Intervista e Presidentit të FSHN-it Agim Çiraku me gazetarin Agron Kaja
Presidenti i FSHN, Çiraku: Noti në Shqipëri dhe rekordet e ekipeve të të rriturve, të rinjëve dhe fëmijve janë kthyer në modë dhe po i afrohen normave olimpike. Aktivitetet verore dhe dimërore janë kryer në mënyrë shëmbullore me mbi 300 notarë dhe pjesmarrje nga të gjitha trevat shqiptare. Notarët më të spikatur, ekipet sportive dhe projektet për 2023-in. Flasin trajnerët Sadik Mema dhe Arjan Fetishaj.
Ka disa vite që në sportin e notit në Shqipëri, rekordet Kombëtare janë kthyer në modë në eventet kombëtare verore dhe dimërore, por edhe në ato ndërkombëtare. Notarët meshkuj e femra kanë dhënë rezultate afër kapjes së normave olimpike. Në intervistën për gazetën “Telegraf”, Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit (FSHN), Agim Çiraku tregon gjithçka që është arritur gjatë vitit 2022, që sipas tij u mbyll me arritje të larta. “…Në çdo aktivitet, kampionat apo kupë, kanë marrë pjesë mesatarisht 250-300 notarë, ndërkohë që nga viti në vit edhe numri i ekipeve është rritur…”,- kështu deklaroi zoti Çiraku.

