Kukësi, ekipi ku kosovarët dhe serbët nuk e njohin urrejtjen

569
Sigal

Debutuesit e Kategorisë Superiore kanë në grupin e tyre, dy lojtarë kosovarë dhe një serb

Shqipëria dhe Serbia nuk kanë një raport fqinjësie të afërt me njeri-tjetrin, kjo dhe për shkak të historisë së vështirë që kanë kaluar ndër shekuj. Shovinizmi serb, e sidomos gjenocidi i tyre i egër në Kosovën para viteve 1998, ka provokuar dhe nxitur  gjithmonë një urrejtje të pakufishme midis dy kombeve. Futbolli duket se e ka “ëmbëlsuar” disi këtë raport të vështirë gjeopolitik. Madje këtë sezon, skuadra e Kukësit, që do të debutojë për herë të parë në në Superligë, ka në gjirin e saj dy futbollistë kosovarë: Besar Musolli dhe Yll Hoxha, ndërkohë që nën urdhrat e trajnerit Armando Cungu do të jetë dhe serbi Milosh Jevdjeviç. Raportet futbollistike midis tyre janë të mira, por mbetet enigmë, se çfarë përjetojnë ata ndaj njëri-tjetrit në botën e tyre të brendshme. Në sezonin aktual, ka jo pak të huaj. Kampionët në fuqi kanë aktualisht pesë lojtarë të huaj: dy kroatë, Marko Radashin (autorin e autogolit që i dha Superkpën Tiranës) dhe Pero Pejiçin (më parë ka luajtur me Dinamon, Tiranën dhe Flamurtarin). Nigeriani Nuredin Orelesi është një ndër lojtarët më të mirë afrikanë që ka luajtur në Shqipëri, por nuk mungojnë serbët: mbrojtësi Ivan Gvozdenoviç (më parë ka qenë pjesë e Tiranës), ndërkohë që në provë është mbrojtësi Milosh Markoviç (pritët të jetë një post-Fagu). Në sezonin 2010-2011, kur Skënderbeu fitoi titullin e dytë kampion, pas 78 vjetësh, ai kishte në grup 10 lojtarë të huaj: argjentinas, serbë, boshnjakë, kroatë, maqedonas, përfshirë edhe shqiptarin me pasaportë austriake, Butrint Vishaj. Apolonia e Ernest Gjokës, që i mbijetoi sezonit të kaluar, përmes ndeshjes “play-off”, ka rekrutuar një mbrojtës me pasaportë amerikane, Tomas Kulver, 25 vjeç. Te fierakët do të luajë dhe shqiptari nga Struga, Mërgim Selimi, i cili sezonin e kaluar u aktivizua në dy ndeshje. Mesfushori 18-vjeçar nigerian Ademale Mohamed do të luajë për ngjyrat bardhejeshile, vjet shënoi një gol në fitoren 6-5 ndaj Tomorit, takim që vendosi për mirë fatin e mëtejshëm të Apolonisë. Nuk e kaloi provën, portieri serb Uros Davidoviç. Kavajasit u rikthyen shumë shpejt në Superligë – mundën Kamzën në “play-off” – dhe presidenti Xhat Bizhdili ndërhyri fort në merkato, sigurisht me parametrat e tij financiarë. Nigeriani më i famshëm në Shqipëri, Abraham Aleçenu (ka fituar katër tituj kampionë në vendin tona, madje flet mjaft mirë shqip) është një nga të huajt më të rëndësishëm në futbollin tonë: Tirana, Dinamo, Elbasani, Vllaznia, Flamurtari, Apolonia dhe tani Besa. Florent Aziri me pasaportë gjermane dhe dy kosovarë, Bernard Berisha dhe Argjend Mustafa, përbëjnë legjionarët shqiptarë. Te Besa luan edhe sulmuesi serb Bojan Maliniç, i cili më parë është aktivizuar në Rumani dhe Austri.  Vlonjatët gjithmonë kanë pasur të huaj në këto vitet e fundit, Aktualisht nën drejtimin e Shkëlqim Muçës janë dy kroatë: Davor Bratiç dhe Toni Pezo, argjentinasi Rafael Soza, i cili ka dalë kampion me Dinamon dhe Skënderbeun. Flamurtari ka bërë të vetin këtë merkato vere, malazezin Petar Vukçeviç, Shqiptari nga Maqedonia, Nijaz Lena, ka tre sezone që kontribuon në Vlorë. Më parë ka luajtur Zekeria Ramadani. Interesant është fakti se, në sezonin 2009-2010, për Flamurtarin kanë luajtur jo pak, por katër kroatë: Jurica Puljiz, Mario Bilen, Marko Bashiç, Robert Alvizh. Krutanët i kanë qejf të huajt, madje sezonin e kaluar sulmuesi francez, Brus Inkango, ishte ndër lojtarët më të mirët të Superligës. Këtë sezon do të luajë mbrojtësi serb 26-vjeçar, Petar Borovicanin, me një të kaluar edhe në kampionatin polak, por dhe mesfushori po serb, Nemanja Laziç. Beogradi përfaqësohet në Krujë edhe me “ambasadorin” Nikola Ashkeriç, sulmuesin 21-vjeçar.

