Romela Begaj: Këtë arritje ia dedikoj gjithë Shqipërisë, do mbetet dita ime më e lumtur

651
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Ende pa u “tharë” djersa e Botërorit, flet për “Telegraf” Kampionia e Botës në Peshëngritje, përjetimi i saj pas Medaljes së Artë dhe kërkesat ndaj shtetit shqiptar
Në Kampionatin Botëror që u zhvillua në Anaheim të Kalifornisë, në datat 29 nëntor e deri më 5 dhjetor, Romela garoi në peshën 69 kg, ku në stilin e shkëputjes ajo ngriti 107 kg dhe u shpall Kampione Bote, ndërsa në dygarësh u rendit në vendin e dytë, Nënkampione Bote.
Nuk është keq që ky vit kalendarik, 2017-a, në faqet sportive të gazetës “Telegraf” të mbyllej me këtë bisedë të veçantë, me Kampionen e Botës në Peshëngritje, Romela Begaj. Në Kampionatin Botëror që u zhvillua në Anaheim të Kalifornisë, në datat 29 nëntor e deri më 5 dhjetor, Romela garoi në peshën 69 kg, ku në stilin e shkëputjes ajo ngriti 107 kg dhe u shpall Kampione Bote, ndërsa në dygarësh u rendit në vendin e dytë, Nënkampione Bote. Për gazetën “Telegraf”, në një rrëfim ekskluziv dje, Kampionia e Botës tregoi për gjithçka në këtë arritje, por edhe për shumëçka për mbështetjen që duhet të japë shteti shqiptar për sportistët elitarë, Romela sot Kampionë Bote.
Romela, jemi tre javë pas suksesit tuaj në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes, si jeni ndjerë këto ditë?
Kam marrë mesazhe pa fund dhe i falënderoj të gjithë. Kam marrë urime nga çdo cep i Globit nga shqiptarë dhe jo vetëm, dhe për mua, kjo ishte një arritje e madhe, por edhe për gjithë shqiptarët. Ia dedikoj gjithë Shqipërisë këtë arritje. Ky ishte fillimi, medalja olimpike ende larg. 

Pas triumfit në garë, ç’ndjesi patët aty në SHBA?
Natyrisht që ishte një gëzim i madh. Unë sot e them se, vazhdoj të jem e lumtur që munda të bëj krenarë gjithë shqiptarët. Kjo ishte një arritje historike për Shqipërinë, dhe besoj se për këtë sukses, realisht unë kam sakrifikuar shumë që të mund t’ia dilja mbanë.

Besoj se edhe këtu mesazhet kanë qenë të panumërta?
Po, po, kush nuk më ka dërguar mesazh pas garës. Po ja u përsëris, që si ato mesazhe pas gare, edhe të tjerët që më kanë dërguar në këto ditë, gjej rastin që edhe nëpërmjet gazetës “Telegraf” t’i falënderoj. Duke qenë se para kemi edhe festën e fundvitit, unë uroj gjithë shqiptarët kudo që janë: Gëzuar Vitin e Ri 2018! 

Nëse i mbani mend, cilët nga këto mesazhe ju ka bërë më shumë përshtypje?
Të gjitha, unë nuk mund ti ndaj shqiptarët që më kanë përshëndetur, ndërsa kujtoj se kam marrë mesazhe urimi edhe nga drejtuesit më të lartë të vendit: Presidenti Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Bashkisë, Erjon Veliaj, Ministrja e Sportit, Lindita Nikolli, Drejtori i Sportit, Vladimir Gjoni etj. Unë i falënderoj pa masë të gjithë!

Mund të kthehemi pak në emocionet e garës?
Patjetër që po. Ndoshta doni të dini diçka më shumë se, pse u rrëzova përtokë pas tentativës së fundit? Po, unë u rrëzova sepse u ndjeva keq nga dëmtimi që pësova gjatë garës. Mundet të kenë ndikuar edhe “ethet” e rezultatit të lartë, ndoshta të gjitha bashkë, por unë kam qenë e dëmtuar edhe para garës.

Edhe pse ju arritët sukses në këtë Botëror, po mungesa e një fizioterapisti, ndikoi në performancën tuaj?
Tashmë që Botërori është mbyllur, nisur nga rezultati që arrita unë, por edhe peshëngritësit e tjerë shqiptarë, shteti ynë dhe federata besoj se e kanë kuptuar që, fizioterapisti ishte një mungesë shumë e madhe. Këtu mbetet për tu parë në vazhdimësi.

