Intervista/ Bedri Omuri: Partizani e fitoi titullin, sepse gaboi Tirana

76

Flet për “Telegraf” Bedri Omuri, ish futbollisti i Tiranës dhe i Kombëtares

Sigal

Nga Agron Kaja

“Nuk dua të them se është një titull i pamerituar nga Partizani, por ishte një titull pas gabimit të Tiranës në sfidën e javës së 35-të kundër Bylisit. Kishte rivalitet, por me një nivel jo shumë të kënaqshëm dhe lufta sportive në dy fazat e para ishte e mirë.”

Abissnet Superiore e uli siparin e këtij sezoni. Si e përshkruani titullin kampion?

Nuk dua të them se është një titull i pamerituar nga Partizani, por ishte një titull pas gabimit të Tiranës në sfidën e javës së 35-të kundër Bylisit. Kishte rivalitet, por me një nivel jo shumë të kënaqshëm, por lufta sportive në dy fazat e para ishte e mirë.

Cilën skuadër mendoni se mund të kishte një renditje më të mirë?

Mund të them se Laçi me pak shtrëngim më tepër duhet të ishte në Kupa e Europës. Edhe Vllaznia u shuajt shpejt në pretendimet e saj në kreun e renditjes, ndërkohë që të gjitha të tjerat mendoj se janë aty ku e meritojnë.

Partizani kampion në 180 minutat e fundit, ishte kjo një mbyllje me fat, apo e merituar?

Normalisht ishte edhe fat për Partizanin, sepse gaboi Tirana. Në ndeshjen me Bylisin skuadra bardheblu tregoi shenja nervozizmi, ndoshta edhe arbitrimi nuk ishte në nivelin e duhur. Penalltia nuk ishte reale e këtu mendoj se Tirana e pësoi.

Pas ndeshjes një incident nga tifozeria e Tiranës, çfarë tregojnë momente të tilla?

Nuk ishte gjë e mirë ajo që ndodhi, por tifozët ishin të acaruar nga çka ndodhi prej arbitrimit. E përmenda më sipër faktin e dhënies së penalltisë, të cilën e kam parë disa herë si rast dhe sipas meje, rezulton një penallti e padhënë padrejtësisht.

Në Europë shkuan Partizani Kampion, Tirana, Egnatia dhe Vllaznia, ishin këto pozicione të lexueshme të tyre?

Këto skuadra e nisën kampionatin me besim se do ishin në Europë, por më shumë ishin afër Tirana e Partizani. Ndërkohë që e përmenda sipër edhe Laçin që duhet të ishte në Europë, ndoshta edhe Teuta u afrua në dy javët e fundit.

Kastrioti dhe Bylisi e “stampuan” prej shumë javësh fundin e renditjes, skuadra të lodhura për Superioren, apo diçka tjetër?

Të dyja këto skuadra e prenë vetë biletën e rënies, sepse nuk i menaxhuan mirë vlerat e tyre. Ka shumë faktorë të tjerë, por kjo rënie e tyre duhet parë më shumë në treguesit e menaxhimit klub-trajner.

Erzeni do ndeshet me Korabin në Play-off. Cila skuadër mendoni se do ta fitojë Superioren?

Korabin nuk e kam parë shumë, por shoh Erzenin më favorit. Futbollit nuk i dihet, sepse duhet të pranojmë që Korabi nuk erdhi rastësisht këtu, por duke qenë në Superiore, skuadra shijakase do të ketë më shumë shance.

Cila është përmbledhja juaj për këtë sezon: I arritur, apo si zakonisht?

Sezoni që u mbyll tregoi rivalitet deri javën e fundit, dhe kjo situatë i bëri mirë kampionatit. Ndoshta në një analizë më të detajuar mund të sjellim më shumë tregues të tjerë, të cilët nuk i shërbyen mbarëvajtjes së garës në tërësinë e saj.

