KATEGORIA E PARË/ Mjeshtri i Madh Jani Kaçi, analizon ecurinë e skuadrave në 18 ndeshjet e para.
Agron KAJA

Mjeshtri i Madh, Legjenda e portës korçare Jani Kaçi, dje për gazetën “Telegraf” u shpreh në bisedë se duke qënë fillimi i kampionatit, skuadrat nuk i presim në 100% të formës së tyre. Por në këto tre javë, Kaçi veçon kryesimin e Skënderbeut, dhe disa skuadra të tjera për lojën që kanë zhvilluar. “Duke menduar se është vetëm fillimi i kampionatit me vetëm tre ndeshje të luajtura, mendoj se nuk është normale që ta diskutojmë çdo skuadër në 100% e mundësive që ato kanë. Por gjithsesi, edhe këto tre javë kanë treguar diçka të mirë, si Skëndebeun që kryeson, apo edhe Laçin. Por unë do ta veçoja këtu edhe Pogradecin, e cila në këto tre javë po shfaqet si një skuadër pretendente. Nga skuadrat e tjera, më kanë pëlqyer në lojën e tyre AF Luftëtari për lojën me grintë që ka zhvilluar, si edhe Burreli me Apoloninë”, kështu e nisi dje analizën e tij Jani Kaçi, duke ju referuar tre javëve të para të Kategorisë së Parë të sezonit 2025-2026. Por sipas Kaçit, renditja në vazhdimësi do tregojë më shumë për ecurinë që do kenë skuadrat, që sipas tij do varet kryesisht nga qëndrueshmëria e tyre javë pas jave. “Unë u shpreha më sipër se kjo renditje nuk është 100% i asaj që kanë pritshmëri skuadrat. Sepse në vazhdimësi, kjo renditje do ketë shumë varësi nga qëndrueshmëria që do kenë skuadrat javë pas jave. Në javën e tretë ishin dy rezultate mund të them se dolën jashtë pritshmërive: Pogradeci-Laçi 1-0 dhe Besa-Apolonia 1-2. Nga rezultatet, por edhe për lojën që kanë zhvilluar, shikoj që ka rivalitet, dhe është shumë e rëndësishme për garën, që rivaliteti e cilësia të vazhdojnë deri në fund”. Por Jani Kaçi këmbëngul në këtë bisedë, duke theksuar se është fillimi për t’u shprehur më shumë. “Natyrisht që edhe këto ishin ndeshje te veçanta, por edhe në takimet e tjera mendoj se kishte garë dhe rivalitet mes skuadrave. Sepse duke patur në tre javë një renditje të ngjeshur pa shkëputje me pikë të plotë, kjo tregon rivalitet edhe oshilacionet. Duke qënë fillimi ku janë luajtur tre ndeshje, pikëzimi do jetë i ngjeshur. Më vonë do bëhet diferenca. Sepse që në fillim skuadrat kanë objektivin e kreut, por gjatë garës do ketë diferenca në pikë. Do presim javën e ardhshme (e katërta), ku unë veçoj “derbin” e prefekturës sonë Pogradeci-Skënderbeu. Historikisht kanë zhvilluar ndeshje të forta, por te pogradecarët kanë qënë edhe me ambicie negative. Them se edhe Pogradeci është moderuar dhe Skënderbeu ka traditën, ndaj pres një ndeshje të fortë, të bukur dhe me rivalitet. Edhe çiftet e tjera të kësaj jave do jenë të forta dhe jo me diferenca”, ishte kjo biseda me Mjeshtrin e Madh, Jani Kaçi.
LEGJIONARËT
Ismajli dhe Asllani, titullarë dhe protagonistë në fitoren e parë
Këtë të shtunë, Ardian Ismajli dhe Kristjan Asllani ishin protagonistë në fitoren e parë të këtij sezoni në Serinë A. Ata ishin titullarë për Torinon në transfertë përballë Romës, ku skuadrës së tyre u mjaftoi një gol i Simeones për të marrë tre pikët. Të dy ishin ndër futbollistët më të mirë në fushë, ku përtej faktit që morën nga një karton të verdhë, falë statistikave të përpiluara u vlerësuan me notë të lartë.
Ismajli mori notën 7,3 për paraqitjen e tij në prapavijë, ku fitoi 5 nga 7 duelet, spastroi 9 herë topin dhe dha 16 pasime të sakta nga 17 të tentuara. Ndërsa Asllani u vlerësua me notën 7,3 për ndeshjen e tij në 80 minuta lojë, ku fitoi 3 nga 5 duelet në mesfushë, me 5 topa të gjatë të saktë e dërgoi saktësisht 20 nga 23 pasime.

