Ahmet Shqarri, për një natë “Perandor” i Shqipërisë

942
Sigal

Ahmet Shqarri, komentatori që theu tabutë në ndeshjen Flamurtari-Barcelona

Pa diskutim emri i tij dhe sot lakohet në çdo ambient sportiv. Puna e tij ka bërë që në çdo koment televiziv apo radio të merret si shembull. Një zë i veçantë, që për mëse 35 vjet ka mbërthyer pranë aparateve të radios miliona dëgjues. Një zë që në shumë raste të bënte të lije çdo punë dhe të harroje çdo gjë për të marrë vesh një rezultat. Kjo, mbasi ishte zëri i sportit shqiptar, i sportit magjik, i sportit që e dashuron çdo njeri, i sportit që thyen çdo barrierë, mëritë, ndasitë, që të heq stresin, të lumturon, mrekullon, relakson. Zëri i Ahmet Shqarrit lakohet si transmetues i veçantë pasi solli shumë risi në emisionet sportive shqiptare në të vetmen radio dhe televizion në hapësirat mbarëshqiptare për vite me radhë. Funksionimi i emisionit special “Nga njëra ndeshje në tjetrën” shënoi një hap cilësor të nivelit botëror për radio transmetimin shqiptar. Tek figura e Shqarrit, nuk ka spikatur vetëm zëri, por ambicia serioze për të hapur dritare të reja komunikimi me dëgjuesit, dritare, të cilat ruajnë dhe sot po atë shkëlqim dhe rrezatim në syrin dhe veshin e dëgjuesit shqiptar. N.q.s paraardhësit e tij janë lakuar si ikonat e para të transmetimit, ai si vazhdues i tyre e ngriti në piedestal emrin e komentatorit shqiptar, duke vulosur risi që do të ngelen si shtatore të pazëvendësueshme. Mazreku, Bellova dhe Shqarri, do të mbeten një treshe simpatike që hapën epokën e panjohur të transmetimit radiofonik, duke ia kaluar stafetën njeri-tjetrit, për t’u kthyer kështu në emblema që koha i ka përcjellë si figura referimi për të ardhmen e sportit shqiptar

 Fillesat

Sipas tij, ka qenë një rastësi që u bë gazetar sportiv. Ka filluar të shkruajë kur ka qenë në shkollë të mesme. Në revistën “Shqiptarja e Re”, botoi “Vajza e braktisur”. Ka qenë një tregim. Ishte fjala për një ngjarje që në ato kushte, në atë kohë, të trajtoje një temë të tillë ishte tabu. E ka nisur kështu, sepse i pëlqente letërsia. Bëhet fjalë në vitet ‘60-të. Pastaj vazhdoi të shkruajë në vitet studentore. Krahas Fakultetit të Letërsisë, bëri edhe kursin dy-vjeçar të gazetarisë, ku kishte pedagogë të tillë si: Vangjush Gambeta, Dritëro Agolli, Hamit Boriçi. Në sajë të tyre iu dha mundësia të shkruante në shtypin e kohës si: “Zëri i Rinisë”, “Puna”, “Mësuesi”, “Zëri i Popullit”, “Bashkimi”. Pra, ka qenë shumë i lidhur me librin. Bënte shumë përpjekje për të kapur librin sa dilte në treg. Duke pasur një dëshirë të madhe për letërsinë, lexonte shumë. Kjo periudhë quhej periudhë prove.

