Ilir Spahiu: “Skuadrat po mendojnëpër rezultatin, dhe jo për lojën”

771
Sigal

Specialisti i njohur i futbollit: “Drejtuesit e Tiranës duhet të kenë një vizion më të qartë”

Trajneri dhe specialisti i njohur i futbollit, Ilir Spahiu, tha për gazetën “Telegraf”, se ky kampionat po mendon më shumë për rezultatin teknik dhe më pak për spektaklin. “Konkurrenca dhe lufta e fortë sportive i bën mirë çdo kampionati, jo vetëm tonit. Ajo ndihet jo vetëm te skuadrat që luftojnë për trofe apo zonën Europiane, por dhe tek ato që luajnë për mbijetesë, pasi dihet që në përfundim të këtij sezoni do të dalin direkt katër skuadra”, – tha ai për gazetën.  Sipas tij, Tirana po shfaqet një ekip me shumë probleme këtë sezon. “Drejtuesit e klubit duhet të kenë vizion të qartë. Duhet të jenë më të kthjellët dhe të kenë një hartë se ku duan të arrijnë. Sot nuk është koha të punohet me ide spontane. Tirana nuk të fal në këtë drejtim”. Ilir Spahiu ka drejtuar në karrierën e tij Partizanin, Apoloninë, Luftëtarin, Besëlidhjen, Burrelin, etj. Aktualisht, Ilir Spahiu është një nga trajnerët e Akademisë Sportive të Dinamos dhe njihet për rezultatet e tij me futbollin e moshave.

– Zoti Spahiu, janë luajtur dhjetë nga 26 javët e këtij edicioni, pra është krijuar fizionomia e këtij edicioni të Kategorisë Superiore. Cili është vlerësimi juaj i deritanishëm?

– E parë në një këndvështrim analitik, kam konstatuar se ndeshjet e Kategorisë Superiore, më shumë rëndësi po merr rezultati teknik, sesa elementë të lojës së bukur apo të spektaklit sportiv. Ekipet duket se luajnë më shumë për rezultatin, pasi ai është primar dhe në ecurinë e një skuadre. Ka shumë ekipe që fitojnë në transfertë dhe, kjo mendoj unë, është një gjë shumë pozitive.

– Vërejmë një ngjeshje të ekipeve në tabelën e klasifikimit. A mund të flasim për një kampionat më konkurrues?

 – Po. Konkurrenca dhe lufta e fortë sportive i bën mirë çdo kampionati, jo vetëm tonit. Ajo ndihet jo vetëm te skuadrat që luftojnë për trofe apo zonën Europiane, por dhe tek ato që luajnë për mbijetesë, pasi dihet që në përfundim të këtij sezoni do të dalin direkt katër skuadra.

 – Të gjitha ndeshjet transmetohen direkt përmes televizonit. Sa ka ndikuar ky fakt, për një lojë më “fair-play” dhe gjykime më të profesionale?

 – Teknologjia na ka dhënë mundësinë t’i ndjekim në kohë reale të gjitha ndeshjet e Superligës. Gjyqtarët janë nën kontrollin e teknologjisë televizive, dhe mendoj se në përgjithësi gjykimi është në lartësinë e duhur.

 – Zoti Spahiu, duke i parë skuadrat një nga një, cila ju ka bërë më shumë përshtypje më shumë?

 – Pa dyshim Skënderbeu. Jo vetëm se, ka fituar dy sezonet e fundit, por dhe në këtë edicion po kryeson me meritë dhe me diferencë të qartë nga ekipet ndjekëse. Skënderbeu ka një organizim perfekt dhe menaxhohet shumë mirë nga lart, pra nga drejtuesit. Është i vetmi klub që bën diferencën në këtë pikëpamje. Trajneri Mirel Josa di t’ menaxhojë lojtarët që ja në dispozicion.

 – Tirana, skuadra më me shumë trofe në vendin tonë është duke vuajtur shumë këtë edicion. Cilat janë arsyet sipas jush?

 – Tirana po shfaqet një ekip me shumë probleme këtë sezon. Dhe këtu nuk kam parasysh largimin e spanjollit Hulian Rubios apo m pas dhe të Artur Lekbellos. Më shumë është problem menaxhimi. Drejtuesit e klubit duhet të kenë vizion të qartë. Duhet të jenë më të kthjellët dhe të kenë një hartë se ku duan të arrijnë. Sot nuk është koha të punohet me ide spontane. Tirana nuk të fal në këtë drejtim.

 – Kukësi po shfaqet si surpriza e këtij sezoni, aq më tepër që para pak ditësh eliminoi në Kupën e Shqipërisë, një emër të madh si Tirana. Si do ta vlerësonit këtë skuadër debutuese në Superligë?

