KATEGORIA E PARË/ Trajneri i Lushnjës, Gugash Magani, nuk e mendon zonën e ftohtë në renditje
Agron Kaja

“Aktualisht nuk jemi brenda pritshmërive që unë kisha, por janë edhe 12 javë për t’u luajtur dhe besoj se skuadra do shkojë atje ku unë mendoj. Në 20 javë nuk kemi patur shumë stabilitet, kryesisht në ndeshjet kur kemi qënë në avantazh”
Trajneri i Lushnjës, Gugash Magani, e shikon si më të vështirë pjesën e mbetur të këtij sezoni. Sipas tij, edhe në Kategorinë e Parë ka shumë rivalitet mes skuadrave, madje duke mos përjashtuar edhe renditjen që ato kanë në këto 20 javë. Në bisedën me gazetën “Telegraf”, tekniku peqinas u shpreh se skuadra nuk ka patur shumë stabilitet. “Aktualisht nuk jemi brenda pritshmërive që unë kisha, por janë edhe 12 javë për tu luajtur dhe besoj se skuadra do shkojë atje ku unë mendoj. Gjatë këtyre 20 ndeshjeve që janë luajtur në këtë sezon, ne nuk kemi patur shumë stabilitet, kryesisht në ndeshjet kur kemi qënë në avantazh dhe kemi humbur pikë në fundin e tyre. Kështu ka ndodhur në disa prej tyre, nga të cilat jemi munduar të reagojmë pozitivisht në ndeshjet pasardhëse”, kështu e nisi bisedën tekniku peqinas i skuadrës së Lushnjës, i cili më pas u shpreh se merkato e janarit e ka përmirësuar kompletimin e skuadrës. “Në merkaton e verës nuk kemi patur ndërhyrje dhe skuadra është organizuar kryesisht me lojtarë të rinj dhe me bazë në Lushnje. Ndërsa në merkaton e janarit kemi marrë disa futbollistë, dhe në këto tre-katër ndeshjet e fundit kam parë se kemi zgjedhur mirë. Sepse Kategoria e Parë është si Abissnet Superiore, të paktën në këtë sezon. Nisur nga infrastruktura, ku do thoja se ka një përmirësim që ndikon ndjeshëm në rritjen e cilësisë te skuadrat, të cilat në këtë sezon kanë bërë shumë rregullime e ndryshime pozitive. Në këtë aspekt, në Lushnje po punohet edhe për të ndryshuar menatlitetin e fituesit te skuadra. Tashmë ndeshjet sa vijnë dhe e rritin koefiçientin e vështirësisë, si ato, që luhen në fushën tonë, ashtu edhe ato në transfertë dhe synimet arrihen kur përmirësoshesh hap pas hapi”. Po ku e mendon trajneri Magani skuadrën e Lushnjës pas fazës së dytë që ka edhe dy ndeshje për t’i luajtur? “Faza e dytë luan dy ndeshje dhe ne kemi këtë kalendar: Lushnja-Vora dhe Korabi-Lushnja. Matematikisht për ne të dyja këto ndeshje janë shumë të vështira, por do kërkojmë maksimumin. Në të dyja do hyjmë për t’i fituar dhe vëndi i gjashtë për ne në fundin e fazës së dytë mendoj se do diskutohet me Korabin në Peshkopi. Ky vit është i suksesshëm për skuadrën e Lushnjës, nëse ne do jemi në këto pozita në renditje. Do e motivoja skuadrën që në ndeshjen ndaj Vorës këtu në Lushnje, të tregojë se e meriton vendin e gjashtë”, ishte kjo biseda e trajnerit Gugash Magani, e zhvilluar dje për gazetën “Telegraf”.
Të fundit nga skuadrat
Në javën e 20-të, Bashkia kujtohet për financat e Tomorit!
Duhet të mbyllej java e 20-të e kampionatit të Kategorisë së Parë, që Bashkia e Beratit të kujtohej për Tomorin, i cili renditet në vendin e parafundit, në zonën e rënies nga kategoria. Tashmë është bërë publike shifra që kjo bashki ka miratuar këtë javë për FK Tomorrin, buxhet që kap shifrën e 355 milionë lekëve të vjetër. Parë në një këndvështrim më real, duket se kjo shifër vjen si një mesazh mbështetje për Tomorin nga institucioni shtetëror, që e ka në vartësi, Bashkia. Gjithsesi, mirë lekët erdhën, po pikët për mbijetesë si do të vijnë, do startojnë pikërisht në javën e 21-të?! Trajnerit Febron Ziu dhe gjithë skuadrës, këto financa ndoshta iu duheshin në pushimin e fundvitit, që edhe të kryente merkato për përmirësimin e situatës.
Batha për Superioren: Ngjitemi me shpresat te “Play-Off”-i
Mesfushori Idriz Batha ka treguar dje për mediat në Vlorë, se u rikthye këtë sezon te Flamurtari, sepse janë shanset për Superioren. Në sezonin 2018-2019 ai luajti me fanelën e skuadrës vlonjate në 30 ndeshje ku shënoi 4 gola, ndërsa në këtë rikthim, ai mendon se skuadra duhej të ndihmohej për objektivin madhor. “Ne (Flamurtari) ndoshta nuk do të ngjitemi direkt në Abissnet Superiore, por shpresat tona mbeten te raundi “play-off”. Të gjithë e dimë peshën e kësaj fanelle dhe me përkushtim do punojmë për të bërë më të mirën. Edhe në ndeshjen ndaj Korabit do luajmë për fitore, për vazhdimësi në rezultate pozitive dhe për të treguar akoma më shumë forcën dhe karakterin e skuadrës”.
KATEGORIA E PARË
NDESHJET, JAVA 21
Të shtunën, 17 shkurt 2024
Burreli-Tomori 13:30
Besa-Bylis 13:30
Apolonia-Kastrioti 13:30
AF Elbasani-Luzi 2008 17:00
Të dielën, 18 shkurt 2024
Lushnja-Vora 13:30
Flamurtari-Korabi 13:30
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Bylis 19 48
2.AF Elbasani 20 46
3.Vora 20 39
4.Flamurtari 20 36
5.Apolonia 20 30
6.Korabi 20 26
7.Lushnja 20 23
8.Besa 20 19
9.Burreli 20 19
10.Kastrioti 19 16
11.Tomori 20 14
12.Luzi 2008 20 12