Ilir Lame: Partizani pa stof kampioni, sot Tirana-Kukësi bën diferencën

662
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-futbollisti i Partizanit dhe i Kombëtares, “skanon” javën e 21-të të Superiores Ilir Lame
Nga Agron KAJA
Pse po na krijohet përshtypja se, Ilir Lame është i “dashuruar” në heshtje me futbollin e luajtur, sa qëndron për ju ky konstatim?
Nuk e di se cili është këndvështrimi juaj në këtë konstatim që po më thoni, por që gjithsesi ka diçka. Unë nuk e ndaj historinë e karrierës me aktualitetin, por asnjëherë nuk abuzoj prej saj, kjo ndoshta ju është dukur si heshtje. Ndërsa mediave të ndryshme ju jam përgjigjur, sa herë ato më kanë respektuar. 
Në këto kushte, si e keni ndjekur Kategorinë Superiore të sezonit në vazhdim 2016-2017?
Për një ish-futbollist, sikundër kam qenë unë, besoj se është edhe një detyrim moral e profesional që të ndjekësh futbollin shqiptar, të paktën Kategorinë Superiore. Unë jam një ndjekës i rregullt i gjithë futbollit shqiptar, sepse e ndjej këtë futboll, jo vetëm në ekranin e televizorit, por më shpesh kur shkoj në fusha e stadiume. Superioren e ndjek në ritmikë. 
Cili është këndvështrimi juaj për dy javët e para të fazës së tretë të kësaj kategorie?
Shikoj se ka një ndryshim në krahasim me dy fazat e para, sa i përket lojës së skuadrave, pasi tashmë ato janë të orientuar më shumë tek pikët. Në këto dy javë, nga skuadrat kryesuese Kukësi duket më i qartë në synimet e tij, ndërkohë që dy ndjekësit: Partizani e Skënderbeu nuk kanë patur ritmin e tij. Korçarët nuk janë ata të sezonit të kaluar, ndërsa Partizani ka më shumë fjalë për titullin, sepse ka lënë pikë edhe me skuadra të vogla.
Por skuadrat e vendeve të tjera të renditjes, si e kanë nisur fazën e tretë?
Këtu më evidente është se, Tirana duket në një krizë për problemet që ka, ndërsa Luftëtari ka një përmirësim të dukshëm dhe është duke luajtur bukur. Vllaznia nuk ka shumë kualitete, por në grup luan mirë dhe do të jetë pjesë e mesit të renditjes. Ndërsa për katër skuadrat e tjera që janë në zonën e mbijetesës, mendoj se mes tyre do të zhvillohet një kampionat më vete.
Tashmë Kukësi e ka “mbërthyer” kreun e renditjes, mendoni se do të ketë rivalitetin e Partizanit dhe të Skënderbeut në luftën për titullin Kampion?
Edhe pse Kukësi është në krye të renditjes, unë deri në fundin e Kampionatit shikoj se rivalë do të jetë kjo treshe: Kukësi, Partizani dhe Skënderbeu. Realisht janë skuadrat më të mira në të gjithë treguesit e lojës e të logjistikës, kështu që ato do ta diskutojnë mes tyre titullin, madje përcaktuese mund të jenë dy-tre javët e fundit.
Dje u luajt Teuta-Partizani për javën e tretë, ju përgjigj rezultati lojës që zhvilluan skuadrat? 
Rezultati ishte rrjedhë e lojës, ashtu siç u luajt, ashtu edhe përfundoi. Një ndeshje që golit i vuri “mungesë”, sepse rastet nuk munguan nga të dyja skuadrat dhe ky barazim nuk i intereson Partizanit në synimin për titullin kampion.
Çfarë tregoi më shumë kjo ndeshje, në raport me gjendjen që kanë këto skuadra në renditje?
Ashtu sikur luajti, Partizani nuk bindi në finalizim, sepse pati disa raste për shënim. Nuk e kishte atë stofin e kampionit, e ndoshta ndërprerja pas fazës së dytë duket se ja ka humbur “busullën” për të shënuar e për të fituar. Në tre ndeshje ka marrë tre pikë, kështu nuk po bind as veten se do të jetë rival i Kukësit në kreun e renditjes.
Me këtë rezultat, mbetet Partizani kandidat real për titullin Kampion në Superiore?
Me këtë paraqitje si dje në Durrës, mendoj se do të jetë e vështirë, por ka ndeshje, sidomos në ato direkt me Kukësin e Skënderbeun. Për Teutën mund të them fjalë të mira, sepse ishte shumë racionale në lojë, e goditi disa herë portën, por duhet të punojë më shumë në shënjestrën drejt golit.
Ka zëra se Tirana do të lëshojë në ndeshjen me Kukësin, për të marrë kompensimin në ndeshjen e Kupës, sa vlejnë të tilla forma në futboll?
Mundet të ekzistojnë edhe të tilla forma, port ë gjithë duket ta kuptojnë mirë se ato asnjëherë nuk kanë pasur dhe nuk do të kenë ndikim pozitiv te futbolli. Kam dëgjuar në rrethin tim shqoëror se dikush nga Kukësi e ka lënë si të hapur një lloj kompromisi: Kukësi të fitojë në Kampionat dh eta tolerojë Tiranën në Kupë, veprim i cili duket si një trukim i pastër si në dritën e diellit. Uroj që të mos ndodhë kështu.