Kazanova, venezueliani i Elbasanit

 

Çfarë i bashkon Malin, Gabonin, Venezuelën, Zimbabvenë, Irakun, Haitin, Kongon, Beninin,  Bolivinë dhe Senegalin me Shqipërinë? Gjeografikisht, apo diplomatikisht asgjë. Por… Kur shikon kombësinë e lojtarëve të huaj, që kanë luajtur në Shqipëri, mund të habitesh disi, pasi përveç ballakansve (kroatë, serbë, boshnjakë, sllovenë, maqedonas apo malazes), pjesë e skuadrave tona kanë qenë edhe lojtarë nga vende shumë të largëta, dhe që të bëjnë disi përshtypje. Këtu nuk futen brazilianët dhe argjentinasit, që janë një duzinë dhe jemi mësuar me ta. Kështu, te Elbasani kanë luajtur Horge Kazanova nga Venezuela; kamerunasi Michael Ajegba; ganezët Seth Ablade, nigerianin Abdulla Ishaka Salihu (ka luajtur dhe me Besën dhe Shkumbinin), nigeriani Abaraham Aleçenu; irakiani Salih Jaber. Besa ka pasur në organikë haitianin me pasaportë franceze Herbi Fortunat, kamerunasin me pasaportë meksikan, Fransua Elokan. Te Dinamo dhe Shkumbini ka luajtur senegalezi Pape Diop; gabonezi Zhorzh Amburet; nigeriani Nuredin Orelesi (aktualisht te Skënderbeu), ukrainasi Sergei Romanishin; Xhanuari Ziambo nga Zimbabveja; Ibrahim Kone nga Mali, senegalezi El-Haxhi Gudjabi. Edhe te Flamurtari ka pasur gjurmë afrikane: madje nga të dyja Kongot; Riçard Bokotola i Republikës së Kongos dhe, Sasha Delain nga Kongoja. Te vlonjatët kanë luajtur kamerunasit Roxher Pandong Alain Nikolu dhe Ablade Fish, Xhibril Sisoko nga Nigeria, si dhe meksikani Horge Torres. Lushnja ka pasur marokenin, Osman Gasnayt. Partizani ka provuar pa fund brazilianë, nigerianë, kongolezë. Tirana ka pasur një holandez shumë cilësorë, mbrojtësin Jan Hendrik Venhof (2002-2003), në kohën kur drejtohej nga ish-presidenti egjiptian El-Sajed. Në atë kohë me ekipin luante dhe portieri nigerian Emanuel Egbo. Kolumbiani Diomedes Pena la një përshtypje të mirë në sezonin 2005-2006, dhe në atë sezon luajtën edhe bolivianët Augusto Andareviç dhe Persi Kolk. Te Tirana është aktivizuar Arturs Silagailis nga Letonia, por dhe francezi Lorent Mohelebi, që të dy në sezonin 2009-2010. Te Bylisi ka luajtur mesfushori nga Zimbabveja, Nikolasithi Khumalo, por dhe Musa Kabore nga Burkina Faso, ashtu si kamerunasi Gi Madjo. Senegelazei Paul Sene ka qenë pjesë e Teutës (2004-2005). Për Vllazninë ka luajtur një lojtar nga Benini, Felisien Singbo. Në “Loro Boriçi” ka mbëritur edhe lojtari i vetëm anglez që ka luajtur në Shqipëri, Xhimi Foeniks.

Lojtarët e huaj të ekipeve

1. APOLONIA

Tomas Kulver (SHBA), Mërgim Selimi (Maqedoni), Ademale Mohamed (Nigeri)

2. BESA

Abraham Aleçenu (Nigeri), Florent Aziri (Gjermani), Bernard Berisha (Kosovë), Argjend Mustafa (Kosovë), Bojan Maliniç (Serbi)

3. BYLISI

Izuçuku (Nigeri), Xhon Huan (Nigeri), Olalekan Bola (Nigeri), Adigun Adebajor (Nigeri),  Kirçe Ristevski (Maqedoni), Denis Silva (Brazil)

4.  FLAMURTARI

Davor Bratiç (Kroaci), Toni Pezo (Kroaci), Rafael Soza (Argjentinë), Nijaz Lena (Maqedoni), Petar Vukçeviç (Mali i Zi).

5. KASTRIOTI

Petar Borovicanin (Serbi), Nemanja Laziç (Serbi), Nikola Ashkeriç

(Serbi)

6. KUKËSI

Milosh Jevdjeviç (Serbi), Besar Musolli (Kosovë), Yll Hoxha (Kosova)

7. LAÇI

Branko Milenkoviç (Serbi), Stipe Buljan (Kroaci), Burhan Emërllahu (Maqedoni)

8. LUFTËTARI

Milan Nikoliç (Serbi), Aleksandër Miliç (Serbi)

9. SHKUMBINI

Dushan Popoviç ? (Kroaci)

10. SKËNDERBEU

Ivan Gvozdenoviç (Serbi), Marko Radas (Kroaci), Zheljko Tomiç (Kroaci), Pero Pejiç (Kroaci), Nuredin Orelesi (Nigeri), Milosh Markoviç (Serbi)

11. TEUTA

Isa Eminhazeri (Kosova), Leutrim Pajaziti (Kosovë), Buiu (Brazil), Florenc Tairi (Maqedonia)

12. TIRANA

Mensur Limani (Kosovë)

13. TOMORI

Çarls Ofejen (Nigeri)

14. VLLAZNIA

Kastriot Rexha (Kosovë), Ilir Nallbani (Kosovë), Kristian Dragoi (Rumani), Miroslav Vujadinoviç (Mali i Zi), Ivan Daliç (Mali i Zi), Enis Xhokoviç (Mali i Zi),