ABISSNET SUPERIORE

Rezultatet-Java e 36-të

Të hënën, datë 29 maj 2023

Egnatia-Kukësi                       0-1

Erzeni-Tirana               1-2

Bylis-Vllaznia             1-2

Laçi-Kastrioti              3-0

Partizani-Teuta                        2-0

RENDITJA PËRFUNDIMTARE

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.Partizani                   36        67

2.Tirana                       36        67

3.Egnatia                     36        52

4.Vllaznia                    36        50

5.Laçi                          36        48

6.Teuta                        36        48

7.Kukësi                      36        45

8.Erzeni                       36        40

9.Bylis             36        38

10.Kastrioti                 36        35

 

VERDIKTET E SEZONIT

Në Champion Ligë

Partizani Kampion

Në Europa Konferencë Ligë

Tirana, Egnatia dhe Vllaznia

Ndeshen në Play-out

Të shtunën, 3 qershor 2021

Erzeni-Korabi              17:00

Në stadiumin “Niko Dovana”

Zbritën në Kategorinëe Parë

Bylis dhe Kastrioti

U ngjitën në Superiore

Skënderbeu dhe Dinamo

 

“KËPUCA E ARTË”

Florent Hasani, “trofeu” i vetëm te Tirana

Me 16 gola të shënuar në 36 javë, futbollisti i Tiranës Florent Hasani u shpall “Këpuca e Artë” e Abissnet Superiore 2022-2023. Kosovari 26 vjeçar nga Vushtria erdhi te Tirana në fillimin e këtij sezoni, që sapo u mbyll dhe u shfaq si protagonist në sulmin bardheblu. Ndërkohë që lista e goleadorëve më të mirë të këtij sezoni kryesohet nga futbollistë të huaj, ku Hasanin e ndjekin braziliani Viktor Da Silva i Partizanit me 13 gola, braziliani Carvalho Nonato i Erzenit me 12 gola, dhe me nga 11 gola renditen ganezi Rafael Duamena i Egnatias, Saliou Guindo nga Mali, i Laçit, dhe Redon Xhixha i Tiranës, ky i fundit u largua nga bardheblutë në merkaton e janarit. Në sezonin e kaluar, trofeun “Kapuca e Artë” e fitoi Saliou Guindo i Laçit me 19 gola.

 

Dukuri të zakonshme

Tensionet në Play-off, skuadra të papërgatitura për Superiore

Formulat që aplikohen në futbollin shqiptar, kryesisht në kampionatet kryesore, veç anës pozitive që ato i sjellin nivelit e cilësisë, në skenë kanë dalë edhe elementët e tensionit dhe të dhunës. Pas dhunës “alla-tironçe” që u përball arbitri Kridens Meta në sfidën Tirana-Bylis 2-2, në versione të tjera, por të ngjashme si fenomen, ka ndodhur edhe në ndeshjet Play-Off: Tomori-Korabi 0-1 dhe Flamurtari-Korabi 1-2. Gjithçka e thënë në këto raste ndodhi në stadiumet e atyre skuadrave që pretendonin të ngjiteshin në Abissnet Superiore nëpërmjet ndeshjeve Play-out. Si shkak janë quajtur arbitrat, ndërsa pasojat ishin tifozët dhe një pjesë e futbollistëve. Pra, “dyshja” shkak-pasojë dominoi si një përfundim në “biografinë” e këtyre skuadrave, realisht të papërgatitura për Superioren.

HISTORIA E ERRËT/ Në sezonin 1999-2000, beratasit ishin sikundër Partizani sot, por…!

Si ja “vodhi” FSHF-ja titullin Tomorrit

 

Nga Agron Kaja

“Duke e krahasuar sot me Partizanin, cilën rregullore duhet të besojmë për titullin 1999-2000, atë që FSHF kishte në mëndjen e saj, apo atë rregullore që atëhere u ishte dërguar klubeve, por paragrafi i saj nuk ekziston?!”

 

