Moisi Dalipi: Aleancat po i kthejnë ndeshjet në treg “gabi”

421
Sigal

Futbolli është nga të vetmit lloje sporti që rifilloi garën  e tij edhe në kushtet kur pandemia e Coronavirusit nuk është larguar përfundimisht. Në fakt mirë është bërë që iu dha leja për rikthimin e tij, sepse futbolli është nga sporte më të vjetra dhe më popullore. Kësisoj edhe në Shqipëri, si në shumë vende të tjera, gara e rifilluar në të gjitha nivelet e saj, i nështrohet zbatimit të plotë të një protokolli sanitar. Natyrisht që ndeshjet zhvillohen pa tifozë në stadium, dhe fusha sportive, kjo në një farë mënyre, ia ka larguar emocionin që dhuron tek  futbollistët dhe tifozët një ndeshje futbolli. Gjithësesi, kjo është gjysma e së keqes, që duhet pranuar se e shëmton diçka, një garë sportive të interpretuar në fushën e lojës. Por ajo që konstatohet tani së fundi në futbollin shqiptar, dhe që e bën dhe më shëmtuar këtë lojë magjike, janë tolerimet, dakordësitë dhe aleancat fluide midis dy kundështarëve që e shëmtojnë këtë sport. Dhe kjo ndodh gjithnjë e më shpesh dhe në futbollin shqiptar, tani të mësuar në këto vitet dhe dekadat e fundit për ta luajtur futbollin dhe në këtë lloj mënyre. Jo shumë larg, por në këtë mesjavë, u zhvilluan ndeshjet e para të dy ndeshjeve gjysëm finale të Kupës së  Shqipërisë në futboll. Çiftet e prodhura nga shorti i lirë ishin vërtetë interesante, kur ishin përballë njëra- tjetrës: “Bylis” –“Tirana” dhe “Kukësi” –“Teuta”.

Që në vështrimin e parë të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me rivalë të fortë për njëri- tjetrin. Për më tepër atë ditë që u hodh shorti, drejtuesit e këtyre skuadrave u shprehën se “Do të kemi ndeshje të forta dhe shumë cilësore”. Tani që janë zhvilluar ndeshjet e para dhe rezultatet kanë dhënë shifrat, “Bylis” 2-1 “Tirana”, dhe “Kukësi” 0-0 “Teuta”, mund të gjykojmë dhe flasim diçka më shumë në komentet tona. Për ndeshjen “Kukësi” 0-0 “Teuta”, komentet janë të tepërta, sepse ajo çfarë  treguan të dyja skuadrat në fushën e lojës, duke luajtur futboll me dëshirë, kuptohet qartë se të shpallurit finalist të Kupës, do të vendoset nga  ndeshja e kthimit e 15 Korrikut 2020 në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, ku të dyja skuadrat kanë si objektiv, jo vetëm daljen në finale, por dhe fitimin e trofeut të Kupës, si një mundësi e mirë për të marrë pjesë në Europa –League. Por kryeshëmtia, dhe  thënë më qartë dhe më hapur, po kthehen ndeshjet e futbollit në një treg “gabi”, ishte ndeshja “Bylis” –“Tirana”.  Zyrtarisht ndeshjen e parë të kësaj gjysëm finale e ka fituar “Bylis” me rezultatin 2-1. Këto shifra nuk i lëviz dot askush, por brenda tyre është intriga që shëmton garën dhe e  bën futbollin të pabesueshëm si një garë. Për të qenë më konkretë,  kronika e kësaj ndeshje kërkon të thotë dhe t’na tregojë se: Në minutën e 20` mesfushori Hasani,  kalon në avantazh “Tiranën” për 0-1. Në minutën e 65’ dhe 78`, sulmuesi Murtaj ka shënuar dy herë për “Bylisin”,  dhe rezultati përmbyset nga 0-1, në 2-1, për “Bylisin”. Ndërkohë, në minutat shtesë të ndeshjes, ato të 92`-94`, “Bylis” fiton të drejtën e një penalltie, ku dy futbollistët vendas, Goxhaj dhe Ujka, jo vetëm që bëjnë sherr kush do të gjuaj për ta bërë të parealizueshëm  si gol, por që në pamje të pare, u pa qartë, se shifrat nuk duhej të ndryshonin, ku “Bylis”, fitonte këtë ndeshje të pare, me rezultatatin 2-1. Kështu pra, në pjesën e parë, “Bylis” 0-1 “Tirana”,  dhe në pjesën e dytë, “Bylis” 2-1 “Tirana”. Kushdo që e ndoqi këtë ndeshje nga ekrani, por dhe ata të pakët që ishin në stadium, kanë parë një ndeshje estrade të luajtur me dy akte. Në pjesën e parë pamë qartë një ndeshje më nivel të ulët, ku “Tirana” shënoi dhe fitoi 1-0 me atë gol fantazëm  të shënuar me kokë në minutën e 20` nga Hasani. Në pjesën e dytë në fushë “Tirana”, nuk dihej ku ishte fshehur,  edhe pse trajneri Egbo e njeh këtë stadium, sepse ka qenë më parë portier dhe trajner tek “Bylis”. Duke gjykuar për pjesën e dytë e kupton qartë, se atë zemërgjerësi që “Bylisi” tregoi ndaj “Tiranës” në ndeshjen e kampionatit të zhvilluar në Ballsh pak javë më parë, duke u dorëzuar lehtësisht ndeshjen  fitore 0-2 të “Tiranës”, mori dhe “shpërblimin” e tij. Dy gola të shënuar nga i njëjti futbollist brenda 13 minuta lojë, dhe një penallti e humbur, kanë zyrtarizuar  “fitoren” e “Bylisit”. Pas ndeshjes kanë shpërthyer akuza dhe kundra akuza për tolerim nga ana e “Tiranës”, duke arritur deri aty sa dhe tifozët dhe drejtuesit e “Tiranës”, janë shprehur të zhgënjyer nga kjo pjesë e dytë e kësaj ndeshje. Në fakt në këtë pjesë loje, skuadra e “Tiranës” në fushën e lojës ishte një formalitet i plotë.

