PROFIL/ Mjeshtri i Sportit Myrteza Didati, po mban gjallë “frymën” e notit sarandiot, rrëfimi i tij sjell portretin e një notari që brezat ende nuk e kanë arritur
Agron KAJA
Noti shqiptar e vlerëson maksimalisht kontributin e Mjeshtrit të Sportit Myrteza Didati. Edhe sot, me mundësitë minimale të infrastrukturës ai sot po përgatit notarë dhe kampionë. Një notar i fortë si prej çeliku, ka shkruar histori në notin shqiptar
Sporti i Notit ka qënë shumë tërheqës në Sarandë në shekullin e kaluar, ju kampionët e rekordmenët si ndjeheshit në ambientin qytetar?
Në Sarandë ndjeheshim shumë të respektuar, sepse këtu sporti i notit ka qënë i dashur e popullor. Por Saranda i respekton shumë edhe sportistët, por edhe artistët. Na dukej sikur “notonim” në ambientet qytetare, por edhe sot, bashkëmoshtarët na respektojnë.
Kjo ka qënë arsyeja që ushtruat pikërisht notin, dhe jo me ndonjë sport tjetër?
Arsyeja e parë ka qënë pasioni, dhe këtë unë e konsideroj vendimtar për arritjet e mia në këtë sport. Ka edhe një arsye tjetër, sepse shtëpinë time nga buza e detit e ndante vetëm rruga. Por notimin e krolit, mua ma ka mësuar një aktor nga Tirana!
Pasi ju lindi dëshira për t’u ushtruar në not, kur e nisët garimin tuaj zyrtar?
Pasi mësova notin krol, unë fillova të përgatitesha në garat e thellësisë duke notuar nga Moli i peshkimit te murri i Turizmit. Kështu, disa bashkëmoshatarë më shtynë të merresha me not, dhe në vitin 1965 garova në kampionatin kombëtar të moshës.
Në kujtesën tuaj, cila ka qënë gara e parë zyrtare që ju keni zhvilluar dhe ku është zhvilluar ajo?
Kjo garë e parë për mua u zhvillua në Sarandë në vitin 1966, ishte kampionati kombëtar për fëmijët, kur unë isha 13 vjeç. Dhe këtu garova në 100 dhe 200 m Stil i Lirë, por këtë vit garova edhe me të rriturit në 800 dhe 1500 m Stil i Lirë.
Trajneri dhe skuadra juaj e parë, si vijnë në kujtesën tuaj sot?
Skuadra e parë ka qënë Butrinti, ndërkohë që trajner i parë për mua në këtë sport ishte Eqerem Hasani, të cilin e kujtoj me respekt si një mësues të klasës së parë. Dy vite më pas kisha Esat Mamacën, ndërsa në vitin 1973 garova me Partizanin.
Në garat që ju keni zhvilluar, cili ishte stili juaj më i preferuar dhe më rezultativ?
Në karrierën time, stili i lirë ka qënë i preferuar dhe më rezultativ. Kam garuar në 100m, 200m, 400m, 800m dhe 1500m me shumë siguri. Në mesin e këtyre garave, në vitin 1974 dola kampion kombëtar në garat 100 dhe 400 m Stil i Lirë.
Ju kujtohen rivalët tuaj në garat (kombëtare dhe ndërkombëtare) që keni zhvilluar, cilët kanë qënë?
Në vitin 1978. Rival kisha disa, por kryesor ishte Kostandin Milo i Lokomotivës. Pas vitit 1970 rivalizoja me Azem Plisin e Vllaznisë dhe konkurrenca me këta dy mjeshtra, për mua e rriti nivelin e garimit, ku shumë gara fitoheshin me finale.
Si e kujtoni rekordin e parë kombëtar që ju keni thyer në karrierën si notar, stili dhe gara?
Kam thyer rekord kombëtar në kampionatin kombëtar në Durrës. Garova në 800 dhe 1500m dhe 400m jashtë gare, e në të treja thyeva rekordin kombëtar. Rekordet mbaheshin nga Legjenda e notit shqiptar Hysen Haxhia (Kitra), dhe nga Jani Kurti.