 – Po, është me të vërtetë një ekip surprizë, nga çfarëdo vështrimi të shohësh, si specialist apo tifoz. Ka një grup shumë të mirë lojtarësh, të cilët janë mësuar me trofe dhe po përçojnë mentalitetin e duhur fitues. Fakti që, janë në këtë pikë, do të thotë shumë. Nuk duhet të harrojmë faktin, se Kukësi drejtohet nga një organizator me përvojë, si Sulejman Starova, në rolin e drejtorit teknik, por dhe me pasionin e madh të një trajneri të ri, si Armando Cungu, një teknik që punon me shumë seriozitet.

 – Besa e Kavajës u rikthye nga Kategoria e Parë, por po shfaqet si një veterane e pjekur e Superligës. Komenti juaj?

 – Besa është një skuadër me traditë dhe me disa trofe në futbollin tonë. Pas një fillimi jo shumë bindës, tani është në rrugën e duhur. Dua të theksoj punën e trajnerit të mirënjohur, Ilir Daja, i cili ka fituar titujt me Elbasanin dhe Dinamon, e që me lojtarë të rinj dhe pa shumë emër, ka krijuar një grup unik. Gjithsesi, Besa ka problemet e saj, pasi fusha e saj u pezullua për gjashtë ndeshje. Gjithçka erdhi pas një gabimi të gjyqtarit, që provokoi dhe zemërimin e tifozëve. Besa do të takohet me tifozët e saj në pranverën e ardhshme, dhe është e vështirë të menaxhohen 12 ndeshje në transfertë.

 – Flamurtari, pas një fillim sezoni jo bindës, duket se ka rigjetur performancën e duhur. A mund të flasim për një rikthim te tij?

 – Flamurtari ka investuar shumë në merkato. Natyrisht, nuk kishte si mos të vinin dhe sukseset, kjo dhe për cilësitë e lojtarëve që ka në dispozicion. Duhet të jemi të qartë për një gjë, rezultati është vlerë jo vetëm e lojtarëve. por dhe e trajningut, pra trajnerit.

 – Shkumbini, Luftëtari, Apolonia dhe Tomori kanë formuar katërshen e skuadrave që rrezikojnë më shuëm rënien…

 – Po është e vërtetë, me atë që kanë treguar deri tani, duket se po ecin në atë rrugë. Gjithsesi, ka ende shumë javë dhe gjithçka mund të ndodhë.

JA PËRSE DËSHTOJNË TRAJNERËT TEK NE

Në dhjetë javë, tetë nga 14 skuadrat, pra më shumë se gjysma e Kategorisë Superiore i ka ndryshuar trajnerët. Kaq e lehtë është të shkarkosh një trajner? Spahiu argumenton: “Duhet të jemi të qartë në një pikë. Sipas meje, pyetja që duhet të bëjë çdo president është: mbi ç’kushte unë duhet ta zgjedh trajnerin. Kur presidentët nuk janë njohës të mirëfilltë të futbollit, por janë dashamirës të futbollit dhe hedhin para, atëherë mbi ç’bazë ata vendosin për të caktuar një trajner? Mbi bazën e njohjes personale, sugjerimit nga një specialist. Ka shumë trajnerë të mirë, që nuk arrijnë të kenë një skuadër, dhe ka disa mediokër që drejtojnë në Superligë. Unë nuk mund ta them se, mbi çfarë parametrash dhe vlerash vendos presidenti: eksperiencën si ish-lojtarë të trajnerit, rezultatet që ka marrë me ekipet e tjera ku ai ka drejtuar, apo nga ata që dalin më shumë në media, në rolin e opinionistëve. Unë mendoj se, drejtori teknik që ka një klub, duhet të ketë dhe përgjegjësinë për marrjen dhe shkarkimin e një trajneri. Pasi flasim për investime, por dhe kosto financiare. Një trajner që, futet në mes të kampionatit pak merr përgjegjësi përsipër, pasi mund të justifikohet me grupin e lojtarëve që gjen. Unë mendoj se, një trajner duhet të mbarojë të paktën një fazë. Është e vërtet që Tirana nuk të fal, por unë mendoj se ajo duhet të ishte e duruar. Nëse do të merrja një shembull nga futbolli europian, do të sillja atë të Milanit. Vërtet po bën një sezon me oshilacione, por askush nuk po thotë të largohet trajneri Alegri. Po, kështu, Aleks Fergusonit iu deshën disa vite që ta bënte të madh Mançester Junaitid, por drejtuesit e klubit besuan te projekti i tij, te vizioni i tij. Një trajner i mirë, i cili ka një grup lojtarësh jo me vlera të mëdha, por që di t’u marrë maksimumin, mund të arrijë të marrë dhe trofe”.