Partizani u shpall kampion në Abissnet Superiore 2022-2023, dhe ky ishte trofeu i 17-të i kësaj skuadre të madhe në futbollin shqiptar. Por e veçanta ishte se në renditjen përfundmitare, skuadra e kuqe ishte me pikë të barabarta me bardheblutë e Tiranës, me treguesin e ndeshjeve direkte më pozitiv. Këtu Partizani ishte më superior dhe sikundër e parashikonte rregullorja, titulli i takoi me meritë. Këtë rast u detyrova ta përsëris, sepse në këto radhë do të sjell një rast analog që ka ndodhur 23 vite më parë. In memoriam! Aty nuk ishte Partizani, por Tomorri i Beratit, i cili në renditjen përfundimtare të Kampionatit të 61-të të Kategorisë së Parë (Sot Abissnet Superiore), ishte para Tiranës me të tillë tregues: Tomorri kishte fituar në Berat 1-0 dhe barazoi 0-0 në Tiranë. Bazuar në rregulloren e kampionatit të miratuar që në fillimin e sezonit, skuadra që kishte grumbulluar më shumë pikë në sfidat direkte duhej të shpallej kampione. Kështu, në dy sfidat direkte, Tomorri grumbulloi 4 pikë nga 6 të mundshme, por çfarë ndodhi? Po e freskoj memorjen për atë histori mashtruese. Dy javë nga fundi i kampionatit, FSHF-ja e asaj kohe e ndryshoi rregulloren, ku sipas zyrtarëve të saj, nëse skuadrat e përfundonin kampionatin me pikë të barabarta do shkonin në një ndeshje finale. Por FSHF-ja e « harroi » që atë pikë të Rregullores ta shkruante si e zeza mbi të bardhë, pasi duke ju referuar deklaratave të ndryshme që kanë bërë drejtues të këtij institucioni, me pak kujdes e nxjerr dukshëm manipulimin. Konktretisht, sektori i garave ka qenë shumë aktiv në këtë manipulim dhe më pas në manovrat në ditën e zhvillimit të ndeshjes. Gjithçka e shprehur në këto radhë është sipas asaj që shkruhej në Rregulloren e kampionatit. E zeza mbi të bardhë u lexua dhe interpretua në të kundërt nga FSHF-ja për t’i dhënë Tiranës mundësinë e fundit për titullin kampion. Dhe cilën rregullore duhet të besojmë, atë që FSHF kishte në mëndjen e saj, apo atë rregullore që atëhere u ishte dërguar klubeve dhe paragrafi i saj nuk ekziston?! Më 13 maj 2000 u vra Presidenti i Tomorit Adrian Çobo dhe kësaj dhimbjeje iu shtua edhe manipulimi, i cili nuk do të kishte ndodhur nëse ajo vrasje nuk do të kishte ndodhur. Gjatë këtyre 23 viteve kanë folur drejtuesa të KF Tirana dhe ish-arbitrat e asaj ndeshjeje, dhe së bashku me FSHF ata tregojnë vetëm atë paragraf që në rregulloren e sezonit në fjalë nuk është shkruar dhe dërguar klubeve pjesëmarrëse në garë. Por nuk ndodhi kështu me Partizanin, sepse sot FSHF-ja drejtohet nga njerëz seriozë e profesionistë. E kësisoj, Tomori ende duhet ta ketë të gjallë kërkesën e vendosjes në vend të rregullores.

Ja si shprehej Rregullorja e garës në sezonin 1999-2000

 

“… Për klasifikimin përfundimtar në Kampionatin e 61-të Kombëtar, Sezoni 1999-2000, renditja kur dy ekipe janë me pikë të barabarta do të jetë: Renditet më sipër ajo skuadër që ka fituar më shumë pikë në përballjet direkte (29/10/1999 Tirana-Tomori 0-0; 25/03/2000 Tomori-Tirana 1-0)… Renditet më sipër ajo skuadër që ka shënuar më shumë gola në ndeshjet direkte …” (Tirana-Tomori 0-0, Tomori-Tirana 1-0, shënues S. Maloku dhe Tomori +1 pikë nga Tirana).

KATEGORIA E PARË  

Ndeshjet Play-off

Të martën, datë 23 maj 2023

Flamurtari-Apolonia   1-1

Kualifikohet Flamurtari

Tomori-Korabi                        0-1

Kualifikohet Korabi

Të dielën, datë 28 maj 2023

Flamurtari-Korabi                   1-2

Ndeshja finale Play-off

Të shtunën, 3 qershor 2023

Erzeni-Korabi              17:00

Në stadiumin “Niko Dovana”

 

Renditja Përfundimtare        

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.Skënderbeu  26        48

2.Dinamo                    26        47

3.Flamurtari                 26        46

4.Tomori                      26        43

5.Korabi                      26        39

6.Apolonia                  26        38

7.Luzi 2008                 26        38

8.Besa             26        37

9.Lushnja                    26        32

10.Burreli                    26        31

11.Oriku                      26        30

12.Turbina                   26        26

13.Tërbuni                   26        24

14.Besëlidhja  26        17

 

Ndeshjet Play-out

Të martën, datë 23 maj 2023

Lushnja-Valbona                     1-0

Lushnja qëndron në Kat. Parë

Të premten, datë 26 maj 2023

Burreli-Pogradeci                    2-1

Burreli qëndron në Kat. Parë