Në karrierën tuaj si notar kampion e rekordmen, cilët ndani si momentet më të mira, dhe nëse keni, edhe moment jo të mira në karrierë?
Momente të mira janë ato kur kam thyer rekordet kombëtare, ndërsa moment të vështirë kujtoj vitin 1974 në garën e 400m stil i lirë në Durrës. Garoja me notarin e Butrintit, Matjan Rako. Në 80m ai ishte i pari, në 20m e barazova dhe e kalova.
Po infrastruktura në sportin e notit në Sarandë, si ka qënë gjatë periudhës që ju e ushtruat këtë sport?
Për ne në Sarandë, infrastrukturë ishte vetëm deti, e më pas një Zadër me beton të cilën e bënë inxhinierët që ndërtuan hidrocentralin e Bistricës. Por është fatkeqësi që edhe sot Saranda ka mbetur pa një pishinë noti.
Pas largimit nga aktiviteti si notar, ju e vazhduat marrëdhënien me notin edhe si trajner. Trajningu është passion, apo si një detyrim i rrugëtimit sportiv?
Janë bashkë, pasioni e detyrimi i rrugëtimit tim sportiv. Vetëm dy vite pushova pas lënies së sportit, dhe në vitin 1983 trajneri Eqerem Hasani më rekomandoi të Rejat e Butrintit. Tre vite më pas shkova trajner te të rriturit, ndërkohë që edhe sot vazhdoj po në Sarandë.
Në gjithë karrierën tuaj si notar e trajner, si e përshkruani evolimin në sportin e notit, në Sarandë dhe në gjithë Shqipërinë?
Ndryshimet janë të mëdha, kryesisht me pishinat e mbyllura ku zhvillohet stërvitje e gara gjithvjetore. Në Shqipëri janë bërë hapa të mëdha, por Saranda vazhdon përgatitjet në det, ashti si edhe e ka nisur këtë rrugëtim.
Keni marrë vlerësime e tituj sportivë si notar, po si trajner, cili ka qënë vlerësimi për trajningun tuaj?
Përveç titullit Mjeshtër Sporti si notar, në trajning ende nuk kam marrë ndonjë titull, edhe pse kam trajnuar notarë cilësorë dhe kampionë. Por dua ta përsëris se, pa një pishinë këtu në Sarandë nuk mund të pretendojmë për rezultate e tituj.
Nisur nga mosha juaj sot, mendoni se do ta vazhdoni gjatë trajningun në sportin e notit?
Them se do vazhdoj gjatë, dhe sa të kem fuqinë në trupin tim do jem pranë trajningut në notin sarandiot. Mundësitë e mia fizike e pasioni ende më mbajnë në det. Po u largova edhe unë, do shëmbet fare emri i mirë i Butrintit në notin shqiptar.
Ndërkohë, ka 10 vite që funksionon Shoqata Kombëtare të Veteranëve të Notit në Shqipëri (SHKVN), si e vlerësoni aktivitetin e saj?
E vlerësoj maksimalisht Shoqatën Kombëtare të Veteranëve të Notit, e cila ka një vlerë për brezat e notit shqiptar. Ajo mbetet pjesë e historisë, e cila sa herë që mblidhemi apo takohemi me njëri-tjetrin, na rikthen në kujtime dhe na bashkon më shumë.
Biseda jonë po kryhet, ndërkohë që u mbyllën ndeshjet e Kampionatit të 17 Europian të futbollit, si e vlerësoni fituesin?
Unë jam tifoz i Brazilit, por për ta fituar Europianin e futbollit, mendoj për Spanjën. Sepse ajo luan përafërsisht futbollin latin, por edhe pse deri tani ka treguar se është ndoshta skuadra më e mirë e këtij turneu.
Në Durrës, gara më e vështirë në karrierë!