Si drejtues FSHN-it, ju Zoti Çiraku ndjeheni i plotësuar për vitin 2022?
Natyrisht që ndjehem i plotësuar si President i FSHN-it (Federata Shqiptare e Notit). Është hera e tretë që unë jam zgjedhur në këtë detyrë dhe në këto 11 vite janë arritur rezultate të mira, kryesisht në dy drejtime: në cilësinë e garave dhe në administrimin e aktiviteteve.
Cilat janë konkretisht ndryshimet që keni sjellë në krye të kësaj federate?
Cilësia e garave ka qenë e prekshme. Nga notarët e të gjithë ekipeve, që kanë garuar, janë thyer 25-30 rekorde kombëtare çdo vit. Në drejtimin administrativ, aktivitetet janë zhvilluar në mënyrë shembullore, ndërsa kemi tre vite që i zhvillojmë veprimtaritë e notit me tabelë elektronike.
Gjatë vitit 2022, cilat ishin veprimtaritë kombëtare që keni zhvilluar?
Gjatë vitit 2022, FSHN-it organizoi të gjitha veprimtaritë kombëtare verore dhe dimërore, njëherësh u angazhua edhe në pjesëmarrjen e notarëve të veçantë në veprimtaritë ndërkombëtare. Notarët kanë dhënë rezultate të larta dhe jemi afër kapjes së normave olimpike nga notarët tanë.
Në të gjitha këto veprimtari, si ka qenë pjesëmarrja nga ekipet dhe notarët?
Pas pandemisë, pjesëmarrja në të gjitha veprimtaritë, që janë organizuar (verore dhe dimërore) ka qenë e lartë. Në çdo aktivitet, kampionat apo kupë, kanë marrë pjesë mesatarisht 250-300 notarë, ndërkohë që edhe numri i ekipeve është rritur.
Në veprimtaritë ndërkombëtare, si ka qenë pjesëmarrja e notarëve shqiptarë?
Gjatë vitit 2022, kemi patur pjesëmarrje në të gjitha veprimtaritë Ndërkombëtare që organizon Federata Botërore e Notit (FINA), Federata Evropiane e Notit (LEN) dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (CIO). Kjo është një arritje që na bën edhe më optimistë për vazhdimësinë.
“Nga notarët e të gjithë ekipeve, që kanë konkuruar, janë thyer 25-30 rekorde kombëtare çdo vit. Aktivitetet janë zhvilluar në mënyrë shembullore, ndërsa kemi tre vite që i zhvillojmë veprimtaritë e notit me tabelë elektronike.”
Individët që garojnë, sa e justifikojnë pjesëmarrjen e tyre në këtë federatë sportive?
Jo vetëm në veprimtaritë kombëtare, por edhe kur marrin pjesë në të gjitha eventet ndërkombëtare të notit, thuajse të gjithë notarët garues janë kthyer në Shqipëri me rekorde kombëtare të thyera. Një të tillë theu edhe notari Paolo Priska në Australi.
Cilat janë skuadrat dhe individët që bëjnë diferencën në veprimtaritë kombëtare?
Te Stela me trajner Sadik Mema, është kthyer në një shkollë të notit në Shqipëri, dhe mbetet pika e referimit për çdo veprimtari. Por edhe Tirana e drejtuar nga i pasionuari Arjan Fetishi në këtë rrugë është. Do veçoja edhe Vllazninë, Teutën dhe Butrintin.
Sa të përshtatshme janë kushtet dhe infrastruktura stërvitore në funksion të garave, që zhvillohen?
Në vazhdimësinë e 11 viteve që unë e drejtoj FSHN-it si President, ka patur përmirësim të infrastrukturës, kryesisht në Tiranë, Durrës e Vlorë. Me nisiativën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, Akuadromi kaloi në administrimin e bashkisë dhe garat aty po zhvillohen me shumë cilësi.
Çfarë të reja solli FSHN-it në veprimtaritë e saj gjatë vitit 2022?
Janë disa, por unë do të përmend vetëm tre prej tyre. Gjatë vitit 2022 Vlora është duke ndërtuar një pishinë të re, një lajm pozitiv ky për notin shqiptar. Në pishinën “Taq Dafa” në Durrës, garat zhvillohen me tabelë elektronike. Në Shkodër e Vlorë po ndërtohen pishina dimërore.
Rezultatet në pjesëmarrjet ndërkombëtare, sa i janë përgjigjur interesit që ju tregoni në drejtimin e menaxhimin e sportistëve elitarë?
Unë e përmenda më sipër faktin, se duke qenë që nga veprimtaritë ndërkombëtare notarët tanë janë kthyer me rekorde kombëtare të thyera, ata e kanë justifikuar gjithçka që FSHN-ja dhe vetë ekipet kanë treguar për sportistët elitarë.
Kanë ndikuar këto rezultate si nxitje për sportin e notit në Shqipëri?
Patjetër që të gjitha rezultatet e arritura në veprimtaritë ndërkombëtare nga notarët tanë pjesëmarrës, kanë sjellë një atmosferë rekordesh edhe në veprimtaritë kombëtare. Nuk nguroj të them se, ato rezultate janë nxitje për gjithë notarët e tjerë në vendin tonë.
Do të presim ndonjë “bum” në sportin e notit shqiptar për vitin 2023?
Nuk do ta quaja “bum”, por më shumë një premtim që shpresojmë të bëhet realitet: 2-3 notarë shqiptarë do të kapin normat e pjesëmarrjes në aktivitetet ndërkombëtare. Ky do të jetë një synim që ne si federatë kemi shumë shpresa se do të arrihet.
Notarët më të spikatur gjatë vitit 2022
Për femra: Nikol Merizaj (Tirana), Kaltra Meça (Te Stela), Anila Dyrmishi (Te Stela), Julja Xhako (Tirana)
Për meshkuj: Kledi Kadiu (Teuta), Paolo Priska, Albi Dede, Drini Karanxha, Frenkli Vogli, Eljo Veli (Te Stela), Gresi Koxhaku (Tirana)

Trajnerë të përkushtuar gjatë vitit 2022.
Sadik Mema (Te Stela), Arjan Fetishi (Tirana), Kol Shiroka (Vllaznia), Gjergj Ngresi dhe Jurgen Fici (Teuta), Stefan Shendi dhe Edi Vasi (Butrinti), por edhe të tjerë që me dinjitet kanë drejtuar skuadrat e tyre në çdo veprimtari.

Flasin trajnerët
Sadik Mema: “Te Stela”mbylli vitin me 63 rekorde kombëtare.

