INTERVISTA/ Blendi Nallbani: U mbyll një Superiore, e cila duhet të kalojë në veting në disa tregues të garës

564
Sigal

Nga Agron KAJA

Ja si e “skanon” Kategorinë Superiore, ish-portieri i Partizanit, Tiranës e Kombëtares, është skeptik për skuadrat që menaxhohen nga Bashkitë

Pas përfundimit të Kampionatit të Kategorisë Superiore, si ndjeheni pa futbollin e elitës?

Në fakt, sezoni 2017-2018 dje u mbyll me finalen e Kupës së Shqipërisë. Por, më mirë që përfundoi, se kemi rënë rehat. Jemi në një qetësi, sepse nuk po dëgjojmë më për aleanca, nuk po dëgjojmë për arbitra skandalozë dhe trajnerë të larguar, dhe sa e sa mangësi të tjera.

Një ish-futbollist i elitës dhe i Kombëtares shqiptare, pse dukeni kaq i ftohtë me këtë futboll që përjetojmë sot?

Dukem i ftohtë, sepse kryesisht në fazën e katërt nuk u luajt më futboll, por vetëm estradë e teatër në fushë. Kështu ndodhi tek të gjithë ekipet pa përjashtim, nga Skënderbeu që doli Kampion, e deri tek Lushnja që nuk tregoi asgjë të mirë nga emri dhe historia e saj. Mendoj se edhe futbollit i duhet një veting, në disa nga treguesit më kryesorë të tij.

Keni diçka më konkrete për këtë dukuri që po veçoni?

Po, ka shumë për të thënë dhe jo vetëm prej meje. Sepse në të gjitha ambientet publike e shoqërore, para zhvillimit të tyre njerëzit e dinin se si do të dilnin rezultatet e ndeshjeve. Kishte edhe “guximtarë” që deklaruan edhe publikisht për këto aleanca, dhe askush nuk i ka marrë ende në konsideratë, të paktën t’i denoncojnë.

Kishte ndonjë tregues pozitiv kjo Superiore që u mbyll?

Treguesi pozitiv, nëse duhet ta quajmë kështu, ishte se u mbyll një Kampionat pa dhunë. Por edhe kjo e ka arsyen e vet, sepse përderisa kishte tolerime dhe aleanca mes skuadrave, atëherë elementi i dhunës bie, ndërsa fenomeni i aleancave është i rrezikshëm, sikundër edhe dhuna.

Skënderbeu doli Kampion, po sa vlerë do të ketë nëse UEFA do ta mbajë fjalën për dënimin që i dha?

Që Skënderbeu doli Kampion, duhet uruar, sepse e meritoi. Veç Tiranës, në sezonin tjetër të gjitha skuadrat do t’i ketë më poshtë në nivel, nëse nuk do ta ketë fatin e keq të dënimit në fjalë. Por, për një përgjigje më të përafërt, të presim 19 qershorin kur do të jepet arsyetimi i KAS-it të Lozanës.

Në këtë sezon zbritën nga Superiore në Kategorinë e Parë, dy skuadra që u menaxhuan nga bashkitë respektive, çfarë tregon për ju ky fakt?

Mendoj se Vllaznia e kishte vetë fajin që zbriti në Kategorinë e Parë. Nuk i menaxhoi mirë shpenzimet, sepse bordi që e drejtoi nuk ishte profesionist, ndërsa përbërjen e kishte me shumë të huaj. Baza e çdo skuadra duhet të jetë vendase, që të mos e pësojnë si Vllaznia, dhe të tjera më parë.

Gjithsesi, zbritja e Vllaznisë, e tregon edhe faktin se elita e futbollit shqiptar po venitet gradualisht?

Elita e futbollit shqiptar është venitur, për deri sa ra nga kategoria Tirana 24 herë Kampione, Dinamo 18 herë, Partizani 15 herë dhe Elbasani 2 herë Kampionë të Shqipërisë. Këtë shkodranët ta shohin “mes vedi”, dhe të riorganizohen mirë që në sezonin tjetër të rikthehen në Superiore, sepse pa skuadrat e traditës, i humbet bukuria këtij Kampionati.

Sa ndikim kishte politika e ditës në futbollin e Kategorisë Superiore 2017-2018?

Teorikisht, nga thëniet e disa eksponentëve politikë, Superiorja u ndikua nga politika e ditës, por faktikisht unë mendoj të kundërtën. Sepse nuk mund të thuhet kështu pse Olsi Rama drejtoi Partizanin. Ata që menduan kështu gabuan, dhe në gjykimin tim, politika tjetër bëri të veçantën, në ndonjë rast që duhet parë si i tillë.

Cili është mesazhi juaj për sezonin e ri të Kategorisë Superiore?

Së pari mendoj se, skuadrat duhet të kenë financa të garantuara, duhet që të kenë në stafet drejtuese e teknike, profesionistë të futbollit, jo profesionistë të politikës. Futbolli është i të gjithëve, por ata që e përgatitin, që e organizojnë e drejtojnë atë, të mos vijnë si anonimë e pa kulturën e nevojshme sporteve e qytetare.

Edhe futbollit i duhet një veting në disa nga treguesit më kryesorë të tij. Elita e futbollit shqiptar është venitur, për deri sa ra nga kategoria Tirana 24 herë Kampione, Dinamo 18 herë, Partizani 15 herë dhe Elbasani 2 herë Kampionë të Shqipërisë, ndërsa shkodranët ta shohin “mes vedi”

2 skuadra

Vllaznia dhe Lushnja që zbritën nga Kategoria Superiore në Kategorinë e Parë, ishin dy skuadrat që u menaxhuan nga bashkitë

 

RENDITJA PËRFUNDIMTARE

Skuadrat        Nd       P          Verdikti

  1. Skënderbeu 36 72 Kampion
  2. Kukësi 36 63        Luan në Evropë
  3. Luftëtari 36 59        Luan në Evropë
  4. Laçi 36 56        Luan në Evropë
  5. Partizani 36 53        Luan në Evropë
  6. Flamurtari 36 46
  7. Kamza 36 46
  8. Teuta 36 46
  9. Vllaznia 36 44        Zbriti në Kateg.I
  10. Lushnja 36 11        Zbriti në Kateg.I