalë për rol udhëheqës të saj. Të jetë “harresë”? Mënjanim kompromentues? Deformim i historisë? Jo! Është e vërteta, e vërteta e madhe. Asnjë nga të pushkatuarit e Hondrovunit, të Vilëzës, të Çorrajt, të Lavanit; as V. Laçi apo M. Dhimërtika nuk folën: “Rroftë PK!” (o Zot, sa verbër e mjeranë ka qenë historiografia jonë!) Atyre u duhej atdheu, fatet e tij. Populli, siç bie realisht aq fakte Gurma, qe i vetëdijshëm, i ndërgjegjshëm, i vendosur për ato që kryente. Kështu e kishte kërkuar, ushqyer e farkëtuar historia. Le të biem një fakt nga libri. Të transportosh armë e municion që binin aleatët në Kakome apo grykën e Lukovës (jo këpucë të një këmbe e ushqime të skaduara!) e të kaloje nën tytat e automatikëve e mitralozëve gjermanë, spiunllëkut ballist, të parën gjë që do mendoje e dije, ishte: Fat nëse shpëtoje jetën. Dhe njerëzit e kryenin këtë akt historik e heroik me thjeshtësi, me vetmohim. Si kushdo që bën detyrën e tij ndaj atdheut. U rreshtuan e u bashkuan në luftën antifashiste jo nga ndonjë forcë shtytëse e jashtme. Ishte vetëm një forcë, një shtysë uragane: Fatet e atdheut në rrezik. U ngritën, u sakrifikuan e mbijetuan për vendin, Bregun, familjet e tyre,- nënvizon si përmbledhje A. Gurma. Vitet do venë e do vijnë. Secili do të ketë identitetin e tij. Rezistenca popullore e Bregut (e kemi fjalën për Nivicë- Borsh, se pjesa tjetër ka historinë e saj) do të mbetet në kujtesën e brezave si thirrje për kushtrim në mbrojtje të lirisë e dinjitetit kombëtar. Faqja më e ndritur, më heroikja, më e lavdishmja.