Në Kampionati Botëror të Afrikës së Jugut mungoi Zlatani, ndërsa ishte i pranishëm Kristiano
Kristiano Ronaldo ishte pushtuesi i Lisbonës, duke shënuar më kokë golin që i dha Portugalisë një avantazh të çmuar përpara se të përballet me Suedinë në ndeshjen e dytë të “play-off”-it për një biletë në Kampionatin Botëror. Përballë tij do të jetë sërish ylli i Suedisë, Zlatan Ibrahimoviç, me gjigantin e Paris Sën Zhermenit që dëshiron të tregojë talentin e tij në Solna, për të thënë se është ai që e meriton të shkojë në “Brazil 2014”. Faqja zyrtare e FIFA-s bëri një krahasim statistikor midis dy lojtarëve më të mirë në botë kur na ndajnë vetëm pak orë nga përballja Suedi-Portugali.
Gjatësia
Ibrahimoviçi: 1.95 metra
Ronaldo: 1.86 metra
Suedezi është një figurë imponuese në fushën e lojës, duke qenë me kokë e supe thuajse sipër të gjithë mbrojtësve. Ai ka një teknikë shumë të mirë, gjë që e dalloi i pari trajneri Ko Adrianse te Ajaksi Amsterdamit. “Ai ka një teknikë shumë të mirë. Ju nuk e shikoni shpesh këtë te lojtarët e gjatë. Ndoshta për shkak të distancës së madhe midis truve dhe këmbëve”. Ronaldo nuk është i shkurtër, në asnjë mënyrë, madje ka cilësi fizike të atilla sa një herë Murinjo tha se ai ka “trupin e një kafshe”.
Golat ndërkombëtarë
Ibrahimoviçi: 46 në 95 paraqitje (0.48 gola për ndeshje)
Ronaldo: 44 në 108 paraqitje (0.4 gola për ndeshje)
Pas ndeshjes së të premtes, të dy lojtarët tani janë vetëm tre gola larg pas golashënuesve më të mirë të vendeve të tyre. Ronaldo është shumë afër rekordit të Pauletës, ndërkohë që Ibrahimoviçi shpreson të japë Sven Ridellin në Solna sot. Të dy i kanë shënuar golat e parë ndërkombëtarë në vitin 2004. Ibrahimoviçi shënoi golin e vetëm në miqësoren kundër Anglisë në atë vit, ndërkohë që Ronaldo realizoi një gol ngushëllues kundër Greqisë në Kampionatin Europian 2004.
Golat
Ibrahimoviçi: 208 gola
Ronaldo: 304 gola
Qysh nga sezoni 2004-2005, Ronaldo dhe Ibrahimoviç kanë luajtur në një nga pesë kampionatet më të mirë të Europës (Angli, Gjermani, Francë, Spanjë apo Itali, dhe po kështu në Ligën e Kampioneve. Gjatë kësaj kohe, Ronaldo ka shënuar më shumë se askush tjetër në kampionate dhe në Ligën e Kampioneve, ndërkohë që Ibrahimoviçi është i treti në këtë listë pas Lionel Mesit. Në tre nga katër sezonet e tij qysh kur ai u transferua në “Santiago Bernabeu”, mesatarja e shënimit të golave ka qenë një gol për ndeshje ose më mirë, ndërkohë që Ibrahimoviçi mori “Këpucën e Artë” në Ligën 1 në sezonin e tij të parë në Francë në 2012-2013.
Golat në Kupën e Botës
Ibrahimoviçi: 0 gola/5 ndeshje
Ronaldo: 2 gola/10 ndeshje
Suedezi nuk ka shënuar në Kupën e Botës, edhe pse është paraqitur në finalet e turneve të viteve 2002 dhe 2006. Për të kujtuar është fakti se, Ibrahimoviçi ka luajtur vetëm gjysmën e ndeshjeve në turne, pasi 20-vjeçari ishte një rezervë në Kore/Japoni, ndërsa pati një problem në gju në Gjermani. Të dy golat e Ronaldos janë shënuar në fazën e grupeve. Ai realizoi golin e dytë ën fitoren 2-0 kundër Iranit në vitin 2006 dhe shënoi golin e gjashtë në shkatërrimin 7-0 që Portugalia i bëri Koresë së Veriut në vitin 2010.
Shpenzime në karrierë
Ibrahimoviçi: 143.5 mln sterlina
Ronaldo: 92.2 mln sterlina
Kristiano Ronaldo vendosi një rekord botëror për sa u përket shpenzimeve të transferimit, kur ai mbërriti te Reali i Madridit në vitin 2009 në shumën astronomike prej 80 milionë sterlina, pasi kishte lëvizur më parë drejt “Old Trafordit” në shumën e 12 milionë sterlinave gjashtë vjet më parë, duke e bërë atë një prej adoleshentëve më të paguar në futbollin anglez në atë kohë. Ibrahimoviçi ka bërë një seri transferimesh të shtrenjta gjatë karrierës së tij duke lëvizur nga Ajaksi tek Juventusi, Interi, Barcelona, Milani dhe Paris Sën Zhermeni, për të cilën janë paguar shumat respektive prej 14 milinonë sterlinash, 21 milionë sterlinash, 61 milionë sterlinash, 21 milionë sterlinash dhe 18 milionë sterlinash. Për shkak të lëvizjeve të tij të shtrenjta, Ibrahimoviçi mban edhe rekordin si lojtari më i shtrenjtë i të gjitha kohërave në termat e shpenzimeve totale të transferimit.
