Lamtumira e një Mjeshtri, “Nderi i notit shqiptar” Sulejman Poda

190

Sulejman Poda vendos që të tërhiqet nga pozicioni i trajnerit në moshën 80-vjeçare. Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku: Sulejman Poda është emblemë e sportit tonë

Sigal

Gjergj Vyshka

Sulejman Poda i ka dhënë lamtumirën pozicionit të trajnerit aktiv. Tanimë 80 vjeç duket se kërkon të largohet nga pasioni i tij, të cilin e ka nisur që në fëmijëri. Jo vetëm notar, por dhe sportist i vaterpolit e për më tepër ndër ata që ka bërë edhe disiplinën e kërcimit nga trampolina. Që nga 1968 trajner aktiv, atje ku ka mbi 140 rekorde të thyera, që nga fëmijët e deri tek të rriturit. Madje rekorde që janë ende në fuqi sot, kurse emra sportistësh të dalë prej duarve të tij janë të gdhendur në librin e artë të notit shqiptar. Për ta nderuar këtë figurë të notit, Shoqata e Veteranëve të Notit në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Notit kanë organizuar dhe Kupën “Sulejman Poda” mes veteranësh. Nga të gjithë anët e Shqipërisë kishin ardhur të shtunën për të nderuar Sulejman Poda, ndërsa pishina 25-metërshe e kompleksit ‘Te Stela’ ka patur një shkëlqim të madh për një figurë që do të mbetet gjatë në kujtimet e historisë së notit shqiptar.

Vlerësimi i Presidentit Çiraku 

Nderi i notit shqiptar. Ky ishte titulli që kishte akorduar Federata Shqiptare e Notit për Mjeshtrin Sulejman Poda: të cilin në prani dhe të kryetarit të Shoqatës së Veteranëve të Notit Shqiptar e ka dorëzuar presidenti Agim Çiraku. Por çfarë është Sulejman Poda për notin shqiptar? “Për notin shqiptar, – thotë Çiraku për gazetën “Telegraf” – Sulejman Poda është emblemë. Ka mbi 55 vjet që kontribuon në notin shqiptar e kjo që nga 1968-ta. Nuk janë pak, ndërsa numërohen mbi 135-140 rekorde të thyera nga sportistët e tij. Është figurë që i bën nder notit shqiptar dhe ne për këtë jemi krenarë që kemi kaq shumë histori nëpërmjet një emri si Sulejman Poda. E përsëri do të jetë mes nesh”. Që do të thotë se kjo nuk është një lamtumirë për Mjeshtrin Poda! “Absolutisht, – thotë Çiraku. – Ai vërtet u largua nga puna aktive si trajner, pra si të thuash doli në “pension”. Por ai përsëri do të jetë mes nesh dhe ne do të gjejmë mënyrat për ta aktivizuar. Sepse ta dini që ai nuk mund ta kuptojë jetën e tij larg pishinave. E kështu Sulejman Poda është lartësuar nga noti shqiptar në një 80-vjetor lindje në dukje lamtumire nga sporti i ujit, por që përsëri do të jetë aty, pranë pishinës dhe në start për t’u hedhur e për të garuar përsëri.

Sadik Mema: Sulejman Poda, Trajneri më jetëgjatë e më aktiv

Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Notit shqiptar, Sadik Mema, i cili është njëkohësisht dhe kryetrajneri i Stelas, e ka cilësuar Sulejman Podën trajnerin më aktiv dhe më jetëgjatë në notin shqiptar. “Në një intervistë dhënë përpara disa vitesh, – thotë Mema, – duke folur për profesor Sulën, ndër të tjera kam thënë se e vlerësoj për pasionin që ka për sportin. Dhe në fakt profesor Sula vazhdon të ushtrohet çdo ditë në sportin e notit. Madje nuk ka hequr dorë as nga biçikleta e as nga ecja. Është modeli më i mirë për të gjithë ne dhe brezat më të rinj. Unë mbi të gjitha e vlerësoj për rezultatet që ka arritur në 50 vjet me ekipet që ka drejtuar”. Dhe Poda e ka nisur me ‘Studentin’, ndërsa emra të tillë si Hondro, Shyti, Xhindi, Leka, Shemshini, Xhelili, Hafizi, Llaperi etj janë ndër ata që kanë dalë nga duart e Sulejman Podës. Përveç ‘Te Stela’, Sulejman Poda ka vënë emrin e tij edhe tek ekipet Ada, Lori 2006 dhe Uillson. “Edhe gjatë kësaj periudhe – rrëfen Sadik Mema – Sulejman Poda ka spikatur në drejtim të rezultateve dhe cilësisë sportive, ndërsa ka fituar dhjetra kupa e medalje. Me dhjetra herë ka drejtuar skuadrat në Kampionatet Botërore dhe Europiane, apo dhe Lojëra Olimpike”. Dhe në fakt fiziku i tij nuk i ngjan një 80-vjeçari, por një djaloshi të ri. Ndaj dhe nuk ka munguar në garat, që veteranët kanë zhvilluar, ndërsa spikat sidomos në 100 metra shpinë. “Për të gjitha arritjet e tij Sulejman Poda është nderuar disa herë nga Federata Shqiptare e Notit, apo dhe Shoqata Kombëtare e Veteranëve të Notit. Por titulli më i lartë është Mjeshtri i Madh marrë nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, më 2016-ën. Ndaj ne sot e vlerësojmë dhe e duam shumë profesor Sulejman Podën”.

Garat e notarëve spikasin Ish sportistët e Sulejman Podës

50 metra stil i lirë, 50 metra bretkosë, 50 metra shpinë dhe 100 metra stil i lirë. Këto kanë qenë garat e Kupës “Sulejman Poda”, ndërsa në to, përveç veteranëve, kanë spikatur dhe ish-sportistët e Mjeshtrit të Madh të ujit. Bëhet fjalë për Lorela Reçin, Aldi Gugushkën, Jurgen Ficin etj. E vetë Poda i madh nuk ka garuar, por sigurisht që në një tjetër kompeticion veteranësh ai do të jetë në pishinë si gjithmonë.