Gjashtë trajnerët italianë në Shqipëri

703
Sigal

Roberto Sorrentino është trajneri i ri i Teutës. Historia italiane nisi gati 80 vjet më parë

Roberto Sorrentino është trajneri i ri i Teutës. Italiani, i cili pasoi në bankinë “blu” Gugash Maganin, do ta drejtojë skuadrën durrsake në ndeshjet e fazës së dytë të Superligës si dhe në Kupën e Shqipërisë. 58-vjeçari së fundi ka drejtuar Raguzën e Serisë D në Itali. Ish-portieri Sorrentino, Pasuesi i Gugash Maganit do të jetë trajneri italian Roberto Sorrentino, i cili ka qenë bashkëpunëtor u ngushtë i të madhit Xhovani Trapatoni te Juventus në sezonet 1991-1995. Sorrentino bëhet kështu trajneri i katërt italian që drejton një klub shqiptar, pas Ticiano Gorit (Erzeni, Partizani) dhe Leonardo Menikini (Tirana) dhe Mauro De Vekisit (Kamza). Me Kombëtaren shqiptare trajnerë italianë kanë qenë Xhuzepe Dosena (korrik-tetor 2002) dhe Xhani De Biazi (nga dhjetori i vitit 2011, ka firmosur kontratën e dytë deri në dhjetor 2015). Në fakt, historia italiane e futbollit shqiptar nisi gati 80 vjet më parë, kur Mbretëria Shqiptare për të bërë sportin dhe futbollin në Shqipërinë e viteve 1930, pati edhe ndihmën e italianëve Lisoni, Rati, Xaniki, Vitali, etj. Gjithsesi, pas Kampionatit të 7-të Kombëtar (1937), gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste, pati disa ndeshje miqësore me skuadra të sajuara, me përfaqësues të ushtrisë italiane. Interesant mbetet fakti se, portieri italian Xhakomino Pozeli, arriti të vishte fanellën e ekipit të Flamurtarit dhe të Kombëtares shqiptare, madje duke dalë edhe Kampion i Ballkanit me kuqezinjtë, në tetor të vitit 1946.

TICIANO GORI

Pas 55 vjet “shterpësie”, italiani i parë i ardhur në Shqipëri është Ticiano Gori, i cili mori Erzenin e Shijakut në sezonin 2001-2002. Ticiano Gori e la Erzenin në javën 10-të mbas humbjes 2-0 në Durrës me Teutën në vendin e 11-të. Shtatë javë futbollistike më pas, Ticiano Gori mori drejtimin e Partizanit (pas shkarkimit të Shpëtim Duros), duke i siguruar skuadrës së kuqe një vend në Kupën Intertoto.

XHUZEPE DOSENA

Italiani Xhuzepe Dosena mbërriti në Shqipëri për të pasuar të shkarkuarin Sulejman Demollari (prill 2002, pas humbjes 2-0 me Andorrën), i fundit trajner shqiptar që ka drejtuar përfaqësuesen. Kombëtarja nën drejtimin e Dosenës barazoi me Zvicrën (1-1) në Tiranë dhe humbi në transfertë me Rusinë (4-1, 16 tetor 2002). Italiani u “arratis” pa lënë të paktën një letër lamtumire, ndërkohë që FSHF ia morri me gjyq një pjesë të parave që i kishte dhënë.

LEONARDO MENIKINI

Në sezonin 2005-2006, Leondardo Menikini u bë trajneri i dytë italian,  që drejtoi një skuadër shqiptare. Menikini ishte një trajner i vërtetë profesionist, një teknik karizmatik. Nuk u kuptua aq sa duhet dhe u largua pas katër muajsh, pas një barazimi të bujshëm Tirana-Shkumbini 4-4 në “Selman Stërmasi” (java 11, sezoni 2005-2006).

XHANI DE BIAZI

Nëntë vjet pas braktisjes së Kombëtares nga ana e Xhuzepe Dosenës (më 16 tetor 2002), Xhani De Biazi siguroi një kontratë pune dyvjeçare me Federatën Shqiptare të Futbollit (14 dhjetor 2011-tetor 2013) për fushatën kualifikuese të Botërorit 2014, ndërkohë që me kontratën e tij të dytë do të drejtojë edhe fushatën e Europianit “Francë 2016”.

