Gjyqtari u kërcënua me jetë për ndeshjen Kastrioti-Bylis, flet kryetari i arbitrave: Të merren masa, nëse nuk dënohen autorët, shkojmë në bojkot

201
Sigal

Tahir Kastrati, kryetari i Shoqatës së Arbitrave, ka reaguar sot pas kërcënimit me jetë të gjyqtarit Kastrioti-Bylis Juxhin Xhaja dhe familjes së tij.

Kastrati kërkoi zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë,  merrjen e masave drastike, pasi në të kundërt siç tha ai do të rishqyrtojnë pozicionin e tyre, ku nuk përjashtohen as vendime drastike, deri në bojkot.

“Ishte mjaft i shqetësuar, jo vetëm ai, por e gjithë familja e tij, pasi disa presona nga Kruja kishin vajtur pranë familjes së tij dhe kanë bërë kërcënime deri në jetë. I ndodhur në këtë situatë, mblodhëm kryesinë e Shoqatës dhe i kërkuam FSHF-ës që ndeshja në këto kushte, në kushte të dhunës dhe presionit të jashtëzakonshëm, nuk mund të zhvillohej dhe institucioni e miratoi kërkesën tonë duke mos e zhvilluar këtë ndeshje, në mënyrë që të kemi kohë të marrim masat e duhura që jeta e qytetarëve, e aq më tepër e gjyqtarëve të jetë e sigurt, në mënyrë që të marrin vendime korrektë për ndeshje të caktuara”, tha Kastrati.

Ai theksoi se të gjitha institucionet ligj-zbatuese duhet të veprojnë.

“Ne deri tani kemi ndjekur rrugën institucionale, duhen kërkuar masa drastike, siç janë marrë. Ne kërkojmë masa drastike, jo vetëm nga FSHF, por edhe nga Prokuroria që raste të tillë të mos përsëritët dhe të marren masa për këta vandalë që guxojnë të kërcënojnë familjen.  Për këtë rast kërkojmë që jo vetëm të merren masa, por të gjitha institucionet ligj-zbatuese të veprojnë si duhet”, u shpreh kreu i arbitrave.

I pyetur se çfarë do të ndodh me sfidën Kastrioti-Bylis, apo me ndeshjet e Kastriotit në vijim, Kastrati deklaroi se “jemi në pritje të marrjes së masave, nëse masat do të jenë të prekshme, të arsyeshme, brenda kërkesave, ne do të vazhdojmë, në rast se nuk merren masat ne mund të shkojmë në bojkot. Ne do të kërkojmë që ndeshjet me Krujën të mos zhvillohen”.