Duke qenë se ju në këtë Botëror vinit pas një skualifikimi, e prisnit të shpalleshit kampione bote?
Sportisti gjithmonë synon më të mirën, dhe pritshmëria ime ka qenë përherë, të jem në podiumet Evropiane dhe Botërore, pasi kam një vit që po stërvitem për këtë garë. Besimi në mundësitë e mia dhe organizimi e zbatimi perfekt i programit stërvitor, solli rezultatin e madh.

Me këtë rezultat që ju arritët në Botëror, ishte kjo një provë force për ju?
Them se ishte një start i mirë për mua, sepse e fillova pak si mbrapsht garën. Nuk ka të bëjë gjithmonë ndryshimi i peshës, kjo ishte një peshë e re për mua, dhe është një fillim i ri për mua. Dëmtimi është dëmtim, gara ka edhe të papritura. 

Po paraqitjen e peshëngritësve të tjerë shqiptarë në Kampionatin Botëror, si e vlerësoni?
Shumë të mirë, madje do të thosha se të gjithë (2 femra dhe 3 meshkuj), bëmë një paraqitje dinjitoze. Për shumë pak, na ikën edhe disa medalje të tjera. Nuk mund të flas për punën e kolegëve në këtë event, por them se çdo garë ka të pa pritura, të cilat natyrisht që ndikojnë në rezultate.

Pas kësaj arritjeje historike, e keni ndonjë objektiv tjetër në aspektin personal?
Kjo ishte një arritje historike për mua dhe për Shqipërinë, e padyshim që objektivat tani janë edhe më të fortë. Pas disa muajsh (mars 2018), këtu në Tiranë do të zhvillohet Kampionati Evropian për të Rritur, dhe unë do stërvitem që të dal sa më mirë aty.

Ndoshta do të keni mundësinë që të arrini një tjetër sukses, këtë herë më live para shqiptarëve?
Duke qenë se ky Kampionat Evropian do të zhvillohet këtu në vendin tonë, pa dyshim që përpjekjet e mia do të jenë maksimale, që të mund ti bëj sërish krenar shqiptarët. Për këtë, pres 
më shumë mbështetje nga shteti shqiptar, sepse sakrifikojmë shumë për rezultate të tilla, dhe do të donim pak më shumë vëmendje e mbështetje prej tij.

Sot Romela është 31 vjeç, rezultati në këtë Botëror do jetë kulmi i karrierës suaj?
Jo, sepse unë jam ende e re dhe në formë për të vazhduar me të tilla suksese. Jam shumë kërkuese nga ana ime, e besoj se .
Jo të gjithë e dinin se peshëngritësja Romela Begaj që bëri krenar çdo shqiptar, kishte probleme fizike para garës që zhvilloi në Kampionatin Botëror të Kalifornisë, të cilët u rënduan më shumë pas garës. Kjo situatë e detyroi Begajn që, nga Amerika të udhëtonte drejt Greqisë, ku edhe morri kurimin e duhur 
Këto ditë përfundoi edhe afati i testit pas kontrollit anti-doping, e duke qenë se nuk ka ardhur përgjigje, do të thotë se unë kam dalë e rregullt. Tashmë pres nga institucionet shtetërorë vlerësimin maksimal. Ende nuk më kanë kontaktuar përfaqësues të shtetit shqiptar, unë jam e gatshme në çdo kohë