Mban mend se tek gazeta “Puna”, botoi një reportazh që zuri një faqe. I bëri përshtypje botimi, sepse në atë kohë, reportazhe shkruante vetëm Ismail Kadare, Spiro Dede, Xhevahir Spahiu, Dritëro Agolli dhe të shkruante Ahmet Shqarri, një student, ka qenë e pabesueshme. Reportazhi titullohej, “Një fener ndriçon rrugën”. Një çift nga fshatrat e Librazhdit ku gruaja po lindte, zbret në mes të natës nga malet në rrugë me një fener, ku kërkonin një makinë. Makinat ishin shumë të rralla atëherë. Feneri shërbeu si sinjal për një automjet tip “Zis”, i cili ndaloi dhe e çuan në spital shtatzënën…. Ndërkohë që  shkruante për gazeta të tjera, Ismet Bellova që ishte komentator dhe miku i tij, i ofroi të bashkëpunonte me të vetmen gazetë sportive të kohës “Sporti Popullor”. Dy komentatorë ishin asokohe, Bellova dhe i madhi Anton Mazreku. Kur mbaroi studimet universitare, nuk kishte asnjë gazetar të diplomuar që të punonte për sportin në Radio Televizion. Kështu, ai ishte i pari gazetar profesionist sportiv i një medie elektronike. Starti i karrierës ka qenë pikërisht gushti i vitit 1969, vit në të cilën u hodhën themelet për krijimin e Rubrikës Sportive të rregullt, që në fakt filloi në vitin 1970..

Rrugëtimi i Rubrikës Sportive

-Rubrika më interesante dhe më e dëgjuar e të gjitha kohërave. Plot 35 vjet ishte nën drejtimin  e tij. Vitin e parë, Rubrika ka qenë e regjistruar, ndërsa që nga viti 1971, deri në vitin 2004 direkt. Kjo rubrikë funksionoi çdo të dielë në radio. Fillonte me marshin e fizkulturistëve. Ishte sigla e marshit të fizkulturistëve ku hapeshin spartakiadat në kohën e diktaturës. Marshi ishte kompozuar nga Preng Jakova, autori i Operas së parë shqiptare “Mrika”. Më vonë, çdo të hënë drejtonte “Jehonën sportive”. Transmetoheshin në mënyrë të përmbledhur edhe ngjarjet e së dielës. Paralelisht filloi emisionin “sport-kalitje- shëndet”, që ishte të premteve. Ky ishte një emision tjetër sportiv që drejtonte në radio ku kishte problematikë, reportazhe nëpër qendra pune, reparte ushtarake, kooperativa bujqësore, portrete etj… Në këtë emision u thye tabuja, pasi filluam të flisnin edhe për sportistë të huaj. Në atë kohë dolën një brez i tërë gazetarësh. Shumica dhe pse nuk kishin studiuar për gazetari dolën gazetarë shumë të mirë. Ai veçon sidomos Besnik Dizdarin, i cili sot është personaliteti më i spikatur i gazetarisë sportive. Ndërsa të tjerë si: Namik Dokle, bën përshtypje se nga Instituti Bujqësor, arriti që së bashku me ne, shumë të tjerë në kursin e gazetarisë, të bëhet dhe ai një personalitet në këtë fushë.

-Në televizion ka bërë për herë të parë rubrikën me të ftuar, ku ishin rreth 100 veta. Albert Minga ka qenë regjisor i këtij emisioni me përmasa që nuk ishin menduar apo realizuar më parë. Patën bërë skenën në formë amfiteatri dhe kishte ekipe të ndryshme të ftuar. Protagonistë të shquar të javës, veteranë të sportit, etj… Ka patur fatin që të ketë qenë i pari që ka krijuar lidhjet me të gjitha stadiumet shqiptare. Ndërkohë, gjatë emisionit të ri, për herë të parë, aplikoi futjen e komentatorit gjatë transmetimit të ndeshjeve me specialistë të mirënjohur, ish-futbollistë të shquar të vendit si, Sabri Peqinin, Refik Resmen (që është legjenda e futbollit shqiptar), Gëzim Kasmin, etj.. Emisioni, siç dihet tashmë prej të gjithëve u titullua “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, që nismën e ka që nga 2 tetori 1983.

