Mbappe refuzon rinovimin / Urdhri i pronarëve të PSG-së: Mbajeni në stol, të mos luajë asnjë minutë

191
Sigal

Mediat franceze janë të bindura; Kylian Mbappe ka vendosur që të mos rinovojë kontratën me PSG-në dhe në këtë vendim mund të kenë ndikuar edhe kritikat e forta që ka marrë sulmuesi në Francë për atë paraqitje zhgënjyese në Euro2020 dhe penalltinë e humbur ndaj Zvicrës, që i eleminoi “Gjelat”.

Nxitur edhe nga këto arsye, Mbappe duket se po kërkon largimin dhe klubi më i interesuar për të është përfolur prej kohësh; Real Madrid.

Por, problemi është se kontrata e lojtarit përfundon në vitin 2022 dhe vendimi për të mos rinovuar rrezikon që ta ulë atë në stolin e PSG-së për një seson me radhë.

Siç raporton Goal.com, trajneri dhe drejtuesit e PSG-së kanë marrë urdhër nga pronarët e klubit që nëse Mbappe refuzon të nënshkruajë kontratën e re, atëherë ai nuk duhet të aktivizohet për asnjë minutë në sezonin e ri.

“Mbajeni në stol, në tribuna, në shtëpi. Vetëm në fushë jo!”, citon Goal.com urdhrin e dhënë.

Nëse Mbappe do të pranojë që për hir të plotësimit të ëndrrës për të luajtur me Realin do të sakrifikojë një vit nga karriera e tij duke qëndruar në stol dhe duke humbur formën e tij, atëherë në verën e 2022 ai do të jetë një lojtar i lirë për t’iu bashkuar Realit, që në këtë rast kosto të vetme do të kishte pagën e sulmuesit.