Sigal

Portieri veteran, Xhanluixhi Buffon, ka dhënë së fundi një intervistë të gjatë, së cilës është e vështirë t’i përcaktosh titullin. Ai ka treguar histori nga më të ndryshmet të rinisë së tij, duke folur për “Vanity Fair”.

“Në moshë të re isha një ultras. “Ultrà Indian Tips” ishte emri i tifogrupit që ndiqnim Karrarezen, e kam ende të stampuar në dorezat e mia. Takoja njerëz nga të gjitha kategoritë: djem normalë, ëndërrimtarë, idealistë. Takoja njerëz interesantë, por edhe budallenj.

E ndjeja veten të fuqishëm, të pathyeshëm, të aftë të bëja çdo gjë që doja. Kam bërë shumë trapllëqe kur isha 20 vjeç, kam shijuar gjithçka, nuk kam lënë asgjë mangët”, – tregon Bufon.

Më tej portieri vazhdon me një histori të veçantë: “Jam kujdes gjithmonë që të evitoj çdo lloj droge apo dopingu, maksimumi ndonjë cigare hashash. Mbaj mend si tani renë e tymit që mbulonte tifozët e Kazertanës. Ishte si një mjegull, që nuk ishte krijuar nga fishekzjarret apo tymueset, por nga 200 cigare hashashi të tymosura në të njëjtën kohë. Më duket sikur e kam edhe tani përpara”.