Transmetimi i parë nga jashtë

-Transmetimi i parë shqiptar i ndeshjeve jashtë shtetit ka qenë nga Barcelona, në vitin 1986. Kjo ndeshje ka hyrë në histori, jo vetëm si transmetimi i parë, por edhe për lojën e bukur, e të jashtëzakonshme, ku futbolli shqiptar ka shpalosur vlerat e tij më të mira. Barcelona ishte kampione e Europës. Në Barcelonë luanin futbollistët më të mirë të botës, si Geri Lineker (shënuesi më i mirë i asaj kohe). Flamurtari i asaj kohe ishte dhe mbetet skuadra e vetme e Shqipërisë që ka kaluar deri tani dy ture në kupat e Europës. Ishte një ndeshje e rrallë që u mbyll 0:0 në Kamp Nou. Dhe Barcelona u kualifikua vetëm prej barazimit 1-1 në Vlorë. Edhe në librin e tij ka folur shumë për Barcelonën. Në atë kohë nuk ishte në modë që gazetarët sportivë të dilnin jashtë shtetit!… Sot shkojnë edhe tifozë me ekipin dhe kjo duket e pabesueshme. Në vite të largëta, Anton Mazreku, Ismet Bellova, apo Skifter Këlliçi, kishin shkuar jashtë shtetit dhe vetëm regjistronin, nuk transmetonin direkt. Transmetimi i tij nga Barcelona ishte direkt dhe u realizua për herë të parë nga një prej stadiumeve më të mëdhenj të botës. Mban mend se ai transmetim nga Barcelona pati jehonë dhe u shoqërua me polemika të shumta… Gjëra nga më çuditshmet. Nga Ramiz Alia që tha fjalë të mira, e deri tek Pirro Lako, ish-Sekretar i Partisë i Tiranës, i cili pati thënë se, nuk duhet të isha më gazetar për atë që përcolla nga Barcelona. Sepse gjatë transmetimit, (sipas tij) Ahmeti kishte thënë gjëra të ndaluara për kohën si psh: ekipi është akomoduar në një hotel me 5 yje, aty kishte një pishinë në katin e 9-të, stadiumi kishte të abonuar për të gjitha ndeshjet dhe ku midis tifozëve të abonuar bënte pjesë dhe Papa… Për dëgjuesit ishte një tabu. Përkufizime të tilla nuk njiheshin. Por me të vërtetë, gjithçka që panë në Barcelonë ishte një befasi. Në këtë jehonë, ai fut dhe rastin e të ndjerit Pjetër Arbnori, i cili pat thënë në “Lidhjen e Shkrimtarëve” ku u promovua libri i tij se “Ahmet Shqarri, ishte dritarja që ne shihnim botën nga burgu nëpërmjet transmetimeve, ku më i veçanti ngelet ai i Barcelonës”… Ndërkohë shkrimtari i shquar Vath Koreshi, në parathënien e librit të tij shprehet: Ahmet Shqarri atë natë që ka transmetuar nga Barcelona, ka qenë për një natë Perandor i Shqipërisë, sepse të gjithë dëgjonin dhe veshët i mbanin tek ai në Barcelonë. Për të, ishin rrugë të pashkelura. Nuk kishim mjete komunikimi dhe ndërlidhjeje si sot. Ne ishim të mbyllur. Nuk kishim ku të merrnim eksperienca. Edhe me rusët dhe kinezët u prishëm.

Plejada e komentatorëve

 Gjithë kjo jetë, gati gjysmë shekullore (?!), e ka bërë të njihet dhe të ketë raporte me shumë njerëz sidomos drejtues… Ka kaluar shumë drejtorë, që nga Thanas Nano e të tjerë me radhë. Nano sipas tij, ishte serioz, ishte e vështirë t’i flisje, por korrekt dhe kërkues në punë. Todi Lubonja ishte më i hapur dhe liberal. Me atë punoje me shumë kënaqësi. Marash Hajati serioz dhe autoritar. Nefo Myftiu, njeri shumë i mirë që e ka inkurajuar shumë në hapat e parë që hodhi si gazetar… Ndërkohë ka pasur të bëj me shumë bashkëpunëtorë gati të panumërt, që nga spikerit e deri tek ata që morën mësimet e para nga ai për t’u bërë radiokronistë, komentatorë, gazetarë… deri sa disa prej tyre, ndryshuan rrugë për t’iu futur fushave të tjera, por duke pasur gjithnjë si gjenezë fillimet në RTSH. Shumë folës potentë të Radio-Televizionit kanë nisur të ushtrohen në këtë profil duke pasur si foltore të parë “Rubrikën Sportive”. Virgjil Kule ka filluar aty, Liliana Meçani, Çlirim Poro, Violeta Gjoka, ku Lorenc Zadrima një nga spikerët më të mirë, në atë kohë ishte inxhinier në fabrikën e armëve në Gramsh dhe vinte çdo të dielë në shtëpi në Tiranë, për të qenë në mbrëmje në Radio për “Rubrikën Sportive”. Krijoi komentatorët e parë për çdo sport. Vangjel Shundi për lojërat me dorë, Zef Ashta për shahun, Xhafer Bogdani për sportet e rënda..