Si ish-futbollist i Partizanit, e shikoni këtë skuadër me hapin e pretendentit, apo për një vend në zonën e Evropës?
Më sipër ju deklarova se, Partizani ka më shumë fjalë për titullin, sepse ka lënë pikë edhe me skuadra të vogla. Ky është fakt, por me përforcimet që ka bërë gjatë muajit janar, tashmëai duhet ta orientojë më qartë lojën e tij si një skuadër kampione. Duhet të jetë më konkret në lojën e tij me çdo skuadër, dhe synimet duhen marrë gradual, nga ndeshja në ndeshje. Ndryshe, do të bëjë “gomë” rrugës, sepse Kampionati është i gjatë.
Me këtë renditje që kanë aktualisht skuadrat, janë shfaqur në fushë efektet e merkatos së janarit?
Deri diku duket sikur janë mirë, por jo në pritshmëritë e menduar. Ndoshta ju duhet më shumë kohë që të përshtaten të gjithë këta futbollistë që u bënë pjesë e merkatos, pasi të ndryshosh skuadrën në mesin e sezonit është e vështirë të përshtatesh shpejt. Nëse skuadrat i kanë quajtur element cilësorë, efektet e tyre duhet të ndjehen pozitivisht në fazën e katërt.
Sot do të luhen tre ndeshje të tjera të javës së 21-të: Skënderbeu-Laçi, Vllaznia-Flamurtari dhe Tirana-Kukësi. Cili është këndvështrimi juaj për këto tre sfida?
Për të tria mendoj se do të jenë ndeshje të luftuara në të gjithë treguesit e lojës. Nuk shoh shumë ndryshime mes çifteve, sepse të gjitha skuadrat kanë pozicione delikate në kreun e fundin e renditjes. Nëse do të përjashtoja si thashetheme ndeshjen Tirana-Kukësi si humbje të Tiranës, apo edhe barazi, në Korçë duket se Skënderbeu nuk do ta diskutojë fitoren ndaj Laçit. Në ndeshjen Vllaznia-Flamurtari mendoj se do të ketë më shumë luftë sportive, pasi të dyja skuadrat janë në pozicione të dyshimta në tabelën e renditjes në 21 javë, dhe më shumë duket se po orientohen nga vendet e fundit.
Mendoni ndonjë surprizë në ndeshjet e kësaj jave të Kategorisë Superiore?
Asnjëherë nuk përjashtohen surprizat, kur në ndeshje luhet pastër. Ndoshta e tillë mund të jetë edhe ajo në Shkodër, por nëse Tirana do ta vlerësojë këtë ndeshje sikundër emrit të madh që ka, mundësitë janë edhe për ta fituar. Por edhe në Korçë mund të ndodhë diçka, në kuptimin e surprizës, sepse Laçi në dy ndeshjet e para të fazës së tretë është skuadra më e suksesshme së bashku me Kukësin.
Kampionati ka edhe 17 javë për tu luajtur, ju si e mendoni renditjen përfundimtare në të dy kahet e saj?
Besoj se do të shohim ndeshje të mira, ndonjëherë edhe të bukura, sepse për vetë synimet që kanë skuadrat dhe pozicionet aktuale që mbajnë në renditje, u jep kohë për ndryshime. Janë edhe 51 pikë në lojë për të gjitha skuadrat, që do të thotë se mes tyre janë edhe synimet e objektivat që të gjitha skuadrat kanë deri në mbylljen e Kampionatit.
Të mërkurën e ardhshme do të luhen katër ndeshjet e dyta çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, cilat skuadra i mendoni favorite për në gjysmëfinale?
Për skuadrat që kanë mundësinë e kualifikimit, mendoj se do të ketë një parashikim të përafërt pas ndeshjeve të javës së 21-të të Superiores. Gjithsesi, nëse sot Tirana humbet me Kukësin në kampionat, fiton ndeshjen e dytë të Kupës në Kukës. Skënderbeu e Vllaznia do ta kenë më të lehtë, sepse kanë barazuar në ndeshjet e para dhe specifika e Kupës i favorizon. Ndërsa te Besëlidhja mendoj se nuk duhet të diskutohet kualifikimi, duke pasur parasysh fitoren në Vlorë në takimin e parë çerekfinal.
Ilir Lame
Datëlindja: 15 korrik 1956 
Vendlindja: Tiranë 
Arsimi: ILKF “Vojo Kushi” 1976-1979 
Lidhjet me futbollin: Në vitin 1973 me 24 Maji të Përmetit
Pozicioni në fushën e lojës: Sulmues
Skuadrat ku është aktivizuar: Me 24 Majin 1973-1976, me Partizanin 1976-1989
Tituj e trofe të fituara: Titullin Kampion me Partizanin 1978-1979, 1980-1981, 1986-1987; Kupën e Shqipërisë me Partizanin 1979-1980
Me Kombëtaren: Luajtur 13 ndeshje në vitet 1981-1986
Titulli sportiv: Mjeshtër Sporti, medaljen “Naim Frashëri” të Klasit të Parë
101 ndeshje
Takimi që u luajt mbrëmë në “Niko Dovana” të Durrësit ndërmjet Teutës dhe Partizanit, ishte ndeshja e 101-të e këtij Kampionati
Sigal