Reagimet e qeveritarëve

Ilir Meta (President i Shqipërisë)
“Të dashur miq, dua t’ju uroj një ditë të mbarë me këtë foto të Romela Begajt, e cila fitoi Medaljen e Artë për Shqipërinë në kampionatin Botëror të Peshëngritjes”.
Edi Rama (Kryeministër i Shqipërisë)
“Një lajm i bukur frymëzues në këtë situatë të vështirë. Romela Begaj, Kampione e Botës. Në Botërorin që po zhvillohet në USA, Romela fitoi Medaljen e Artë, duke u shpallur Kampione në stilin e shkëputjes, dhe po ashtu u shpall nënkampione e Botës në dygarësh. Rezultati më i mirë i saj në Botërorin dhe historik për peshëngritjen shqiptare”.
Historia e garës, në stilin e shkëputjes Kampione Bote
Paraqitja historike për peshëngritësen shqiptare nga Romela Begaj në Botërorin që u zhvillua në SHBA, ende nuk ja ka “tharë” djersën kampiones, e cila shënoi emrin me germa të arta në histori, duke u shpallur Kampione Bote. Në garën që Romela zhvilloi në datën 3 dhjetor 2017, në stilin e shkëputjes, ajo u rendit e para duke fituar Medaljen e Ari, ndërsa në dygarësh zuri vendin e dytë, duke fituar Medalje Argjendi. Në provën e parë në stilin e shkëputjes, Romela ngriti 103 kg, më pas shtoi 2 kg në shtangën e saj, duke e realizuar me sukses provën e dytë, ndërsa në të tretën provoi 107 kg, për të siguruar medaljen e artë, me 1 kg më shumë se rivalja kolumbiane. Më të njëjtin strategji u nis prova edhe në dygarësh. Edhe pse fillimisht kishte deklaruar 130 kg, në tentativën e parë e uli në 125 kg, duke e ngritur me sukses. Në provën e dytë, Begaj bëri mrekullinë duke ngritur 128 kg, por u pa qartë se problemi fizik që shfaqi në fund të provës së parë ishte rënduar. Tentoi 131 kg në provën përmbyllëse, por nuk ia doli. 
Romela Begaj 69 kg
Stili Rez. Rend.
Shkëputje 107 kg 1
Shtytje 128 kg 5
Dygarësh 235 kg 2
Pas medaljes në Botëror, Ligji për Sportin e shpërblen me 100 milion lekë
Romela Begaj arriti një rezultat historik në kampionatin botëror të peshëngritjes, që u zhvillua në Amerikë në fillimin e muajit dhjetor 2017. Ajo mori Medalje Ari në stilin e shkëputjes, dhe në dygarësh doli e dyta në renditje, duke u shpallur Nënkampione e botës. Kjo ishte arritja më e mirë për të në një botëror, por gjithashtu edhe një rezultat historik për peshëngritjen shqiptare në historinë e saj. Por krahas medaljes, me ligjin e ri shqiptar për sportin, shtangistja duhet të shpërblehet me 100 milionë lekë të vjetra.
Kampione bote në peshëngritje, Romela Bega ka edhe një profesion të dytë
Peshëngritësja shqiptare Romela Begaj, e cila bëri një paraqitje dinjitoze në Botërorin që u zhvilluan në SHBA në fillimin e këtij muaji, ku ajo shënoi emrin në historinë e botës dhe atë shqiptare, ka edhe një profesion. Romela është mësuese në një shkollë 9-vjeçare në fshatin Farkë të Vogël, dhe për gazetën “Telegraf”, ajo ritheksoi se, është e lumtur që punon për edukimin e një brezi të ri. Këtu Romela jep lëndën e edukatës sportive, vetëm tre herë në javë, dhe është shumë e gëzuar për këtë, madje nxënësit ajo i konsideron edhe si mbështetjen më të mirë në çdo rezultat.
RENDITJA 
NË BOTËROR
Datë 1 dhjetor 2017 
Evangjeli Veli 58 kg
Renditja Vendi 8
Datë 2 dhjetor 2017 
Briken Calja 69 kg
Renditja Vendi 4 
Romela Begaj 69 kg
Renditja Vendi 2
Datë 3 dhjetor 2017 
Erkand Qerimaj 77 kg
Renditja Vendi 6
Krenar Shoraj 85 kg
Renditja X
Për t’u kujtuar, mungesa e Daniel Godellit në Botëror
Në ditët e zhvillimit të Kampionatit Botëror të Peshëngritjes, në Anaheim të SHBA, u mbajt edhe Kongresi i IWF, në të cilin foli edhe Presidenti i Fedratës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza. Ai e fajësoi Komitetin Organizator, që sipas tij, nuk përdori autoritetin për mosmarrjen e vizës të peshëngritësit tonë Daniel Godelli, i cili ishte dhe një ndër pretendentët për kampion bote. “Vendit tonë do t’i mungojë në këtë botëror sportisti më i mirë, që është dhe një pretendent për titullin Kampion Bote, ai është Daniel Godelli, të cilit iu refuzua viza amerikane. Për këtë mospjesëmarrje të këtij sportisti, unë do të fajësoja Komitetin Organizator si dhe IWF-në, dhe i kërkojmë këtij institucioni që Daniel Godelli të bëjë një garë në Shqipëri, e cila t’i njihet duke e krahasuar me atë të Anaheimit”
Sigal