Lili Gërmau: “Ekipet e fierake luftojnë për trofe”

906
Sigal

Flet për “Telegraf”, shef i Klubit Shumësportësh “Apolonia”: “Fierit ka tradita të mëdha në sport”

   nga Ilirjan GJIKA

 Lili Gërmau është i njohur në Fier si mësues veteran i lëndës së edukimit fizik dhe ish trajner i basketbollit të femrave. Gjatë jetës së tij ka pasur një karrierë të tillë. Në vitet 1974-1978, ai ishte trajner i ekipit të basketbollit për të reja, ndërsa në periudhën 1978-1983 kreu detyrën e trajnerit të ekipit të parë të basketbollit të femrave të Apolonisë. Në vitet 1983-1990, Lili Gërmau punoi si mësues i edukimit fizik në shkollën 8-vjeçare “Andon Xoxa” të qytetit të Fierit, ku ai përgatiti në klasat sportive të asaj kohe basketbollistët e ardhshëm fierakë.

Nga viti 1990 e në vazhdim, Lili Gërmau është shef i Klubit Shumësportësh “Apolonia”. Dashurinë për sportin ja ka transmetuar edhe të birit, Aldit, student në Universitetin e Sporteve dhe pjesëtar i ekipit të meshkujve të Apolonisë.

 – Zoti Gërmau, jemi në prag të sezonit të ri në disa sporte. Si po shkojnë përgatitjet në klubin shumësportës “Apolonisë”?

– Pranë Klubit Shumësportësh “Apolonia” funksionojnë nëntë ekipe sportive të rriturish, krahas atyre të moshave si: çiklizmi, basketbolli, volejbolli, boksi, peshëngritja, mundja, shahu, bilardoja dhe takuendo. Të gjitha ekipet, sportistët dhe trajnerë janë tashmë në fazën intensive të përgatitjes përfundimtare, për sezonin e ri sportive që do të vijojë në vjeshtë. Sa për ilustrim, çiklizmi fierak nën drejtimin e trajnerit të mirënjohur Kiço Kalemi është kampion absolut në 12 vitet e fundit, ndërkohë që çiklistët e tij përfaqësojnë Shqipërinë në aktivitet ndërkombëtare.

– Basketbolli është një nga sportet elitare, me një histori të pasur suksesesh dhe me një traditë të pasur. Meqenëse jemi në prag të sezonit të ri, cilat janë objektivat?

– Basketbolli fierak ka një traditë të hershme. Ai i femrave i ka fillimet në fund të viteve 1960, por sukseset i arriti një dekadë më pas, kur nën drejtimin e teknikut Kozma Mone, fitoi dy herë Kupën e Shqipërisë në vitet 1972 dhe 1974 dhe në vitin 1975 u shpall Kampion i Shqipërisë. Tradita e mirë vazhdon dhe në ditët tona. Në vitin 2012 fituam kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë, ndërsa këtë vit (2013) bëmë tonën edhe Superkupën. Mbi bazën e këtyre arritjeve, nënkuptohet që edhe këtë sezon të ri sportiv do të luftojmë për titullin kampion. Basketbolli i meshkujve nis në vitet 1950, nën drejtimin e trajnerit Miço Gjini. Një nga yjet e basketbollit fierak është Bardhyl Angjeli. Në vitet 1980 kemi pasur rezultate të mira. Dëshiroj ta theksoj se, vitin e kaluar ekipi i meshkujve hyri në fazën e “Play-Off”, duke u renditur i katërti midis më të mirëve të këtij sporti në Shqipëri. Ekipi i basketbollit drejtohet sot nga Darian Adhamidhi, një produkt i vetë shkollës fierake.

– Me cilat probleme përballen sportet në qytetin e Fierit?

