Artan Mergjyshi: E mendojmë edhe vendin e katërt, gara është e hapur

KATEGORIA E PARË/ Trajneri i Apolonisë, Artan Mergjyshi, e shikon në rritje performancën e skuadrës  

Agron KAJA

Sigal

Këtë mesjavë, Kategoria e Parë zhvilloi ndeshjet e javës së 26-të, ku nga gjashtë sfida, katër u fituan nga skuadrat vendase dhe dy të tjerat dolën barazim. Një nga skuadrat që fitoi në fushën e saj ishte Apolonia, fitore e cila sipas trajnerit të saj Artan Mergjyshi, ishte e merituar. Për gazetën “Telegraf”, Mergjyshi theksoi se i kënaqur me lojën e skuadrës. “Me Tomorin ja dolëm me meritë të fitonim. Veç momentit të shënimit të golit, skuadra beratase nuk tregoi asgjë që të na e vështirësonte fitoren. Pas një pauze 10 ditore, skuadra bëri paraqitje pozitive, në kuptimin se gjatë gjithë ndeshjes ishim në dominim të plotë. Unë jam i kënaqur edhe për performancën në rritje që tregoi Apolonia, një tregues që do të na shërbejë për ndeshjet në vazhdim, deri në mbylljen e kampionatit”, kështu e nisi bisedën trajneri Mergjyshi i Apolonisë, i cili më pas u ndal edhe tek situata e renditjes mes katër skuadrave ku ndodhet skuadra e drejtuar prej tij. “Ne jemi në një diferencë me Lushnjen e Burrelin që nuk është për tu nënvleftësuar, edhe pse larg me 8 pikë larg nuk e quajmë të sigurtë. Me humbjen e Vorës, e mendojmë edhe vendin e katërt. Është i mundshëm për ne, por këtë do ta shohim më shumë pas përballjes më Flamurtarin ditën e dielë. Sepse aktualisht, duket që vetëm Tomori në fundin e renditjes me 14 pikë ka dalë nga gara, edhe pse matematika e mban në lojë. Ndërsa skuadrat e tjera janë në fokusin e synimeve të tyre sezonale”. Dy skuadrat e kreut, AF Elbasanin dhe Bylisin, Mergjyshi i quan të pakapshme, ndërsa për të shoqëruar Tomorin për zbritjen në Kategorinë e Dytë, ai e sheh mes tre skuadrave. “Nuk besoj se dy skuadrat e kreut (AF Elbasani dhe Bylis) do të lëshojnë tani, sepse kanë udhëhequr me meritë në këto 26 javë të luajtura. Janë dy skuadrat më të mira dhe diferencat e kanë bërë edhe më të sigurtë kreun prej tyre. Elbasani duket se do ta mbajë vendin e parë, ndërsa në fundin e renditjes janë disa skuadra të rrezikuara. Veç Tomorit, në fundin e renditjes, do jetë një luftë më vete mes Luzit, Besës dhe Kastriotit. Luzi është ekip simpatik dhe luan mirë, Besa ekip tradite që luan mirë, ndërsa Kastrioti ekip i fortë. Mes tyre do të ndahet një vend që do zbresë në Kategorinë e dytë”. Në javën e 27-të, Apolonia luan në transfertë me Flamurtarin, ndeshje të cilën trajneri i fierakëve e mendon të hapur. “Ndeshjet e Apolonisë me Flamurtarin janë të bukura dhe konkurruese. Është kënaqësi të luash në Vlorë me një skuadër që ka kualitete. Do jetë një ndeshje e hapur për çdo rezultat”, kështu e mbylli bisedën Artan Mergjyshi, trajneri i Apolonisë së Fierit.

Gjoba nga Displina, goditet Kategoria e Parë


Komisioni i Disiplinës në FSHF i la dy javë të qeta skuadrat në futbollin shqiptar. Pas ndeshjeve të javës së 26-të të Kategorisë së Parë që u luajtën në mesjavë, pasi ka shqyrtuar ngjarjet e ndodhura ku kishte incidente e probleme në disa stadiume, ka gjobitur tre skuadra. Apolonia, Elbasani dhe Lushnja janë skuadrat e ndëshkuara nga Disiplina, duke i gjobitur për situatat që kishin lidhje me problemet e krijuara nga tifozët e tyre, apo për mosmarrjen e masave organizative. FK Apolonia për sjellje të gabuar të spektatorëve, AF Elbasani për mos marrjen e masave për përmbushjen e detyrimeve dhe rregulloreve të aktivitetit, dhe KF Lushnja për mos marrjen e masave për përmbushjen e detyrimeve dhe rregulloreve të aktivitetit.

Dueli Idrizi-Kushta, Flamurtari çfarë përfiton?!

Ka disa javë që në mediat sportive në Shqipëri, një debat ka vazhduar mes Administratorit të Flamurtarit, Sinan Idrizi dhe Legjendës së futbollit vlonjat, Sokol Kushta. Në deklarimet e tij mediatike, Idrizi ka treguar se qëllimi i tij ka qënë për ta hapur debat me një njeri që vinte nga një histori familjare qytetare, intelektualësh. “Kisha zgjedhur këtë që ishte një familje intelektualësh që të hapnim debat, për atë që quhet njohja e vlerave edukative dhe sociale për çështjet e aktiviteteve sportive, duke i kërkuar ndihmë, se e di shkallën intelektuale të tij”. Por Kushta e ktheu përgjigjen si goli tij në Beograd: “… Nuk e dija Sinanin gënjeshtar, e morra vesh tani”. Në mes të këtij debati, Flamurtari çfarë përfiton?

Kombëtaret ndryshojnë bankina, Bushi qëndron

Dje në FSHF janë bërë ndryshime në sektorin teknik. Përgjegjësi i ri i sektorit të skautizmit është Ardi Behari, ndërsa Alban Bushi vijon të jetë në krye të Kombëtares U-21. Julian Ahmataj morri drejtimin e Kombëtares U-19, Bledi Shkëmbi Kombëtaren U-17, Fatjon Muhameti merr drejtimin e Kombëtares U-16. Ndërsa Armand Dama mbetet në krye të Kombëtares U-15, Erjon Stavri do të jetë koordinatori teknik i Qëndrave Rajonale.

KATEGORIA E PARË

NDESHJET, JAVA 27

E dielë, 31 mars 2024

Bylis-Kastrioti                         14:00

Vora-Korabi                            14:00

Flamurtari-Apolonia                14:00

Luzi 2008-Burreli                    14:00

Tomori-Besa                            14:00

AF Elbasani-Lushnja               18:00

RENDITJA

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.AF Elbasani              26        60

2.Bylis                         26        58

3.Flamurtari                 26        47

4.Vora                         25        45

5.Apolonia                  26        39

6.Korabi                      26        37

7.Burreli                      26        31

8.Lushnja                    25        31

9.Kastrioti                   26        27

10.Besa                       26        22

11.Luzi 2008               26        21

12.Tomori                    26        14