MAURO DE VEKIS

Mbërriti në janar të vitit 2012, duke zëvendësuar Ernest Gjokës te Kamza. Italiani 44-vjeçar, erdhi në Shqipëri në kohën kur marrëdhëniet e kryebashkiakut Xhelal Mziu me presidentin Naim Qarri ishin të shkëlqyera. Italiani kishte punuar si trajner në skuadra jo të nivelit të lartë, porse tek Foljaneze apo Real Rimini. Rezistoi deri në fund të sezonit 2011-2012, duke mos drejtuar më dot një ekip tjetër në Shqipëri.

ROBERTO SORRENTINO

Është trajneri i ri i Teutës. Merr detyrën pas shkarkimit të trajnerit Gugash Magani.

 Pesë ndeshje në nivel klubesh

 Klubet shqiptare numërojnë vetëm tre precedentë zyrtarë me skuadrat italiane në nivel klubesh (Torino, Parma, Napoli), përsa u përket ballafaqimeve ndërkombëtare, por këtyre u duhen shtuar edhe dy miqësore me Breshian dhe Milanin. Me Kombëtaren e madhe nuk jemi ndeshur kurrë, por kemi të paktën dy edicione ballafaqimesh në nivel Shpresa, në vitin 1984 dhe në 2009.

TORINO

Torino është skuadra e parë, që është përballur me Partizanin, pikërisht në edicionin 1968 të Kupës së Kupave. Partizani fitoi 1-0 takimin e parë, me një gol të realizuar nga Pëllumb Shaqiri, ndërkohë që humbi takimin e dytë në Torino me rezultatin 3-1 (gol i Neptun Bajkos për Partizanin).

PARMA

Teuta është përballur me Parmën në Kupën e Kupave, në vitin 1995. Parma i fitoi të dyja takimet 2-0, si në “Qemal Stafa” ashtu dhe në Itali. Filipo Inzagi,  golin e tij të parë ndërkombëtar e ka shënuar pikërisht ndaj një skuadre shqiptare, Teutës.

NAPOLI

Napolitanët u përballën me Vllazninë, në turin e dytë të Kupës Intertoto në sezonin 2008-2009, duke i fituar të dy takimet: 3-0 në “Loro Boriçi” dhe 5-0 në “San Paolo”.

BRESHIA

Edhe Breshia ka zhvilluar një ndeshje miqësore në Tiranë, më 21 gusht të vitit 2002, pikërisht kur në radhët e saj luanin Igli Tare dhe Roberto Baxho, ndërsa si trajneri i Kombëtares sonë ishte Xhuzepe Dosena. Një takim i fituar 1-0 nga Shqipëria, me një gol të realizuar nga Altin Lala në minutën e 62-të.

MILANI

Milani ka ardhur dy herë në Tiranë, si pjesëmarrës i kupës “Taçi Oil Albania”, pikërisht në vitet 2008 dhe 2009, ku në ndeshjen e parë humbi 2-1 me Tiranën (fituese të trofeut) dhe të dytën barazoi 3-3 me Kombëtaren B të Shqipërisë.

EURO U-21/SHQIPËRI-SPANJË 0-2. Kampionët e Europës fitojnë falë “dhuratave” të lojtarëve tanë

 Skënder Gega: “U ndëshkuan nga dy gabime amatore!”

 Shqipëria U-21 rezistoi për 66 minuta ndaj Spanjës në “Ruzhdi Bizhuta”, por dy gabime amatore u dhanë mundësi Kampionëve të Europës të firmosnin një fitore 2-0 ndaj Kuqezinjve të Skënder Gegës, të cilët regjistruan humbjen e gjashtë në shtatë ndeshje për eliminatoret e Kampionatit Europian “Çeki 2015”. Trajneri i Shpresës, Skënder Gega, u shpreh i zhgënjyer pas ndeshjes për mënyrën sesi erdhi humbja ndaj Spanjës kampione të Europës, por nuk i kurseu fjalët pozitive për futbollistët e tij, që zhvilluan ndeshjen më të mirë të këtyre eliminatoreve pavarësisht se dolën pa pikë. Sipas Gegës golat e Spanjës erdhën nga dy gabime amatore. Tekniku kuqezi e pranoi se diferenca në cilësi mes dy përfaqësueseve tona u pasqyrua në rezultatin përfundimtar. Shqipëria do t’i mbyllë këto eliminatore me 5 mars 2014 në transfertë me Austrinë, megjithatë në analizën e tij Gega e pranon se rezultatet janë larg objektivave që kishte Shpresa.