 

Futbollistët ecnin me hap drejt topit, duke treguar se nuk dëshironin të ishin në kontakt me të. Pra në fushë, u pa një “Tiranë” jo si skuadër kryesuese, ku ata pak titullarë që ishin në formacion nuk ishin më shumë se amatorë, por një skudër të demotivuar në mënyrë të skajshme. Dyshimet kanë shkuar më larg, sepse ato që shkruan shtypi sportiv, por dhe zërat që qarkojnë në ambientin e kësaj ndeshjeje,  duan të thonë se shoqëritë e basteve që dikush thotë se janë zhdukur nga ai vendim i qeverisë Rama, duket se kishin parashikuar më parë këtë fitore me përmbysje të “Bylisit”. Presidenti Halili që ishte i pranishëm në këtë ndeshje, por që nuk qëndroi deri në fund të shijonte dhe momentin kur portieri i skuadrës tij priti penalltinë, është shprehur i habitur nga kjo ndeshje e skuadrës tij, kur është shprehur: “Jashtë për turp, njerëz nga jashtë humbën te… penalltia. Nuk po iu besoja syve, jam i hapur për çdo hetim”. Trajneri Egbo,  këtë shthurje totale të skuadrës në pjesën e dytë, ia kalon kushte ve të motit kur thotë: “Ndikoi vapa, nuk e lamë ndeshjen”. Kaq mjafton për pyetur në këtë rast se:- “Kush e thotë të vërtetën në këtë rast, presidenti Halili, apo trajneri Egbo? Po sherri që plasi pas kësaj ndeshje midis trajnerit Egbo dhe mbrojtësit Osmani, çfarë emri do i vendoset? Po delegate i ndeshjes, i njohur si “Kompententi F.SH.F.” –ës, çfarë relacioni do t’i servirë Komisionit të Etikës?

Në këtë rast ka dhe shumë pyetje të tjera që mund të bëhen, por ajo që u pa me zë e figurë nga të gjithë, kërkon të thotë, se ishte një ndeshje –estradë shumë e shëmtuar .Reagim ka pasur dhe nga klubi kryeqytetit që  thotë se “do të përballemi në gjykatë” , por çfarë thonë rivalët e “Tiranës” , ata të “Kukësit” jo vetëm për këtë ndeshje, por dhe ato të kampionatit për skuadrën bardheblu? Përfundimi është i qartë me këtë ndeshje futbolli shqiptar është prezantuar i shëmtuar, i baltosur dhe nën efektin e aleancave “ma jep sot, t’jua  kthej nesër”. Por duke e zgjeruar pak këndëvështrimin e fakteve të tilla rezulton për ndeshje të toleruara dhe të trukuara në rezultate ka, nga shumë skuadra dhe Kategoria e Parë, të Dytë dhe deri tek moshat: “Tërbuni”, “Dinamo”, “Veleçiku” , “Pogradeci” , “Lushnja” dhe “Shënkolli”, jo vetëm njëherë e kanë shfaqur qëndrimin për këto “aleanca” midis skuadrave që për të shkuar tek objektivi tyre baltosin dhe dëmtojëm keq garën dhe futbollin e luajtur. Më e keqja qëndron dhe aty që po kthehet në një metod më vete, që fundi cdo sezoni futbolli i shton shumë këto fenomene negative dhe askush nuk i ka shkuar deri fund ndëshkimit të tyre, edhe pse ato bëhen hapur dhe të gjithë e pranojnë se kështu ka ndodhur. Duke menduar dhe vepruar se vetëm duke e konstatuar këtë dukuri, quhet e kryer detyra, gabimi është edhe më madh, sepse krijohen kushte për t’u përsëritur përsëri sezonin tjetër. Në futbollin shqiptar kështu ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë, ndaj përfundimi se “aleancat “ po i kthejnë ndeshjet e futbollit në treg “gabi”, është konkret,  si një fenomen që dëmton rëndë garën, ndeshjen, përballjen, klasifikimin dhe trofeun që laurohen skuadrat fituese. Tifozeria këtë kërkon dhe përjeton, dhe jo një ndeshje,  ku futbolli shëmtohet në nivelin e tij më ulët.