– Edhe këtë vit do të vijojmë përsëri që të përballemi me të njëjtin problem, i cili na krijon goxha vështirësi tek basketbolli dhe sportet me dorë. Ky problem mbetet tek ndeshjet, të cilat nuk i zhvillojmë dot në fushën tonë, por në transfertë si pasojë e mungesës së një pallati të sportit.

– Edhe volejbolli fierak po ringrihet…

– Po, është e vërtetë. Volejbolli fierak tashmë është ringritur dhe funksionon si sport pas braktisjes së tij në vitet 90-të.

Pas suksesit të ekipit të të rinjve me zënien e vendit të tretë në kampionatin kombëtar pak vite më parë, edhe volejbolli tashmë është vënë në efikasitet nën drejtimin e trajnerit veteran Todi Gjini. Por edhe për të, pengesë është bërë mungesa e infrastrukturës, një problem i trashëguar për ne nga e kaluara.

– Boksi ka nxjerrë shumë emra të mëdhënj. Cili është objektivi i tij?

– Boksi është një nga sportet me më shumë arritje këto vite të fundit. Nën drejtimin e trajnerit të pasionuar Baftjar Abazi kemi krijuar një ekip që konkurron denjësisht në të gjitha moshat dhe peshat dhe që mbetet pretendent për titullin kampion. Nga gjiri i tij kanë dalë sportistë të talentuar si Xhulio Vrenozi, kampion absolut vendit. Si rezultat i punës dhe i arritjeve të disa titujve kampionë dhe nënkampionë të siguruar këto vite, për këtë sezon ne kemi pretendime serioze dhe synojmë të thyejmë supremacinë e Vllaznisë së Shkodrës në këtë sport.

– Peshëngritja ka nxjerrë një kampion të madh si Ilir Kafarani. A kemi emra të tjerë që premtojnë për të ardhmen?

– Peshëngritja po punon shumë mirë për të vijuar traditën e arritjeve të dikurshme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Nga ky ekip kanë dalë së fundmi disa sportistë elitarë dhe më shumë perspektivë, të cilët përfaqësojnë ekipet tona kombëtare. Si të tillë mund të përmendim Arbër Çerçizin, pjesëmarrës në aktivitete të tilla ndërkombëtare si në Kampionatin Europian të zhvilluar në muajin prill të këtij viti në Tiranë dhe në Lojërat Mesdhetare Mersin 2013, të zhvilluara në korrik në Turqi. Aktualisht posedojmë një ekip me perspektivë. Duke përfituar nga rasti, dëshiroj të them fjalë të mira edhe për shahun, bilardon, mundjen dhe takuendon, sporte me rezultate pozitive të arritura në nivel vendi.

   “E domosdoshme ngritja e një pallati sporti”

 Shefi i Klubit Shumësportësh “Apolonia”, Lili Gërmau, e sheh sportin jo vetëm si një drejtues administrativ, por edhe si një ish-sportist dhe trajner. Ai ka “recetën” e tij sesi duhet të zhvillohet një sport në qytetin e Fierit. “Duhen dy faktorë, – tha ai për ‘Telegraf’. – Së pari, tradita; e cila nuk mungon tek ne në të gjitha sportet. Ndërsa së dyti, do të rendisja infrastrukturën. Nëse këta dy faktorë nuk funksionojnë siç duhet nuk mund të kemi sport të elitës ashtu si pretendojmë. Këtu dua të theksoj se nëse deri dje kemi thënë se ndërtimi në Fier i një pallati sporti është i nevojshëm, sot mund të pohojmë se është bërë domosdoshëm, aq më tepër kur shikon rezultatet e ekipeve tona. Si përfaqësues i Klubit Sportiv mund të them se, tashmë i kemi përfunduar tratativat dhe në një kohë të afërt do të vihet në funksionim kompleksi i ri sportiv i lojërave me dorë. Ai është në proces ndërtimi dhe shpresojmë që vitin e ardhshëm do të vihet në punë. Për mendimin tim, ndërtimi i këtij kompleksi është më emergjent se ndërtimi i pallatit të sportit, sepse më të, zgjidhen përfundimisht problemet e stërvitjes të ekipeve tona për gjitha moshat dhe në të gjitha sportet”.