“Ka qënë Kampionati Kombëtar i të rriturve, që u zhvillua në Durrës në vitin 1974. Unë garoja në 100m Stil i Lirë dhe në 80 metra, bashkëqytetarin tim notar Matjan Rako e kisha përpara. Por sedra më dha forcë dhe në 20 metrat e fundit e barazova dhe e kalova, duke dalë unë i pari në këtë garë. Ky ishte moment më i vështirë, sepse në garimet e tjera kam qënë më superior nga rivalët”.
ANTHULLA IKONOMIDHI GJIKA
Mjeshtre e Merituar e Sportit
Myrtezani rëshkiste në ujë me një stil shumë të bukur!

Nuk duhet të mungonte Anthulla Ikonomidhi Gjika, në vlerësimin e figurës së Myrteza Didatit, si notar e më pas si trajner. Ajo e konsideron atë notar e trajner të talentuar me një karrierë të përkryer. “Me Myrtezanin kemi konkurruar së bashku në një periudhë, unë për femra dhe ai për meshkuj. Ishte një notar i mirë dhe i talentuar me një trup të gjatë e stil të mrekullueshëm. Ai rëshkiste në ujë si ngjalë me një stil shumë të bukur. Si notar ishte shumë i talentuar, dhe një rekordmen në garat që ai mori pjesë. Myrtua në stërvitje ishte serioz dhe i pasionuar, edhe më pas si trajner ai këtë përkushtim ka pasur. Madje ai lexon e punon shumë për notitn, dhe ka vlera për ata që ka përgatitur. Po mban gjallë jetën sportive të notit në Sarandë. E them se karriera e tij mbetet e përkryer në notin shqiptar”.

KONSIDERATA E VLERËSIME
SADIK MEMA, MJESHTËR I MADH
Myrto, një kampion noti i fortë si çeliku

Duke e falenderuar Mjeshtrin e Madh, Sadik Mema, për bashkëpunimin e tij shumë miqësor e profesional në përgatitjen e Profileve të notarëve që kanë bërë histori në Notin shqiptar, këtë herë ai na ndali në Sarandë, e pikërisht te Mjeshtri i Sportit, Myrteza Diadati. “Unë kam garuar paralelisht me Myrteza Didatin (Myrton), dhe për mua ai mbetet një nga notarët elitarë, një njeri i përsosur në çdo periudhë, si notar e trajner. E vlerësoj këtë Mjeshtër, sepse çdo arritje në sport e ka me shumë mund e punë, dhe me shumë karakter. Këto e kanë shpërblyer edhe me tituj sportivë, si kampion e rekordmen, por ai me kontributin e tij meriton më shumë. Ju tregoj një episod ku jam ndjerrë si i “vogël” para tij, kur e kam parë që notonte me një tape e cila punonte vetëm me këmbë, në distancën nga Zadra te Turizmi e kthim, rreth 2000 metër. Kjo tregon për forcën dhe pasionin e tij për sportin e notit. E vlerësoj maksimalisht, sepse sot ai me mundësitë minimale të infrastrukturës po përgatit notarë, edhe kampionë. Si një notar i fortë prej çeliku, Myrto do të kujtohet gjatë në historinë e notit shqiptar”.
STEFAN SHENDI
KOLEG SI NOTAR DHE TRAJNER
Mjeshtri Myrto ka dy dashuri: Notin dhe peshkimin

Një ndër bashkëpunëtorët Myrteza Didatit, si notar e sot si trajner, Stefan Shendi, tregon se njohja për gati gjysmë shekulli i ka dhënë mundësinë që ta vlerësojë karakterin e tij si notar e trajner. “Me Myrton jam njohur që kur ai notonte dhe unë u bëra tifoz pas tij, sepse ishte një notar shumë i mirë. Më pas pata fatin të stërvitemi e garojmë së bashku në ekipin e Butrintit, ku edhe e njoha më nga afër Mjeshtrin e Sportit Myrteza Didati. Si notar ishte shumë punëtor, i disiplinuar dhe fjalëpak, por kishte shumë passion e vullnet, të shoqëruara edhe me një disiplinë të hekurt për veten e tij si notar, por edhe për të tjerët. Pasioni e kishte bërë atë një notar e trajner sistematik, dhe rezultatet që ai arriti në karrierë janë edhe pjesë e kësaj pune. Tashmë kemi 22 vite që punojmë së bashku si trajnerë me notarët e Butrintit, ku kemi nxjerrë edhe kampionë e rekordmenë që kanë spikatur në Shqipëri. Myrto ka dy dashuri: Notin dhe peshkimin. Ai edhe në këtë moshë punon me literaturë botërore për ta përshtatur në përgatitjen e fëmijëve”
CV SPORTIVE
MYRTEZA DIDATI

