Futbollistët e kombëtares, të revoltuar me kryeministrin dhe FSHF-në: “Na gënjyen”

227
Disa ditë më parë është përfolur se ka pasur pakënaqësi nga ana e futbollistëve të kombëtares, pakënaqësi të cilën e kanë shprehur hapur, kjo lidhur me premion që u është premtuar lojtarëve pas ndeshjes së zhvilluar në Jerevan të Armenisë. Diskutimin për këtë pjesë fillimisht e ka publikuar “Panorama Sport”, e cila ka bërë publik këtë rast. Mësohet se pakënaqësitë e lojtarëve janë bërë objekt bisede në mbledhjen e zhvilluar ditën e diel gjatë stërvitjes, një ditë më parë se të zhvillohej miqësorja ndaj Gjeorgjisë. Ku lojtarët e kombëtares për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me zgjidhjen e çështjes së premios prej 3 milionë euro, siç u premtua në fillim, kanë braktisur stërvitjen e ditës së diel. Nga një bisedë e nisur rastësisht, lojtarëve u është thënë se, ata duhet të mendohen për ndarjen e shpërblimit të kualifikim në “Euro 2016”, po në këtë diskutim atyre u është thënë se, shpërblimi do të jetë 2 milionë euro. Në këtë moment lojtarët e kanë çuar më tej bisedën, duke thënë se, shpërblimi i premtuar ka qenë 3 milionë euro dhe jo 2 milionë, pasi 2 milionë euro i premtoi FSHF-ja, ndërsa 1 milion euro i ka premtuar kreu i qeverisë Edi Rama në pritjen që u është bërë lojtarëve pas kthimit në atdhe nga ndeshja ndaj Armenisë. Lidhur me këtë çështje të shumë diskutuar brenda ekipit dhe drejtuesve është folur se ky është mashtrim që po u bëhet lojtarëve të kombëtares, pasi premioja prej 1 milion euro e premtuar nga kreu i qeverisë ishte shtesë veç premios 2 milion euro të premtuar nga FSHF-ja. Zyrtarët e FSHF-së, lidhur me këtë çështje mësohet se u kanë thënë lojtarëve shifra prej 2 milionë eurosh të premtuara përfshinte brenda saj edhe premtimin prej 1 milion eurosh të kryeministrit Rama, duke qenë të vendosur në qëndrimin e tyre, edhe pse janë përballur me pakënaqësitë e lojtarëve. Çështja e ndarjes së premios është bërë objekt diskutimi prej disa ditësh edhe pse nga ana e FSHF-së është bërë maksimumi për ta minimizuar këtë çështje, për të mos e lënë atë të dalë jashtë dyerve të këtij institucioni edhe pse ky rast menjëherë pas kundërshtimeve të lojtarëve është bërë objekt i gjerë bisede, pasi vetë lojtarët e kanë cilësuar si të padrejtë këtë që po u bëhet, pasi e vërteta sipas tyre është se, ata duhet të marrin 3 milionë euro dhe jo 2, siç është folur ditët e fundit. 
Ja çfarë u tha në fillim lojtarëve
Vetëm pak orë para fillimit të ndeshjes ndaj Armenisë në Jerevan, lojtarëve të kombëtares u është premtuar nga drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit se, në rast kualifikimi djemtë e kombëtares do të shpërbleheshin me premion 2 milionë euro. Në këtë përballje kombëtarja e fitoi ndeshjen me rezultat të bindshëm 3-0, duke siguruar kualifikimin direkt në “Euro 2016”. Ky lajm u është konfirmuar sërish pas ndeshjes. Ndërkohë që ditën e kthimit të kombëtares në atdhe, pas ndeshjes me Armeninë në Jerevan, në pritjen që u është bërë lojtarëve nga kryeministri Edi Rama, u është premtuar atyre një tjetër shpërblim prej 1 milion euro. Duke bërë një llogaritje të thjeshtë del se 2 milionë euro të dhëna nga FSHF-ja dhe 1 milion euro të dhëna nga Rama, shkojnë në total 3 milionë euro, aq sa shuma që lojtarët kërkojnë të marrin sot. 
Mosmarrëveshje, mes FSHF-së dhe qeverisë për premion e lojtarëve të kombëtares
Përcaktimi i saktë i shumës së premios premtuar lojtarëve, duket se është bërë pikë debati mes FSHF-së dhe qeverisë, për të caktuar shumën përfundimtare që do t’iu jepet lojtarëve si shpërblim për kualifikimin në “Euro 2016”. Ky diskutim ka nisur që ditën e diel dhe po vazhdon ende, pasi lojtarët janë të paqartë rreth kësaj çështje, pasi ata prisnin të merrnin në total 3 milionë euro, ndërkohë që vetë kreu i FSHF-së u ka thënë ditën e diel lojtarëve se, shuma e premios është vetëm 2 milionë euro. Kjo ka sjellë dhe reagimin e lojtarëve, të cilët kanë braktisur stërvitjen e së dielës. Për këtë çështje lojtarët kanë kërkuar llogari nga Armand Duka, pasi nuk është kjo ajo që u është premtuar lojtarëve dhe se kjo nuk është e drejtë, pakënaqësi këto të shprehura publikisht. Lidhur me këtë çështje, deri tani nga ana e qeverisë nuk ka pasur asnjë reagim, për të bërë qartësimin e kësaj situate. Ndërsa nga ana tjetër qëndrojnë lojtarët, të cilët nuk dorëzohen, pasi në fillim atyre u është premtuar shuma prej 3 milionë euro, të cilën ata presin të marrin për të bërë ndarjen e tyre mes lojtarëve. Qëndrimin e tyre ata e shprehën dhe ditën e diel, ditë në të cilën braktisën dhe stërvitjen në shenjë kundërshtie për këtë që po ju ndodh. Si duket kjo ka vënë në përballje lojtarët me FSHF-në dhe qeverinë, të cilat mbajnë ende qëndrimin fillestar se, lojtarët do marrin vetëm 2 milionë euro. Shumë, kjo ende e padorëzuar në duart e lojtarëve të kombëtares