Legjionarët më të vlerësuar të fundjavës
Për javën që u mbyll, këta janë pesë legjionarët shqiptarë me vlerësimet më të larta.Vendin e parë e mban Nazmi Gripshi që realizoi dygolësh për Astanën, me notën 8.9. Ish-sulmuesi i Partizanit, Tedi Cara në vendin e dytë me notën 8.8, pasi shënoi dy gola në fitoren e Oleksandrias. Tomas Strakosha që e mbajti të pa prekur portën ndaj AEK Athens, është vlerësuar më notën 8.0, dhe po kështu është vlerësuar sulmuesi Anis Mehmeti, që shënoi gol në fitoren e Bristol Sitit. Pesë më të vlerësuarit i plotëson Armando Sadiku me notën 7.9, me golin e vetëm për Bellinzonën në barazimin me Rapersvil-Jona.
Broja luan 9 minuta pa shkëlqim në humbjen me Liverpul

Edhe Armando Broja ka bërë debutimin e tij këtë javë që u mbyll në kampionatin anglez, me fanellën e Bërnlit. Ai hyri në fushë në minutat e fundit të sfidës ndaj Liverpulit, pa mundur të bëjë shumë përballë kryesuesve të kampionatit anglez, të cilët kanë marrë një fitore dramatike me një penallti në minutën e 95-të. Rreth minutës së 80, trajneri Skot Parker vendosi të hidhte në fushë Brojën, por në ato momente Ugoçuku u ndëshkua me të kuq dhe kësisoj sulmuesit shqiptar iu desh të priste deri në minutën e 89-të, teksa Parker i kërkoi që të mbronte, por edhe të tentonte kundërsulmet për të mbajtur Liverpulin larg katërkëndorit. Gjithsesi, ishin minuta pa shkëlqim për sulmuesit kuqezi.
Dritëhijet e Besa-Apolonia, “vetëvrasje” e kavajasve
Në ndeshjen e javës së tretë të Kategorisë së Parë, Besa-Apolonia, për kavajasit kishte dritëhije për mënyrën sesi erdhi humbja. Fierakët bënë më pak se kavajasit për ta fituar, por Besa u tregua “zemërgjerë” duke u dhuruar të dy golat e fitores. Te goli i parë, Nurja lejon topin të shkojë te Trifoni, ndërsa te goli i dytë, Neto i besës i dhuron golin Umeijegos. Kështu duket si “vetëvrasje” dhe elita do mbetet përsëri ëndërr për Besën. Tashmë, trajnerit Shpëtim Duro, nga më të mirët e trajningut në futbollin shqiptar,i mbetet një “mal” me punë përgatitore, kryesisht taktike, që ta kthejë Besën në “shinat” e duhura.

KATEGORIA E PARË
Ndeshjet-Java e katërt
E premte, 19 shtator 2025
Pogradeci-Skënderbeu 16:00
Burreli-Besa 16:00
Laçi-Korabi 16:00
E shtunë, 20 shtator 2025
Iliria-Kukësi 16:00
Apolonia-Kastrioti 16:00
Lushnja-AF Luftëtari 16:00
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 3 7
2.Laçi 3 6
3.Pogradeci 3 5
4.Burreli 3 4
5.Kukësi 3 4
6.Apolonia 3 4
7.Korabi 3 3
8.AF Luftëtari 3 3
9.Lushnja 3 3
10.Kastrioti 3 2
11.Besa 3 2
12.Iliria 3 1




