Akademia e Notit “Te Stela” ka vite e evidentuar me emrin e Kryetrajnerit Sadik Mema. Sipas tij, edhe gjatë vitit 2022, kjo akademi u bë shkollë e notit në Shqipëri. “Akademia e Notit “Te Stela” e mbylli vitin 2022 me 63 Rekorde Kombëtare te Grupmoshat, të Rinjtë dhe të Rriturit. Do të përmendja disa prej tyre, edhe pse aty thuajse të gjithë notarët meshkuj e femra janë rekordmenë e kampionë. Frenkli Vogli, Eljo Veli me disa rekorde fantastike, Paolo Priska që theu rekordin kombëtar në Kampionatin Botëror në Australi, Albi Dede, Drini Karanxha, si edhe rekordmeni Mark Ducaj. Ndërsa te femrat do veçoja Arla Dermishin dhe Kaltra Meçën, e cila është vetëm 14 vjeç dhe ka thyer rekordet kombëtare për moshën e të rriturve. Të gjithë instruktorët që trajnojnë “Te Stela” janë me arsim të lartë sportiv, një tregues shumë cilësor ky për synimet tona. Për vitin 2023, me këta notarë të talentuar, që premtojnë, ne do ta vazhdojmë rrugën e rekordeve”.

Arjan Fetishaj: Tirana, bërthama e notit me prurjet e reja.
Trajneri i KS Tirana, Arjan Fetishaj, tregon tre të veçantat që e dalluan Tiranën në të gjitha veprimtaritë e vitit që u mbyll. “Gjatë vitit 2022, Tirana ka qenë bërthama e notit në Shqipëri, ku prurjet e reja, masiviteti dhe rekordet kombëtare janë bërë pjesë përbërëse e skuadrës sonë. Notaret Nikol Merizaj e Julia Xhako, si dhe Gresi Koxhaku janë bërë lidershipet e skuadrës, me një progres të dukshëm në të gjitha veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare. Me 35 notarë meshkuj e femra, të gjithë të talentuar, ne kemi patur mbështetje serioze edhe nga drejtuesja e FK Tirana, Deborah Keçi. E palodhur dhe plot energji, ajo ka ditur të ngrejë lart logon e Tiranës në të gjitha disiplinat sportive. Me një grand që ishte për t’u dëshiruar, gjatë vitit 2022 FSHN-it realizoi me sukses të gjitha veprimtaritë. Dhe për vitin 2023 këtë do të dëshiroja: Të përsëritim vitin suksesshëm 2022”, theksoi në deklarimin e tij trajneri i KS Tirana, Arjan Fetishaj.
Projekti
“Ekipet Sportive në Shkolla”, ngjarja e vitit

Me ngjarjen më të bukur sportive të vitit për të rinjtë e shkollave nga e gjithë Shqipëria, u mblodhën në stadiumin “Air Albania” në datën 12 dhjetor, në aktivitetin promovues të projektit kombëtar “Ekipet sportive në shkolla”. 700 skuadra shkollash nga 61 bashki të vendit, të mbështetura prej Qeverisë Shqiptare, nën kujdesin e Komitetit Olimpik Shqiptar, në këtë festë olimpike mblodhën rreth 10 mijë nxënës, të rinj e të reja të ekipeve sportive volejboll dhe basketboll.
Gjatë vitit 2022

Pjesëmarrje në veprimtaritë Kombëtare
Notarë shqiptarë kanë marrë pjesë në të gjitha veprimtaritë kombëtare, që organizon Federata Shqiptare e Notit (FSHN)
U zhvilluan kampionatet kombëtare dimërore:
1.Për fëmijë; 2.Të rinj dhe të rritur; 3. Për veteranë; 4. Perspektiva e Notit , Kupa “Klavio Meça”
U zhvilluan kampionatet kombëtare verore:
1.Për fëmijë; 2.Kupa Shqipërisë; 3.Për të rinj dhe të rritur; 4.Për veteranë; 5.Maratona Kombëtare.

Pjesëmarrje në veprimtaritë Ndërkombëtare.
Notarë shqiptarë kanë marrë pjesë në të gjitha veprimtaritë Ndërkombëtare, që organizon Federata Botërore e Notit (FINA), Federata Evropiane e Notit (LEN) dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON): Kupa COMEN (Qipro); Kampionati Botëror i Notit (Hungari); Lojërat Europiane për sport me aftësi të kufizuara (Rep. Çeke); Lojërat Mesdhetare Oran (Algjeri); Kampionati Europian për të Rinj (Rumani); Kampionati Europian (Itali); Kampionati 8-të Botëror për të Rinj; Kampionati Botëror Open; Kampionati Ballkanik; Takimi Ndërkombëtar i Notit “Teuta Cup”, Durrës.





