NDESHJA

Kombëtarja U-21 bëri një ndeshje shumë të mirë taktike, duke rrezikuar me kundërsulme dhe shfaqur një mbrojte solide deri në minutën e 66-të, por pa pësimit të golit nga ana e spanjollëve, lojtarët tanë, edhe për shkak të një përvojë të pakët ndërkombëtare u përfshinë në një ngërç psikologjik, duke qenë tepër konfuzë dhe me gabime të shumta në veprime. Katër ditë pas suksesit të merituar në transfertë me Hungarinë (2-0), formacioni i Skënder Gegës besonte se mund të merrte rezultatin e dytë pozitiv përballë kryesuesve të Grupit 4, dhe në të vërtetë dha gjithçka për ta arritur këtë synim, por përballë emrave të tillë si Muniain, Morata, Deulofeu, Sergio Roberto e Karvahal, çdo gabim sado i vogël mund të të kushtojë shumë. Shqipëria e nisi lojën e vendosur mirë në fushë, pa i lënë shumë hapësira kundërshtarit që të rrezikonte portën e Teqjes, madje rastin e parë të rrezikshëm e kishin kuqezinjtë në minutën 15-të por sulmuesi Vasil Shkurtaj nuk arrin të godasë. Edhe pse Spanja e qarkullon më mirë topin Shqipëria arrin të krijojë situata të vështira në portën e Pachecos si në minutën e 43 me Kotobellin, goditja e të cilit përfundoi jashtë. Dy minuta nga fillimi i fraksionit të dytë Munianin godet rrezikshëm prirët me portën, por topi përfundon mbi tra, ndërsa në të 53’ finalizimi i futbollistit të Atletik Bilbaos anulohet nga gjyqtari, pasi topi kishte kaluar vijën fundore para se të goditej për në qendër nga Morata. Episodi që ndryshoi rrjedhën e lojës ishte ai i minutës së 66, pas një mosmarrëveshje mes Ergys Kaçes dhe Indrit Bathës. Në këtë moment përfiton Sergio Roberto i Barcelonës, që pas një sllallomi, përballë Teqes, merr vendimin më të lehtë, pason për Muniain të Atletiko së Bilbaos, i cili futet me gjithë top në portë. Ky gol ndikoi psikologjikisht te formacioni i Skënder Gegës, që nga dëshira e madhe për të barazuar lë shumë hapësira prapa. Në minutën e 71-të, fiksohet goditja fluturimthi e Kaces nga rreth 20 metra, topi kalon pak mbi traun e portës spanjolle. Teqja arrin të shmangë gola të sigurt në minutat 76’ dhe 81’. Një tjetër moment i ngjashëm në minutën e 87-të, kur ne gabojmë në mesfushë dhe ia dhurojmë topin kundërshtarit, vulos gjithçka. Deulofeu prek për herë të dytë rrjetën e Teqjas, duke zhvlerësuar atë paraqitje vërtet të mirë të tanëve në pjesën e parë dhe fillimin e së dytës. Përfundimisht, Shqipëri-Spanjë 0-2. Fitorja e gjashtë rresht e spanjollëve, që tashmë kanë siguruar vendin e parë në grup. Kjo humbje e mban Shqipërinë në vendin e fundit në grup, në kuotën e 3 pikëve.

ELIMINATORET EURO 2015

U-21 SHQIPERI-SPANJË  0-2

Golat: Muniain 66’, Deulofeu 87’

De Biazi ndjek Shpresat

 Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, ndoqi takimin Shqipëri-Spanjë, në të cilën luajtën edhe dy lojtarë të kontigjentit të ekipit të parë të Kuqezinjve, Ergys Kaçe dhe Elseid Hysaj. De Biazi mbeti i kënaqur nga paraqitja e tyre dhenë përgjithësi nga lojtarët e Shpresave.