Datëlindja: 10 prill 1953 Vendlindja: Sarandë Vendbanimi: Sarandë
Arsimi: Të mesmen Profesionale. Profesioni: Elektriçist Specialist Sporti që ka ushtruar: Notin Karriera si sportist: Në vitin 1966 me Fëmijët e Butrintit, në vitin 1967 me të Rinjtë dhe me të Rriturit, në vitin 1968 Ekipet që ka garuar: Në vitet 1966-1971 me Butrintin; në vitet 1971-1973 me Partizanin; në vitet 1973-1980 me Butrintin. Gara e parë në karrierë: Në vitin 1966 në Sarandë, garat 100 dhe 200m Stil i Lirë Rekordi i parë kombëtar në karrierë: Në vitin 1971 në Kampionatin Kombëtar në Durrës, në garat 800 dhe 1500 m Stil i Lirë dhe 400m Stil i Lirë (jashtë gare). Sukseset si notar: Në garat 800 dhe 1500m Stil i Lirë dhe në 400m jashtë gare. Garat Ndërkombëtare në karrierë: Në vitet 1972-1976 në të gjitha garat e Kombëtares shqiptare të Notit me ekipin Kombëtar të RP të Kinës, në vitin 1972 në këto gara Rekord Kombëtar në 800m Stil i Lirë. Tituj e trofe në karrierë: Kampion në vitin 1974 në Kampionatin Kombëtar në Durrës, 6 herë thyerje rekordi kombëtar. Gara e fundit në karrierë: Në vitin vitin 1980 në Sarandë, Kampionati Kombëtar. Rekordi i fundit në karrierë: Në vitin 1972 në garat 800 dhe 1500m Stil i Lirë. Tituj sportivë personalë: Mjeshtër Sporti. Karriera si trajner: Në vitin 1982 me të Rejat e Butrintit; në vitin 1985 me fëmijët e Butrintit; në vitet 1985-1991 me të Rriturit e Butrintit. Kualifikime e formime: Të gjitha kualifikimet në sportin e Notit me Licensat C dhe B Aktualisht: Në pension-Vazhdon trajner me Butrintin.
Noti në Sarandë të shpërblehet me një pishinë

Teksa bisedoja me Myrteza Didatin për notin shqiptar, e në veçanti për Sarandën, kujtimet më çuan te Zadra dhe tek ajo pishina në det, që Didati tregoi se e kanë bërë inxhinierët në kohën kur ndërtohej Hidrocentrali i Bistricës. “Infrastruktura e notit në Sarandë është aty ku ka nisur, më shumë se gjysmëshekulli më parë kur e ndërtuan inxhinierët që bënë hidrocentralin e Bistricës . Nuk ka asnjë ndryshim, ne i përgatisim notarët në det të hapur, e shyqyr që e kemi edhe detin se do kishte humbur fare ky sport në Sarandë. Sot nuk ka asnjë interes shtetëror për historinë që ka shkruar Saranda në sportin e notit, dhe ta shpërblejë atë me një pishinë, qoftë edhe verore. Sa të kem mundësi, unë nuk do t’i ndahem trajningut të notit”, është kjo thirrja që Mjeshtri i Sportit Myrteza Didati i bën gjithë atyre që në Sarandë ngritën kulla pambarim, dhe një pishinë nuk e menduan asnjëherë.




















