Ish-trajneri i njohur ‘godet’ futbollin italian: Ka vite që imitojmë Guardiolan, duhet futboll si ai i Klopp

161
Sigal

Fabio Capello ka folur si Italia mund ta kalojë krizën që e ka kapluar pas humbjes nga Maqedonia e Veriut, duke mbetur për të dytën herë radhazi pa pjesëmarrje në Kampionatin Botëror.

Ish-trajneri i njohur, ka folur Sky Sport Italia, duke thënë që të mos ndiqet modeli i Pep Guardiolas, por të studiohet mirë stili gjerman i futbollit.

“Futbolli italian ka 15 vite që imiton Guardiolan, por ai është një futboll steril. Mungojnë vertikalizimet, forca fizike dhe duelet. Ne duhet të ndjekim stilin e lojës së Jurgen Klopp”.

“I vetmi ekip që e bën këtë gjë në Itali është Atalanta. Shikojini rezultatet e tyre… Diçka të ngjashme po provojnë edhe Italiano (Fiorentina) dhe Blessin (Genoa). Ky i fundit po ofron edhe diçka më shumë se Klopp”, ka thënë fillimisht Capello.

Tutje ai foli edhe për stilin e lojës dhe sulmuesit që vijnë në Itali dhe kthehen në kampion.

“Ka një ritëm të lartë në garat evropiane dhe ne ende nuk jemi mësuar me të. Jemi i vetmi vend që akoma e kthen topin prapa te portieri… Victor Osimhen, Romelu Lukaku dhe Tammy Abraham ishin sulmues normalë jashtë vendit. Ata u bënë kampionë në Itali. Kjo duhet të ngrejë disa pyetje”.

“Ndonjëherë, habitem kur lexoj disa statistika: ‘Ai lojtar bëri 45 pasime… ‘Ok, por sa pasime ishin vendimtare? Sa prej ishin të dobishme?”, ka hënë Capello.