Kupa e Shqipërisë me rekorde, Sidni Hoxha dhe Anxhela Kashari “bishë”

571
Sigal

Notari, që ka munguar në Lojërat Mesdhetare “Mersin 2013”, por që nuk do të jetë as në botërorin e Barcelonës, ka thyer dje rekordin në 200 metra stil i lirë, kurse rekordmenia e famshme për femra përmirëson kohën e saj në 100 metra stil i lirë. Një tjetër rekord, por këtë herë për fëmijë, ka ardhur nga Binald Mahmuti në 400 metra katërnotim.

Kupa e Shqipërisë në not, që është aktiviteti i dytë më i rëndësishëm i sporteve të ujit, pas kampionatit kombëtar për të rritur, e ka nisur ditën e saj të parë me rekorde kombëtare. Në fakt, “Tirana Delfina Sport”, e cila ka mbajtur peshën në thyerjen e këtyre rekordeve, ka pretenduar që edhe në stafetën 4×100 metra, stil i lirë, dje paradite e ka përmirësuar këtë kohë me 3’47”27. “Sigurisht që të kesh në katërshe Sidni Hoxhën dhe Jon Pepajn, dy notarë që kanë bërë mirë gjithçka në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sigurisht që është arritje”, është shprehur trajneri i “Tirana Delfina Sport”, Shpëtim Hoxha, për gazetën “Telegraf”. Mirëpo nuk ka qenë e tillë për gjyqtarinë, e cila, pasi ka verifikuar të gjitha letrat, ka vendosur që nuk është rekord kombëtar. Por gjithsesi, notarët e “Tirana Delfina Sport” nuk  inkurajohen.

 

E nis Sidni Hoxha, për ta mbyllur Anxhela Kashari

Që në startin e pjesës së dytë të garave të ditës së parë të Kupës së Shqipërisë, që i bie pasdite, Sidni Hoxha ka vendosur rekordin e parë kombëtar. Bëhet fjalë për 200 metra stil i lirë, atje ku Hoxha ka fiksuar kohën 1’56”57, teksa ka thyer kohën që e mbante Endi Babi i Tiranës, që e kishte 1’57”15. Ndërkaq ka ardhur një tjetër rekord dhe nga Anxhela Kashari, tashmë në 100 metra stil i lirë, e cila ka dhënë kohën e re 1’02”61, ndërsa në këtë distancë e kishte rekordin e Shqipërisë po vete, me kohën e vjetër 1’02”75. Dhe rekordi i tretë, tashmë për moshat deri në 14 vjeç, ka ardhur nga Binald Mahmuti në 400 metra katërnotim me kohën e re 5’09”84. Të gjitha këto rekorde, apo kjo paraqitje e skuadrave të tilla si “Tirana Delfina Sport Tirana”, “Teuta Swimming”, skuadra të cilat duket se do të jenë në rivalitet të plotë për marrjen e Kupës së Shqipërisë, ka ardhur dhe në sytë e presidentit të Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, që menjëherë pas përurimit të pishinës së Sarandës, të martën, është “ngulur” në Akuadromin e kryeqytetit. Një gjyqtari në perfeksion për sa i përket vendimeve, por dhe një sjellje dinjitoze e të gjithë të pranishmëve, që pak kanë kundërshtuar. Për t’u evidentuar është dhe paraqitja e vlonjates Hajdi Isufi, e cila ka zënë vendin e dytë në 400 metra katërnotim dhe një vend të tretë në 100 metra stil i lirë. Përgjithësisht një aktivitet që duket se po e përligj interesimin e të pranishmëve në Akuadromin e Tiranës.

 

Rezultatet teknike të Kupës së Shqipërisë, Dita e Parë

Meshkuj

50 metra delfin                        Sidni Hoxha (TDS)                              25”48

200 m katërnotim                  Aidi Qyqja (TDS)                                2’25”16

400 m stil i lirë                       Franc Aleksi (Tirana)                         4’32”02

4×100 m stil i lirë        TDS                                                     3’47”72

200 m stil i lirë                        Sidni Hoxha (TDS)                              1’56”57

100 m delfin                Aidi Qyqja (TDS)                                1’02”11

50 m bretkosë                        Donato Dervishi (Tirana)                   32”50

400 m katërnotim       Binald Mahmuti (Tirana)                    5’09”84

50 m shpinë                Kristi Xhaferri (Tirana)                      31”42

Femra

50 metra stil i lirë       Anxhela Kashari (TDS)                      28”22

200 m shpinë              Kerolajn Kola (Tradita)                      2’44”61

200 m katërnotim       Diana Basho (Tirana)                          2’58”21

200 m stil i lirë                        Klea Konoplevia (Teuta Sëimming)   2’21”53

4×100 m stil i lirë        Te Stela                                               5’21”72

50 m bretkosë                        Kejt Mustafaraj (Uillson)                   38”19

100 m stil i lirë                        Anxhela Kashari (TDS)                      1’02”67

400 m katërnotim       Diana Basho (Tirana)                          6’14”71

800 m stil i lirë                        Klea Konoplevia (Teuta Sëimming)   10’23”71