Trofetë
Ibrahimoviç: 10
Ronaldo: 10
Ibrahimoviçi ruan një rekord të bukur, pasi ai ka përfunduar në krye në çdo kampioanat që ai ka luajtur midis viteve 2003 dhe 2011. Ai ka fituar tituj kampionë me pesë formacione të ndryshme në katër vende, sikurse edhe Botërorin e Klubeve me Barcelonën. Ronaldo e ka ndërtuar reputacionin e tij duke luajtur vetëm me dy klube, duke qenë një idhull te Mançester Junaitid. Ai ka fituar tete trofe të mëdhenj në “Old Traford”, përfshirë Ligën e Kampioneve të vitit 2008 dhe Kupën e Botës për Klube. Ai ka fituar edhe kampionatin spanjoll, por ai është ende 28 vjeç.
Ndeshjet kokë më kokë
Ibrahimoviçi: 1F, 4B, 3H
Ronaldo: 3F, 4B, 1H
Takimi i tyre i parë datohet në një ndeshje miqësore në Portugali në vitin 2004. Ronaldo u fut në lojë, ndërkohë që Ibrahimoviçi u zëvendësua në ndeshjen që përfundoi 2-2. Qysh atëherë, çifti ka luajtur edhe dy herë të tjera në nivel ndërkombëtar, një barazim pa gola në vitin 2008 për kualifikueset e Kupës së Botës dhe ndeshja e parë e “play-off”-t ditën e premte. Dy lojtarët janë ndeshur edhe në nivel klubesh: Mançester Junaitid-Inter (2009( dhe Real Madrid-Milan (2010).
Francës i duhet të përmbysë dizavantazhin me Ukrainën. Islanda synon surprizën me Kroacinë
Biletat e fundit të Botërorit
Katër ndeshjet e dyta të “play-off”-it të zonës europiane do të presin katër biletat e fundit për në Kampionatin Botëror “Brazil 2014”. Franca duhet të përmbysë rezultatin humbës 2-0 me Ukrainën; Islanda e 320 mijë banorëve (surpriza e grupit tonë) do të udhëtojë në Kroaci, pas barazimit pa gola në ndeshjen e parë; Suedia e Zlatan Ibrahimoviçit dhe Portugalia e Ronaldos do të përpiqen të eliminojnë njëri-tjetrin, teksa në ndeshjen e parë fitoi Portugalia 1-0. Greqia do të udhëtojë në Rumani, me avantazhin e fitores së parë. Do të jenë katër ndeshje të forta, që do të kërkojnë ndoshta jo vetëm 90 minuta, por edhe shtesë dhe penallti nëse ato do të kërkohen.
FRANCË-UKRAINË (0-2)
Dy dekada pasi humbjes 2-1 në shtëpi kundër Bullgarisë, e që i mohoi asaj pjesëmarrjen në “SHBA 1994”, Franca ndodhet në prag të një dështimi tjetër në finalet e një Kupe Bote. “Les Bleus” humbën 2-0 në Ukrainë dhe tani u duhet të fitojnë me tre gola diferencë, me synim për të mbërritur në Brazil. Gjithsesi, edhe fitorja 2-0 i çon te shtesat dhe gjuajtjet e penalltive.
SUEDI-PORTUGALI (0-1)
Portugalia mbërrin në Solna si fituese e ndeshjes së parë. Ronaldo shënoi një gol të çmuar për formacionin e Paulo Bentos, ndërkohë që tani është radha e Zlatan Ibrahimoviçit të tregojë vlerat e tij për Suedinë. Njëri nga dy lojtarët më të mirë në botë do të thotë lamtumirë Botërorit. Në Kupën e Botës së vitit 2010 mungoi Ibra, ndërsa ishte i pranishëm Ronaldo.
RUMANI-GREQI (1-3)
Vendasit e drejtuar nga trajneri Viktor Picurka duhet të japin më shumë se 100%, për të thyer Greqinë, pas fitores së parë të helenëve me rezultatin 3-1. Grekët janë mjeshtër të vërtetë, kur është puna për të mbrojtur rezultatin, por kanë në skuadër lojtarë shumë agresive, të cilët janë garanci për prezantimin e tyre të tretë në një Kampionat Botëror. 90 minuta ferri!
KROACI-ISLANDË (0-0)
Edhe pse ka shumë talente që spikasin me aftësitë e tyre individuale, Kroacia nuk shkoi më shumë se rezultati 0-0 me Islandën në ndeshjen e parë, edhe pse vendasit e mbyllën takimin me dhjetë lojtarë. Trajneri Niko Kovaç beson shumë të aftësitë e Luka Modriçit, Mario Mandzukiçit, Danijel Pranjiçit për të shënuar golat që i duhen për të prerë biletën e Botërorit.