 Një rast unik

-Një gazetar që i ka bërë një portret ka thënë se, po të kërkoni në arkivin e RTSH-së, do të gjeni, mijëra kilometra shirit me zërin dhe figurën e Ahmet Shqarrit. Janë ndeshje të panumërta. Kemi mundur skuadrën e Belgjikës në futboll, atëherë e katërta në botë, kemi fituar ndaj kampiones së Francës dhe shumë të tjera në basketboll. Dinamo në volejboll për femra, tre herë pjesëmarrëse në katërshen finaliste të Europës, që është suksesi më i madh i një klubi shqiptar për të gjitha llojet e sporteve. Janë të pafundme ngjarje të tilla, ku ai është çjerrë nga zëri dhe emocionet, për vetë atmosferën e jashtëzakonshme që përcillnin këto ndeshje dhe transmetimi i tyre në atë kohë. Ishte një kohë e bukur, kur pallatet e sportit mbusheshin plot (duket si një ëndërr e largët, por ka qenë një realitet) ku biletat shiteshin një javë përpara për ndeshjen, kur luante Panajot Pano në futboll, Agim Fagu në basketboll dhe Asllan Rusi me Ela Tasen në volejboll… Një udhëtim i gjatë në vite dhe ngjarje, si askush tjetër…. Një nga mrekullitë që ka bërë, është transmetimi i rretheve tona çiklistike. Siç bën sot, Turi i Francës apo Xhiro e Italisë. Ato u bënë aq interesante, saqë dëgjuesit rrinin pranë radiove për të mësuar rezultatin dhe shpesh kjo e detyronte redaksinë e informacionit të ndërpriste emisionin e lajmeve për t’u lidhur me transmetimin e tij direkt!

 Preferencat

Në futboll, Maradona. Në Shqipëri i ka pëlqyer Agim Fagu me basketbollin e tij të jashtëzakonshëm dhe të papërsëritshëm. Ai ka shënuar 48 pikë në një ndeshje, aq sa shënon sot në NBA, Koby Bryan. 48 pikë kampiones së Italisë, këtë gjë e ka bërë në një ndeshje në fund të vitit 1968, Agim Fagu sportist i shekullit në Shqipëri! Ai duhet të ishte sot një nga drejtuesit e sportit shqiptar, në vend të disa njerëzve anonim. Siç nderon Ukrahina, Sergei Bubkën, rekordmenin fenomenal të kërcimit me shkop, që edhe pse nuk është më sportist, ishte në parakalimin e Ukrainës në lojërat e Pekinit, ashtu duhet të nderohen në Shqipëri njerëzit e vlerave të vërteta si Agim Fagu…

  Para disa vitesh i kanë propozuar nga të dy krahët, edhe PD-ja edhe PS-ja që të kandidonte për  deputet i tyre. “Bëra shumë mirë që nuk pranova. I falenderova për respektin”, thekson ai. Që të bëhesh politikan nuk duhet të kesh emrin e Ahmet Shqarrit. Të jesh politikan duhet të kesh disa cilësi që nuk i kanë njerëzit e zakonshëm, sidomos të ndershmit…