 “Duhet të jemi ndër tre më të mirët”

 Shefi i shumësportëshit fierak në analizën e tij për gazetën “Telegraf’, tha se janë të gjitha mundësitë që ekipet e ndryshme të Apolonisë të jenë ndër tre më të mirat e vendit. “Unë kam ‘filozofinë’ time. Duke qenë se qyteti i Fierit për nga potencialet ekonomike dhe kulturore mund të renditet i dyti dhe apo i treti në Shqipëri edhe në këto sporte, ekipet tona duhet patjetër që të renditen në tre vendet e para’, – tha Lili Gërmau.

 Thyhet rekordi i mbajtur nga shitja e Kristiano Ronaldos në shumën e 94 milionë eurove

  Bejl te Reali për 108.8 milionë Euro

 Real i Madridit dhe Totenhemi janë vetëm një hap larg marrëveshjes përfundimtare për transferimin e Garet Bejl në “Santiago Bernabeu”. Sipas raportimeve të fundit, shuma që “Los Blankos” do të paguajnë për shërbimet e uellsianit është 108.8 milionë euro. Në këtë operacion përfshihet edhe blerja e Fabio Koentraos nga klubi Londinez për 17.5 milionë euro. Zyrtarizimi i marrëveshjes mbetet çështje orësh, pasi kanë mbetur për t’u përcaktuar vetëm disa detaje teknike, që nuk e cënojnë hedhjen e të zezës mbi të bardhë. Presidenti Florentino Perez do të kalojë në arkat e Totenhem plot 91,3 milionë euro, ndërsa pjesë tjetër parave mbetet në arkat e Realit si cmim për shitjen e mbrojtësit portugez Koentrao në “Uajt Hart Lejn”. Pavarësisht uljes së lehtë të çmimit nga ana e presidentit Daniel Levi, Gareth Bale do të shndërrohet blerja më e shtrenjtë në historinë e futbollit, duke thyer rekordin e transferimeve të futbollistëve, që mbahej nga Kristiano Ronaldo, i cili në 2009 kaloi nga Manchester Junajtid te Reali i Madridit për 94 milionë euro. Me paratë e siguruara nga shitja e Bale, Totenehm do të blejë Erik Lamelën nga Roma dhe Uilian nga Anzhi.

  Trabzonspor zbarkon në “Sheraton”

  Dy ditë para takimit të parë të fazës play-off të Europa Ligë ndaj Kukësit, Trabzonspor zbarkoi dje në Tiranë, ku do të zhvillojë disa seanca stërvitore për t’u përshtatur më mirë me kushtet klimaterike dhe me terrenin e “Qemal Stafës”. Pak pas mesditës së djeshme skuadra turke mbërriti në aeroportin e Rinasit për t’u nisur menjëherë drejt Hotel “Sheraton”, ku do të akomodohet deri të premten në mëngjes. Udhëtimi ndoshta i parakohshëm drejt Shqipërisë lidhet edhe me faktin që të dielën formacioni i Mustafa Reshit Akcai zhvilloi ndaj Beshiktashit në Stamboll ndeshjen e parë të kampionatit turk. Për shkak të largësisë nga Stambolli në Trabzon, drejtuesit e kësaj skuadre preferuan të fluturonin direkt për në Shqipëri, për të shmangur udhëtimet e tepërta. Në Aeroportin “Nënë Tereza”, Trabzonsporit iu rezervua një pritje e ngrohtë nga disa firma turke që operojnë në Shqipëri, punonjësit e të cilave do të jenë në mbështetje të bashkëkombësve të tyre edhe në shkallët e Qemal Stafës. Mendohet që vetëm nga turqit që jetojnë në vendin tonë numri i mbështetësve të Trabzonsporit të arrijë në 300 persona.