Gentjan Begeja: Po luhet garë e fortë, me tensionin e synimeve

14

SUPERIORE/ Ecuria në 29 javë, flet për “Telegraf” ish-futbollisti i Teutës, Gentjan Begeja 

Sigal

Agron KAJA

Abissnet Superiore nisi ndeshjet e javës së 29-të, si mendoni se ishte gjendja e skuadrave pas dy javëve pushim zyrtar?

Disa skuadra që kanë pasur oshilacione, ju ka shërbyer. Të tjerat që kishin ecuri pozitive, nuk u bën mirë, si Kukësi që humbi me Egnatian pas një ecurie positive. Në tërësi, këto dy javë kanë shërbyer për ndonjë rikuperim dëmtimesh.

Me tre ndeshjet e luajtura dje, cilën prej tyre e veçoni për rezultatin dhe cilën  për lojën?

Të treja sfidat e djeshme mendoj se u luajtën në presionin e rezultatit, por edhe të ritmit të skuadrave që kanë renditje më të mirë. Më shumë se sa loja, të gjitha kishin rezultatin primar, sepse jemi në një fazë ku loja humbet para rezultatit.

Sot luhen dy ndeshjet e fundit të javës së 29-të, cilën prej tyre e shikoni si të fortë, apo delikate?

Të dyja ndeshjet janë të forta, por edhe delikate. Janë ndeshje të forta për synimet që kanë skuadrat, por janë edhe delikate për vetë renditjen e tyre në tabelë. Laçi ka më shumë motiv për të kërkuar fitoren, Dynamo City-Skënderbeu do jetë ndeshje e barabartë.

Sa tërheq kjo renditje në këto 29 javë, nga kreu e deri në fundin e tabelës?

Skuadrat ndodhen në vendet për sa kanë dhënë, por më ka befasuar forma e Skënderbeut, dhe paksa edhe Teuta. Të gjitha skuadrat janë në vëndet e tyre dhe e meritojnë renditjen, Vllaznia me hapa cilësorë e Partizani me Tiranën me ulje e ngjitje.

Nisur nga rezultatet e kësaj jave, cilën skuadër e vlerësoni si më të mirën e javës, dhe cilën më të dobët?

Nisur nga fakti se janë luajtur vetëm tre nga pesë ndeshjet e javës, do të thoja se të treja u luajtën nën presionin e rezultatit. E përmenda edhe më sipër faktin, se skuadrat tashmë synim primar kanë rezultatin, loja del në plan të dytë. Superiorja sikur ka rënë në qetësi me trajnerët, duket si relative kjo, apo mund të presim ndonjë lajm të fundit?

Të gjitha bankinat në Superiore gjithmonë kanë qënë relative, asnjëherë të qëndrueshme. U mësuam që në Superiore ndërrohen trajnerët në çdo kohë. Nuk më pëlqen, duhet të ketë stabilitet me trajnerët për tu dhënë kohë të punojnë.

Në mesjavë luhet ndeshja e prapambetur Dinamo City-Teuta, cili është parashikimi juaj?

Mendoj pa tifozllëk se Teuta e kalon Dinamon. Ndeshen dy skuadra me synime të kundërta: Dinamo kërkon të hyjë në zonën “Final 4”, ndërsa Teuta kërkon ti largohet zonës së mbijetesës. Duke qënë edhe ndeshje e prapambetur, pres një sfidë të luftuar dhe të barabartë.

Tetë javë para mbylljes së fazës së katërt, si i mendoni skuadrat e “Final 4” dhe ato të mbijetesës?

Skuadrat e “Final 4” thuajse janë të përcaktuara, por mundet që në këto javë të mbetura të fazës së katërt të kemi ndonjë lëvizje mes Skënderbeut, Tiranës e Dinamos. Në fund, Kukësi duket i rënë, tjetra do përcaktohet deri në fund.

 

EGNATIA-KUKËSI 1-0

Egnatia konfirmon kreu, zhytet Kukësi

Në Rrogozhinë u çel java e 29-të e Abissnet Superiore me sfidën Egnatia-Kukësi 1-0. U ndeshën dy ekstremet e tabelës së renditjes dhe me rezultatin fitues të rrogozhinasve i mbajtën të tillë pozicionet e tyre. Egnatia u tregua rracionale dhe konfirmoi kreun, Kukësi nuk prodhoi lojë mbijetese dhe mbeti në fundin e renditjes.

 

ABISSNET SUPERIORE  

NDESHJET, JAVA 29
Dje, e premte 29 mars 2024

Egnatia-Kukësi                       1-0

Vllaznia-Erzeni                       1-1

Tirana-Teuta                            1-2

Sot, e shtunë 30 mars 2024
Laçi-Partizani                          15:00

Dinamo C.-Skënderbeu          18:00

RENDITJA

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.Egnatia                     29        54

2.Vllaznia                    29        50

3.Partizani                   28        46

4.Skënderbeu              28        40

5.Tirana                       29        39

6.Dinamo City             27        36

7.Teuta                        28        34

8.Laçi                          28        31

9.Erzeni                       29        26

10.Kukësi                    29        25

 

VLLAZNIA-ERZENI 1-1

Shkodranët e ulin marrshin e kryesuesit

Me barazimin e djeshëm ndaj Erzenit, skuadra e Vllaznisë e uli marrshin e kryesimit, duke u larguar më shumë nga Egnatia kryesuese. Shkodranët nuk e menaxhuan dot avantazhin që e krijuan me kapitenin Balaj në minutën e 29-të, sepse në minutën e 40-të ishte Blazeviç e barazoi rezultatin. Duke u mbyllur kështu pjesa e parë, e dyta nisi me mendimin se do të kishte ndryshime për të dyja skuadrat. Por shijakasit iu gëzuan pikës dhe luajtën duke e merituar atë, ndërsa shkodranët e dominuan tërësisht lojën, duke gabuar vetëm në finalizim. Gjithsesi, ishte një barazim që Erzenin e mban ende në lojën e mbijetesës, ndërkohë që Vllaznia edhe pse e ka të sigurtë vendin në “Final 4”, synimin për vendin e parë po e sheh të largët.

TIRANA-TEUTA 1-2

“Djemtë e detit” “vallëzuan” në Tiranë

Duhet thënë me plotë gojë se Teuta dje vallëzoi në sfidën e javës së 29-të ndaj Tiranës. Nuk ishte veç një udhëtim në kryeqytet për “Djemtë e detit”, sepse me lojën që zhvilluan dhe dy golat që shënuan, treguan jo vetëm seriozitet e këmbëngulje, por edhe një përmirësim të dukshëm aty ku kishin çaluar javë më parë, konkludimin në portën kundërshtare. Jazxhi e mbylli pjesën e parë 0-1 për Teutën, dhe në fillimin e pjesës së dytë Daci e çoi rezultatin në 0-2. Bardheblutë u munduan shumë për golin, por dy ishin faktorët që nuk shënuan më shumë se një gol në minutën e 90-të me Lulajn: Paqartësia në sulm. Fitorja e ngjit Teutën në renditje, duke e afruar në grupin e skuadrave që kërkojnë zonën “Final 4”, së bashku edhe me Tiranën.